TEATRI DANTEAN
Poezi nga Agim Desku
TEATRI DANTEAN
Kisha dëshirë t’i ngjaja çlirmtares së atdheut
Të secilit brez dhe secilës betejë të tokëjonës
Ndoshta isha bërë edhe unë hero i ditëve t’para
Jo të mbes peng i të vetmes fjalë që dhemb
Kisha dhënë çdo gjë nga e vërteta e hidhur
Për t’i thënë diellit edhe unë u bëra flakë
Të njëjtë e kemi dritën që i falim njerëzimit
Edhe plagët i kemi mijëra vjeçare të vjetra
Pranë sysh na flasin pikturat e Ekzodit
Lotët që kurrë nuk arrita t’ia fshijë nënlokës
Dhe Ti u riktheve në trëndafil të çames sime
Për ta vetëdijësue botën se mrekullia ekziston
Ashtu siç jetoj unë për të bukurën e shenjtë
Në engjëll fluturove të vie edhe para fluturave
Teatrin dantean e munde këtë të keqe t’fisit tim
Mua m’i ringjalle ëndrrat për me jetua i lirë
Dëshira për t`u bërë kalorës venedikian erdhi
Kur çlirimtarët na zgjuan nga ky ferr i zi
Për pak mbetëm peng i ëndrrave që s’kthejnë
Tani jetoj i lirë së bashku më engjëjt e poetit.
LOJË SHAHU
Çfarë i kërkuan mbretëreshës Teutë në lojën e shahut
Të shndërrohet në heroinë të betejave për tokën e shejtë
E kam vështirë të luaj pa ushtarë të saj nëpër metropolet evropiane
Nuk fitohen betejat vetëm me fronin e mbretit
Gjashtëmbëdhjetë shekuj para Krishti ka fillua loja ime
Në mbretërinë pellazge të Tanagrës të gjithë flisnin shqip
E lexova Homerin kur shëtiste i lirë në dritën e fenerit rrugëve të Athinës
Me flakën e dritës pellazge shënoj Iliadën dhe Odiseon
Tragjedi shekspiriane po luhen edhe sot në tavolinën e lojës se shahut
Ma kërkojnë që toka ime prapë të mbetët edhe pa Zotin tim
Sepse ne që nuk kemi mbret nuk i dimë rregullat e lojës së shahut
Tradhtitë e zunë ngushtë fisin tim dhe të Gjergjit
E di që jemi të vonuar në beteja edhe në lojën e shahut
Këmbëkryq kaluam kohën pa pasur guxim të jemi arti vetë
Kështu as Zoti nuk na ka dashur sepse ai e do vetëm të guximshmin
Ende jetës si duket i falemi ëndrrat që vrasin të bukurën e detit
Kur do ta zëmë kohën e lojës së betejave për dritën e diellit
Nëse piktorët ende pikturojnë fytyrat korbiane
Si do të na fal atdheu kur rapsodët këndojnë tradhtitë
Nëpër legjenda nuk jetohet i lirë pa fitoret e lojës së shahut.
DERI NË PIKËN E FUNDIT
-Sërish Fishtiane
-Do i pyes hyjnitë pse njeriu ka urrejtje për njeriun
Deri në pikën e fundit dua me u bërë valë deti
Asnjë këngë e qyqes të mos këndoj sërish këtej
Dallgë bëhem veç njeri dy fytyrësh mos me pa
Të tillët s’na kanë lënë të ecim bashkë me botën
Nuk është vonë me thënë s’dojmë më përralla
Si ato të pesë shekujve që na kanë lënë në ferr
Apo edhe fjalët e mbrama kur i themi për të parat
Për njëri-tjetrin flasim zi e ma zi si të ishte armik
Deri në pikën e fundit jemi mbushur mëkate
Djajtë më s’janë djajë kur i sheh fytyrave të njeriut
Dhe njëri nga ne sërish u bë demon a perandor
Dikur të flisnin pas shpine e sot të dalin përballë
E vërteta që dhemb më nuk i ngjanë as përrallës
Më besoni më rjedhin lotët për të madhin Fishtë
Pse nuk e jetoj kohën time të ferrit a të lirisë
Më i pa se si ende jetojnë fytyra tradhëtarësh
Udhët u çelēn tani jeto me çmendurinë e djallit
Antartiku do të shkrihet thonë metereologët
S’kam kujt t’i them më Atlandtida ime
Duhet më u mësua të dashuroj verbërisht
Të jetoj si në kohën e gurit pa ditë me urrejtë
Njëqind vjet më ecën rreth botës pa u ndalë
Mjafton me e gjetë fjalën që t’i shëron dhembjet
Të jetoj mes njerëzve me fytyrë njeriu a engjëlli.
THEMBËRA E AKILIT
A po e shfletoj historinë
Larg
e shfletoj historinë
Pluhurin çdo ditë ia fshi
Kam frikë
nëse s’di ta ruaj
Të ma vërshoj
ndonjë lum i huaj
Këmbëkryq
i rri historisë sime
E përqafoj
dhe e puthi n’ballë
Krenohem për betejat
që na i ka falë
Duke shërua plagë
deri këtu kemi ardhë
Pa i harrua betejat
e shekujve të Gjergjit
Që emrin tim
ta thërras të lirë
Agim
Më duhet ta mbaj
besën e Konstadinit
Ta shoh
a është gjallë
Apo rron veç thembra e Akilit.
ITAKA
Nëse sërish i duhemi fjalës së artë
Para syve të agimit të jemi të zgjuar
Me diellin do t’i pëlcasim zotnat
E marrë është Itaka pse u bë tokë e huaj
Nuk vdiçëm edhe kur e vërbuan Homerin
Gjallë na mbajti flaka e qiriut të Naimit
Asnjë fuqi djajësh nuk na mundën
Pse patëm besë e fe edhe para Krishti
Dhe një atdhe ku zot e mbret ishim vet
Asgjë e bukur nuk i përngjanë fatziut
Kur fytyrën e barazon më të tradhtarit
E na iku Itaka deri sa lindën luftëtarët
S’është vonë t’i mundim këta bij zagarësh
Legjendat e thonë sa herë na ikën zotnat
Dhe ç’na vrau krenaria kur ishim vetë diell
U lamë në detin e plagëve të Gjergj Elez Alisë
Det kryqëzimi i shpatave për çdo bajloz
Do të ju rrëfej brezave Lulin e Migjenit
Krenarinë e vdekjes burrërisht për Doruntinën
Kam besim në ngrohtësinë e diellit
Të eci i lirë Rrugës së Kombit tim.
Ç’MË MUNGON SOT ( Përmet)
Në Ditēn e Poezisë çfarë më mungon
Më mungon fytyra e dashur e nënës
Sytë e saj të ëmbël si gjuhë shqiponje
Kur u nisa udhëtimit të gjatë për mërgim
Ah ç’më thoshte udha e mbarë o biri im
Dhe mua lotët mu bënë lum e det i jetës
Sot në këtë ditë të shenjtë të poezisë sime
Jetoj me kujtimet që ma ngacmojnë muzën
Herë më shndërrojnë në flutur e në Promethe
Në ca kujtime jetoj mbretërisht si hero
Në disa dëshiroj ta rikthej kohën nga fillimi
Në Kullën e Oso Kukës ku u ndjeva pak burrë
Tutje në Tivar u masakruan 4500 plisbardhë
Vallë të lindim popull tjetër a si jemi shqiptarë
Ç’më duhet jeta po nuk e shkruaj historinë
Të Marie Shllakut e Shotë Galicës në heroinë
Zjarret e Prekazit çdo ditë bën meteorē
Pa e harrua artin e shpatës së Gjergjit
Nuk i harroj fytyrat tradhtare të ashtit tim
Sa më bënë të dashur në miqësinë e qenve
Pafajësisht tokën e rëndojnë këmbët e ndyera
Ngado që udhëtoj ngritëm t’i takoj yjet
Si mos ta pikturoj buzëqeshjet e Ernës
Vetmia e detit më fundos çdo çast nën Titanik
Nëse se rikujtoj zërin kur më thirrnin Agim
A ka acar apo ka flakë Ana tjetër e diellit
Në çdo Ditë të Poezisë dua ta kem afër syve
Çlirimtar më duhet të bëhem njëherë gotës
Për pafajësinë time i mbetët mëkati botës.
PSE S’KA NJË VARR PËR MUA
( Tragjedisë së Tivarit )
Eca
Kolonës së vdekjes
Pafajësisht
Ndalova në tokën mëmē
Për një çast mbretëroi stuhi
Më s’pash diell as hënë
Ah, çfarë ishte kjo tokë
Fare pa liri
Ecnim drejt një fundi
Të pafund
Drita askund nuk shihet
Veç plumbat vrasës fluturojnë
Zotnat kanë frikë nga sytë e mi
Nuk udhëtojmë në të njëjtin drejtim
Kot i bërtas diellit
Puthjet ia fala Drinit
Le t’i marrin zogjtë shtegtarë
Të pushojnë në lumin e dëshirave
Lexoj ditarin e ditës
Askund s’shkruan për vdekjen
Në Tivar vdekja më pret
Nëse mbetëm gjallë nëpër tokën mëmë
Udhëtojmë pa buzëqeshje
Për t’u takua me larinë
A udhëtohet pa dashuri
Pa dritën e syve të mi
Pa këngë të zogjve
Pa faculetën e çlirimtares në xhep
Eca me shpirtin e Adamit
E kujtova shpatën e Gjergjit
E mendova rrugës të pi gji zanash
Ndoshta të rikthehem në Promethe
Por u gjenda pranë detit i palarë
Përballë bajlozve të tij
Ah ta kisha një lapidar
T’i shkruaj emrat tonë
Mbi 4500 shqiptarë në Tivar
Pushojmë pa liri e diell
Në tokën e diellit.
U RRITA NË YLLIN E DAVIDIT
Ç’mu bë dritë Nata e Abrahamit
Kur tokën e shkela me këmbët e engjëjve
Në ëndërr e kisha lënë takimin me Ernen
Nëna ia kishte pikturua djepit Yllin e Davidit
Sytë m’u çelën kur thitha gji zanash
Në lot gëzimi më pagëzuan Agim
Fytas me ferrin i kujtova shekujt e mallkimit
Mbi kokë më shkëlqente drita e diellit
Perandorët u sjellën e ç’mu pështjellën pranë
Vendosën rregull se janë të pamposhturit
Orët e liga çdo çast i mbretëronin heshtjet
S’e besoja takimin e perëndive që s’ekzistonte
Nuk e di si më erdhi tē bëhem çlirimtar
Tani kur perandorët e thyen qafën në ikje
I kujtoj fytyrat e engjëjve që ma sjellin nënën
Pranë portës së hapur më ndezet drita e jetës
Heronjtë a ka kush t’i mbron nga syri i keq
A janë ngrohur në Natën e Zjarreve prekaziane
Cilët perandorë i zhdukën nga faqja e dheut
Nëse sërish lindin heronj
Këtë tokë e rritin engjëjt e ozonit
E mbrojnë çlirimtarët me zemër
E bëjnë të lumtur buzëqeshjet e nënave
I falin dashuri veç heroinat e lirisë.
NË DITËLINDJEN E LULEVE
– Lutem për shi
Sot ju kërkoj luleve të Kopshtit të Edenit
Të ndalojnë për një ditë dhembjen e plagëve të jetës
Fali edhe flakë po deshe nga dita më e bukur që ke
Sot ke ditëlindjen dielli im më shkronja ari të 19 gushtit
Mjaft acar dhe plagë ka toka e urryer nga demonët
Më sjell pak shi për lulet e thara
Së jam në luftë me bajlozët e stuhive
Sot s’dua të vdes nga mërzia e betejave të humbura
Dua të ndaloj për një çast e të ngriti gotën bashkë më yjet
E dinë sytë e mi ku je diell
Më lart se vet hyjnitë që gëzojnë për një çast jetën e bukur
Sot dua të ngriti gotën për dashuritë e popullit tim të shenjtë
Nuk dua të vdes nga flaka e zjarrit tënd o dielli im
E di se njëri nga ne e mbanë fjalën më mirë
Edhe kur vijnë dimrat e acartë
Ti më ngroh më shumë së tërë jeta ime
Edhe unë mbijetoj kur ferret e jetës më prangosin
Sa bukur të festoj sot në ditëlindjen tënde dielli im
Dua për një çast të pi deri sa të bëhem gotë e thyer venedikiane
Edhe kështu jam i dehur pa ngrohtësinë tënde o diell
Më lejo të rri me kujtimet që herë më rikthejnë në jetë
Besoje fytyrën time të buzëqeshur më mirë se vet hëna
Sot e ndalova edhe vargun mos të shpërthen kur kujtoj demonët vrastarë
Dua të jem vetëm luftëtar i trëndafilave të tokës se shenjtë
Lutem që të bie shi për secilën lule të Kopshtit të Edenit o diell.
POEZIA IME
Poezi sa herë të shkruaj ,mbështjell të kam në emrin tim
Secilën plagë ti ma shëron edhe atëherë kur jam buzë vdekjes,
edhe kur qeshi edhe kur qajë.
Poezi je mikja ime edhe kur nuk më flet .
Unë të flas, e di ku je, në cilin vullkan shpërthen.
Eh, sa bukur më rri vargut tim, kur më krisën shpirti
Aty më je mbretëreshë.
Vetëm e imja je
Askujt nuk ia falë emrin tënd
As për një jetë a botë të tërë hyjnore.
Pezi është edhe emri yt mike që me ty ndaj
Ma të bukurën e yjeve.
Ëndrrat nuk më zhduken kurrë nga fjalët e tua
Si zë zane.
Sa bukur ma sjell botën e buzëqeshjes
Fatin e ndajë me ty Tanagra ime
Me mijëra kilometra udhëtime e kujtime.
Ti rri si i vetmi varg shqip, e vetmja rreze drite
Ikim bashkë me kujtimet diku ku ti e zë diellin
Nën hijen e fjalëve dhe ëndrrave tua shkruajmë
Për ty poezia ime njëmijë e një kujtime.
Eci poezi përkrah lirisë së bashku në një cak
Të pangopur nga dashuria për vargun që më sjell
Dolli vere e jete që më mësove çfarë është dashuria e mikes.
Eh, nuk ndalem në asnjë cep bote deri tek yjet të takoj
Se si ndritë si kandil shpirti dhe tek hëna
Si më bëhesh buzëqeshje lumturie, pranverë kujtimesh.
Po, me ty poezi u shndërrova në lule pranvere
Në aromë të fisit tim shqip,në të Bukurën e Dheut.