Covid Halloween-i
Në park duke ndjekur ëndrrat,
kam parë vjeshtën të qajë me lot gjethesh,
e t’ua fshehë vjedhurazi piktorëve ngjyrat.
Kam dëgjuar krisjen e degëve të thata,
të pemëve të rrëzuara në brigjet e lumit,
kam ndjerë sesi po më dhemb ikja e kohës,
si klithma çjerrëse e një qyqeje,
dhe domosdo tani që është vjeshtë
qaravitëse si ky prag Halloween-i.
Kam parë diellin të përvidhet mes trungjeve të thata
që përqafojnë pemët që rrëzuan gjethet,
kam parë të lazdrohen në lëndinën e pellgut patat
tok me kungullin portokalli që lundron serbes,
në pellgun që e harruan shirat e fundit.
Kam qeshur me kollotumbat bythëpërpjetë të rosave,
që peshkonin nën ujë larvat e zeshkëta
që lanë këto duhma vampire mushkonjash,
që pickojmë më shumë tani se në verë,
sikur ta dinë që e kanë kohën,
pasi është prag Halloween-i.
Kam futur këmbët në përrua,
kam ndjerë vorbullat e këmbëve të rikave,
që shtyheshin të notonin nga nëna,
kundër rrjedhës së të fryrë me shtjella.
Kam parë dy vajza që kërkonin përdhe
më kot ca brumbuj të zinj kokorith,
që ishin mbledhur si kokrra rrushi të zi të egër
që ecnin papri…
në gjurmët e hijeve dhe të gjetheve të rëna,
ku era me zhurmë si yshtje shtrigash
rrëmujshëm me vrull i përdridhte ,
si medalje të rremta në mësallën e blertë të fushës,
të cilat nga lart një skifter i uritur i këqyrte,
dhe etur më shumë për gjak se nga hera
dhe i turrej një zogu të lebetitur
në këtë prag të zymtë Halloween-i,
dhe i ndukte puplat dhe s’çante kokë
për kriptomonedhat e gjetheve
që i vidhte me duhma era.
Kam parë pleq të menduar që ndiqnin me nge retë,
duke u tërhequr nga një kone qesharake që kuiste,
duke pluguar kujtimet e kohëve të zverdhura.
Kam ndjekur me bisht syri në mes të pyllit ata,
s’di pse ndjeja brenda vetes që diçka kërciste
dhe rrëzonte gjethet si vitet e mia nga supet
që i shkundja më shpejt se t’i rrokulliste era,
tok me degët e thata.
Po filloja ta urreja vjeshtën,
më shumë se zukatjen e bezdisshme të një droni,
që më pickonte më fort se mushkonjat
që duke filmuar nga lart trembte zogjtë
më shumë se dordoleci kashtor i Hallowee-nit
që i përthithtë jetës vrushkullin e ngjyrës së fundit …
Qëndroja para tablosë së gjetheve të një peme
si një penel i menduar, kafe, e verdhë, e kuqe e blertë,
i një piktori fantazmë, që se gjente dot ngjyrën e mangët …
dhe për inat kullonte nga një tubet veç zi, hi, kafe dhe gri,
duke ngjyrosur ata trungjet që ende mbaheshin,
aty në pyll në kërrabën e njeri-tjetrit, siç qenë
përplasur dikur vrullshëm sot si skelete të vyshkur
nga stuhitë e acarta të dimrit…
Ky trung gjysmë i kalbur mendoj
duhet të jetë baulja e vjedhur nga ndonjë anije fantazmë,
apo kazani i fundit i pavarrosur e shtrigave,
është vendi kua ato fshehin fshesat e gjineshtrave
dhe mshelur në zgavra thesaret e kohës që shkoi
foto të rrufeve e shkulmeve të harruara…
Në çast nga radioja e një makine disi larg
shpështillet një lajm si piskatje kukuvajke
apo gërricje ultratingujsh lakuriqi që dalin për gjah
se “në bankat e gjakut në spitale,
s’ka më gjak”.
Ç ’ka ndodhur them me vete , ç’po ndodh
Covid-i apo ai shtrigani, kukudhi Halloween-i?
Por përtej aty në horizont
ku edhe dielli rrëqethshëm rrëkëllehej në muzg
një çift po ndante dashurinë e tij me vjeshtën,
në një selfi përqafimi harruar
mbi urën ku lumi rrjedh, dhe rikat gajaseshin duke lodruar
duke u puthur përtallnin porositë e mjekëve,
paçka… pak sa
A duhet për Halloween
të vëmë apo mos vëmë maska?
Kur s’e ke gjetur veten
Sa keq,
Të takosh një mik të vjetër pas 25 vjetësh
Që të kuptosh sa kohë ke humbur.
Kohë që ta vodhën duke shprishur gonxhen e fatit,
Që e shinë në mes pëllëmbëve
Dhe i morën erë…
Dhe ti mbete atje në kufijtë e kotësisë
Pa arritur atë që mund të ishte fati yt,
Dhe të hodhën aty
Ku dialogoje për Elyarin
Vetëm me erërat dhe kallamishtet
Dhe u shërbeje të gjithëve
Vetëm për të mbijetuar.
Harrove kush ishe,
Dhe ç ’mund të bëheshe
Një yll që e përlante murrlani,
Së bashku me kuisjen e qenve
Aty ky ku thirrja për të jetuar humbiste
Dhe ishte shtrembëruar nga erërat si plepat e Zejmenit.
Dhe zgjodhe të ishe plep i përulur
Që të mos thyheshe.
Qe tjetër kohë thua,
Dhe harron se ke vetëm 10 vjet që s’e ke parë atë njeri,
Që t’i dinte vlerat.
Por janë njëzet e pesë.
Ndoshta çdo kohë mërgimtari ndahet në dy pjesë:
Para dhe pas Krishtit.
Dhe ti s’e gjen dot se cila është më e shenjta.
Tolerimi
Tolerimi, lejimi, durimi
Na e vranë guximin pa lindur
Guximi ka imazhin e një plake
Që nduk flokët dhe këlthet: Pse, pse?.
Pa gjetur asnjë përgjigje
Si thua,
Nëse Zoti e di nëse janë të mira paratë,
pse ia jep ato budallenjve?
Apo vetëm pse ishin aq të marrë
sa mos e kishin frikë guximin?
Himalaja e jetës
Kur ngrica tutkune të përplaset në fytyrë si e vërteta
Duhet të jetosh
Që të ngresh Himalajën që s’guxove ta ngjisësh
Vizitë mjeku
Shkojmë tek mjeku për të parë se sa na peshon jeta,
glicemia, insulina, diabeti,
zemra, tensioni, kolesteroli
i mirë i keq,
për dreq
Ikja po më gërryen ngadalë.
duart këmbët shpojnë si gjembat
në kurorën e Krishtit para amshimit.
Të lesh mbi botë disa copëra ëndrrash
do të thotë të lesh asgjë
nga ideja nga u ngjizëm.
Mendo,
Për ata që do të lesh
dhe udhët që mbyllen
nëse ti s’do jesh.