Nga Avan Garde e Apollinaire te burgu i Visar Zhitit.
Nga Qemal Agaj
Ky shkrim botohet me rastin e shpalljes së 28 Janarit, ‘’DITA E LIRISË’’ nga qyteti i Çikagos, në përkujtim të ditës së daljes nga burgu të poetit Visar Zhiti , 28 Janar, 1987.
Gjatë leximit të poezive të burgut të poetit, Visar Zhiti, më tërhoqën vëmendjen disa poezi, që ashtu si ishin shkruar, krijon imazh, pra, në formën e Kaligramave. ( CALLIGRAMMES ).
Në pasthënien e librit Dr. Luan Topçiu shkruan: ‘’ E krijuar si një krijesë e ndaluar, e rrezikshme, kanosëse, e paparashikuesshme, joshëse deri në aventurë, mikluese deri në mëkat, poezia e Visar Zhitit e krijuar në burg afërmendsh që nuk ishte një produkt komod profesional, por një përpjekje, një akt guximtar, një kapërxim, një hop mbi kufijtë e dhënë dhe të njohur.’’
Që në kohën e shpellave, vizatimet prehistorike na mësojnë, se arti është perceptim i jetës që na rrethon.
Dhe fakt është se shoqëria e Apolinerit me artistët përreth tij nxiti fantazinë e tij për të krijuar një formë të re origjinale për të shprehur poezinë. Në këto rrethana, në 1914, botoi për herë të parë një grup prej tyre me titullin, ‘’E t m o i a u s s i j e s u i s s a p a i n t r e.’’ (Dhe unë gjithashtu jam një piktor.) Subjektet e tij, mes të tjerave ishin, Kulla Eifel, Zonjushë me kapele të modës, Shatërvan etj.
Por ç’është Kaligrami?
Vetë termi vjen nga greqishtja: Calli – E bukur, e mirë Gram – Diçka e shkruar.
‘’Calligrammes’’, janë poezi, ku renditja e fjalëve krijon një imazh, që trasmeton (bart) në një formë vizuale atë për çka poezia flet. Kjo teknikë është përdorur për herë të parë nga Guliem Apoliner (Guillaume Apollinaire, 1880 – 1918), që konsiderohet poeti, kritiku i artit më i shquar i viteve të para të shek. 20-të.
Ngjashmëria e disa poezive të Apollinaire me ato të Visar Zhitit më habiti. Për të krijuar një lidhje me mikun tim, Visar Zhiti, përpara se t’a bëja subjekt të një bisede, i nisa librin e Apolinerit, ‘’CALLIGRAMMES’’, botuar për herë të parë në 1918.
Instiktivisht më lindi pyetja: Si ndodh që një poet, në kohë dhe vend tjetër, në rrethana të ndryshme, (I pari në Paris dhe i dyti në një burg komunist në Shqipëri) pa asnjë njohuri apo kontakt me poezitë e të parit, të përdorë të njejtën teknikë poetike?
Guliem Apoliner u formua si artist në Paris, ku ashtu si Firence në fund të shek. 15-të dhe fillim të shek.16-të, filloi të tërheq një masë artistësh dhe intelektualësh. Parisi u bë qendra e artistëve më të shquar të shek. 20-të, duke u bërë kështu sinonim me epokën e shquar të Rilindjes Italiane.
Në këtë kryeqytet të Kulturës dhe Artit Modern Europian jetonte Apolineri, i rrethuar nga elita e artistëve më të shquar të kohës, si Picasso, Raul Dufy, Vlaminck, George Braque,… koleksionistes amerikane, Gertrude Stein, poetit, Max Jakob. Mik i ngushtë me Faik Konicën, për të cilin do të shkruante: ‘’Nga njerëzit që kam takuar dhe që unë e kujtoj me admirimin më të madh, Faik Bej Konica është një nga më të pazakonshmit.’’
Ndërsa poeti Visar Zhiti u burgos në Shqipërinë e mbyllur, diktatoriale të pas Luftës së Dytë Botërore, ku në letërsi dhe arte sundonte Realizmi Socialist. E arrestuan në nëntor, 1979, me akt-akuzë poezitë e tij, të trishtuara dhe hermetike, kundër regjimit dhe diktaturës. Lexojmë që poezitë pjesërisht i memorizoi në qelinë e hetuesisë dhe më pas i shkroi fshehurazi gjatë kohës në burgjet e Spaçit dhe Qafë barit, mes maleve, rrethuar me tela me gjemba dhe ndën mbikqyrjen e rojeve të armatosura. Jeta ishte më e errët se vet errësira. Nga galeritë nëntokësore, në fjetoret e ftohta dhe prapë në galeri… Mall për pak diell.
Burgjet komuniste nuk ishin një ambjent i lehtë për të shkruar, për të mos thënë i pamundur, pa momente qetësie, edhe liria e imagjinatës ndalohej. Vetë të mbijetuarit ishte në rrezik, dëshira për të krijuar duhej të ishte e fundit në ato kushte violente dhe abuzive.
Në burgjet komuniste Poeti u përball me të pasigurtën dhe rrezikun, mbikkqyerjen e rreptë, pamundësinë për të ndarë me bashkë të burgosurit opinione, kështu lexojmë. Por kjo nuk ndodhi me Visarin dhe shokët e tij. Poezia i shërbeu si forcë kundërvenëse dhe mbijetese. Dhe çudia, ai krijon dhe aty të bukurën. Dhe si Apollinaire na ka dhënë disa poezi që vizatojnë, kaligrame.
Njëra ka formën e gijotinës,’’VIZATOJ NJË GIJOTINË,’’, tjetra të litarit të një gracke a të ekzekutimit me varje “LITARI I GRACKËS’’, të një tabele, ‘’NDALIM KALIMI’’ – të germës V shkruar në tre gjuhë: Victory, Vittoria, Victoire – dhe më e dhimbshme, – do të thosha profetike – poezia, ‘’HARTA E ATDHEUT TIM‘’ me konturet e Shqipërisë së sotme.
Andrea Dushi në prezantimin e librit shkruan: ‘’Dorëshkrimi që kisha para syve kalonte përtej dëshmisë, sepse veçoria e tij nuk rrinte vetëm te autenticiteti, ishte më shumë se aq. Çka së pari më erdhi në mëndje që këto ishin martire. Duhet të rilindin, për të marrë vendin që u takon në altarin e shenjtë të Letërsisë.’’
Dramaturgu i shquar Irlandes, Shan O’Keisi (Sean O’Casey), mik i ngushtë i fotografit të famshëm me origjinë shqiptare Gjon Mili, kur ishte fjala për lirinë e të shkruarit, me zë të fuqishëm ka deklaruar: ‘’Bukuria, zjarri dhe poezia e dramës po zbehen nga një stuhi realizmi të shtirur. Leri zogjtë të fluturojnë në qiell, kafshët të enden në xhungël, peshqit të notojnë në det, na lini ne të kemi Art në Teatër… Kështu në djall me të ashtuquajturin realizëm, sepse nuk të çon asgjëkundi. Artisti duhet të jetë ku është jeta, jeta aktive, që nuk gjendet në kullën e fildishtë, as në bunkerin e betonit; Ai duhet të dëgjoj çdo gjë, duhet të shoh çdo gjë, duhet të analizoj gjithëçka.’’
‘’Vazhdoi të shkruajë me një çmënduri magjepsëse,’’ kujton e shoqja e Visarit, Eda. ‘’Ato ruajnë shenja dhe pllanga si gjak i tharë. Ku i fshihte? Vetëm Ai e di, tek kashta e dyshekut, tek thesi i ushqimeve, tek këpucët? E më saktë e dinë ata të burgosur, miq të Visarit, që ashtu siç sakrifikonte dhe familja, rrezikonin për t’i ruajtur, ndokush duke i mësuar përmendësh, siç dëshmojnë. Dhe Visari vazhdonte të shkruante.’’
Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është të prezantoj librin e Poetit, ai tashmë është në duart e lexuesit, por të evidentoj të përbashkëtën dhe të veçantën mes dy poetëve në teknikën poetike, ‘’Calligrames’’, që na rezulton se i dyti, Visari, nuk ka patur njohje të tyre, të të parit, Apollinaire, pra janë jashtë çdo influence apo imitimi, ato janë po aq autentike dhe krijime origjinale, se i ka nxjerrë një mjedis dhe fat i caktuar.
Për të shpjeguar këtë subjekt, do të thosha intrigues, më vjen në ndihmë një botim special i TIME, me titull,
THE SCIENCE OF CREATIVITY
Sipas Richard Jerome (Editor dhe autor i TIME, Inc.) në introduksion, ‘’Termi Creativity, mbart një lloj aurore mistike. Forca e saj speciale është e mbushur me një nuancë hyjnore. Mbi të gjitha, krijimi është fjala e parë e Biblës. ‘’ At the begining GOD Created… Dhe prap me gjithë tonet Metafizike dhe Teologjike, Krijimtaria është gjithashtu cilësia më themelore e njeriut.’’
Pa dyshim kjo nuk vihet në diskutim. Ishte shpirti krijues i këtyre dy Poetëve, që arritën të krijojnë një formë të re të shprehuri, bazuar në rrethanat e këtij momenti krijues, por në kushte diametralisht të kundërt.
Ja pse në subjektet e Kaligramave të tyre nuk gjejnë ngjashmëri në përmbajtje, por ato kanë të përbashkët krijimin origjinal, anën vizuale. Nuk është e habitshme?
‘’Creativity është në fakt,’’ – shkruan fituesi i Pulitzer Price, biologjisti Edwar O Wilson në librin e tij, ‘’The Origins of Creativity‘’ – ‘’një shtytje drejt kërkimit të origjinalitetit, që merr impulse nga pasioni i njeriut për diçka të re, në zbulimin e realiteteve dhe proceseve të reja, në zgjidhjen e sfidave të vjetra dhe kënaqësi për pamje të reja’’
Antropologjisti i Universitetit Notre Dame, autor i, ‘’How Imagination Made Human’s Exeptional’’, Augustin Fuentes, e shpjegon fenomenin në këtë mënyrë: ‘’Me pakë fjalë, esenca e krijimit është të shikosh botën që na rrethon si është dhe përfytyro mundësira të tjera dhe pastaj të kthesh këto përfytyrime në realitet.’’
Dhe më kujtohet kjo thënie e Pikasos: ‘’Ka njerës që shikojnë diçka dhe pyesin; Ç’është kjo? Ka disa të tjerë, që shohin diçka dhe thonë: Çfarë mund të bëhet me këtë ?
‘’Novacionet më tërheqëse në art, shkencë dhe në të tjera fusha, – vazhdon antropologjisti, nuk lulëzojnë nga një vakum. Të gjithë krijuesit edhe ata më të shquar, tërhiqen pas punës të të tjerëve, influencohen me ndërgjegje ose jo nga ç’ka ardhur më parë,’’
‘’Two painters, two women, two portrets – one fascinating story of artistic influence,’’ titullohet analiza e portreteve ,’’ Madame Moitessier’’ nga Jean ingres (1856) dhe ‘’Woman with a Book’’, nga Pablo Picasso (1932), nga Susan Stamberg.(Gazetare, analiste arti)
Thuhet se kur janë komentuar ngjashmëritë mes dy portretev, Pikaso ka thënë: ‘’Lesser artist borrow; great artists Steal’’. Termi ‘’Vjedhje’’ është më pranë imitimit apo influencës, shkruan Stamberg. Por po ashtu duke i studjuar dy portretet, gjenden ngjashmëri dhe diferenca. Diferencat më saktë qëndrojnë në teknikën e të pikturuarit. ‘’Madame Moitessier’’, u pikturua në 1856 dhe i mori piktorit 9 vjet të mbaroi portretin, ndërsa, ‘’Woman with a Book’’ në 1932, në kulmin e artit Modern dhe u përfundua në jo më shumë se dy ditë.
Piktori ilustrues Frances, Serge Bloch, është më i qartë në fenomenin e influencës dhe imitimit, kur shkruan: ‘’Krijimi është arti i kombinimit të një ideje të vogël me një tjetër ide të vogël. Ju mund të keni një tjetër ide të vogël e kështu me rradhë… së fundi ndoshta një ide e madhe mund të shfaqet.’’
Nëqoftëse Apolineri u influencua nga arti i piktorëve që e rrethonin dhe deklaroi, ‘’Unë jam një piktor gjithashtu’’ kjo s’kishte si të ndodhte me poetin Visar Zhiti. Gjasat ishin të pamundura. Po kaligramat e tij janë. Ç’i nxori ato?
Patjetër që janë frut i aftësive imagjinative, i fuqisë së penës dhe penës së tij të fuqishme, ato janë prodhim i kushteve dhe rrethanave në të cilat ai i krijoi. Ato janë krijime origjinale. Kjo është e veçanta e tyre. Burgu i Spaçit mes maleve ka qenë si një gijotinë dhe ashtu do të duhej të shkruhej, që imazhi të jepej. Dhe Visari duhej të vizatonte me fjalët.
Guillaume APOLLINAIRE
dhe influenca e Tij në lëvizjen ‘’AVANT GARDE‘’
Guillaume Apollinaire, pseudonim i Wilhelm Apollinary Kostrowicki, lindi në Romë, në 26 Gusht 1880. Djali ilegjitim i një gruaje aristokrate me origjinë Polake. I jati nuk dihej, por flitej se ishte një oficeri Italian. Po ashtu kishte zhurma se i jati ishte një kardinal dhe për këtë Picasso me shaka e quante bir të Papës. Vet Apolineri kurrë nuk e njohu atin e Tij dhe asnjëherë nuk e përmendi.
U rrit dhe u edukua në Monako. Erdhi në Paris në 1897 dhe menjëherë u bë një nga më të njohur anëtarë në komunitetin artistik në Montmartre dhe Monparnasse. Në 1904 u njoh me Pikason dhe poetin Max Jakob në kafenenë, Closerie des Lilas. Pikaso, Max Jacob dhe Apoliner u lidhën në një miqësi që influencoi në artin e secilit. Takimet e tyre dhe të tjerë artistëve në studion e Picassos në Montmartre ishin aq të shpeshta, sa Pikaso shkroi në derë, ‘’Vend Takimi i Poetëve.’’
Apolineri ishte bashkëpunëtor në periodiket si, L’ Europien, Le Mercure de France, ALBANIA, La Revue Blanche dhe La Plyme. U njoh me Faik Konicën nëpërmjet një artikulli që ai shkroi dhe u botua në periodiken, ’’L’Europien’’.
Faik Konica në moshën 22 vjeç, 1897, filloi botimin në Bruksel të gazetës, ALBANIA, që shpejt u bë organi më i rëndësishëm Shqiptar jashtë Atdheut. Në 1902 Konica vendoset në Londër dhe vazhdon publikimin nga Londra deri në 1909. Apolineri qëndroi me Konicën në Londër gjatë viteve 1903–1904. Mardhëniet e tyre u ndërprenë kur Konica emigroi në USA, në 1909.
Robert Elsie shkruan në ‘’An Introdukction to Faik Konica’’, që Konica, jo vetëm e priti Apolinerin në Londër, por duket që ndërmjetësoi në një, ‘’Affair de Coer.’’
Në 1909 botoi përmbledhen e parë poetike, ‘’L’ Enchanteur Pourrissant’’ Në 7 Shtator, 1911 u arrestua dhe u burgos si i dyshuar në vjedhjen e Mona Lisa në Muzeun e Luvrit, por u lirua pas një jave për mungesë provash. Vjedhësi i Mona Lisa, Vincenzo Perugia, u zbulua në 1913 në Firence.
Emri i Guliem Apolinerit është sinonim i rritjes në fillim të shek. 20-të i lëvizjes, ‘’Avant Garde’’. I përhershëm në takimet e artistëve në ‘’Parisien Cafe Society’’, u bë shok me me shumë artistë Bohemian, të së ashtuquajturës, ‘’School of Paris’’. Duke mos qënë piktor, as dhe i shkolluar në Histori Arti, ai ishte një entusiast i palodhur i Modernizmit. Me artikujt si kritik arti në revistën e Tij, ‘’Les Soirees de Paris’’, bëri më shumë se çdo shkrimtar tjetër i gjeneratës së tij në njohjen dhe stabilizimin e legjendës të disa prej artistëve më të shquar të shek. 20-të.
Arti Modern përfaqëson një përmbledhje idesh dhe mendimesh mes një numuri piktorësh dhe skulptorësh, fotografësh dhe shkrimtarësh – ku secili dhe të gjithë sëbashku – gjetën një përgjasim në zhvillimin e Artit. Parisi në mënyrë të veçantë, si Firence në Rilindjen Italiane (mund të hiqet, duket e përsëritur) ishte epiqendra e kësaj lëvizje.
Ishte një këndvështrim i ri, ku gjenerata e re e artistëve në Paris u përfshi në valë entusiazmi. Zhvillimi i shpejtë i industrisë dhe progresi i teknologjisë, vunë në lëvizje artistët të prezantojnë botën në rrugë dhe mënyra novatore. Rezultati ishte një art, që mori ngjyra të reja, alternativa dhe eksperimente në abstraksion. Madhështia kulturore që rezultoi nga fermenti i ri është e njohur.
Krejt papritur njeriu modern u duk sikur po jetonte në një kontekst ndryshe nga i vjetri, nga bota e ngadalshme e shek. 19-të. Aftësia e tij për të përdorur me shkathtësi ambjentin rrethues dhe kapaciteti për shndrrime të reja ishte rritur pafundësisht. Tani ai ndihej mjeshtri triumfues i të ardhmes së tij. Nuk ishte surprizë që ky sensibilitet i ri do të sillte një ritëm të ri në artet dhe një dëshirë për shndrrime artistike. Të gjitha lëvizjet e reja provuan se format artistike të së shkuarës, nuk ishin të mjaftueshme për të shprehur shpirtin e ri dhe duhej në mënyrë radikale të rinovoheshin.
Por shumë besojnë se erdhi me një anë të errët po ashtu. Një kaos rrymash artistikesi, Fovizmi, Kubizmi, Dadaizmi, Surealizmi, Futurizmi…pushtuan artin. Në këto rrethana kompozitori i shquar me origjinë Ruse, Igor Stravinski shkroi, ‘’ Arti është e kundërta e kaosit. Arti është një kaos i organizuar.’’
Studjuesit e Artit e përshkruajnë Apolinerin si më mjeshtri novatori i lëvizjes, ‘’Avant Garde ‘’, jo vetëm se idetë e Tij ishin më origjinale, por sepse Ai kishte aftësi krijuese të transformoi konceptet estetike, të krijoj një formë të re arti thellësisht origjinal në konceptim dhe formë dhe i çliruar nga imitimet.
E pamohueshne që Apolineri ishte inkurajuar në mendimet e tij nga fragmentarizmi i pikturës Kubiste, në mënyrë të veçantë nga Pikaso. Çfarë Ai admironte më shumë në pikturat e Pikasos, ishte imagjinata, guximi i piktorit për t’u shkëputur nga konceptet e mëparshme në pikturën Perëndimore. Ai e përshkruan Pikason në , ‘’Les Paintrees Cubistes’’ si një figurë heroike, që guxoi të përçaj rregullin e stabilizuar të Universit dhe t’a arranxhoi atë si mendonte Ai se duhej. ‘’Revolucioni, që vetëm Ai arriti, është se bota tani është në imagjinatën e Tij, ‘’ shkruan Ai.
Ishte Apolineri që e prezantoi George Braque me Pikason në 1907. Të dy filluan të punojnë sëbashku, bashkëpunim ky, që i dha drejtim një rrryme të re në art, Kubizmit. Mbështetja e Apolinerit për Kubizmin i dha Atij reputacionin si kampion i publikimit të artistëve më të shquar të kohës. Në shumë drejtime Ai u bë një version i Giorgio Vasarit, që bëri aq shumë në publikimin e Artistëve të Rilindjes Italiane.
Botimi në 1914, i përmbledhjes poetike, ‘’ALCOOL’’(Alkol),stabilizoi reputacionin e Tij si një poet i shquar modern. I çliruar nga çdo rregull i të shkruarit poezi, theu rregullat e vargëzimit dhe nuk përdori shenja pikësimi. Ato e dëmtojë poezinë, deklaron Ai. Poetika e tij është konsideruar eksperimentale, sidomos me të ashtuquajturat, Calligrammes, ku aranxhimi tipografik me mjeshtëri i fjalëve krijojnë një imazh.
Shkrimtari Amerikan, Roger Shattuk e përshkruan Apolinerin si: ‘’ Një klloun i suksesshëm, një i shkolluar, një pijanec, një ngrënës, një dashnor, një kriminel, një katolik i devotshëm, një endacak, një ushtar.’’
Ishte ai që futi termin, SURREALISM në leksikun e Artit Modern kur thotë: ‘’Kur Njeriu vendosi të imitoj ecjen, ai shpiku rrotën, që nuk duket si këmbë. Duke vepruar kështu, pa e kuptuar, ai ishte duke praktikuar ‘Surealism’. Por po ashtu Pikaso pretendonte se Surealizmi e mori emrin nga thënia e tij, ku Ai e quan artin, ‘ Një ngjashmëri më e thellë dhe më reale se vetë realja, kjo është që formon surealen ( Sur–Real). Surealizmi ishte një lëvizje në art që përdor fantazinë, mitin dhe përfytyrime imagjinare kur krijon një vepër arti. Në letërsi mund të identifikohet si një tentativë artistike të lidh sëbashku realen dhe imagjinaren
Apollinaire angazhohet në luftën e Parë Botërore dhe në 1916 plagoset rëndë në kokë. I dobësuar pas plagosjes, ndrroi jetë nga Gripi Spanjoll në 9 Nëntor,1918. Menjëherë pas vdekjes u botua vëllimi poetik, ‘’CALLIGRAMMES : Poems of Pace and War ‘’
Në 1941, për të nderuar poetin e shquar në emër të Tij, u acordua çmimi , ‘’French Poetry Prize’’. I jepet autorit për përmbledhjen më të mirë poetike në Origjinalitet dhe Modernizëm. .
VISAR ZHITI dhe KALIGRAMAT E BURGUT
‘’Bota i studion librat, por poezitë e klasit të parë, – poezitë e thella, që dallohen – janë ato të provuara nga ata që i shkruajnë dhe jeta e tyre. Poezitë dhe materiali i tyre vjen nga jeta e Poetit. Të gjitha poezitë ose çdo krijim letrar, që nuk lidhet me jetën aktuale dhe njohuritë e vetë shkrimtarit, janë gënjeshtra.’’
Walt Witman (The Great Poet’s Character)
‘’Shkenca e neurologjisë’’, shkruhet në studimin, ‘’ Inmate Poetry’’ nga Robert Johnson dhe Nina Çhernof ‘’tregon që mendja e njeriut është e kontrolluar nga konditat në të cilat ai jeton, por në rastin e poetëve të burgut, ka raste që shihet në një këndvështrim tjetër. Këto mendje, nga nevoja për të jetuar momente të çliruara, estektikojnë orët e errëta të burgut duke i ndriçuar me pjesë poetike që ata krijojnë.’’
Kjo thënie ka parasysh burgjet, ku i burgosuri nuk është i privuar nga të lexuarit dhe të shkruarit.
Në rastin e Zhitit ishte krejt ndryshe. ‘’Në fillim nuk i shkrova ‘’, kujton Poeti, ‘’por i krijova me mend mes mureve ciklopile të qelisë, në vetmi dhe ankth. I thosha me vete që të sfidoja absurdin, hetuesin dhe boshin.’’
Në qeli ai ishte i privuar nga çdo lexim dhe të shkruarit ishte jashtë imagjinatës. Për Zhitin të poetizuarit u kthye në nevojë për të thyer më të errëtat ditë të jetës, për të sjell pak magjepsje dhe shplodhje në atë ambjent skëterrë. Ulur vetëm në errësirë për ditë të pafundme, poezia u kthye në mjet mbijetese dhe komunikimi me botën jashtë. Në gjithë këtë absurditet rrënqethës, imagjinata e tij kishte një tjetër hov deri në dhimbje dhe tmerr. Te poezia ai gjeti fuqi për të mbijetuar, të sfidonte, ‘’…absurditetin, hetuesin dhe boshln ‘’. Edhe veten.
Studijuesit e mësipërm vazhdojnë: ‘’Pse përdoret poetika si një dritare në eksperiencën e burgut? Sepse poetika është një formë e veçantë në krijimin e të shkruarit dhe komunikimit. Poezia i jep drejtim të shprehurit, e detyron shkrimtarin të zgjedhë fjalën dhe shprehjen më perfekte, për të përshkruar botën. Poezia e burgut është një dëshmitare rrethanash të veçanta.’’
Nuk diskutohet që: ‘’..Poezia e burgut është dëshmitare rrethanash të veçanta’’, por pyetja është, kur fizikisht dhe psikologjikisht i burgosur, a burgosin mendjen dhe imagjinatën e tyre? Ka ndonjë veti speciale në këto qënie njerëzore, që i bën ata t’u kundërvihen vuajtjeve? Kur, të jesh i burgosur, do të thotë të jesh i shkëputur nga jeta shoqërore, nga familja dhe shokët. Kështu, në këto kondita psikologjike, kur censura ekziston në çdo nivel që mund të imagjinosh, çfarë e motivon një të burgosur të shkruajë poezi?
Dhe studjuesit në një pikë janë dakord; ‘’ Të shkruarit poezi në burg është një akt rezistence.’’
Këtë konkluzion e provojnë poezitë e Zhitit. Por, po Kaligramat? A nuk flasin ato për më shumë se ‘’një akt rezistence?’’
Fotografi Gjon Mili i përshkruan ‘’Vizatimet e Dritës‘’ të Pikasos, fotografuar nga ai vetë, si: ‘’Vizatimet e Dritës janë çaste të Pikassos. Ato zhduken menjëherë sa lindin. Ato janë shprehje të qarta të vizionit të Artistit. Ato nxjerrin në pah lidhjen automatike mes dorës dhe trurit, që është baza e shtytjes krijuese të Pikasos.’’
Atëherë në rastin e Zhitit, a ishte një vizioni artistik? Që ka shumë mundësi. Ishin impulse të çastit, shtytur nga rrethanat dhe nevoja për t’u shprehur në një formë të re, origjinale? Pa dyshim.
Kur Picaso pikturoi tablonë, ‘’ Les Demoiselles de Avignon’’ (1907) ishte një nxitje për të thyer standarted në art dhe botimi në TIME, – që po i referohem – shpiegon: ‘’Kur artisti thyen standartet për të gjeneruar diçka të re, është rezultat i diçkaje të veçantë, që rrjedh në trurin e tij. Truri i njeriut punon në forma konstante, bazat e kësaj gjendjeje evidentojnë çdo gjë që na rrethon dhe individ të ndryshëm e shprehin atë në forma të ndryshme.’’
Portretet e tablosë janë influencë e vizitës së një ekspozite të Artit Afrikan në muzeumin Trocadero. Të tjera burime e lidhin pikturën me të tjera influenca, si skulpturat spanjolle, nga tabloja ‘’Great Bathers’’ të Cesanne, ‘’The Turkish Bath’’ të Jean- Dominique Ingres, (1892).
Tabloja u prit me skepticizëm nga shokët e Tij, inkluduar Matisse, Braque dhe vetë Apolineri, që më pas u bë mbrojtësi më i zjarrtë i artit të Pikassos, më saktë, Kubizmit. Komentet shkuan aq larg sa të shkruhej: ‘’Arti tradicional është përmbysur dhe kthyer në tallje, vlerat antike dhe moderne janë shkërmoqur menjëherë dhe goditur për vdekje para syve tanë.’’(Art of the 20-th Century.)
Por një person shprehu optimizëm për tablonë, koleksionistja amerikane, Gertrude Stein, kur shkruan: ‘’ Çdo kryevepër arti ka ardhur në botë me një dozë kërcënimi brenda saj. Ky kërcënim është një shenjë që krijuesi është duke thën diçka të re, në një mënyrë të re’’.
Ishte mbi të gjitha ky reagim, që Pikaso e mbështolli tablonë dhe e hodhi në një cep të studios. Do të kalonin 9 vjetë (1916), që tabloja të bëhej publike për herë të parë në ekspozitën, ‘’L’art Modern en France’’ dhe 21 vjet të tjera (1937), pasi u ekspozua në New York në ekspozitën, ‘’ 20 Years in the Evolution of Picasso, 1903-1923’’. Në këtë vit, (1937) Muzeu i Artit Modern, New York (MOMA) e bleu tablonë. Kështu tabloja fitoi statusin si një nga kryeveprat e Artit Modern.
‘’Studioja e një artisti duhet të jetë një hapësirë e vogël, sepse një dhomë e vogël e disiplinon mendjen e krijuesit dhe një e madhe e shpërndanë vëmendjen,’’ ka thënë Leonardo da Vinçi.
‘’Është vështirë’’, – shkruan Richard Jerome, editori i TIME në artikullin, ‘’INSIDE THE CREATIVE SPACE’’ – të hysh në debat me gjeniun e madh të Rilindjes… por Historikisht’, – vazhdon ai, ‘hapësira krijuese ka variuar në akord me okupantët e saj, personalitetit të veçantë të artistit dhe karakteristikat mentale ose morale që i përkasin një individi të shquar.’’
Unë do të thosha se është vështirë të hysh në diskutim me Editorin e TIME, (J.R.), sepse rasti i Pikassos dhe poetit Zhiti, vërtet janë Karakteristë mentale dhe krijuese individësh të shquar, por ajo që ndanë Poetin nga Piktori janë RRETHANAT dhe STUDIOJA ku ato u krijuan.
STUDIOJA… Çfarë ironie! Ja si e përshkruan vetë Poeti në librin e tij studimor ‘’ KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR’’:
‘’ Në burg nuk lejohej të jetoje, vetëm të gjalloje si kafshë pune nga kafshët më të forta se ne, ato me kthetra dhe uniformë polici dhe oficerash, me brirë e gojë të hapura çapulishëm…Ndryshe nga studiot e shkrimtarëve dhe artistëve, ato janë tërësisht e kundërta. Studiot e të burgosurëve ishin fjetoret, të zhveshura dhe të ftohta, me tre radhë shtretërish të drunjtë njëri mbi tjetrin, ku flinin 50 veta, edhe të sëmurë, ngjeshur si mos më keq, që i numëronin dhe në gjumë duke goditur me shkop gome mbi bataniet e kalbura, për të kuptuar në kishte poshtë tyre të burgosur, në fund të këmbëve ishin leckat që do të vishnin për të shkuar në punë, në galeri, të (u)shqyer keq, në një si tjetër oxhak (studio)në minerë, ku kishte ca gryka që quheshin furnele, jo furnella, ku digjeshin nga puna rraskapitëse, diku në temperaturat 45 gradë C. edhe plus 50-të e diku apo jashtë në borë ishin dhe minus15-të apo 20-të gradë C.
Janice Mathie – Heck në introduksionin e botimit në anglisht të vëllimit poetik të Zhitit, ‘’THE CONDEMNET APPLE’’, shkruan:
‘’Pishtarët e mitit janë filozofët dhe poetët. Intelekti vetëm nuk mund të ushqej shpirtin. Intuita ndjenja dhe imaginata mundet… Zhiti çuditërisht mundi të memorizojë mbi 100 poezi gjatë 5 muajve në izolim! Kjo ishte një mënyrë të përqëndrojë energjitë e tij, të mbaj mendimet dhe veten të kthjellët…Me poezitë, emocionet u bën pjesë përbërëse e atij vetë dhe ishin ndën kontrollin dhe zotërimin e tij. Në këtë mënyrë Ai ishte në gjendje të duroj realitetin e hidhur të burgut dhe ishte në një sens, i zoti të krijoj realitetin e vet. Ai e pa veten si, më shumë se një numur.’’
Por le të kthehemi te Kaligramat. Për Zhitin të shkruarit poezi ishte pasion. Por çeshtja është se ç’lloj poezie? Në çfarë rrethanash psikologjike krijoi ai një mënyrë origjinale të të shprehurit? Gërshetimin e vargjeve me forma vizuale. Pse? Vetëm Poeti e di.
Në qoftë se Apolineri u influencua nga piktorët që e rrethonin – që është e vërtetë – A pati Zhiti iinfluencë nga piktorë në burg dhe cilët ishin ata? Përgjigja është e thjeshtë – s’ka asnjë lidhje. Në fakt është një lidhje, ajo me piktorin, që dalin si personazhe në burgologjitë e tij “Rugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, Maks Velo e Edison Gjergo në burgun e Spacit dhe Valer Durzi Tarasov në burgun e Qafë-Barit, por pyetja qëndron: Sa influencuese ishte? Vetëm Visari e di. Në burgun shqiptar, na zbulohet, se të pikturuarit ishte i ndaluar, i pamundur, mungonin ngjyrat me të gjitha kuptimet.
Bashkëvuajtësi i Visarit Maks Rakipaj kujton: ‘’…Poezitë e botuara në ‘Hedh një kafkë të këmbët tuaja’, i kam me autografin e autorit. Janë krijime të Spaçit dhe Qafë Barit. Unë i pata lexuar në ca dorëshkrime nëpër fletë të zhubravitura, me pluhur miniere dhe të njomura me djersë. Por, që, larg qoftë, mund edhe të ishin njomur me gjak, me gjak të fisëm poeti, me gjak të fisëm Prometeu të vërtetë…’’
Këto poezi kështu janë dhe imazh, kanë një performancë tronditëse, ndërsa vetë i gjithë botimi anastatik i përmbledhjes “Dorëshkrime të fshehta të burgut” është kaligramë e madhe, unike dhe mahnitëse.
T A B E L A T ‘’ N D A L I M K A L I M I
V I Z A T O J M E G I J O T I N Ë
L I T A R I I G R A C K Ë S
F I T O R J A N Ë Q I E LL
H A R T A E A T D H E U T T I M
–
R E F E R E N C Ë
Dorëshkrimet e fshehta të burgut – Visar Zhiti ( 2021 ) THE CONDEMNET APPLE : – Visar Zhiti ( 2005 ) KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR – Visar Zhiti ( 2020 ) The Science of CREATIVITY – TIME ( 2019 ) Art of the 20-th C E N T U R Y – Hachete ( 1999 ) Photographs & Recollections – Gjon MILI ( 1980 )
I M A Z H E S H O Q Ë R U E S E
Calligrammes – G. Apolinaire Calligrammes – V. Zhiti Kopetina, ‘’CALLIGRAMMES’’ – Portret nga Pikaso Less Demoisselles D’ Avignon – Picasso Madame Moitessier – J. Ingres Woman with a book – Picasso