Përgatiti: Eneida Jaçaj/
Portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, është zbuluar në Muzeun e qytetit të Fermos, në Itali. Portreti, i cili i përket një periudhe 471 vjeçare, i është dhuruar Muzeut të Fermos, nga një prift në vitin 1550. Ajo që të bën përshtypje në këtë portret ndryshe nga çka e kemi parë, është se hunda me kurriz të dalë nuk paraqitet e tillë; Skëndërbeu paraqitet në një moshë shumë të re, me mollëza të dala, dhe mendohet sipas studiuesve, që i përket periudhës së Rilindjes Europiane, pasi nuk ka autor, dhe kjo është tipike e kësaj periudhe. Zbulimi i këtij portreti tregon qartë marrëdhëniet e ngushta miqësore të prijësit të Arbrit, udhërrëfyesit, strategut legjendar, Skëndërbeut, me Italinë.
Pas krijimit të shtetit të Arbërit, në 1448, Skëndërbeu ishte i pari që vendosi marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin. Heroi legjendar forcoi marrëdhëniet miqësore me Vatikanin dhe Mbretërinë e Napolit, gjë që e ndihmoi me ushtri dhe financa. Pra, nuk është e rastit, zbulimi i një portreti të tillë. Përpos këtij portreti në Muzeun e Fermos, ekziston në një muze tjetër edhe një portret i Skendërbeut me rroba kombëtare të zonës fushore të Shqipërisë së Mesme, i cili ndodhet 500 kilometra larg Fermos. Portreti i heroit tonë legjendar, prijësit të Arbrit, është zbuluar nga studiuesi i mirënjohur, z.Mark Palnikaj, i cili shkoi për një vizitë studimore në Bibliotekën Komunale “Romolo Spezioli”. Studiuesi Mark Palnikaj është mjaft i apasionuar me figurën e Skëndërbeut. Siç dihet, ai është autor i librit “Skënderbeu, letërkëmbimet me sulltanët”, i mbështetur në dokumente të zbuluara nga vetë ai, nga Arkivi i Bibliotekës Kombëtare të Napolit dhe nga Arkivi Sekret i Vatikanit.
Një portret akoma më i hershëm i prijësit të Arbrit është ai i vitit 1466, kur Skëndërbeu vizitoi qytetin e Lagunovës në Itali, ndërsa Gentile Bellini e pikturoi atë me urdhër të autoriteteve venedikase. Fakte të tjera që na bëjnë të ndihemi krenarë për heroin tonë kombëtar, i cili luftoi për të ruajtur tokat e Arbrit për 25 vjet, është se emrin e tij e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar që nga Tirana, Prishtina, Zyrihu, Parisi, Roma, Çikago, Shkupi, etj. Gjithashtu, buste dhe shtatore të Gjergj Kastriotit Skënderbeu ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Nju York, Kanada, Kosovë, Tiranë.
Në arkivat e Vatikanit gjenden dokumente shumë të vjetra 600 vjeçare për historinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet miqësore diplomatike të Skëndërbeut me Venedikun dhe Mbretërinë e Napolit. Heroi ynë legjendar, Skëndërbeu, një luftëtar trim dhe shumë i avancuar për kohën, në betejat e tij të suksesshme kundër osmanëve kishte për qëllim çlirimin e tokave shqiptare dhe për të penguar shtrirjen e Perandorisë Osmane drejt Europës. Perandoria Osmane kërkonte të tregonte epërsi dhe forcë, duke kontrolluar tokat ku shtrihej Perandoria Bizantine. Synimi i saj kryesor dhe frika më e madhe e saj ishte Venediku, pasi kishte dhe flotën dhe detin.
Europa pati një interes të madh të ruante marrëdhënie të mira me Skëndërbeun, me këtë trim, i cili 25 vite nga jeta e tij ia kushtoi luftës kundër osmanëve. Bëhet fjalë për shekullin e XV-të. Europa e shikonte Skëndërbeun si një barrierë të fuqishme që pengonte shtrirjen e ushtrive osmane drejt Perëndimit. Kur ushtritë osmane filluan të pushtonin zotërimet venedikase në More (Peleponez), pati një afrim dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet Skënderbeut dhe Venedikut, për fuqizimin e luftës antiosmane. Papët e Romës, Skënderbeun e cilësuan si “Mbrojtës të krishterimit” dhe i dhanë titullin “Kapiten i përgjithshëm i Selisë së Shenjtë”.
Në marrëdhëniet e mira diplomatike me shtetet italiane, një vend të veçantë kishin ato me Mbretërinë e Napolit. Skënderbeu, në vitin 1451, lidhi traktate me mbretin Alfonsi V të Napolit për të bashkëpunuar në luftën antiosmane. Skëndërbeu mori ndihma ushtarake nga Napoli, në 1455, në betejën e Beratit. Pas vdekjes së Alfonsit të V (1458), lidhjet me Italinë u dobësuan. Marrëdhëniet me Italinë nisën të riforcoheshin kur Skënderbeu ndërhyri në luftën civile që kishte shpërthyer atje dhe i dha ndihmë ushtarake mbretit Ferdinand.
Skënderbeu organizoi sulme të njëpasnjëshme dhe çliroi një varg qytetesh e qendrash të fortifikuara, si Tranin, Sant Anzhelon, San Xhovani Rotondon etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e vyer, mbreti Ferdinand i dhuroi si prona heroit shqiptar, San Azxhelon e San Xhovani Rotondon dhe i caktoi atij një pension vjetor prej 1200 dukatesh. Fakte të tjera historike që dëshmojnë miqësinë me Italinë është se, një nga shpatat e Skënderbeut, i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg.
Dy herë Papa Piu II kërkoi të vinte në Shqipëri me qëllim kurorëzimin mbret të Skënderbeut. Pra, strategun legjendar, trimin që i njihte mirë taktikat e luftës, diplomatën e mençur, i cili e cilësonte veten pasardhës të Piros së Epirit, Europa e donte dhe kishte interes të madh të mbante marrëdhënie të mira, pasi e shihnin si luftëtarin simbol kundër shtrirjes së Perandorisë Osmane drejt saj dhe më gjerë.