


Rafaela Prifti/
Për nga vëllimi i punës dhe prurjet në leksikografinë shqipe, Profesor Doktor Ferdinand Leka (Prill 1930- Korrik 2022) i përket brezit të lëvruesve klasik të gjuhës. Ai pranonte se së pari ishte gjuhëtar dhe se përkthimet ishin dytësore, por e parë në tërësi vepra e tij voluminoze është shprehje e një përkushtimi të hershëm e të pashuar për gjuhën. Bibliografia e tij rendit 70 publikime në 4 gjuhë, 27 punime dhe 162 tituj e referenca përfshirë fjalorë terminologjie, gjuhësorë etj. Pa kurrfarë hezitimi, Profesori Leka pohonte se pasioni i tij ishte leksikografia. Simbioza me fjalën shqipe nisi herët dhe vazhdoi gjatë. Idhtar i palëkundur i gjuhës së njësuar shqipe, ai flet me admirim për gjuhëtarët e Kosovës të cilët në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) pranuan versionin standart të shqipes, të vetëdijshëm për domethënien e këtij akti në rrafshin e identitetit kombëtar. Nga të gjithë referuesit në Kongres, duhet të ketë rënë në sy kualifikimi i Profesor Lekës si diplomant në gjuhën serbe i Liceut të Shkodrës. Në këtë institucion prestigjioz, kujton Profesori, jepnin mësim edukatorë të nivelit të lartë të përgatitur nga Shkolla Normale e Elbasanit. Vec kredencialeve profesionale, thotë ai, këta mësues jepnin të njëjtin program rigoroz si në Gjimnazin e Shkodrës ashtu edhe në një gjimnaz të largët në Mirditë apo kudo gjetkë.
I mbrujtur me frymë iluministe. Ferdinand Leka e vuri formimin e tij gjuhësor të latinishtes, italishtes si edhe frëngjishten, greqishten e Vjetër dhe gjermanishten në të mirë të përhapjes së dijeve. I sapodiplomuar nga Gjimnazi i Shkodrës më 1946, ai shkoi në Kukës dhe hapi e drejtoi për katër vjet Shtëpinë e Kulturës ndërsa priste të merrte të drejtën universitare. Edhe këtë fakt humanitar ai e ‘zbut’ me modesti duke kujtuar shembuj të ngjashëm siç ishte Tonin Rropi në fushën e muzikës. Akte të tilla ishin fare të thjeshta për të sepse manifestojnë parimin e tij udhërrëfyes: “Njerëzve nuk ka nevojë t’ju predikosh, mjafton t’ju hapësh sytë.” Nuk besoj se ka ndonjë aforizëm tjetër që mund t’i vijë më për shtat situatës bashkëkohore në mbarë botën.
Pasi kreu studimet universitare filologjike për Gjuhën Ruse, Leka u punësua në Sektorin e Terminologjisë në Institutin Akademik. Ndonëse është autor i Fjalorit Italisht Shqip dhe bashkautor i shumë fjalorëve dygjuhësh, Profesori Ferdinand Leka nuk ishte i ftuar në studio dhe as i intervistuar në gazetat shqiptare të sistemit të kaluar. Në vitin 2006 ai pranoi një bashkëbisedim të regjistruar në video me Ardian Murraj, realizues në TVSh. Materiali u pasqyrua në programet e bashkësisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe nën kujdesin e realizuesit u rifreskua me të dhëna bashkëkohore, në kanalin YouTube në 2018. Profesor Leka përmend në bisedë se kur Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, botuar më 1980, u nderua nga zyrtarët komunistë, çmimi i Republikës iu dha Kryeredaktorit dhe Redaktorëve por jo autorëve me arsyetimin se “ishin shumë”. Po të bëjmë një metafor me sportin, thotë Profesor Leka me humorin e hollë shkodran, “morën çmim arbitri dhe trajneri, por jo skuadra dhe lojtarët.”
Bashkëpunëtorja e tij Lucia Nadin, autore dhe studiuese e historise shqiptaro italiane, ka shprehur konsideratë të thellë dhe mirënjohje për Profesorin Ferdinand Leka për diapazonin e padiskutueshëm gjuhësor dhe kontributin në leksikografinë dygjuhëshe.
“Leksikografia është pjesa më e lëvizshme dhe e gjallë e gjuhës,” theksonte Profesori. Kjo do të thotë se fjalorët duhen punuar e freskuar shpesh, dhe ribotuar çdo dekadë. Si një klasik i vërtetë, Ferdinand Leka barazvlerëson gjuhën dhe flamurin. “Një popull ka një fjalor dhe një flamur, – flamuri përfshin territorin e traditat por gjuha është ajo që mbetet në shekuj, pra krahas flamurit është edhe fjalori.”
Edhe në përzgjidhjen e përkthimeve shquhet prirja e tij për vlera të mirëfillta letrare dhe pasurim të letërsisë shqipe. Ferdinand Leka përktheu nga Francesco Petrarka Lirika të zgjedhura nga Canzoniere, nga Alessandro Manzoni (1842) Të fejuarit, që cilësohet si e dyta vepër klasike pas Komedisë Hyjnore. Në veprën Lavdërimi i Cmendurisë nga Erazmit i Roterdamit, Profesori Leka vlerëson njëherazi autorin si mendimtar i viteve 1500 ashtu edhe librin si një kryevepër e letërsisë botërore, e papërkthyer kurrë më parë në shqip. Me përkorjen dhe erudicionin e një akademiku, ai i dhuroi përkthimeve shqipe së bashku me veprën edhe biografinë e Erazmit shkruar nga Stefan Cvajg. Profesori komentonte se jeta e të dyve kishte patur paralele të dukshme. Vetëm një shikim i shpejtë i disa prej titujve të veprave të përkthyera flasin për kulturën e tij fenomenale dhe mprehtësinë mendore. Profesor Ferdinand Leka ka përkthyer: Jezusi i Nazaretit nga Joseph Ratzinger, Papa Benedikoti XVI, Të kapërcehet Pragu i Shpresës nga Shenjtëria e tij Gjon Pali II, Histori e Kishës nga Michel Lemonnier, Lavdërim i Disiplinës nga Bernhard Bueb, Botëkuptimii i Dostojevskit nga Nikollaj Berdjajev, Për të kuptuar Muzikën e Sotme nga Henry Barraud.
Lexuesi i librit me ese të Faik Konicës Shqipëria: Kopsht Shkëmbor në Evropën Juglindore është njohur me pikëpamjet e tij më thelbësore në fushën filozofike, historike, politike e gjuhësore. Por nëse ju ka rënë në dorë botimi i Shtëpisë Botuese Marin Barleti Tiranë, 1993, apo ribotim i tij, atëherë keni lexuar mendimet e Faik Konices përkthyer nga Ferdinand Leka. Ai e quan Konicën “mjek” për nga mënyra sesi dinte të jepte vlerësime por edhe kritika e qëmtime filozofike për shqiptarët, historinë, kulturën, gjuhën.
https://youtube.com/clip/Ugkx3JHxWkrwcRh3wX-4hLtjGxhzNv5ll1gk Admirimi për figurën e Konicës si edhe kërshëria e entusiazmi u bënë shtysë për përkthimin e eseve nga anglishtja në shqip. Profesor Leka pohon se nuk është njohës ekspert i anglishtes, por duke arsyetuar se Konica i kishte menduar esetë së pari në shqip, ai dëshironte të hynte në këtë “sfidë” me gjigantin e stilit për të qëmtuar fjalën që mund ta ketë menduar Konica në shqip përpara se ta shkruante atë anglisht. Kurrë nuk do ta dimë nëse Konica do kënaqej me përkthimin nga Ferdinand Leka, por në vend të përgjigjes mund të marrim në konsideratë paragrafin e fundit të Kapitullit I – Shqipëria Vend i Mrekullueshëm: “Vetëkënaqësia është një qëndrim kundër diturisë dhe unë nuk pretendoj të kem shpëtuar pa gabime. Por mund të përsërit me sinqeritetin më të madh fjalët e shkrimtarit të vjetër, Hekateut nga Mileti, të cilat i kam vënë edhe në ballë të librit: “Po i shkruaj këto gjëra sepse më duket se janë të vërteta.” Tek ky mesazh autori dhe përkthyesi ndihen krejtësisht të unifikuar me njëri tjetrin.
Nderimi i emrit dhe punës së gjuhëtarit të përkushtuar Ferndinand Leka, do ishte vetëdijshmëria për pastërtinë e gjuhës dhe termave të përditshme kur flasim e shkruajmë shqip duke i rezistuar vërshimit të përkthimeve pa nivel dhe huazimeve pa vend të cilat e bjerrin si gjuhën ashtu edhe kulturën e komunikimit. Kaq e vlefshme ishte kauza gjuhësore për të sa deri në vitin 2018, ai po punonte dhe më vonë e përfundoi Fjalorin e Termave të Drejtësisë. Porosia e tij e fundit ishte i njëjti mesazh që e pat thënë gjatë festimit të 85 vjetorit të ditëlindjes se tij: “Librat tona mos i hidhni në kosh dhe mos harroni të na citoni për punën që kemi bërë.”Pranë emrit të tij sot mund të vendosen plot tituj e punime, por më e përshtatshmja mes tyre është porosia e shprehur në librin e tij: A mund të flasim e të shkruajmë pak më shqip?
Kolazhi dhe Fotot nga Ardian Murraj