Gëzim Zilja/
Është një libër që qysh në faqet e para lexohet me ëndje dhe nuk të lodh. Të bën përshtypje që në fillim shqipja e pastër ku vështirë të gjesh një fjalë të huaj, të çfarëdo natyre, rrjedhshmëria, qartësia, delikatesa, përshkrimi plot pasion i natyrës dhe sinqeriteti me të cilin është shkruar ky libër. Unë thjesht do ta quaja, Autobiografia ime ose Jeta ime në dy kohë. Gjithsesi autori ka zgjedhur titullin “Porosia e kullës,” ku Kulla simbolizon gjithë Malësinë me historinë e saj jo të zakontë dhe përpjekjeve për mbijetesë, në kushtet e pushtimit jugosllav.
Qysh në hyrje autori na bën me dije se: “ ky libër është një përmbledhje e tregimeve të vërteta mbi përvojat që unë ndaj me vëllezërit dhe motrat e mija dhe të afërmit e mi, që nga fëmijëria deri në ditët e sotme.” Libri pasi e lexon kupton se është jeta e autorit në dy kohë: Ajo deri në moshën 20 vjeçare e kaluar në Malësinë e Madhe, pjesa e Jugosllavisë (Malit të Zi) dhe pjesa tjetër, jeta me peripecitë e saj deri në arritjen e suksesit në Amerikë. Autori ka zgjedhur titullin “Porosia e kullës” që mua më tingëllon, si një amanet, si një porosi që tradita e njerëzve të mirë, të ndershëm, punëtorë e atdhetarë të vazhdojë. Do ndalem pak të tradita dhe simboli i fjalës KULLË.
Kullat kanë qenë shtëpi banimi dy-tre katëshe, për jetesë të shumë njerëzve dhe shpesh të përshtatura me dritare frëngji për rezistencë në rast sulmi nga armiku. Në këto kulla u lindën dhe u rritën fëmijë, me frymën e paraardhësve, gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre. Shkolla e parë për fëmijët e atyre anëve ka qenë edukimi familjar me dashurinë ndaj familjes, respektin ndaj nënës e babës, ndaj mikut, edukimi për ruajtjen e nderit në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, të gjuhës, pronës, atdheut, fesë, të traditave më të mira, shumë prej tyre të pasqyruara në Kanunin e Malësisë së Madhe. Në ato kulla u mbajtën kuvendet, u falën gjaqet, u lidh besa për ruajtjen e integritetit tokësor sidomos gjatë Lidhjes së Prizrenit. Ndoshta diçka më shumë duhej folur për luftën heroike në mbrojtje të tokave dhe mos aneksimin e Plavës e Gucisë nga Mali i Zi, për Ali Pashë Gucinë e Haxhi Zekën, meqënëse ky libër nuk është thjesht vetëm libër kujtimesh por dhe një amanet për pasardhësit për të ruajtur traditën e njohur historinë.
Gjatë gjithë librit për autorin vazhdon dilema hamletiane, Të jesh a të mos jesh, që në rastin e Pashkos është: të ri në vendlindjen time, të ndjek fatin e paracaktuar, të bëj atë jetë që kanë bërë në shekuj stërgjyshërit e mi që nënkupton mbijetesën dhe jetën e mbyllur në një fshat të Malësisë së Madhe nën pushtimin dhe racizmin jugosllav apo të shkoj diku jashtë Jugosllavisë, kësaj bashkësie komuniste e të plotësoj ëndërrat e mia. Përgjigjen dhe zgjidhjen do ta shohim në fund të kësaj analize të shkurtër.
***Së pari libri shpreh në të gjitha dimensionet mallin për vendlindjen. Nuk kam lexuar ndonjë libër historik, biografik apo kujtimesh deri sot ku çdo gërmë, rresht apo kapitull pikon mall të pafund, ndoshta dhe lot si gjethet e shelgjeve pas një rrebeshi shiu, kur dielli shfaqet, duke ndriçuar sërish tokën. Duke e lexuar qetë çdo paragraf, ashtu shtrirë në divanin tim jo shumë të rehatshëm pasi e mbarova si rrallë herë, isha në gjendja të tregoja gjithçka sikur e kisha parë në një film me metrazh të gjatë. Kam shkruar dikur një libër për fëmijërinë dhe sërish banoj në lagjen ku jam lindur e rritur por përshkrime të tilla aq të hollësishme nuk kam shkruar thjesht se nuk i mbaja mend ose ndoshta nuk jam një vrojtues shumë i vëmendshëm.
Pasi e mbarova librin isha në gjendje të plotësoja si në një pazëll gjithë fshatin me përrenjtë, lëndinat, gurët e varreve, rrugët e rrugicat, autobuzin që nisej çdo një orë nga fshati në Podgoricë, njerëzit, jetën e tyre qysh pa lindur dielli me mjeljen dhe nxjerrjen e bagëtisë për kullotë, punën në fermë, etj etj. Përshkruhen me hollësi babai, nëna, vëllezërit e motrat, roli i tyre në familje, kushërinjtë, fejesat martesat, mbytja e motrës dymbëdhjetëvjeçare në përroin e fshatit dhe perjetimi plot dhimbje nga të afërmit i kësaj humbjeje, “pijaca” në Podgoricë ku shisnin bashkë me të atin prodhimet e fermës, pritja me orë e autobuzit pas shkuarje në kinema, për tu kthyer në shtëpi, meraku i nënës për vonesën, etj e tj. Megjithëse rrallë, në libër ndihet si një hije e zezë, që ndjek jetën e banorëve të fshatit dallimi, diferencimi dhe padrejtësia e adminstratës shtetërore në trajtimin e banorëve me kombësi shqiptare. Në disa raste (kjo ishte dhe nga shkaqet kryesore të largimit nga vendlindja të autorit) sidomos në shkollë, në ushtri dhe konkurimin në shkollën e Lartë për Mjekësi në Universitetin e Prishtinës, Pashko shumë i ri, ndjeu drejtpërdrejtë, padrejtësitë që iu bënë në vlersimin e punës së tij, vetëm se ishte shqiptar, thënë ndryshe qytetar i kategorisë së dytë, rrjedhimisht dhe mungesën e perspektivës në një shtet ku e drejta dhe liria mungonte. Mendoj se edhe më shumë shembuj mund të jepeshin për trysninë që ushtronte qeveria malazeze, për të pasur lexuesi një tablo edhe më të saktë të jetës së shqiptarëve të Malësisë së Madhe nën pushtimin jugosllav.
Mardhëniet me babain, tregimet për gjyshin e pushkatuar nga komunistët jugosllavë, janë një pjesë tjetër e librit ku kultura, tradita, historia, urtësia, virtutet më të mira si besa, nderi, mikpritja, feja, respekti për prindërit, e fisin transmetohen nga njëri brez në tjetrin me anë të këshillave, tregimeve dhe bashkëpunimit. Është një vlerë e popullit shqiptar përcjellja e dokeve, zakoneve, traditave nga njeri brez tek tjetri me seriozitet dhe jo rrallë me fanatizëm. Megjithëse kishte një farë njohjeje me gruan e tij të ardhëshme autori tregon sesi në fund të shek të XX ai dërgon lajmës të prindërit e vajzës që do të bëhej gruaja e tij, që kishte lindur në Amerikë, për të marrë pëlqimin e prindërve të vajzës, nisur nga parimi i vjetër shqiptar se kur dy vetë lidhen me martesë familjet lidhen më ngushtë, tashmë me anë të gjakut me njëra tjetrën.
Jo rrallë në tregimet e tij Autori nxjerr në pah vlerat e Kanunit të Malsisë për mikpritjen, aktin e faljes ose ritet e dasmës dhe vajit. Ne mësojmë se në ritet e vdekjes nuk ka vetëm vajtojca por edhe vajtor siç ishte babai i autorit. Ashu si dhe në Jug të Shqipërisë vatojca ose vajtori gjatë vajit numëronte meritat e të vdekurit deri në ditët e fundit të jetës së tij. Rasti i Mul Delisë të lexohet në libër faqe 102.
Mardhëniet me shtetin si një aparat shtypës kundër shqiptarëve si e thashë dhe më sipër jepet shkurt vetëm në disa raste dhe nuk jepen shumë arsye. Ai përshkruan me hollësi vrasjen e Pjetrit nga komunistët malazezë. Është një histori e gjatë dhe e dhimbshme ajo e gjyshit që pushkatohet pa gjyq nga një togë komunistësh jugosllavë, duke e lënë shtrirë për tokë, në dimrin e vitit 1945. Mendoj se duhej sqaruar më tej ky fakt sepse në libër nuk jepet qartë arsyeja pse e vranë, thjesht për terror, se ishte shqiptar, se ishte kundër komunizmit apo diçka tjetër. Gjithsesi kjo është një zgjedhje e autorit dhe është e drejta e tij ta pasqyrojë këtë ngjarje shkurt në faqet e librit. Mendoj se qëllimi për të cilin autori e ka shkruar këtë libër është arritur plotësisht.
PËRFUNDIM
Qysh në fillimet e librit pasi kthehet pas dyzet vitesh në vendlidje ai shprehet: “A ishte i gabuar vendimi për të lënë vendlindjen time shtëpinë time. A i kam tradhëtuarparadhësit e mi duke lënë të vetmen botë që ata njihnin për ka shumë breza? Ja kjo është një pyetje që ia bëj vetes ende edhe sot e që do ia bëj gjatë gjithë jetës ime.” Në faqen e fundit të librit ai bindet dhe pohon duke deklaruar përfundimisht: “Jam i bindur tani më shumë se kurrë se vendimi që mora atë verë të vitit 1985, nuk ishte vëtëm vendimi i vetëm që mund të kisha marrë, Ishte gjithashtu vendimi i duhur. Më ka çuar këtu ku jam sot duke mbajtur ende gjallë trashëgiminë e brezave para meje..”
Respektoj shumë këtë mendim të Autorit por ndahem disi me përfundimin e zotit Pashko Camaj. Sigurisht që njeriu është i lirë dhe jetën që i jepet vetëm një herë, duhet ta kalojë në mënyrë të tillë që të mos ket keqardhje për vitet e kaluar pa qëllim, në varfëri ose në një vend të humbur e pa perspektivë si Malësia e Madhe.
Sot në dilemën më të madhe ndodhet rinia shqiptare. Tash tridhjetë vjet qeveritë shqiptare pa përjashtim në themel të tyre kanë propagandën, padrejtësinë dhe korrupsionin. Ka dy rrugë: ( për Pashkon kishte vetëm një rrugë) Të luftojnë e përpiqen për një Shqipëri demokratike, për një jetë më të mirë, apo t’ia mbathin kudo qoftë vetëm që jeta e tyre dhe e fëmijëve të jetë e sigurt dhe e lumtur.