
Dr.Hasan BELLO
Në fillim të shek. XX si rezultat i rrethanave të vështira ekonomike me të cilat u përball populli shqiptar, një pjesë e popullsisë u detyrua të emigronte drejt ShBA, Europës dhe vendeve të tjera ballkanike. Sigurisht që vala e emigrimit ka filluar më herët, por është pikërisht kjo periudhë kur krijohet një raport i çuditshëm lidhur me anën sasiore. Kështu, vihet re se në disa shtete të ndryshme numri i shqiptarëve arriti të ishte aq i madh saqë ia kaloi edhe disa qyteteve të Shqipërisë. Një rast tipik është Stambolli në të cilin në vitet 20-të banonin rreth 20.000 shqiptarë. Cili qytet i Shqipërisë kishte një numër kaq të madh banorësh në këtë periudhë? Edhe në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë që jetonte brenda vendit, numri i shqiptarëve që jetonte në emigracion ishte disa fish më i madh.
E vetmja fatkeqsi për diasporën shqiptare ishte përkujdesja e shtetit amë. Megjithatë nuk mund të thuhet se interesi ndaj kolonive shqiptare ishte krejtësisht zero. Gjithmonë shteti shqiptar është përpjekur që, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat ndodhej herë pas here ta hidhte vështrimin edhe tek këto koloni. Për ta ilustruar këtë me një rast konkret do të sjellim si shembull një plan pesëvjeçar për vitet 1934-1939, i cili kishte si synim kryesor zhvillimin e propagandës kombëtare në kolonitë shqiptare, duke hapur dhe financuar disa shkolla e kurse të gjuhës shqipe.
Në raport fillimisht arsyetohej dhe argumentohej se përse ishte e domosdoshme hartimi i këtij plani të detajuar. Ai niste me faktin e dhimbshëm duke konstatuar se mjerisht shqiptarët e kolonive po shkombtarizoheshin dita ditës, duke u asimiluar, si nga gjuha ashtu dhe nga zakonet, karakteri apo ndjenjat. Procesi i shkombtarizimit tek shqiptarët e vendosur familjarisht nëpër shtete të huaja ishte duke shkuar paralelisht me zhvillimin e kulturës dhe qytetërimit ndër këta shqiptarë. E kundërta vihej re tek disa koloni ku shqiptarët kishin mbetur më pak të zhvilluar nga pikëpamja kulturore, tek këta të fundit shihej një konservim më i mirë i gjuhës dhe i karakterit kombëtar. Kurse në kolonitë ku ndodheshin shqiptar më të qytetëruar, sidomos tek ata më të kulturuarit procesi i shkombtarizimit zhvillohej në mënyrë të shpejtë dhe përfundimtar. Nga kjo kategori, sigurisht që më i prekur ishte brezi i ri, i cili ishte lindur dhe rritur në emigracion. Nëse nuk merreshin masa të menjëhershme nga shteti shqiptar, ky brez sipas raportit në fjalë ishte kryekëput i humbur. Kjo sepse fuqia konservative e emigrantëve nuk mund ta përballonte fuqinë asimiluese të kulturave të huaja. Sidomos shkollat nëpër të cilat studionin fëmijët shqiptar nga mosha e vogël deri në ciklin universitar do të ndikonin që, ata kur të dilnin në jetë ta kishin humbur krejtësisht vetëdijen kombëtare. Si shembull, sillej rasti i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, nga cila megjithëse kishin dalë vazhdimisht intelektualë dhe patriot të njohur, fëmijët e tyre gradualisht ishin duke u shkombtarizuar. Prandaj, nëse nuk ndërhyej brenda dy-tre brezash rrezikohej që të zhdukej e gjithë pjesa e emigruar e kombit shqiptar. Por ky proces shkombtarizimi, sipas raportit, nuk zhvillohej njësoj edhe për kolonitë e tjera, si tek kombësia greke, armene, hebreje etj. Përkundrazi, të gjitha këto koloni në pjesën dërrmuese të tyre vazhdonin ta ruanin gjuhën dhe karakterin e tyre kombëtar, ndonëse kishin emigruar shumë kohë përpara shqiptarëve. Shkaku kryesor ishte se në ndryshim me kolonitë shqiptare, atyre nuk i kishin munguar shkollat dhe organizatat kombëtare. Prandaj, nga kjo pikëpamje ishte e nevojshme që shteti ynë të ndërhynte seriozisht për t`u ardhur në ndihmë shqiptarëve të emigruar. Por, hapja e shkollave dhe e instituteve kombëtare që do të merreshin me përhapjen e gjuhës dhe kulturës në kolonitë shqiptare ishte një barrë e rëndë për arkën e varfër të shtetit. Nga ana tjetër, raporti konstatonte se edhe nëse hapeshin këto shkolla, nuk mund të thuhej se do të sillnin përfundimin e duhur, për këto arsye:
- Pamundësia për të hapur më shumë se nga një shkollë fillore në çdo qendër kolonie (Bukuresht, Sofje, Stamboll, Kajro etj) do ta bënte të pamundur që në këto shkolla të studionin të gjithë fëmijët e emigrantëve shqiptar që jetonin në qytete të ndryshme.
- Pas përfundimit të këtyre shkollave kombëtare, fëmijëve shqiptar do t`u kufizohej mundësia për të vazhduar studimet në shkollat e ciklit të mesëm apo universitar, mundësi e cila u ishte siguruar në rast se studionin në shkollat vendase që kishin lidhje kontinuiteti me njëra-tjetrën.
Për këto arsye, në raport vihej theksi tek gjetja e një formule të mesme, e cila do të siguronte minimumin e shpenzimeve dhe maksimumin e rezultatit, në mënyrë të tillë që të shpëtoheshin të gjitha brezat e shqiptarëve nga procesi i shkombtarizimit dhe duke mos ia mbyllur atyre rrugën e një zhvillimi të plotë kulturor. Kjo gjë, mund të realizohej duke krijuar në të gjitha qendrat e kolonive shqiptare shkolla speciale për adoleshentët. Qëllimi i këtyre shkollave nga pikëpamja kombëtare do të ishte të plotësonin kulturën e përgjithshme që të rinjtë shqiptar merrnin në shkollat vendëse. Një aspekt tjetër ishte edhe mbledhja e të rinjve shqiptar në shoqata kulturore e sportive me ngjyrim kombëtar. Këto shkolla speciale, meqenëse do të frekuentoheshin nga nxënës pak a shumë të rritur dhe të përgatitur në shkollat vendase, programi i tyre duhej të ishte sa më i përgjithshëm. Prandaj, sipas raportit, çdo shkollë e tillë duhet të kishte dy seksione:
- Seksionin e gjuhës shqipe;
- Seksionin e literaturës, historisë, gjeografisë si dhe njoftime të përgjithshme shqiptare.
Seksioni i parë planifikohej të ishte një shkollë nate, e cila do të kishte si qëllim që t`u mësonte nxënësve shqiptar të flisnin, të lexonin dhe të shkruanin gjuhën shqipe. Nxënësit do të ndaheshin në dy-tre grupe ose dhe më shumë sipas rastit dhe mësimet për seicilin grup do të jepeshin së paku tre herë në javë.
Seksioni i dytë, i cili do të mblidhte nxënës më të rritur ose studentë që dinin ta shkruanin dhe ta lexonin gjuhën amtare, mund ta zhvillonte programin e vet sipas rrethanave, natën, në fundjavë ose në kohën e pushimeve shkollore. Programi i këtij seksioni do të zhvillohej në trajtën e konferencave me karakter të përgjithshëm, që duheshin përgatitur paraprakisht. Konferenca të tilla duhej të organizoheshin periodikisht edhe për publikun. Në mbarim të çdo seksioni, nxënësit do t`i nënshtroheshin një provimi përfundimtar dhe më pas do të paijseshin me çertifikata të posaçme. Këto çertifikata do të kishin peshën e duhur për të ekuivalentuar diplomat që këta nxënës kishin fituar në shkollat e huaja në vendet përkatëse. Kjo bëhej me qëllim që nëse dëshironin të përfitonin bursa ose të shërbenin në administratën shqiptare ata t`i kishin rrugët e hapura si të gjithë shqiptarët që jetonin brenda shtetit amë. Kjo do ta favorizonte tej mase forcimin e arsimit kombëtar tek kolonitë shqiptare dhe do t`i shtynte të gjith prindërit për t`u siguruar më shumë avantazhe fëmijëve të tyre.
Për të përmbushur këtë plan konkret u hartua një preventiv i detajuar lidhur me hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe në Bukuresht, Stamboll, Kajro, Sofje, Selanik, Kostancë etj. Në këtë preventiv parashikohej një buxhet pesë vjeçar për mësuesit, qeratë, mobiljet, energjinë elektrike etj., çka tregonte për seriozitetin e kësaj nisme.