
Lazer Stani/
E pashë dhe nuk po u besoja syve. Bardhyl Londo këtu? Si ka mundësi? U kujtova se kishte ndërruar jetë para katër vitesh. Ishte ulur në një karrige, në skutën gjysmë të ndriçuar të kafenesë, i hequr në fytyrë, me një xhup të vjetër të hedhur krahëve. Mëngët e shprazta të xhupit i vareshin anash trupit. Ngriti kokën dhe më veshtroi me sytë e tij të thellë, të pikëlluar.
“Çfarë vetmie e madhe është vdekja”, tha.
Unë qëndroja në këmbë i shtangur përballë tij, pa mundur të shqiptoj asnjë fjalë. “Kam shkruar disa poezi të mrekullueshme,” tha, si për t’më lehtësuar nga pesha e rendë e fjalëve për vetminë e madhe të vdekjes. I mbytur në heshtjen time të ankthshme, po e dëgjoja mosbesues. Ai me sa duket, e lexoi mendjen time, se aty për aty shtoi, duke e ngritur dhe qartësuar zërin:
“Poezitë i shkruan fryma, Lazër, jo trupi. I shkruan fryma!” Pas këtyre fjalëve të shqiptuara me forcë e vendosmëri, siç shqiptohën fjalët që bartin të vërtetat e përjetshme hyjnore, një mur i padepërtueshëm mjegulle u ngrit midis nesh, por jehona e zërit të tij, vazhdon të më kumbojë në veshë.
PS: Poeti Bardhyl Londo, ndërroi jetë katër vite më parë, me 18 shkurt 2022.