(Fjala e Papa Françeskut gjatë çastit të lutjes së jashtzakonshme
në rrafshinën e Sheshit Shën Pjetrit)/
E përktheu Eugjen Merlika/
“Mbasi erdhi mbrëmja” (Mc 4,35). Kështu fillon Ungjilli që ndigjuam. Prej javësh duket se ka zbritur mbrëmja. Errësira të dëndura janë grumbulluar mbi sheshet tona, rrugët, qytetet; kanë zotëruar jetët tona duke mbushur gjithshka me një heshtje shurdhuese e një zbrazësirë dëshpëruese, që paralizon çdo gjë që kalon: ndihet në ajër, kuptohet nga veprimet, e thonë vështrimet. Jemi gjindur të frikësuar e të përhumbur. Si dishepujt e Ungjillit jemi zënë në befasi nga një stuhi e papritur dhe e furishme. Kemi kuptuar se jemi në të njëjtën varkë, të gjithë të dobët e të çorientuar, por në të njëjtën kohë të rëndësishëm e të nevojshëm, të gjithë të ftuar t’u grahim lopatave së bashku, të gjithë nevojtarë të ngushullojmë njeri tjetrin. Mbi këtë varkë…. jemi të gjithë. Si ata dishepuj, që flasin me një zë të vetëm dhe me ankth thonë: “Jemi të humbur”, kështu edhe ne kemi marrë vesh se nuk mund të shkojmë përpara secili për hesapin e tij, por vetëm së bashku.
Papa lutet për fundin e pandemisë
Është e lehtë të gjindemi në këtë tregim. Ajo që del e vështirë është të kuptohet qëndrimi i Jezuit. Ndërsa dishepujt janë natyrisht të alarmuar e të dëshpëruar, Ai qëndron mbi kiç, pikërisht n’atë pjesë të varkës që zhytet e para. E çfarë bën? Megjithë pështjellimin fle i qetë, me besim tek Ati – është e vetmja herë në Ungjill në të cilën e shohim Jezuin të flejë. Kur e zgjojnë, mbasi ka qetësuar erën dhe ujrat, u drejtohet dishepujve me ton qortimi: “Përse keni frikë’ Nuk keni ende besim?”
Përpiqemi të kuptojmë. Ku qëndron mungesa e besimit të dishepujve, që i kundërvihet besimit të Jezuit. Ata nuk kishin reshtur së besuari tek Ai, në fakt po i luteshin. Por të shohim si i luteshin: “Mjeshtër, nuk të bëhet vonë se jemi të humbur?”. Nuk të bëhet vonë: mendojnë se Jezusi nuk interesohet për ta, se nuk kujdesohet për ta. Ndërmjet nesh, në familjet tona, një nga gjërat që dhëmb më shumë është kur dëgjojmë të na thonë: “Nuk të bëhet vonë për mua?”. Është një fjalë që plagos e shkakton stuhi në zemër. Do t’a ketë tronditur edhe Jezuin. Sepse askujt, më shumë se Atij i bëhet vonë për ne. Në fakt, sapo u thirr, i shpëtoi dishepujt besimhumbur.
Stuhia i heq perden prekshmërisë sonë dhe le të zbuluar ato siguri të rreme e të kota me të cilat kemi ndërtuar ditarët tanë, projektet tona, zakonet e përparësitë tona. Na tregon se si kemi lënë të përgjumur e të braktisur atë që ushqen, mbështet e fuqizon jetën tonë dhe bashkësinë tonë. Stuhia lë të të zbuluar të gjithë synimet për të “paketuar” e për të harruar atë që ka ushqyer shpirtin e popujve tanë, gjithë ato përpjekje për të përgjumur me zakone në dukje “shpëtimtare”, të paafta t’i bëjnë thirrje rrënjëve tona e kujtesës së të moshuarve tanë, duke mbetur kështu pa imunitetin e nevojshëm për të përballuar vështirësitë.
Me stuhinë ka rënë makiazhi i atyre stereotipeve me të cilët mbulonim “egot” tona, gjithmonë të shqetësuar për përfytyresën tonë; ka mbetur e zbuluar edhe njëherë tjetër, ajo (e bekuar) përkatësi e përbashkët së cilës nuk mund t’i shmangemi: përkatësia si vëllezër.
“Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?” O Zot Fjala e jote sonde na prek e na përket ne të gjithëve. Në këtë botën tonë, që Ti e don më shumë se ne, kemi shkuar përpara me shpejtësinë më të madhe, duke u ndjerë të fuqishëm e t’aftë për gjithshka. Të etur për fitim jemi lënë të thithemi prej gjërave dhe të trullosemi prej nxitimit. Nuk jemi ndaluar përpara qortimeve të tua, nuk jemi zgjuar përballë luftërave dhe padrejtësive planetare, nuk e kemi dëgjuar thirrjen e të varfërve e të planetit tonë të sëmurë rëndë. Kemi vazhduar të patrembur, duke menduar se do të mbeteshim gjithmonë të shëndoshë në një botë të sëmurë. Tani, ndërsa jemi në një det të trazuar të lutemi: “Zgjohu o Zot!”
“Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?” O Zot, na bën një thirrje, një thirrje për besim. Që nuk është aq të besojmë se Ti ekziston, por të vijmë tek Ty, të të besojmë Ty. Në këtë Kreshmë tingëllon thirrja jote urgjente: “Silluni nga un”, “kthehuni nga un me gjithë zemër”. Na thërret t’a presim këtë kohë prove si një kohë zgjedhjeje. Nuk është koha e gjykimit tënd, por e gjykimit tonë: koha e të zgjedhurit mes asaj që vlen dhe asaj që kalon, të ndarjes mes asaj që është e nevojshme dhe asaj që nuk është. Është koha të kthejmë rrugëtimin e jetës drejt Teje, o Zot, e drejt të tjerëve. Dhe mund të shohim drejt shumë shokëve shëmbullorë të rrugëtimit që, në frikë, kanë kundërvepruar duke dhënë jetën. Është fuqia vepruese e Shpirtit, e derdhur dhe e ngjizur në kushtime të guximshme e bujare. Është jeta e Shpirtit e aftë të shpërblejë, të vlerësojë e të tregojë se si jetët tona janë të endura e të mbajtura nga njerëz të zakonshëm, zakonisht të harruar, që nuk dalin në titujt e të përditëshmeve e të revistave, as në urat e mëdha të shfaqjes së fundit por, pa dyshim, janë duke shkruar sot ngjarjet përcaktuese të historisë sonë: mjekë, infermiere e infermierë, punonjës të mbitregjeve, të pastërtisë, kujdestarë, trasportues, forca të rendit, vullnetarë, meshtarë, murgesha e shumë e shumë të tjerë që kanë kuptuar se askush nuk mund të shpëtojë i vetëm. Përpara vuajtjes, ku matet zhvillimi i vërtetë i popujve tanë, zbulojmë dhe sprovojmë lutjen meshtare të Jezuit: “ që të gjithë të jenë një gjë e vetme”. Sa njerëz ushtrojnë çdo ditë durimin dhe ngulisin shpresën, duke u kujdesur për të mos mbjellur panik, por bashkëpërgjegjëshmëri. Sa etër, nëna, gjyshër e gjyshe, mësues, i tregojnë fëmijëve tanë me veprime të vegjël e të përditshëm, se si përballohet e kalohet një krizë duke përshtatur zakonet, duke ngritur vështrimet dhe nxitur lutjet. Sa njerëz luten, ofrohen dhe ndërmjetësojnë për të mirën e të gjithëve. Lutja dhe shërbimi i heshtur: janë armët tona fitimtare.
“Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?”. Fillimi i besimit është të dijmë se jemi nevojtarë për shelbim. Nuk jemi të vetëmjaftueshëm, të vetëm; të vetëm fundosemi: kemi nevojë për Zotin, si lundërtarët e lashtë për yjet. Të ftojmë Jezuin në varkat e jetëve tona. T’i besojmë frikërat tona, që Ai t’i mundë. Si dishepujtë të sprovojmë që, me Atë në bord nuk do të ketë mbytje. Sepse kjo është fuqia e Zotit: të kthejë për së mbari gjithshka që na ndodh, edhe gjërat e këqija. Ai sjell qetësinë në stuhitë tona, sepse me Zotin jeta nuk vdes kurrë.
Zoti na pyet, dhe në mes të stuhisë sonë, na fton të zgjojmë e të vemë në punë solidaritetin dhe shpresën, të afta të japin qëndrueshmëri, mbështetje e kuptim këtyre orëve në të cilat duket se gjithshka po përmbytet. Zoti na zgjon për të zgjuar dhe gjallëruar fenë tonë të Pashkës. Kemi një spirancë: në kryqin e tij kemi qënë shëlbyer. Kemi një timon: në kryqin e tij kemi qënë shliruar. Kemi një shpresë: në kryqin e tij kemi qënë shëndoshur e përqafuar që asgjë dhe askush të mos na ndajë nga dashuria e tij ringjallëse. Në mes të veçimit, në të cilin po vuajmë mungesën e përzemërsive e të takimeve, duke sprovuar mungesën e shumë gjërave edhe një herë tjetër lajmërimi na shelbon: është ringjallur e jeton pranë nesh. Zoti na pyet nga kryqi i tij për të gjetur jetën që na pret, për të vështruar drejt atyre që na kërkojnë të forcojmë, të njohim e të nxisim hirin që kemi në vetvete. Mos të shuajmë flakën e zbehtë, që nuk sëmuret kurrë e të lemë të rindizet shpresa. Të përqafohet kryqi i tij do të thotë të gjindet guximi për të përqafuar gjithë kundërshtinë e kohës së sotme, duke braktisur për një çast gjithë gulçimin e plotfuqishmërisë e të zotërimit për t’i dhënë hapësirë krijimtarisë që vetëm Shpirti është i aftë të frymëzojë. Do të thotë të gjindet guximi për të hapur hapësira ku të gjithë të mund të ndihen të ftuar e të lejojnë forma të reja të mikpritjes, vëllazërimit dhe solidaritetit. Në kryqin e tij kemi qënë shëlbyer për të pritur shpresën e për t’i dhënë mundësi asaj të fuqizojë e të mbështesë të gjitha masat e rrugët e mundëshme që mund të na ndihmojmë të ruhemi e të ruajmë. Të përqafojmë Zotin për të përqafuar shpresën: ja fuqia e besimit që shliron nga frika e jep shpresë.
“Përse keni frikë? A nuk keni ende besim?” Të dashur vëllezër e motra, nga ky vënd që tregon fenë shkëmbore të Pietrit, sonde dua t’u le të gjithëve në dorën e Zotit, me ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, shëndeti i popullit të saj, ylli i detit në stuhi. Nga këto kollona që përqafojnë Romën dhe botën le të zbresë përmbi ju, si një përqafim ngushullues, bekimi i Zotit. O Zot bekoje botën, jepi shëndet trupave dhe ngushullim zemrave. Kërkon prej nesh të mos kemi frikë. Por besimi i ynë është i dobët dhe jemi të ndrojtur. Por Ti, o Zot mos na lerë në mëshirë të stuhisë. Përsërit ende: “Ju mos kini frikë”. Dhe ne, bashkë me Pietrin, “hedhim tek Ti çdo shqetësim, sepse Ti kujdesesh për ne”