
Nga: ANGELO PANEBIANCO
“Corriere della Sera”, 4 tetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika
Përfytyresa është e përsosur: një elefant që e beson veten të vogël dhe fshihet mbas një peme për t’i shpëtuar një gjuetari. Është Evropa e sotme. Me këtë përfytyresë , mbyllet, në këtë të përditëshme (29 shtator) përimtimi i ndritur që Federico Fubini i ka kushtuar iluzionit evropian: iluzionit t’Evropës që të mund të kthehet në një lloj Zvicre e cila, duke shfaqur pa-anësi përballë kundërshtimeve që përshkojnë botën, mund të qëndrojë jashtë, e paprekur dhe e lumtur. Me që Gjermania është shtylla e vërtetë e Evropës, asgjë më shumë se fushata zgjedhore gjermane e sapo mbyllur, mund të shërbejë për të sqaruar cila është, përtej retorikës zyrtare, gjëndja shpirtërore e opinionit publik evropian. Tragjedia e Kabulit këtë verë, ka dhënë për një çast përshtypjen se evropianët do të kishin kupuar se çfarë po ndodh, ose që bota e lindur mbas luftës së Dytë botërore – e së bashku me të edhe strofkulla e qenit e rehatëshme në të cilën kemi jetuar për më shumë se shtatëdhjetë vite – është duke u kalbur. Që këtu shumë bisedat mbi mbrojtjen evropiane, mbi nevojën e një “autonomie strategjike” (nga amerikanët) e tjera. Kanë kaluar vetëm pak javë dhe Kabuli e mësimet e tij të hamendësuara duken pothuajse të arkivuara. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë. E kanë treguar shumë mirë përmbajtjet e fushatës zgjedhore gjermane, madje dhe deklaratat e fituesve dhe humbësve kur mbaruan zgjedhjet. Ashtu sikurse edhe fakti që n’Itali e në pjesën tjetër të Evropës klima politike u kthye me shpejtësi ajo e përherëshmja.
Në demokraci politikanët janë rimorchio e opinionit publik (kush guxon të thotë vërtetë gjëra jo popullore?) dhe opinioni publik evropian i këtyre kohëve duket se arsyeton kështu: ç’na duhet neve shemëria e fuqive ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës? Ose për prirjen historike të Rusisë për të shkarkuar jashtë tensionet e brëndëshme dhe mungesën e popullaritetit t’atij që drejton në Kremlin, nëpërmjet politikave imperialiste dhe sulmeve t’armatosura? Ose për faktin që në zonën e Mesdheut fuqitë që zotërojnë janë tashmë ajo ruse dhe ajo turke? Ose për faktin që kinezët me mjete ekonomikë dhe rusët me armë bëhen gjithënjë e më ndikues n’Afrikë? Apo për faktin që skajshmëria islamike, mbas Kabulit, kthehet të kërcënojë të gjithë, përfshirë edhe neve? Ne jemi paqësorë e paqtues. Përse kjo duhet të na ndalojë që të përfshihemi në çdo gjë të keqe që ndodh në botë? Detyra jonë është të kemi marrëdhëniet më të mira me këdo që është i rëndësishëm, veçse të kujtohemi ndonjë herë edhe për “të drejtat njerëzore” (por jo kur bisedojmë çdo ditë me kinezët e rusët, nuk do t’ishte edukatë).
Për të treguar paqëndrueshmërinë e pozitës evropiane mjaftojnë tre vërejtje. Të kujtojmë, para së gjithash, diçka mbi Zvicrën. Është e vogël kurse Evropa nuk është e tillë. Jo vetëm ka qënë ndër shekuj e mbrojtur nga struktura e relievit të saj, ndërsa Evropa nuk është. Ka qënë për po aq shekuj nga fakti se njerëzit e lirë të Kantoneve të saj ishin të gatshëm t’i paguanin tribute të rënda gjaku kujtdo ushtrie që me shumë vështirësi do të kishte depërtuar mes maleve e luginave të tyre.
Vërejtja e dytë ka të bëjë me temat pak a shumë të reja që duken sot në rendet e ditës së Vëndeve evropiane: revolucioni i gjelbër, ai digjital, transformimet e punës të shtyra nga zbatimi i zgjuarsisë artificiale, etj. Kujtdo që beson se këto caqe janë të mbrojtura nga shemëria ndërmjet fuqive shpejt do t’i duhet të ndërrojë mendim. Do të ketë fitimtarë e të mundur, do të jetë ndonjëri që do të fitojë në pushtet politik dhe pasuri e dikush tjetër që do të humbasë. Edhe ashpër. Nëse është e vërtetë se mënyrat e vjetra nuk perëndojnë kurrë , nuk do të ketë vetëm luftëra, pushtime ushtarake dhe sulme terroriste. Mund të bëhemi edhe në mënyra të tjera mvartës, të gjindemi nën urdhërat e ndonjë tjetri (makar të një fuqie autoritare) që kontrollon teknologjitë tjelbësore e që është i gatshëm t’i bëjë lëshime atyre më të shtruarve, më të dëgjueshmëve.
Konsiderata e fundit ka të bëjë me natyrën e fuqive që hahen për kontrollin e botës. Edhe se hartuesit Manifestit të Ventotenes gabuan duke përfytyruar Shtetet kombëtare në fundin e tyre, ata e kuptuan se fatet e botës do të ktheheshin përsëri në duart e perandorive të mëdha, siç kanë qënë në mijëvjeçarë. Lufta e ftohtë, ose shemëria ndërmjet një “fuqie detare”, një republike imperiale (Shtetet e Bashkuara) dhe një perandorie kontinentale (Bashkimi sovjetik) – mbas një ndërprerjeje të shkurtër – i le sot vëndin luftërave të fuqive ndërmjet një shumësie perandorish. Me që ra fjala, edhe disa fuqi mesatare me dëshira zotëruese në rrethin rajonal, si Turqia dhe Irani, kanë një të shkuar traditash perandorake.
Është zakon në demokracitë të hedhin kryqin mbi politikanët, mbi pa-aftësitë e tyre. Nëse siguria evropiane është e kërcënuar duke humbur mbrojtja amerikane shumë nga besueshmëria e saj e hershme, nëse Evropa rrezikon të mbetet në mëshirën e fuqive autoritare, nëse kështu siç është sot, nuk ka asnjë mundësi të jetë në t’ardhmen zonjë e fatit të saj, faji do t’ishte vetëm i politikanëve. Shumë e ngeshme. As Winston Churchill-i nuk do të kishte arritur të rregullonte gjë nëse opinioni publik britanik, mbas vite e vite shkujdesjeje, mos të kuptonte papritmas rëndërinë e rrezikut nazist.
“Corriere della Sera”, 4 tetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika