
Pranverë në karantinë/
Poezi nga Rafael Floqi -/Dielli/
Pranvera sot ka vënë maskë, /
Maskë në mars, /
Pranvera sot është mbyllur,/
Për 40 ditë, /
Në Quarantena./
Por atë askush, /
Nuk ka fuqi që ta ndalë, /
Edhe pse tulipanët në kopsht, /
S’kanë çelur,/
Edhe pse një gushëkuq, /
Ecën serbes në trotuaret pa njeri…/
Sot janë të gjithë mbyllur në shtëpi.
S’ka punë sot,
S’ka shkollë sot,
S’ka lëvizje.
Në rrugë zhurma e makinës së plehrave,
Dhe një sirenë ambulance
Që ndihet nga larg,
Kamioni ka lënë gjurmët e tij ,
Në koshat e zbrazur të plastikës
Por dhe aty punojnë njerëz,
Gjurmë, se jeta vazhdon.
Po dhe sot në Kongres
Politikanët vazhdojnë e grinden,
Për fondet për urën që nuk shkon askund,
Por sot sa njerëz janë papunë.
E njerëzit
Kërkojnë që sot që kura
Të mos jetë më e dëmshme
Se sëmundja.
Që dihet se si e qysh s’dihet nga erdhi
Për një fajin tëndin, o njeri
Të atyre,
Që luajnë me Zotin,
Covid 19-të
Aty ka diçka përtej pazarit të gjësë së gjallë
E lakuriqëve të natës,
Përtej ngrohjes globale.
“Për të vetmin fajin tënd”,
Siç thoshte dhe prifti
Në kishën bosh,
Duke i shpërndarë ostet në ajër
Ku asnjeri s’kishte të rrëfehej.
Amen.
Në këtë moment
Ku njeriu
Duhet të gjejë ngushëllimin
Për jetën,
Duke folur drejtpërdrejt me ty, o Diell …
O Diell – nëse mund t’i mbush duar si kupë
Dhe të pi prej teje lëngun e jetës,
Të bëj një çudi të ndritshme,
Ta ndal këtë tmerr për njerëzimin.
O Diell
Sa dua,
Në emër të ëndrrave të mia,
Në emër të familjes time
Në emër të fëmijëve të mi .
Në emër të dashurisë sime
Për jetën.
O Diell,
Ç ‘janë këto fjalë që na thonë
Të rrimë larg njeri tjetrit?
Madje dhe dashurinë,
Këshillon Facebook-u
Të bëjmë vetëm me veten (?!)
Dy metra= 6 feet ,
Një jetë …
Njeriu është njeri
Që kur u bë bashkë,
Në një shpellë, në një zjarr,
Në kope, në fis e një farë,
Në fshatra e qytete e shtete
Dhe ndezi një zjarr
Për të ngjallur ty,
O Diell
Dhe filloi të flasë
Por jo me vete.
O Diell !
Merre dhe një pjesë nga unë
Nga liria ime
Në emër të dashurisë
Për gjyshërit,
Në emër të dashurisë
Për prindërit,
Në emër të dashurisë
Për fëmijët,
Në emër të dashurisë
Për njeriun.
Për të mos i lënë diktatorët të bëjnë
Prova gjenerale
Të durimit tonë,
Pasi në kohët e “Fake News”
Dëgjon mjaft thagma .
Me tanke në për rrugë.
Jo më kot,
Ky virus ka një emër më kurorë
Virusi i kurorës = Coronavirus.
Po vdekjen s’ ka
Kunorë që e shlyen,
O Diell.
Ndaj,
Ne emër të atyre që vuajnë,
Në emër të atyre që na lanë
E do na lenë,
Sille pranverën !
Pse është dhe një pjesë prej meje,
Brenda trupit të saj.
O ditë Marsi
Shpalosi ngjyrat, shkundi ngjyrat në qiell,
Pasi njeriut gjithnjë vdekja
Do t’i vijë prej vetes.
Pasi,
shkencë nuk do të thotë të luash me jetën.
Valëviti dhe tundni ngjyrat tuaja në qiell.
Deri kur të jem i grimcuar me bukuri.
Pse ka tek ty
Më shumë përsëritje të ajrit të diellit.
Se mund të marr frymë pa ventilator?
Pse ka aty tinguj
Ka heshtje?
Pse është një plagë që këndon
Rreth çdo ore drite.
Pse s’ka nevojë për parfum kur ka lule?
O Diell!
Si mund të më shtysh
Më pranë dashurisë?
Ndaj njeriut,
Sot është koha
Të jemi larg fizikisht,
Për të qenë më afër shpirtërisht.
Mjaft me politikë, mjaft me grindje, mjaft me raca.
Sot është koha të duhemi dhe pse në distancë
Para vdekjes jemi gjithë njësoj…
Pranverë mos u vono
Lulet e qershive nuk po çelin
Nuk kanë ato frikën nga virusi.
Po si mund të çelin ato
Kur s’ ka njerëz t’i kundrojnë
Hiqe maskën
O Diell,
Lëshoi rrezet,
Kemi nevojë për shpresë.