
Prof.Afrim Krasniqi/
Një javë intensive – nga tryeza me politikanë moderatorë e diplomatë që duan të nxisin pjesëmarrjen / progresin me mesazhin e nevojës jetike dhe emergjente për rikthimin në normalitet të jetës parlamentare, dialog politik, zgjidhje institucionale të konfliktit permanent të luksit midis politikanëve të “piramidave partiake”, si dhe fokusim 100% tek reformat / integrimi, – te reagimi qytetar në emër të shoqërisë civile për reformë reale zgjedhore, dhe te biseda reflektuese me studentët në Korçë, ku kupton më mirë hendekun e thellë midis asaj që politika e vjetër ofron dhe pritshmërive të brezit të ri.
Si studiues i historisë politike, Shqipëria është sa një mjedis frymëzues për testimin e tezave mbi rolin e individit, rolin e turmave, rolin e ndërkombëtare, rolin e elitave të korruptuara dhe natyrën eksperimentale të reformave, ashtu edhe një mjedis plot kontraste që të lejon të kuptosh se krahas alibisë “Shqipëria ka ndryshuar” meriton më tepër vëmendje thënia realiste “jo mjaftueshëm për mua” siç shprehën thuajse unanimisht të rinjtë në takime. Vetëm se brezi i ri duhet ta thonë këtë me zë edhe më të lartë, të bëhen më shumë pjesë aktive e ushtrimit demokratik dhe t’i japin vlerën edhe që meriton votës, integritetit në përfaqësim dhe konceptit të pajetësuar ende “si gjithë Europa” në të gjitha dimensionet e tij.