
Arben Iliazi/
Letërsia, sidomos poezia, duke qenë e bazuar te fjalët e figurshme, ka mjete shprehëse të përshtatshme për të ndikuar bukur ndjeshëm te fëmijët. Emocionet që ngjall poezia dhe arti në përgjithësi kanë ndikim mjaft më të madh në përpunimin e gjykimeve dhe në sjelljet intuitive, sidomos të fëmijëve deri në adoleshencë. Këtë mundohet të bëjë sot në Kosovë, me artin e tij, një poet e shkrimtar i njohur si Xhemë Karadaku, që e bashkon ndjeshmërinë e vet, gjykimin dhe përfytyrimin me këtë përpjekje për të hyrë në botën e ndjenjave të fëmijve nëpërmjet gjuhës poetike. Xhemë Karadaku, me origjinë nga Presheva, është një nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur në Kosovë, me një përvojë të gjerë letrare. Ka shkruar mjaft vepra poetike, libra me tregime, libra me enigma dhe monografi. Në ngrehinën artistike të tij spikasin elemente të qënësishme filozofike, psikologjike, shoqërore, gjuhësore etj.
Në pikun e karrierës së tij letrare dhe të trazimit shpirtëror, vitet e fundit ai është kthyer, pothuaj tërësisht, kah fëmijët. Xhema beson tmerrësisht në bukurinë e botës së fëmijëve. Librat e tij të shumtë për fëmijë janë mjaft interesantë, plot fantazi e humor të këndshëm. Në vetvete janë një thesar, që e bëjnë atë një shkrimtar mjaft të dashur nga fëmijët. Librat flasin për problematika të reja dhe interesante, me nota origjinaliteti dhe mjeshtëri artistike. Përmendim disa prej tyre, të botuara edhe në rrjetin gjigand ndërkombëtar “Amazon”: “Dhjetë me yll”, “Kalikuse, oj kalikuse”, “Histori për një dashuri”, “Lojë me fjalë”, “Nipi i Don Kishotit, “Pse iu kall mjekra gjyshit”, “Fuqia hyjnore”, “Trimi më i madh në botë”, “Portret i çuditshëm”, “Legjenda e re”, “Jam i madh”, etj.
Duke njohur mirë botën e brendshme dhe kërkesat e fëmijëve, poeti arrin t’u largohet frazave të përgjithshme, deklarative e moralizuese. Zakonisht vjershat i ndërton mbi një fabul të thjeshtë ku fëmija, përmes personazheve të ndryshëm, sheh veten e tij në lodra e gëzime të çiltra.
“Pulat kakarisin
Në llamba neonësh
Qentë po ulërinin
Në Kulla neonësh”
(Fragment: Në qytet)
Duke lexuar vjershat e Xhemë Karadakut të tërheq pasuria e ndjenjave, sinqeriteti i thellë, natyrshmëria.
“Shkruaj për fëmijët sepse dua që zëri i përjetshëm i artit dhe i bukurisë së tij të përkëdhelë shpirtin e tyre, ta bëjë më të bukur e më të qetë jetën e tyre ose, së paku, disa momente nga jeta e tyre. Arti u flet të gjithëve. Pra edhe fëmijëve. Dhe ata janë bota jonë. I japin kuptim jetës sonë. Ky është mision për t’i shërbyer letërsisë kombëtare, që të rritim fëmijë të mbarë dhe me shenja dalluese kombëtare”, tha poeti për gazetën “Dielli”.
Vjershat e tij rrezatojnë bukuri estetike dhe ide të gjithkohshme, dhe këto arrihen veçanërisht nëpërmjet subjektit e figuracionit, humorit e detajit të freskët artistik.
Po ecnin dy burra
Rrugës nëpër pyje
E shikonin qiellin,
Mbushur plot yje.
Nisën një bisedë
Me gaz dhe qeshje
Dikur sikur trimat,
Bënë marrëveshje!
Uh, marrëveshja
Habiti edhe pyjet:
Njëri mori qiellin,
E tjetri i mori yjet!
Pastaj nën një lis,
Burrat u shtrinë,
Të dy plot ëndje
Shihnin “pasurinë”
(Fragment: Zënka)
Xhemë Karadaku e mbështet poezinë e vet mbi një përdorim mjeshtëror të figurave letrare të larmishme. Duke qenë të drejtëpërdrejta dhe të pangarkuara me figura, vjershat kapen lehtë nga imagjinata e fëmijëve.
GJELI
Mësuesi porositi me zë:
-Sillni nesër nga një vezë!
N’shkollë kush vjen pa të
Një minus merr për besë.
Nasradini s’kish dëgjuar
Me mend ish tjetërkund
Nga klasa doli i vetmuar
U nis drejt për n’katund.
Të nesërmen sa nisi ora
Mësuesi u kërkoi prerë:
-Vezët mbi banka-saora!
T’ecim tutje menjëherë.
Nasradini syhapur mbeti
Shikon rrotull plot habi!
Mësuesi shpejt e vërejti
Dhe arsye kërkon nga ai?
E Nasradini si zakonisht
U kallëzua mendjehollë:
-Për këto pula, sigurisht,
Një gjel duhet n’shkollë?
Vargu është konçiz, me rimë e muzikalitet, aq sa fëmija, fare lehtë, mund t’i mbajë mend e t’i bashkojë me tingujt e një melodie.
“Një ditë dola në livadh,
Dhe bërtita: JAM I MADH!
Një buburrec kapa n’kokë,
Dhe e hodha mirë përtokë…
Hipa mbi grumbull dheu:
-Trim si unë s’ka Atdheu!
Ditën tjetër në mal dola:
-JAM I MADH, me zë fola!
(Fragment: Jam i madh)
Frazeologjia e bukur fëmijërore vjen hijshëm, e vjelur prej autorit me zgjuarsi e mprehtësi nga jeta e përditshme e të vegjëlve. Është pikërisht ajo frazeologji fëmijërore, e cila në substancën e saj ka nota humori të këndshme e jetësore, të freskët e joshëse.
“Dy shtëpi janë përballë
Dallojnë nga madhësia
Sa fort kontrast i rrallë
Habiten krejt njerëzia!
Në pallatin me sa kate
Veshur krejt n’mermer
Jeton një lakuriq nate
Sorollatet e bën tmerr…
(Fragment: E di përgjigjen).
Gjithashtu gjuha e përdorur tregon se poet është edhe njohës i mirë i psikologjisë së fëmijëve, pasi vë në veprim kryesisht fondin aktiv të fjalorit të tyre, pa e mbingarkuar atë me nocione të pakuptueshme.
“Lexova në një ditar fëmije:
-Nuk dua t’jem n’jetë si hije
Hije e zezë, kopje e trishtë
Dhe t’i bëhem secilit bisht.
I lexova edhe shumë gjëra
Ato do të mbeten sekrete.
Veç një gjë më tha zemra:
-Fëmijët janë botë në vete!
(Fragment: Botë më vete)
Poezia e Xhemë Karadakut, në një masë të ndjeshme, i dëfren lexuesit e vegjël, por ngacmon edhe imagjinatën e tyre:
Në vitin e parë më lë pa fletore
Librat m’i more në vitin e dytë
N’vitin e tretë çantën ma more
N’vitin e katërt s’t’i pashë sytë!
Enigmë mbete, nuk e di ku trete
Kalove male, e kalove dhe dete
Disa shkolla, thonë, gjoja i kreve
“Intelektual” në atdhe u ktheve!
(Fragment: Portret i një kandidati për deputet)
“Gishti i vogël n’protestë
Ankohej me drithërimë:
-Jeta juaj përherë-festë,
Unë mbeta sa një grimë!
Pesha dhe angazhimi i poetëve dhe shkrimtarëve në letërsinë për fëmijë ka vlera domethënëse jetike për një letërsi me ndjeshmëri kulturore, edhe pse ajo quhet e fëmijëve. Letërsia për fëmijë, si në Kosovë edhe në Shqipëri, kërkon një dimension i ri zhvillimi, duke nxitur e stimuluar botimet. Problematikat nuk janë të reja. Ndonëse ka pak autorë që shkruajnë për fëmijë, qoftë dhe duke bërë një krahasim me vitet ‘60 -70 të shekullit të kaluar, vërehen nota origjinaliteti dhe mjeshtëri artistike. Por mungon mbështetja dhe subvencionimi i librave. Shtetet tona duhet ta mbështesin financiarisht këtë lloj letërsie, që të mos skuqemi nga vetja, pasi ajo i shërben edukimit të fëmijëve, pra të ardhmes.
Të gjithë duhet të ndërgjegjësohen se në situatat e reja socio-kulturore shkolla, e vetme, nuk e luan dot më si dikur rolin shoqëror dhe edukativ me peshë, nuk e përmbush dot misionin e saj të trefishtë pedagogjik, shoqëror e moral. Gjithnjë e më tepër ky mision është në rrezik. Hendeku midis arsimimit të trashëguar dhe shijeve të nxënësve është mjaft i thellë. Ka një bjerrje të autoritetit moral të shkollave.
Mes moralit të zakonshëm, i cili duhet të kultivohet brenda mureve të shkollës, dhe veprimtarisë mendore të shoqërisë, që ka hyrë në një zonë eklektizmi individual, është hapur një humnerë e frikshme.
Po ndodh një keqkuptim i madh, që i ndan institucionet shkollore nga përdoruesit e tyre. Shkollat janë moderne, por nxënësit priren të jenë “postmodernë”. Shkolla ka për pikësynim të formojë mendjet e të zhvillojë njohuritë, ndërsa ata i kundërvënë vëmendjen e paqëndrueshme, të ndikuar fort nga televizioni dhe rrjetet sociale.
Dihet që televizioni nuk është kurrë një pasqyrë besnike e shoqërisë, nuk shërben kurrsesi si medium edukimi, pasi marrdhëniet që shfaq është i detyruar t’i bëjë spektakolare. Ky spektator është thjesht i parashikuar, ose i evokuar, ndryshe nga çfarë ndodh zakonisht me lexuesit e një libri.
Në qoftë se kultura është tërësia e qëndrimeve, zakoneve dhe vlerave që përcaktojnë tablonë e identitetit të një grupi, atëhere muzika, letërsia dhe artet në përgjithësi, përbëjnë themelin e kulturës së fëmijëve.
Në njëfarë kuptimi, poetë si Xhemë Karadaku mund të konsiderohen “rilindas modernë”, shkrimtarë të përkushtuar, për të cilët shoqëria e sotme, në këtë shndërrim të madh antropologjik, ka shumë nevojë.
BIOGRAFIA
Xhemë Karadaku u lind në fshatin Ranatoc të Karadakut të Preshevës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Preshevë, ndërsa fakultetin në Prishtinë. Bashkëpunon me revista e portale të shumta në gjuhën shqipe, ku ka publikuar një numër të madh të poezive, tregimeve, humoreskave dhe enigmave të rimuara. Ishte anëtar redaksie i Revistës “Jehona” në Preshevë, ishte redaktor i revistës për fëmijë “Ylberi” në Gjilan dhe një periudhë ishte anëtar i Redaksisë në revistën për Enigmatikë “Horizonti” në Gjilan. Është autor i njëzet veprave letrare dhe publicistike. Është autor i qindra enigmave të rimuara, të cilat i botoi në librat “Gjej e qesh” dhe “Zgjidh e Zgjidh” (botim elektronik). Është prezantuar në Antologjinë e Letërsisë për fëmijë “Lule për lulet” të botuar në vitin 2014. Libri me poezi për fëmijë “JAM I MADH”, në vitin 2014, u nderua me çmimin “Ymer Elshani” nga Karvani Letrar “Agim Deva” si libri më i mirë i botuar në Kosovë. Në konkurse të ndryshme letrare, në Kosovë e më gjerë, është fitues i shumë shpërblimeve për poezi, tregime dhe humoreska. Është editor i Shtëpisë Botuese “URA, Prishtinë. Jeton dhe punon në Prishtinë
DISA NGA VEPRAT:
Legjendë e re, 1992
Natë mbi mua, 1994
Gjej e qesh, 1994 (libër me enigma)
Pse iu kall mjekra gjyshit, 1995
Zvarranikët, 1995
Trimi më i madh në botë, 1999
Kalikuse, kalikuse a ma gjen një nuse, 2000
Ëndërr me ëndrra, 2000
Feniksi nuk është ndryshe, 2000
Lavjerrësi i kohës, 2002
Histori për një dashuri, 2003
Lojë në Trojë, 2003
Nipi i Don Kishotit, 2005
Fuqia Hyjnore, 2009, 2010
Flakadani i lirisë – Monografi për dëshmorin Xhavit Kozhani, 2010
Bozanska moc, 2011
Lojë me fjalë, 2011
Lojë me fjalë, 2013, botim i plotësuar (Shkup)
JAM I MADH, 2014 (libri më i mirë në Kosovë për vitin 2014)
Zgjidh e zgjidh, 2018 (libër me enigma)
Dhjetë me yll, poezi për fëmijë, 2019
Portret i Çuditshëm, ilustrim për fëmijë, 2020.
Lazdani, tregime për fëmijë, 2020.
‘Kalikuse, oj kalikuse”, nëntor 2024
“Hapësirë e akullt”, 2024
Çmimet letrare:
Në konkurse të ndryshme letrare, në Preshevë, në Kosovë e më gjerë, është fitues i shumë shpërblimeve letrare, ndër të cilët do veçuar:
• Sëmundja bashkëkohore, tregim satirik, çmimi i dytë, Bota e Re, 1989
• Hapësirë e akullt, tregim për të rritur, çmimi i parë, Flaka e Janarit, 1994
• Polemika, poezi për fëmijë, çmimi i tretë, Flaka e Janarit, 1994
• Pastrimi i mendjes, tregim satirik, çmimi i parë, Bujku, 1994
• Dashamirë, ju faleminderit, tregim satirik, çmimi i dytë, Bujku, 1994
• Në dosjen tënde, poezi satirike, çmimi i tretë, Bujku, 1994
• Vdekja duke qeshur shqip, tregim për të rritur, çmimi i parë, Flaka e Janarit, 1995
• Nuk di si ndodhi, poezi për fëmijë, çmimi i tretë, Flaka e Janarit, 1995
• Intelektual i pavarur, tregim satirik, çmimi i tretë, Bujku, 1997
• Lavjerrësi i kohës, tregim për të rritur, çmimi i parë, Flaka e Janarit, 2000
• Letra, tregim për të rritur, çmimi i parë, Manifestimi Kulturor “Kadri Kadriu” – Podujevë, 2001