Ramazan Çeka/
Në Michigan aty ku filloi ëndrra amerikane, ishte maratona e radhës e promovimit të Librit “Porosia e Kullës” e autorit, Dr. Pashko Camaj, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Pas suksesit që Libri “Porosia e Kullës” pati në Tiranë, Prishtinë, Tuz, Nju Jork dhe Boston, pati një ndalesë në Michigan, ku kjo vepër me një punë titanike të autorit, Pashko Camaj i fton lexuesit në një udhëtim të jashtzakonshëm emocional dhe intelektual.
Në mjediset e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Zonja Pajtore, Dega e Vatrës Michigan dhe Çikago, me prezencën e miqve e të ftuarve të shumtë, u organizua promovimi i librit “Porosia e Kullës”. Krahas drejtuesve dhe anëtarëve të këtyre dy degëve, ishin të pranishëm nënkryetari i Federatës “Vatra” z. Alfons Grishaj, drejtori i degëve të “Vatrës” z. Mondi Rrakaj, Kolonel Dritan Demiraj, provinciali Pater Pashko Gojçaj, Dom Fred Kalaj, Prof. Anton Lajçaj, si dhe përfaqsues të medias, shkrimtarë artistë, familiarë të autorit dhe aktivistë të njohur të komunitetit.
Pater Pashku bekoi eventin dhe vlerësoi veprën e autorit, bashkvendasit të tij Dr. Pashko Camaj. Është një rrëfim sa emocionues po aq edhe intrigues, përmes të cilit autori sjell disa fakte nga e kaluara e tij, në realitetin e përjetuar, duke trajtuar një temë aq të pranishme në të gjitha trojet shqiptare, mërgimin si temë gjithë përfshirse, tejet specifike në të veçantat e veta.
Ky libër është një thirrje për reflektim, duke u nisur nga realitetet personale që e bejnë të veçantë si rrëfim, ndjenja e mëkatit për largimin nga trojet e të parëve, me të cilët ballafaqohet autori, ashtu si ballafaqohet gjenerata e parë e emigrantëve ngado që janë, duke e bërë këtë libër sa unikal, po aq edhe gjithë përfshirës në historinë e popullit shqiptar. Tek “Porosia e Kullës”, Dr. Camaj përdor një stil të pasur dhe poetik, të shprehur në formë tejet të qëlluar artistike, me figura e shprehje që dëshmojnë për një kulturë të gjërë që ka autori, për të pasqyruar luftën e brendshme të individit dhe përballjen me sfida të ndryshme që e formojnë jetën dhe shoqërinë e emigrantit.
Në shënimin e përkthyesit, vëllait të Pashkut, z. Nikollë Camaj, i cili përpiqet të mos zbulojë shumë nga vepra, pasi ai këtë dëshiron të ja mundësojë lexuesit, shënon vetëm një paragraf, sa për t’i hapur frëngjinë kësaj kulle prej shkronjash. “Rrëfimi fillon në bagazhin e një veture të madhe amerikane, me të cilën Pashku, së bashku me motrën dhe një fqinj, po kalonte kufirin nga Meksika në SHBA. Kur mbyllet kapaku i bagazhit, për të sikur përfundon gjithçka, por është motra ajo që e trimëron dhe i ngjall shpresën.
Mendimet që e kishin kapluar në ato çaste i kishin ngulitur ndjenjën e fajësisë për largimin nga Malësia e tij, ndjenjë kjo që do ta përcjellë deri kur të kthehet te kulla e gurit pas më se njëzet vjetësh.
Ndërthurja e këtyre kujtimeve me sukseset që i rëndit në SHBA, të ciat bien nën hijen e të parëve, përbëjnë strumbullarin e veprës në fjalë”, shprehet në shënimin e tij vëllai i Pashkut, Nikollë Camaj, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi. Autori tregon se këtë libër ia kushton babait të tij, i cili i tregoj se si të shikonte të mirën në çdo gjë, që të gjente dritën edhe në errësirë.
Gjithashtu edhe nënës së tij dhe të gjitha grave të Malësisë, dashuria dhe forca e të cilave mbijetoj përballë vështirësive që ata hasën në jetën e tyre. Së fundi, edhe familjes së tij të dashur, e cila e bëri të kuptojë pse ishte i bekuar mes njerëzve. Autori Pashko Camaj, doktor në shkencat mjeksore dhe funksionar i rëndësishëm në shtetin e Nju Jorkut, në librin e tij mes shumë mirënjohjesh dhe falenderimesh, shpreh edhe një falenderim të sinqert për z. Bujar Hudhri dhe ekipin e shtëpisë botuese “Onufri”, si dhe për shkrimtarin e dashur, z. Besnik Mustafaj, për vlerësimin dhe parathënien e tij në këtë libër.
Në përfundim të librit autori me krenari shprehet: “E kam të vërtetën e thjeshtë se çfardo që të sjellë e nesërmja, për ne këtu tani dhe ata që do të vijnë pas, gjithmonë do të ketë një trung të rrënjosur në një cep të vogël të kësaj bote, në shtëpinë nga kanë ardhur, që quhet Malësia dhe që ata mund të dijnë gjithmonë se nga vijnë”. Eventi u moderua nga dy drejtues të Qendrës “Nënë Tereza”, Prof. Gjekë Gjelaj dhe bashkëshortja e tij, Rita Gjelaj.
Promovimi u mbyll me nënshkrimin e librave nga autori Dr. Pashko Camaj, si dhe një darkë të përgatitur nga “Vatra” dhe Qendra “Nënë Tereza”. Ky aktivitet kulturor e atdhetar më pjesëmarrjen e studiuesve më të njohur nga mërgata dhe trojet shqiptare, tregoi për seriozitetin e Vatrës si udhëheqëse e aktiviteteve patriotike në mërgatën e Amerikës.