
Kështjellë e braktisur
Dikur, vizitova një kështjellë të braktisur,
Hyra në sallon ku vallëzonin kontë’… e dukë,
Më ngjasoi me vetminë e një princeshe
Pa kurorë e pa parukë!…
Konturet e pianos mbetur si skelete,
Sikur kuisnin nota baroke, nga Bach…
Dhe lundronin n’ajër, si një fantazmë,
Që mban kokën e prerë nën krah!
Diku, një dorashkë me tantellë gjeta,
Dikur brenda saj, ish një dor’ e ngrohtë,
Që përqafonte me aq elegancë,
Tani i ngjet kështjellës së ftohtë.
Atje ka vite që s’shkel këmbë njeriu,
Si pikëllim i një të vdekuri e kujtoj,
Zhytur n’mister, si “Bukuroshja e Fjetur”
Që pret princin nga gjumi ta zgjoj!
———————————————
Dy të dashuruar
Në një park krejt të bleruar,
Ata dy, takoheshin nën një qershi,
Për karshi një neon me kapel’
Iu buzëqeshte ngrohtë, si zotëri!
Po pas ca kohe nuk i pash më,
Në pemë mbetën vetëm inicialet,
Neoni e ka humb’ kapelën,
Syri si spazmë – ndizet e falet!
Dhe pema ka vite që s’bleron,
Ndoshta ndaj rri e pikëlluar;
Ëndërron t’i çel sërish petalet ,
Kur t’i shoh ata dy të dashuruar!
——————————————
Koha e fëmijërisë
Kujtoj, që desha t’isha, fëmija harrakat,
Të isha në klasë, ai fëmija aq sherxhi,
Që kërkoja të bija në sy të të gjithëve,
Dhe të isha autori në çdo prapësi!
Desha t’isha tërmet i fëmijëve në lagje,
Të rrotulloheshin rreth meje, si satelit,
Me kumbulla të pabëra të gjuaja xhame,
Lojën t’jua prishja vajzave përditë!
T’ju merrja topin çunave në rrugicë
Dhe t’jua hidhja tek oborri i komshiut,
T’ju ngatërroja çantat e shkollës,.
Dhe t’ja hidhja fajin Samiut…!
Desha të isha kryevëmendja në shtëpi,
Të krijoja probleme, tipik – çamarrok,
Merrja kokën mes duarve menduar,
S’dija ç’të bëja, mos t’i lija dy gur’ tok!
Kohë e fëmijërisë fluturoi me ëndrrat
Dhe buzëqeshja mu largua aq ngutur.
Bota jashtë s’më priti me buqeta lulesh
Marr kokën mes duarve për tu lutur!
Eh.. koha e fëmijërisë kur isha i lumtur!