AGRON GJEKMARKAJ/
Nuk paskësh qenë rastësi një përcaktim i Indro Montanelit, ndoshta gazetarit më të rëndësishëm evropian të shekullit të kaluar, i cili aso kohe, në vitin 1938, udhëtonte në Malësinë e Madhe dhe shkruante librin e tij “Shqipëria një dhe një mijë”. Montanelit i bënte përshtypje të madhe malësori që nuk shet, por fal. Ai, si shkrimtar i rafinuar, ndihej me turp për shkallën e qytetërimit nga vinte, përballë dlirësisë së malësorëve, duke i krahasuar me skocezët e Mesjetës së hershme.
Në përfundime të ngjashme mbërrin edhe At Zef Pllumi te “Saga e fëmijërisë”, kur, në moshë të pjekur, udhëton drejt kohës kur vetëdija formësohet aq sa mbetet përjetësisht e ngulitur në gjakun e asaj bote, tërhequr nga fuqia e virtytit.
Një tjetër libër i një personaliteti dhe intelektuali shqiptaro-amerikan, “Porosia e Kullës” e Pashko Camajt, më futi mes këtyre sinoreve!
Me fillesa në Malësinë e Tuzit, në arealin e malësorëve shqiptarë të Malit të Zi, mes krenarisë historike të ushqyer me kontribute, emra, beteja – aty ku ngurtësohet për të parën herë toka për shtizën e flamurit shqiptar pas Skënderbeut, me epopenë e Dedë Gjo Lulit dhe shtypjen nacionale e diktatoriale serbo-malazeze – Pashko Camaj e “zvogëlon” të gjithën tek “kulla”.
Kjo kështjellë e pathyeshme e identitetit individual, shoqëror, krahinor e kombëtar është po aq e ngurtë sa fluide, sa ndërtesë po aq gjendje, sa fshat aq atdhe, në ish-Jugosllavinë pa bashkim e vëllazërim!
Një familje patriarkale me nota biblike, ku kulti i Nënës – “kur humba Nanën, humba Atdheun” – dhe i Atit vjen si paradigmë shekujsh për bijtë që nga dritaret e “kullës” kërkojnë një horizont të ri, një ballafaqim përtej saj, një lidhje me dijen dhe kulturën.
Të dashura portretet e përcjella nga vegime fëminore: idilike luginat dhe pllajat, mali dhe liqeni, tregu ku shiten perimet dhe frutat, shkolla pedante dhe mësuesit që autoritetin e matin me pëllëmbën që endje digjet në faqen e fëmijës, tanimë burrë dhe personalitet.
Të qenit shqiptar në Mal të Zi, pesha e represionit shovinist, lidhja me Shqipërinë, Kosovën dhe mitet rreth tyre, kapërcimet e moshës dhe sfidat për të realizuar dëshirat me solemnitetin e rrëfimit të fusin në mjedisin e asocacioneve.
Shikoj Pashkun e vogël, ose “Çoçon”, në rrëpirat e Tuzit dhe shoh veten fëmijë në Malin e Rrencit. Ai fliste për mësuesit e tij, e unë mendoja për të mitë! Tek dëgjoj ligjërimin e nënës së tij, më kujtohet gjyshja ime, me stilemat tipike të gjergut dialektor të Malësisë së Madhe!
Tek ai rrëfente se si policia sekrete jugosllave pushkatonte gjyshin Pjetër, më vinin në mend gojëdhënat për Prek Calin dhe Llesh Marashin në rezistencë.
Pashko Camaj gjeti Amerikën, dhe ajo i dha atij, pas shumë përpjekjesh e sfidash, dinjitet intelektual dhe individual, duke e bërë atë një emër të veçantë. Për të mbërritur atje, në Miçigan, në mes ishte guximi i aventurës: udhëtimi në Meksikë me avion dhe pastaj kalimi i kufirit, i mbyllur brenda një bagazhi, me motrën dhe kushëririn!
Gjeta aventurën time tek kaloja detin me një peshkarexhë për të shkuar në Itali, të treguar nga Pashku!
Njësoj mundimet e punës: unë për të hapur kanal si nxënës murator përreth kullës së Pizës dhe vuajtjet e kushërinjve të mi për të më bindur që të mposhtja trupin që më dhimbte dhe të vazhdoja punën deri në ditën e 46-të, kur e rebelova veten dhe hodha lopatën! Pashku shfaqet më i shtruar në Miçigan, i bindet burrit të motrës dhe Zeka e paguan mirë! Në të njëjtën moshë, ai fillon studimet në Universitetin e Kolumbias, në të njëjtën kohë kur unë kisha nisur të miat në atë të “La Sapienzes” në Romë!
Mu duk për një çast sikur Pashko Camaj më kishte rrëmbyer kujtimet, ose se kishte nxituar para meje të shkruajë aq bukur për kullën, traditat, festat, ritet, dasmat, vdekjen, natyrën e malësorit që rri brenda masës gjithmonë dhe nuk e shfaq kurrë me tepri as dhimbjen, as gëzimin. Privacionet dhe krenaria e tij genuine nuk vjetërohen kurrë!
Udhëtimi ulisian mes epokave dhe vendeve i Pashko Camajt është udhëtimi i shumëkujt. Ai është nisur të shkruajë për veten, por ka shkruar për shumë të tjerë! Ai ka shkruar për të gjithë ne, malësorët dhe Malësinë e Madhe, andej e këtej kufirit, duke rrëfyer rrugëtimin nga bukolikja tek intelektualja, nga lokalja tek universalja. Baba e thërriste “Çoço” dhe ai ka mbetur fëmija, tani në moshë të babës, që i kthen nga privat në publik portretin, duke ofruar si të paharrueshëm një brez, një kohë, një besë dhe një shpresë – elemente të individit që shndërrohet në personalitet!
“Çoço” është Pashko Camaj, për të cilin krenohemi! Ai na solli fëmijën, ne nderojmë burrin që ka mbetur po aq i dlirë në rrëfimin e tij! Ajo është edhe “kulla” ime! Atë porosi kam marrë prej saj!