PRANVERË 2014/
Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Pranverës/
iu qepa/
me ngulm/
si kërkuese ari/
që kalon në sitë/
gjithë guriçkat/
e zallin/
e lumenjve/
të orëve/
me shpresë/
se do të fitojë/
llotarinë/
e artë /
të fatit/
pranverës
iu përgjërova
me zërin e heshtjes
që murmërin
si bletët
nga shumëngjyrshmëria
e luleve-kurora
në procesionet e
thithjes
së nektarit
pranverës
i renda
si vagonët
e mbushur
përplot
me qymyrin
e mallit
pas çufçufeve
të lokomotivës
së marsit
kambanat
e mimozave
bien
kotnasikoti
derisa marsi
ia beh me
bylezikë
ylberi
prej psherëtimave
diellore
të luledeleve
sepse
pranvera vjen
pa u ndjerë
nga portikët
e padukshëm
të ajrit
me hapin
e heshtur
të thëngjijve
të shuar
prej epshit
të natës
bari e ndjen
i pari
dhe shpeshton
frymëmarrjen
e i ngjitet pas trupit
si fëmija
pas fustanit
të nënës
sepse
e di më mirë
se kushdo
se pranvera vjen
e ikën ngutshëm
si në garat
e maratonës
ku koha
me fytyrat
tona
vrapon
më shpejt
se
blicet
e vetëtimave
….
Pranverë,2014
Bardha Pali says
Më pëlqen te lexoj shkrimet e fuqishme të Elida Buçpapajt.
Penë që zbraz bojën
Duke hedhur mbi letër
Natyrën dhe botën
Pa e hapur gojën.
Thëthin ndryshimet
Kohore,natyrore e njerzore
Me të mirat e gabimet shoqërore.
Më pëlqen kembengulja e saj
në paraqitjen e të metave
Pë ndreqje.
Më pëlqen fuqia e mendimit të saj.