
“Pranvera e Dinjitetit” nuk është vetëm një manifestim përkujtimor. Ajo është një kujtesë e gjallë e sakrificës, e guximit dhe e vendosmërisë së një brezi që u ngrit për liri. Kjo veprimtari kujton një nga datat më të ndritura të historisë sonë të re – 14 marsin e vitit 2001. Një datë që mbetet e gdhendur në ndërgjegjen kombëtare si momenti kur bijtë dhe bijat më të mirë të këtij kombi u ngritën për dinjitet, për barazi dhe për liri.
Rajoni ynë ka kaluar nëpër shumë sprova historike. Ka përjetuar konflikte, padrejtësi dhe përpjekje të vazhdueshme për ta zbehur identitetin dhe të drejtat tona. Por historia na ka mësuar një të vërtetë të madhe: se kur kombi shqiptar bashkohet rreth idealit të lirisë, ai bëhet i pathyeshëm.
Qëndresa jonë nuk filloi në vitin 2001. Ajo është vazhdimësi e një rruge të gjatë sakrifice. Filloi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nën udhëheqjen e Komandantit legjendar Adem Jashari, vazhdoi me Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, dhe mori hov të ri me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Lufta e vitit 2001 ishte një moment i madh i ndërgjegjes kombëtare. Në atë kohë u ngritën të rinj e të moshuar, studentë, intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë. Ata u bashkuan rreth një ideali të vetëm, t’i shërbejnë lirisë dhe dinjitetit të kombit shqiptar.
Pas 25 vitesh, ne përulemi me respekt të thellë para atyre që sakrifikuan gjithçka për këtë ideal. Kujtojmë me nderim dëshmorët tanë, bijtë dhe bijat që me gjakun dhe veprën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit. Falë qëndresës dhe vendosmërisë së tyre u krijuan rrethana të reja politike dhe juridike, që sollën avancimin e statusit dhe të drejtave të shqiptarëve në vendin tonë.
Prandaj, kujtimi i dëshmorëve dhe respekti për sakrificën e tyre nuk është vetëm një detyrë morale. Është një obligim kombëtar për çdo shqiptar, kudo që ndodhet në botë. Le ta ruajmë këtë kujtesë, ta përcjellim te brezat e rinj dhe ta mbajmë të gjallë idealin për të cilin u sakrifikuan më të mirët tanë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Qoftë e lavdishme vepra e tyre!