
Studim letrar nga Rafael Floqi
________________________________________
Hyrje
Që nga antikiteti, marrëdhënia midis poezisë dhe pikturës ka qenë një nga nyjet më të rëndësishme të estetikës. Horaci me shprehjen “ut pictura poesis” e vendosi artin e fjalës përkrah artit vizual, ndërsa Gotthold Ephraim Lessing, me veprën Laokoonti, bëri dallimin mes kufijve të poezisë dhe pikturës. Gjatë romantizmit, këto dy arte u afruan sërish, duke u parë si pasqyra të shpirtit dhe të natyrës. Poezia e Lasgush Poradecit dhe e Mihai Eminescut ofron një shembull të ndërthurjes së fjalës poetike me figurën pamore dhe muzikore.
Në romantizëm, nocioni i “pikturimit me fjalë” u bë një ideal letrar, ndërsa arti vizual shpesh shihej si poezi e heshtur.
Në këtë kontekst, vepra e Lasgush Poradecit, një nga poetët më të mëdhenj të Shqipërisë, është shembulli më i plotë i këtij dialogu estetik. Poezia e tij, e përqendruar mbi Liqenin e Ohrit dhe natyrën shqiptare, funksionon si një pikturë lirike, ku ngjyrat, dritat dhe reflektimet shndërrohen në simbole shpirtërore. Por Lasgushi nuk është vetëm një poet i natyrës; ai është një poet-piktor, i cili arrin të ngjizë metafizikën e jetës në forma vizuale. Në këtë kuptim, ai lidhet ngushtë me Mihai Eminescu-n, poetin kombëtar të Rumanisë, të cilin Lasgushi e njohu gjatë viteve të studimit në Bukuresht dhe e admiroi si një model poetik. Eminescu, ashtu si Lasgushi, përdor natyrën si pasqyrë të shpirtit dhe kozmosin si hapësirë metafizike të njeriut.
Një kryeshenjë e kësaj përvoje përbën doktoratura që Lasgushi realizoi për poezinë e Emineskut. Kësisoj, një lidhje për t’u analizuar është raporti që ka ekzistuar midis tyre në mjaft rrafshe. Në studimin e vet mbi Emineskun, Mitrush Kuteli hedh mjaft dritë jo vetëm mbi poetin dhe filozofinë e tij, por dhe mbi raportin që Lasgushi kishte me Emineskun. “Melankolija, skepticizmi, pesimizmi…janë motivet nëpër të cilat ai kthehet fort dendur”, (Kuteli) thekson autori, duke përcaktuar njëherësh edhe burimet e këtij botëkuptimi: “vuajtjet e jetës së vet, pesimizmi i trashëguar, përmbi të cilin u pat shtuar leximi i librave të shenjta budiste dhe leximi i veprave të Shopenhauerit” (po aty).
Një itenerar të tillë mund të ketë ndjekur edhe raporti midis filozofit dhe poetit shqiptar. Edhe Lasgushi ka vuajtur që në moshë shumë të re, që në gjimnaz, nga një sëmundje e rëndë që nuk iu nda përgjatë gjithë jetës, duke e limituar shumë fizikisht.
Po njëlloj, edhe Lasgushi duhet të kategorizohet në perspektivën e këtyre caqeve. Dihet që ai ka ndikim. Ka ndikim nga poetët shqiptarë. Ka ndikim nga Eminesku, por edhe nga poetët gjermanë. Por nuk është i ngjashëm në të vërtetë me askënd.
Ai është ai, poeti, me kodin e tij të përjetshëm e të padeshifruar. Ndaj, ndikimet te Lasgushi duhen konsideruar si diçka endemike, jo si një proces mutacioni. Përkundrazi, ai asimilon, transformon dhe prodhon sipas stilit të tij. mendon, plazmon, dhe në fund këndon sipas shpirtit të tij, që nuk mund t’ia “disputojë askush”. Janë të gjitha këto atributet e famshëm shopenhauerianë të gjeniut dhe idesë që qëndron në themel të teorisë së tij të artit.
Po, Lasgush Poradeci ka pasur një lidhje të ngushtë me artin e vizatimit dhe ka kontribuar në zhvillimin e tij në Shqipëri. Ai ka studiuar për tre vjet në Akademinë e Arteve të Bukura, ku ka zhvilluar aftësitë e tij si piktor. Megjithatë, ai nuk e ka ndjekur këtë profesion në mënyrë të vazhdueshme, duke u përqendruar më shumë në poezinë e tij. Lasgushi nuk ishte vetëm poet, por edhe piktor i talentuar, bashkëpunëtor me Odhise Paskalin dhe Vangjush Mion, duke kontribuar në zhvillimin e një tradite figurative shqiptare. Ai kultivoi vizatimin dhe e shihte poezinë si një tablo të gjallë, një dimension që e afron atë me Emineskun, i cili në poezitë e tij krijon tablo të natyrës plot dritëhije, ngjyra dhe muzikë. Një moment i veçantë në lidhjen e tij me artin është angazhimi në mësimdhënie në Shkollën e Vizatimit, ku ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e artistëve të rinj.
Ky studim synon të shqyrtojë marrëdhënien reciproke mes poezisë dhe pikturës dhe muzikës përmes krijimtarisë së Lasgush Poradecit, në dialog me traditën estetike europiane dhe shembullin paralel të Mihai Eminescu-t, duke përfshirë edhe ndikime të panteizmit dhe krahasime me Wordsworth dhe Rilke dhe me muzikën.
Poezia si pikturë: Lasgushi dhe fuqia e figurës vizuale
Në vargjet e Lasgush Poradecit, natyra nuk përshkruhet thjesht si një sfond i jashtëm, por vizatohet si një tablo e gjallë, ku elementët marrin dimensione estetike dhe shpirtërore. Po të marrim poezinë Vallja e yjeve, shembull i pastër i këtij procesi:
“Liqeni qeshi nëpër hënë,
Yjet u hodhën valle mbi valë.”
Ky imazh është vizual dhe dinamik njëkohësisht: liqeni është i gjallë, qesh; hëna është dritë që pasqyrohet; yjet janë subjekte të animuara që vallëzojnë mbi sipërfaqen e ujit. Kjo është një pikturë lëvizjeje, e ngjan me brushat e impresionistëve, ku reflektimi i dritës mbi sipërfaqe është thelbi i tablosë.
Në poezinë Poradeci im, vendlindja përshkruhet si një peizazh i brendshëm:
“Në shpirt më ngjallet vendi im,
Me mal e fushë, me liqen e lumë…”
Kompozimi është pikturor: plan i parë (liqeni), plan i dytë (fusha dhe lumi), plan i tretë (mali). Është një tablo e ndërtuar me sens hapësinor të qartë, por në të njëjtën kohë një peizazh i shpirtit – figura e brendshme e poetit. Këto shembuj tregojnë se Lasgushi përdor gjuhën si një kanavacë, ku fjala është brushë dhe tingulli është ngjyrë.
Poezia është një përzierje e bukurisë natyrore dhe reflektimit të brendshëm, ku imazhet vizuale dhe emocionet janë të lidhura ngushtë. Ajo i bashkon magjinë e vjeshtës, perëndimin e diellit, dhe ndjesinë e frymëzimit artistik. Ka një ndjesi të qetësisë dhe bukurisë së fshehtë që të fton të meditosh mbi kalimin e kohës dhe ndikimin e natyrës mbi shpirtin.
Marrëdhënia mes poezisë dhe pikturës, nga Horaci deri te moderniteti, mbetet një çështje themelore e estetikës. Lasgush Poradeci është shembulli më i lartë i këtij raporti në Shqipëri: një “piktor me fjalë”, që krijon tablo të ndriçuara ku liqeni, yjet dhe hëna flasin një gjuhë poetike. Mihai Eminescu është paraleli i tij rumun: një poet i kozmosit, që vizaton universin dhe e kthen atë në simbol të fatit njerëzor.
Në dialogun Lasgush–Eminescu, poezia dhe piktura nuk janë forma rivale, por motra që ushqejnë njëra-tjetrën: poezia pikturon në kohë, piktura poetizon në hapësirë. Panteizmi, ekfrasis dhe ndjeshmëria vizuale bëjnë që arti të bëjë të dukshme atë që nuk shihet dhe t’i japë zë asaj që nuk flet.
Që nga antikiteti, marrëdhënia midis poezisë dhe pikturës ka qenë një nga nyjet kryesore të estetikes së figurës. Të dyja format e artit synojnë të kapin jo vetëm bukurinë vizuale, por edhe thellësinë e emocioneve dhe filozofinë e botës. Ky studim synon të krahasojë estetikën e figurës në poezinë e Lasgush Poradecit dhe Mihai Eminescut, duke e ilustruar marrëdhënien e tyre me pikturën si formë artistike.
Analiza e figurës në poezinë e Poradecit dhe Eminescut
Poezia e Poradecit, për shembull:
“Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.”
këtu përdoren figura të fuqishme vizuale dhe ngjyrash, që krijojnë një përjetim të gjallë të natyrës. Ndërsa Eminescu shpesh përdor simbole që lidhin natyrën me mendime metafizike: yjet, drita dhe hije shërbejnë për të reflektuar gjendje emocionale dhe filozofike.
Marrëdhënia poezi–pikturë
Të dy poetët krijojnë figura që mund të interpretohen edhe vizualisht, si një pikturë në fjalë. Për Poradecin, liqeri dhe pylli janë tablo që transmetojnë ngrohtësi dhe magji, ndërsa te Eminescu, elementet e natyrës shpesh shfaqen si skena teatrale ku ndodhen mendime dhe ndjenja njerëzore. Në këtë kuptim, poezia shërben si një “pikturë e gjallë”, ku secila figurë ka ngjyrat dhe ritmin e saj.
Krahasimi i teknikave letrare
Simbolika: Eminescu përdor simbole më abstrakte; Poradeci simbolizon duke përdorur detaje konkrete dhe vizuale. Ritmi dhe tingulli: Të dy krijojnë një muzikë të brendshme të fjalës, por ritmi i Poradecit është më i qartë dhe melodik, duke i afruar poezisë tonalitetin e një tabloje. Ngjyrat dhe emocionet: Në Poradeci, ngjyrat janë të ndritshme dhe të prekshme; te Eminescu, ngjyrat janë të koduara metaforikisht dhe shërbejnë për të nxjerrë në pah ndjenja të thella.
Piktura si poezi e heshtur
Piktura në traditën shqiptare shpesh shfaqet si poezi e heshtur. Ikonat e Onufrit, me të kuqen e famshme dhe ndriçimet hyjnore, janë shembuj të artit vizual që funksionon si poezi metafizike. Një ikonë nuk është thjesht figurë, por një gjuhë simbolike që komunikon me shikuesin.
Në këtë prizëm, vargjet e Lasgushit shpesh kanë një ndriçim ikonografik: hëna, ylli, dielli nuk janë vetëm elementë natyrorë, por simbole që ndriçojnë dimensionin shpirtëror. Poezia dhe piktura bëhen dy gjuhë paralele që flasin për të njëjtin realitet të padukshëm.
Ekfrasis dhe estetika e natyrës
Ekfrasis është forma e pastër e lidhjes mes fjalës dhe figurës (Keats me Ode on a Grecian Urn, Rilke me Archaic Torso of Apollo). Lasgushi dhe Eminescu zhvillojnë një ekfrasis të veçantë: ekfrasis-in e natyrës. Peizazhet e tyre nuk janë thjesht përshkrime, por vepra arti që kthehen në simbole të përjetshme.
Në Frymë e Jetës, Lasgushi sheh shpirtin e vet si një fletë të bardhë që lundron mbi valë nën dritën e hënës.
Në Mai am un singur dor, Eminescu e shkrin veten me detin në qetësinë e mbrëmjes.
Në të dy rastet, natyra bëhet vepër arti ekfrastike: piktura bëhet poezi dhe poezia bëhet pikturë.