Nga Dr. Ledian Droboniku*/Shqipëria jo vetëm që ishte dominoja e fundit e rënies së komunizmit por dhe vendi që adoptoi me vonesë një Kushtetute të re. Kushtetuta u aprovua me referendum popullor vetëm në dhjetor të 1998. Ndryshe nga ideologjia komuniste (që i atribuonte rolin diktues jo Kushtetutës por politikës dhe partisë-shtet) Kushtetuta e re synonte ndërtimin e shtetit të së drejtës, ose vënien e politikës dhe ekonomisë nën kontrollin kushtetues.
Çfarë do të thotë kjo gjë?
Do të thotë që jeta politike dhe ekonomike në vend të mos diktohej më nga partitë-shtet, por nga një Kushtetutë që ngrihet mbi sovranitetin popullor dhe të drejtat e individit. Pra regjimi që duhet të adoptonte dhe realizonte Shqipëria, duhet të ishte një demokraci liberale. Në fakt nuk u realizua as demokracia dhe as liberalizmi ashtu si dhe Kushtetuta vazhdoi të kishte thjesht një rol formal, si kishim eksperimentuar në 45 vjet totalitarizëm.
Demokracia ngritur mbi parimin e sovranitetit popullor (neni 2) kërkonte që shteti të ishte i togëzuar me vullnetin e sovranit. Por instrumentat për realizimin e këtij vullneti nuk iu dhanë kurrë popullit por mbetën përsëri në duart e një oligarkie që vetëmërohej si në Nomenklaturën e vjetër.
Në radhë të parë, instrumentat e demokracisë direkte. Edhe pse Kushtetuta i parashikon ato formalisht, popullit nuk iu lejua kurrë të niste dhe shprehte direkt vullnetin e vet, për çështjet madhore këto dekada. Madje sot, nuk kemi as dhe një ligj formal mbi referendumet kombëtare apo lokale, nismat popullore apo peticionet. Fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve i vendoste dhe i vendos vetëm partia.
Por, nëse partia do vijonte të ishte de facto i vetmi motorr në jetën e vendit, të paktën mund të kishim rekuperuar demokracinë përfaqësuese duke vënë partitë nën kontrollin demokratik të popullit si kërkon neni 1 dhe 9 i Kushtetutës.
Ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta.
Kasta e tranzicionit kishte trashëguar mentalitetin komunist, ku i gjithë pushteti i takon sovjetëve dhe çfarë thotë partia bën populli. Të gjitha reformat kushtetuese e ligjore, çuan në fakt në përqendrim të pushtetit. Është kryetari që kontrollon partinë dhe jo e kundërta. Është partia që kontrollon qytetarët dhe jo e kundërta. Nën këtë totalitarizëm “të butë” të gjitha institucionet shtetërore, ashtu si dhe ekonomia, media, akademia, arti e kultura kontrollohen prej një oligarkie organizuar në parti politike. Ndërsa rituali i votës vijoi të ekzistonte si në komunizëm, për të legjitimuar kastën dhe jo realizuar vullnetin e sovranit.
Nëse shteti kthehet në pronë të një oligarkie, ai që sakrifikohet është interesi publik përfaqësuar nga shumica e qytetarëve, bizneseve, punëtorëve, profesionistët e rinj, studentëve apo pensionistëve. Pra janë të drejtat e individit që dhunohen përditë prej një kaste autoreferenciale. Kjo do të thotë dhe goditje e shinës së dytë të Kushtetutës: Liberalizmit
Liberalizmi për të realizuar aspiratat e veta ka nevojë për demokracinë, ashtu si dhe kjo e fundit ka nevojë për të drejtat liberale për të formuar vullnetin e lirë të qytetarëve. Të dyja këto ideologji komplementare bashkëjetuan brenda konstitucionalizmit modern dhe shtetit social. Jo pa qëllim përdor kohën e shkuar, pasi prej dekadash, ka filluar në Perëndim një sulm ndaj konstitucionalizmit dhe triumf të globalizmit, erozion të sovranitetit dhe demokracisë në favor të elitave financiare transnacionale.
Po çlidhje ka kjo me Shqipërinë?
Njerëzit priren të lexojnë mikro-realitetin, pa patur instrumenta për të kuptuar totalitetin sikur Shqipëria të ishte ende një vend i izoluar dhe jo kaq e ndërvarur nga bota.
Ajo që ndodh në Shqipëri, në fakt është replikim i trendit të ri botëror mbi një teori hibride, e njohur si neoliberizëm. Nisur prej një dogme ekonomike, ku tregu rregullon gjithçka, ky vizion elitist pushton politikën dhe çdo aspekt të jetës, në një totalitarizëm të ri. Klerikët e këtij sistemi, kanë zbritur nga altari, liberalët klasikë si Locke, Rousseau, Monteskje, Smith për ti zëvendësuar me radikalë si Schumpeter, Hayekun apo Friedmanin.
Interesi publik në këtë vizion nuk realizohet më nga pjesëmarrja e qytetarëve në jetën politike dhe ekonomike të vendit, por falë “konkurrencës mes elitave”. Nuk ka një harmonizim mes publikes dhe privates (si kërkonte Arendt); ndarjes së pushteteve (si kërkonte Monteskje) por supremaci të ekzekutivit; jo ndarjes së Shtetit nga Ekonomia (si kërkonte Smith), por kapjen e shtetit prej lobeve ekonomike-politike (si frikshëm parashikonte Foucault). Në këtë mënyrë politika bëhet domain i lekistëve dhe replikim i mekanizmave të tregut. Ajo shndrrohet në marketing ku dëshirohet veç të shitet një produkt e jo se si prodhohet dhe për kë shkon ai. Diskutimet e qenësishme i lënë vendin slloganeve të marketingut politik, ku qytetari sillet si konsumator që mezi pret të blejë produktin e radhës.
Por çfarë ndodh, nëse ai produkt nuk vjen kurrë megjithë morinë e ofertave në tregun politik?
Çfarë ndodh nëse të gjitha produktet janë skadente dhe larg preferencës së konsumatorëve?
Nuk ndodh asgjë!
Brenda kësaj paradigme ekonomike-politike nuk ka zgjidhje!
Sistemi ka nevojë që masat të konsumojnë, pavarsisht se ekuilibri realizohet në nivele subsahariane. Dogma neoliberiste nuk ngrihet mbi optimalizimin e kërkesës (pra në favor të nevojave të popullit si kërkonte Keynes) por mbi ofertën (privilegjet e elitave, sipas ligjit të Say). Duket familjare atëherë se përse shtimi i ofertave partiake ngjason me shtimin e produkteve skadente në supermarkete. Dekadenca e partive nuk ndryshon nga kanceri i ushqimeve, jo si përjashtim por si esenca strukturore e këtij sistemi. Në shooqëritë konsumeriste, njerëzit duhet të konsumojnë medoemos, se përndryshe mund të nisë Revolucioni. Këtë gjë e kuptojnë elitat sunduese por jo qytetarët të trasformuar në konsumatorë të një bote fallco e skadente.
Po atëherë çfarë duhet bërë?
Ajo që kemi bërë gjithmonë kur gjërat nuk shkojnë mirë, pavarsisht tentativave!
Të ndryshojmë perspektivën, nga iluzion se toka është e sheshtë në atë se toka është sferë, nga iluzioni se problemet e të mjerëve do i zgjidhin lekaristët në bindjen se “gomarin e nxjerr i Zoti nga balta”
Të kuptojmë që ky sistem nuk është ngritur për të mirën e përgjithshme por për atë të pak njerëzve! Të kuptojmë që deri sa instrumentat ti ketë oligarkia dhe jo qytetarët, interesi publik është i rrezikuar! Të kuptojmë që çdo lloj oferte brenda këtij modeli është e rremë dhe shton agoninë e një populli të tërë! Të kuptojmë që politika është aktivitet i qytetarëve dhe jo produkt që shitet nga partitë dhe lobet! Të kuptojmë që nëse sillemi si konsumatorë, do presim me dekada përpara kutisë së votimit për një alternativë që nuk vjen kurrë vetë! Të kuptojmë që më e rëndësishmë se “oferta” është “kërkesa”, pra ajo çfarë vërtet kemi nevojë. Dhe nëse ajo nuk gjendet duhet ta prodhojmë vetë!
Totalitarizmi i ri (ndryshe nga ai i vjetri) pranon se është i padrejtë, por në të njëjtën kohë eliminon çdo lloj mundësie për ta ndryshuar. Ai nuk fsheh problemet por përmbys përgjegjësitë, betejat dhe zgjidhjet. Kështu për të mos pranuar kapjen e shtetit dhe ekonomisë flitet për korrupsion, për të evituar revolucionin flitet për evolucion, votime apo rotacion. Duhet që energjia prej pakënaqësisë sociale të derdhet në kanale të parrezikshme ose të anullohet mes vetë të mjerëve.
Refreni që përsërit kasta, “miqtë ndërkombëtarë”, media e intelektualët e sistemit është e njëjtë prej dekadash: <<vota është arma juaj>>. Por ajo është një armë lodër që nuk arrin më as të zbavisë qytetarët. Armët e vërteta i mban një kastë antikombëtare me mbështetjen e lobeve ndërkombëtare.
Ajo do vijojë të prodhojë pa fund parti sistemike, që replikojnë të njëjtën ADN antidemokratike e antiliberale. Të gjitha partitë organizohen rreth liderrrit absolut me besnikë e mercenarë. Kurse programet ekonomike (kur ekzistojnë) janë të gjitha neoliberale, që shohin problemin tek shteti dhe zgjidhjen tek privatizimi i pasurive publike apo të shërbimeve, që flasin vetëm për taksa e jo politika industriale, politika ekspansive monetare, fleksibilitet të normës së shkëmbimit, banka publike e sovranitet monetar, shpërndarje të pasurisë dhe rekuperim të drejtësisë sociale, fuqizim të sindikatave, etj. Kjo klasë politike nuk mund ti kundërvihet lobeve transnacionale që kontrollojnë sektorët strategjikë e të interesuar vetëm për “stabilitet” që mos tu rrezikohet pagesa e borxheve dhënë me bujari Shqipërisë. Zgjeruam këndvështrimin për të kuptuar këtë sistem që nuk e shpikëm ne, por e importuam ashtu si importuam komunizmin dhe cdo gjë tjetër në këtë vend. Pa kuptuar shpirtin e epokës ku jetojmë (zeitgeist) nuk do kuptojmë dot as rrugëdaljen. Do vazhdojmë të bëjmë lojën e partive dhe lobeve që na mbushin mendjen, se vota është shpëtimi, se duhet zgjedhur e keqja më e vogël e të tjera si këto. Por vota në këto kushte, ku ekonomia, media, insitucionet, shoqëria civile janë të kapura i shërben vetëm kastës dhe klerikëve të sistemit. Nuk është çudi që përse të gjithë intelektualët në kohën e neoliberizmit janë të gjithë neoliberistë, ashtu sikundër në komunizëm ishin të gjithë komunistë. Kasta promovon e josh vetëm intelektualët organikë e jo ata disidentë. Çdo reformë demokratike për ti kthyer pushtetin politik e ekonomik qytetarëve anatemohet si populiste kurse autorët si radikalë apo komplotistë! Jo shumë larg totalitarizmit komunist ku kundërshtarët, etiketoheshin si mikroborgjezë apo revizionistë!
Kjo është idea e lirisë prej neoliberistëve.
Nëpërmjet një pluralizmi të rremë, që pavarisht fasadës promovon të njëjtin vizion të botës, liria degradon. Nuk mund të ketë liri, nëse nuk ka mundësi zgjedhjeje për një jetë më të mirë. Ashtu sikundër nuk shuhet etja, nëse të vënë përpara vetëm gota me shëllirë.
Etja e Shqiptarëve për një Shqipëri më të mirë, mund të shuhet npj një reagimi të fortë ndaj status quos. Ky reagim nuk mund të jetë thjesht abstenimi ndaj politikës sepse kjo do të ishte muzikë për kastën që kërkon të mbajë larg qytetartë prej pallatit të politikës. Përgjigjia më e mirë do të ishtë Bojkoti Aktiv, pra zgjedhësit bëjnë të pavlefshme fletën e votimit. Kjo mënyrë e të votuarit, sanksionuar në disa shtete, reflekton të drejtën e rezistencës së popujve, ndaj një regjimi që ka zaptuar institucionet. Ius resistendi, lindi bashkë me ideologjinë liberale dhe sanskionohet në shumë kushtetuta (ajo gjermane madje parashikon rezistencën e armatosur të popullit).
Nga ana tjetër, vota mund të jetë pohuese, mohuese apo neutrale. Nëse këtë tagër e kanë përfaqësuesit e popullit në parlament, si nuk e paska populli që delegon këtë pushtet.
Sigurisht që një bojkot masiv nuk është zgjidhja përfundimtare, por shkëputja me kastën e tranzicionit! Vetëm pas thyerjes së zinxhirave, mund të braktisim shpellën e Platonit e të nisim një rrugëtim drejt lirisë dhe demokracisë autentike. Ndërsa konformimi me votimin dhe mekanizmat e sistemit, na mban të mbyllur brenda “qelisë së çeliktë” të Weberit ku nuk ka dyer e dritare!
Jemi ne që vendosim, nëse kuptojmë e dëshirojmë shpëtimin!
Është populli që ndalon së qenuri konsumator i këtij pluralizmi të rremë dhe vendos të jetë sovran e vendimmarrës i fateve të tija!
Në një Shqipëri Normale e të begatë, ku demokracia dhe ekonomia vihet në shërbim të të gjithëve dhe jo vetëm një kaste barbare dhe antishqiptare!
Bashkëthemelues i ShqipON