
Artan Nati/
“Nëse je burrë, hajde dalim jashtë,” i bërtiti Rok. Të dy burrat ishin produkte të një shoqërie që nuk pranonte poshtërimin. Ata nuk përfaqësonin vetëm veten, por edhe fiset e tyre përkatëse. Pozicioni i tyre në fiset e Hotit dhe Trieshit nuk i lejonte t’i merrnin lehtë sharjet. Për një kohë të shkurtër, Gjeku nuk tha asgjë. Të bërtiturat e tij bëheshin gjithnjë e më të forta teksa ftoi Gjekun në një duel, nga i cili nuk kishte kthim. Duke lexuar këtë paragraf nga libri “Porosia e kullës” e autorit Pashko Camaj, mund të kuptosh shumë se Shqipëria nuk ka ndryshuar shumë nga koha e pushtimit turk në shekullin e 15-të e deri në ditët e sotme. Cila është arësyeja që bijtë e shqipes, që janë aq të bashkuar kur sulmohen nga shtetet armike, luftojnë me njeri tjetrin me të njëjtin agresivitet e ndoshta edhe më keq? Ndoshta sepse ka të bëjë me nderin e tyre në zonën ku jetojnë dhe nderi është si një lloj monedhe për të përcaktuar statusin e tyre. A është ky një mallkim për ne, apo jemi të destinuar të veprojmë kështu, apo diçka tjetër?
Në fakt Shqipëria nuk ka pasur mundësi reale të krijojë një shtet të qëndrueshëm dhe aq më pak demokratik qysh prej periudhës së pushtimit turk e në ditët e sotme dhe kjo ka bërë të mundur organizimin tribal të shoqërisë. Në këtë kuptim mund të thuhet se Shqipëria, por edhe i gjithë ballkani mbaroi ciklin e mesjetës në fillim të shekullit të 20-të dhe pikërisht me shpalljen e pavarësisë. Pra vendi ynë për arësye gjeografike dhe rastësore mbeti në errësirë për pesë shekuj pa përjetuar rilindjen europiane dhe iluminizmin apo zhvillimin industrial që solli ndryshime rrënjësore shoqërore në Europë, pjesë e të cilës gjeografikisht jemi edhe ne, por që synojmë ta arrijmë edhe kulturalisht e politikisht. Në këtë kuptim mund ta quajmë shoqërinë tonë, por edhe atë ballkanike, shoqëri infantile.
Më tej në libër vazhdohet me një fenomen apo produkt të tribalizmit, i cili në thelb është tragjik, por edhe i përshkruar me vërtetësi dhe të lë të kuptosh e të përjetosh faktin se në këtë zonë, por edhe në gjithë Shqipërinë nuk kishte jetë, nuk kishte dashuri dhe evolucion. Ndoshta sepse tribalizmi i lindur si domosdoshmëri për mbijetesë dhe vazhdim të jetës, ishte kthyer në një vrasës të saj, duke e trajtuar femrën jo si individ, jo si simbol i krijimit dhe i vazhdimit të jetës dhe i evoluimit të saj, por si një mjet që vihej në funksion të fisit dhe statusit të klanit apo familjes që përfaqësonte. Ja si përshkruhet në libër ky fenomen:
“Siç ishte zakon në Malësi, kishte ardhur një mik i përbashkët i familjes në. shtëpinë tonë, mblesi, dhe i kërkuam babait tonë të pranonte miqësinë e tij dhe t’ia jepte vajzën familjes që e kishte kërkuar. Vendimi për të ‘dhuruar’ një vajzë u mor më së shumti në bazë të familjes dhe jo të individit. Pamja ishte e rëndësishme, por pema familjare, trashëgimia dhe gjendja ekonomike ishin gjithmonë faktori kryesor përcaktues në pranimin e propozimit. Dy burra po kërkonin Lezën në atë kohë, kështu që babai ynë kishte një vendim për të marrë. Ai ndoshta ka kërkuar bekimin e nënës sonë në kohën e tyre private, por nuk dihej, pasi kryefamiljari e merrte gjithmonë këtë vendim vetëm. Fjala e tij ishte e fundit dhe dëshirat e tij duhej të përmbusheshin.”
Kultura e nderit, e rrënjosur thellë në tradita dhe norma shoqërore, ka formësuar ndërveprimet njerëzore për shekuj me radhë. Të përcaktuara nga prioriteti i respektit, reputacionit dhe identitetit kolektiv, kulturat e nderit shpesh theksojnë mbrojtjen e emrit, familjes ose komunitetit të dikujt, nëpërmjet veprimeve që mbështesin statusin dhe integritetin shoqëror. Ndërsa ka nxitur unitet dhe trimëri, ai gjithashtu mbart kompleksitete që ngrenë pyetje në lidhje me rëndësinë e tij në botën moderne.
Më tej në libër në disa dialogë me serbë dhe sllovenë, autori paraqet me realizëm një tendencë të tyre për t’i paraqitur shqiptarët si qytetar të dorës së dytë, por duke vënë në dukje edhe disa elementë pozitivë të një pakice të tyre. Nëpërmjet këtyre shembujve autori na tregon qartë se vija ndërmjet të mirës dhe të keqes nuk kalon midis fiseve dhe klaneve, as midis kombësive, partive apo shteteve të ndryshme, por ajo kalon si një fije e holle përmes zemrës të secilit prej nesh. Autori shprehet me krenari dhe vërtetësi se “feja e shqiptarit është shqiptaria” ndaj të gjitha tendencave të sllavëve për të na përçarë në mysliman e të krishterë, një karakteristikë e veçantë e jona për mbijetesë, por që tashmë kjo shqiptaria duhet zbatuar në kushtet moderne dhe realiteteve europiane, të cilat ne duam t’i përqafojmë dhe të bëhemi pjesë e natyrshme e Europës. Pikërisht problemi ynë është shqiptaria që si pjesë përbërëse ka tribalizmin, mungesën e respektit për individin dhe mbi të gjitha mungesën e individualitetit të femrës shqiptare, të motrave, nënave dhe vajzave tona, pa të cilat jeta nuk ka kuptim, nuk ka dashuri dhe nuk ka ndryshim dhe vazhdueshmëri. Ashtu siç tregohet në libër ishte motra e tij që e mbështeti dhe inkurajoi të shkonte në Amerikë, ishte motra tjetër e tij që e priti dhe strehoi dhe mbështeti për të relizuar ëndrën e tij. Duket sikur në libër heroi kryesor është autori, por në fakt janë dashuria e nënës dhe motrave të tij që bëjnë të mundur gjithçka që ai përfaqëson dhe ka arritur, është pikërisht kjo dashuri që ne e marrim si të mirëqenë dhe shpesh e abuzojmë, duke ndalur kështu edhe evolucionin e shoqërisë shqiptare dhe ndryshimin aq të domosdoshëm për t’u bërë pjesë organike e civilizimit perëndimor.
Më tej në libër tregohet se si autori bën realitet ëndrrën e tij të mohuar në vendlindje dhe se si në një shtet ligjor, ai dhe bashkëkombësit e tij arrijnë t’i japin jetës së tyre kuptim dhe respektojnë njeri tjetrin. Po ashtu edhe femra shqiptare trajtohet e barabartë dhe e denjë si një individ që vendos vetë për të ardhmen dhe fatet e saj. Kjo është diferenca e shtetit ligjor me atë joligjor në Shqipëri, sepse kur grupet ndihen të kërcënuara, ata tërhiqen në tribalizëm. Ata mbyllin radhët dhe bëhen më të izoluar, më mbrojtës, më ndëshkues, më shumë ne kundër tyre. Sot në Shqipëri, çdo grup ndihet kështu deri diku. Minoritetet greke dhe rome, burrat dhe gratë, katolikët, ortodoksët dhe myslimanët, njerëzit e drejtë dhe homoseksualët, demokratët dhe socialistët, të gjithë mendojnë se grupet e tyre po sulmohen, ngacmohen, persekutohen, diskriminohen. Natyrisht, pretendimet e një grupi për t’u ndjerë i kërcënuar dhe pa zë shpesh përballen me talljet e një grupi tjetër, sepse kjo zhvlerëson ndjenjat e tyre të persekutimit dhe ky është produkt i tribalizmit tradicional, por edhe i tribalizmit politik që mbizotëron në vend, Ky libër shërben si një thirrje për ndërgjegjësim e veprim për krijimin e shtetit ligjor në Shqipëri si edhe për mbështetjen pa rezerva të politikave amerikane në mbështetje të Shqipërisë. Në fund të librit autori shpreh brengën e largimit nga vendlindja dhe më tej vazhdon se atdheu jeton në zemrat tona dhe se bashkëpunimi dhe kontributi në organizatën më të madhe dhe gjithëpërfshirëse Vatra, është detyrë dhe plotësim i amanetit të të parëve tanë, i cili tingëllon dhe na thërret, në çdo moment e hap të jetës tonë kudo që ndodhemi, ashtu si porosia e kullës e shprehur mjeshtërisht ne këtë libër.