



Sokol Paja/
Manhattan, 14 nëntor 2025 – Poetja Luljeta Lleshanaku shkëlqeu në Sallonin e Poezisë Botërore “World Poetry Salon” në “Stavros Niarchos Foundation Library” në New York duke mrekulluar jo vetëm publikun amerikan por edhe shumë shqiptarë që shijuan interpretimin e poezisë “Ujë dhe karbon” dhe bashkëbisedimin kushtuar letërsisë, diktaturës, krijimit, përkthimit dhe lirisë. Një natë e paharruar kushtuar letërsisë shqipe, poezisë e përkthimit. “World Poetry Salon” (Salloni i Poezisë Botërore) është një seri leximesh e organizuar nga New York Public Library në bashkëpunim me organizatën “Limelight Poetry” krijuar në vitin 2024 në New York City nga poeti Wang Yin, dhe i dedikohet promovimit të poezisë botërore ku poetja Luljeta Lleshanaku është ndër emrat më të njohur të letërsisë moderne shqiptare të vlerësuar e njohur ndërkombëtarisht. Në këtë aktivitet ku ftohen poetë dhe artistë të shquar nga e gjithë bota të ndajnë krijimtarinë e tyre në forma të ndryshme, eksperienca e Luljeta Lleshanakut jo vetëm ekspozoi Shqipërinë e panjohur gjatë diktaturës por mbi të gjitha konceptin e individit në liri dhe raportin me të shkuarën e të ardhmen.
“World Poetry Salon” lidh poezinë me forma të tjera arti, duke nxitur një shkëmbim global të shprehjes poetike dhe eksperiencave krijuese. Poetët e tjerë pjesëmarrës në këte projekt të nisur para pak muajsh janë: prozatori dhe poeti irlandez Colm Tóibín, poetja amerikane Victoria Chang dhe poeti maqedonas Nikola Madžirov.
Luljeta Lleshanaku është autorja e pesë librave tashmë të botuar në anglisht, tre prej të cilëve të botuar në SHBA nga shtëpia botuese New Directions: “Fresco” (2002), Child of nature”(2010) dhe “Negative space” (2018) të cilët janë prezantuar më parë në libraritë e New York-ut dhe qytete të tjerë të vendit, dhe për të cilët Lleshanaku shprehet se i kanë hapur rrugë përkthimit dhe botimit edhe në gjuhë të tjera. Por, ndryshe prej prezantimeve të mëparshme, kjo seri leximesh është një projekt ndërkombëtar në New York, ku përformojnë autorë të huaj të përkthyer në anglisht, krahas autorëve amerikanë apo autorëve nga vendet tjera anglishtfolese. Ky prezantim ndërkombëtar, ndihmon në përballjen e autores me një audiencë më të gjërë por është edhe një mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj poezisë, gjuhës, historisë dhe kuturës shqiptare në përgjithësi, të cilat akoma ngjallin kureshtje pas izolimit të gjatë politik në Shqipërinë komuniste.
Poema “Ujë dhe karbon” përkthyer nga shqipja në anglisht nga Ani Gjika dhe e botuar në përmbledhjen “Negative space” është ndër poezitë më të njohura të krijimtarisë poetike të Luljeta Lleshanakut. Në pjesën e dytë të takimit, moderatori i eventit poeti dhe perkthyesi argjentinas Patricio Ferrari, zhvilloi një bisedë të zgjeruar me autoren Lleshanaku, duke u fokusuar në çështje të tilla të krijimtarisë si: liria, letërsia, diktatura në Shqipëri, librat e ndaluar, mungesa e aksesit në letërsinë perëndimore, roli i përvojës individuale dhe kolektive në poezinë e saj; Shqipëria dhe impakti i transformimeve social-politike në poezinë e saj, realiteti dhe kujtesa, efekti i paparashikueshmërisë, mjetet gramatikore dhe sintaksore dhe efektet dramatike qe ato krijojnë, potenciali i vetë gjuhës dhe truket e përkthimit, raporti i shqiptarëve me botën pas rënies së komunizmit, rezistenca antikomuniste në letërsi dhe politikë ku u fokusua te figura e patriotit Alush Lleshanaku e tema me interes të gjerë letrar, shoqëror e artistik. Takimi u shoqërua nga tingujt e muzikës së Nava Dunkelman. Një prezantim mbresëlënës jo vetëm i poetes Luljeta Lleshanaku por dhe i letërsisë shqiptare në një sallon botëror të poezisë e letërsisë.