Nga Arjan Th. Kallço & Pierfranco Bruni/
Gabriele d’Anuncio dhe kultura shqiptare : kjo do të ishte një temë e bukur për të nxjerrë në pah pikërisht lidhjet e lashta dhe shkëmbimet kulturore mes dy vendeve. Kultura duke qënë sendërtimi më i fuqishëm i ndërveprimit mes popujve, nuk mund ta anashkalojë kurrë atë pjesë të traditave të cilat nuk ndahen me kufij dhe që nuk mund të jenë molla e sherrit. Bashkë me mikun tim Bruni dëshirojmë që të sjellim një moment idilik tipik italo-shqiptar, ku politika nuk mund të luante asnjë rol parësor imponues, pasi letërsia nuk ka nevojë për ndihma hipokrite politike dhe ndërmjetës të degraduar në aferat më të errëta të koshiencës. Jo është një thirrje tepër e dukshme duke u mbështetur në dëshmitë dhe në shkrimet e kohës në të dyja anëet e detit. Lidhja është aq e ngushtë dhe e brendshme, e natyrshme dhe jo e sfazuar, sepse një letrar nuk shikon interesat apo idealet në fuqi që të mund të japë konsensusin e bashkëpunimit. Ndoshta D’Anuncioja e kuptoi se jo të gjitha marrëdhëniet janë të varura politikisht, ndoshta në pozicionin e tij si pjesë e ideologjisë së cilës i shërbente, e kuptoi se tradita e një populli nuk mund të zëvendësohen kollaj, aq më tepër të asimilohen, ndoshta ishte vetëm një çast përhumbjeje në to që të tregonte një farë superioriteti kulturor. Por poeti Italian i kishte studiuar dhe i njihte mirë bëmat e udhëheqësit dhe personazhit kyç të historisë sonë gjatë pushtimit turk, Gjergj Kastriotit. Më mirë ta konsiderojmë një ngushëllim të qëndrueshëm në lidhjet me Shqipërinë, me idenë që ta zgjeronte kulturën, zakonet dhe historinë e të dy vendeve, por në të njëjtën kohë, edhe shkrimtarët dhe poetët shqiptarë nxorën nga D’Anuncioja stimuj dhe një problematikë të gjerë nga ana letrare. Prania e përbashkët me ndërthurrje kulturash, nxjerrin në skenë referime kuptimplote që edhe sot na bëjnë që të m,endojmë shumë dhe t’i vlerësojmë pozitivisht.
Ka dëshmi të qarta të simpatisë së Gabriele D’Anuncios ndaj vendit përballë,Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke vizituar në brendësi të memorialit të Vittorialit. Në dhomën e relikave, pikërisht në altarin e relikave të luftës dhe simboleve fetare, mund të admirohet një ekzemplar i rrallë, i lidhur me lëkurë, bëhet fjalë për veprën Skënderbeu të priftit shkodran Barletio, në versionin gjermanisht të vitit 1561. Ëshët një prej katër ose pesë librave të pranishëm dhe me miratim të vetë poetit në atë pjesë mistike të banesës së vet. Për këtë gjë shkruan Ernesto Koliqi në Esetë mbi letërsinë shqiptare (Olschki,1972) në kapitullin dedikuar Gabriele D’Anuncios dhe admiruesve të tij të përtejdetit, shqiptarëve.
Në disa kërkime të miat në bibliotekën e qytetit të Korçës rezulton se veprat e tij janë të pranishme edhe në Shqipëri dhe datojnë dekada më parë dhe besoj se janë sjellë tek ne në vitet e regjimit fashist, i cili nuk mund të mos i bënte publicitet njërit prej poetëve që mbështeti fuqimisht ideologjinë e tij. Në këtë pikë si poet dhe kritik shqiptar nuk mund të bashkohem me D’Anuncion, por kjo nuk e vë në dyshim penën e tij dhe faktin se është një prej poetevë më në zë të Italisë. Veprat e tij nuk janë vetëm në gjuhën italiane, por edhe në gjuhën frënge. Gjatë periudhës së historisë shqiptare, nga vitet 1944-1990, autori Italian nuk ishte i parapëlqyer pikërisht për arsyet që thashë më lart. Pas viteve ’90 ka disa përpjekje që vepra e tij të përkthehet edhe në gjuhën shqipe, ku mund të përmendim disa gjurmë në renditjen kohore me përkthimet e mia në një libër me titull, Poezi italiane për dashurinë në vitin 2003 dhe një përmbledhje të Aleksandër Pavlit në vitin 2010 me 15 poezi në dy gjuhë.
Prania e D’Annuncios në letërsinë shqipe pasqyrohet mirë në studimet e Koliqit, përmes një vizioni artistik dhe kulturor që vendos në qendër një dimension të kulturës orientale. Gabriele D’Annuncioja e donte letërsinë shqipe dhe shumë shkrimtarë shqiptarë e konsideronin atë një mjeshtër të vërtetë. Nuk janë konstatime që nuk kanë bazë, por ka edhe dëshmi të rëndësishme që e vërtetojnë këtë fakt. Karakteri gojor i poezisë shqipe ka një venë të thellë muzikore dhe në këtë muzikalitet që rrjedh nga një bagazh përvojash letrare, por edhe antropologjike, muzikalitet koral vallëzues italo-shqiptar në ritmin e fjalëve, theksimi i vargut danuncian nuk mund të mohohet.
Jo rastësisht poezia shqipe bashkëkohore e përmban ritmin lirik gabian. Ishte poeti Laxaro Shantoja që përktheu Shiu në pyll në vitin 1942 në gazetën letrare Tomorri i vogël. Por i gjithë impostimi letrar i Shantoisë është i strukturuar në mësimin danuncian. Kështu edhe formimi i një shkrimtari si Bernardino Palaj apo përkthimet e Masar Sopotit, i cili përktheu D’Anuncion në faqen letrare në gjuhën shqipe të Gazetës italiane të jugut, në Bari, ku Sopoti mori rolin e redaktorit.
Por nuk është vetëm një fakt i tillë që vendos lidhjet e padiskutuara midis D‘Anuncios, shqipes dhe shqiptarëve. Poeti Italian pati lidhje edhe me shumë shqiptarë të tjerë që patën kryer studimet e tyre në Itali, pavarësisht nga bindjet e tyre fetare, si Fishtën, por ishte Koliqi ai që i dedikoi lidhjes midis D’Anuncios dhe botës shqiptare faqe të veçanta të papërsëritëshme që mbeten në historinë e letërsisë italiane, por më shumë shqiptare, pasi madhështia italiane e kulturës shihej si një model i veçantë i cili duhej t’i frymëzonte kolegët shqiptarë. D’Anuncio kishte një shpirt islamik të formuar në një vision gati bizantin me tiparet e një modeli historik dhe kulturor që i karakterizoi shumë shkrime të tij. Ky karakter shqipësie që theksohet edhe tek D’Anuncio, i ka padyshim rrënjë e një dëshmie të bazuar në përcaktime që të çojnë në një identitet letrar tërësisht mesdhetar. Kurësesi nuk mund t’i ndash nga këto lidhje të ngushta nga njëra-tjetra. Kemi një dëshmi të qartë të Koliqit në të cilën nënvizohet : Duke u nisur nga mësimi danuncian, disa nga shkrimtarët e rinj më të prirur rreth viteve ’30 i shtuan mundësitë shprehëse të gjuhës mashkullore shqiptare, por pa e dëmtuar shtyllën e shëndetshme heroiko-patriarkale që dëshmon fisnikërinë e lashtë të saj; e drejtuan të shprehin me mjeshtëri të hollë lëvizjet e brendshme dhe t’i përshkruante me më shumë saktësi të qartë ngjarjet dhe mjediset moderne, deri atëherë në jetën e panjohur dhe në letrat shqiptare, që të evokonte me tone të sfumuara epoka dhe momente sugjestive të së shkuarës, që të shkrijë me vagullimin ëndërrimtar nevojën për arratisje nga jetëa e përditëshme.
Kjo është një shprehje e fortë e besnikërisë në mesazhin letrar danuncian. Ernest Koliqi si një vlerësues i madh i D’Anuncios shkon më tej kur pohon : D’Anuncioja, mes mjeshtrave të stilit, ishte ai që na shtyhu ne shkrimtarëve shqiptarë që admironim magjinë e mrekullueshme verbale, ta përsosnim atë mjet të mistershëm të komunikimit njerëzor që është gjuha e një kombi dhe ta bënim të përshtatshme me kërkesat letrare të kohëve të reja.
Gjuha dhe rapsodia janë dy elementë të rëndësishëm në pohimin dhe komunikimin danuncian. Dihet që fashizmi i kushtoi një vëmendje të veçantë gjuhës italine. Këto dy elementë qëndrojnë në bazë edhe të poezisë shqiptare, por ende para se ajo të ishte poezi italo-shqiptare. Ky ishte një mësim i dukshëm që pasqyrohej tek stili, por edhe një vizion identiteti në proceset e kulturës. Poeti D’Anuncio e shikonte heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, si një pikë të fortë referimi, e konsideronte jo thjesht si një hero kombëtar. Gjurmët dhe prania e tij në letërsinë shqipe edhe sot mbetet kostante. Xhovani Papini thotë se tek D’Anuncio gërshetohet një përzjerrje karakteri grekësie dekadente dhe orientalizmi : Aleksandrie ose Bizanti. Një botë në të cilën akti poetik është një gjurmëzim sublime kuptimi, së cilës i qëndron tërësisht emblematik. Ernest Koliqi tregoi se D’Anuncios kishte patur ndikim të dukshëm në kulturën letrare shqipe.
Koliqi thotë më tej: D’Anuncio si shpirt eklektik dhe si konceptim pagan i veçantë i jetës mund të konsiderohet më i afërti me mentalitetin dhe shijen shqiptare. Nga ana tjetër kultura orientale e ka joshur mjeshtërin. Ajo pjesë sot e konsideruar më të paqëndrueshme të krijimtarisë letrare danunciane, ku shfaqen personazhe të dhunshme dhe në të njëjtën kohë finë, ku përshkuhen mjedise të rrethuar me pompositet oriental, i përgjigjej shijes bizantine i derdhur thellë tek shqiptarët, veçanërisht në qytet, prej shekujsh me përkatësi aktive para perandorisë bizantine dhe më pas ndaj asaj otomane, e cila ruajti, duke i ndikuar me shpirt islamik format dhe zakonet e qytetërimit bizantin.
D’Anuncioja nuk është i vetmi poet Italian që vërtet ka patur lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët. Është detyra e çdo italianisti që të nxjerrë në pah ndërveprimet kulturore në çdo epokë dhe më pas t’ia nënshtrojmë kritikës së shëndoshë për meritat dhe të metat, duke përjashtuar kategorikisht ndikimin e politikës, e cila kreu një akt të paprecedent konfonduesë në vitin jubilar të Pavarësisë sonë kombëtare, duke dhunuar pavarësinë e shkencave dhe duke dashur ta trajtojë vetëm në njërin kah historinë tonë. Historia jonë letrare ka dëshmi të tjera të bashkëpunimit midis dy popujve dhe mjafton të përmendim gjysmën tonë shpirtërore që prej shumë shekujve ndodhet në Itali, arbëreshët.
Kjo e D’Anuncios padyshim është një dëshmi interesante që evidenton një raport të rëndësishëm dhe vendos një dialog, gjatë rrugëtimit, midis poetit të Shiut në pyll dhe asaj letërsie, bukuria dhe misteri i së cilës ka depërtime të thella të një Orienti me të cilën D’Anuncio nuk pushoi kurrë së u ballafaquari.