Ardian Murraj/
Gjatë gjithë jetës krijuese prej më se shtatë dekadave, libri, skena dhe ekrani i dhanë gjerësisht njohje Naum Priftit. Pas ndarjes së tij nga jeta vitin e kaluar, familjarë, kolegë dhe studiues, bashkëkohës të tij dhe lexues të rinj gjatë muajit mars shënuan me disa takime e sesione studimore jetën dhe veprën e shkrimtarit duke përkujtuar 92 vjetorin e lindjes më 7 mars 2024 pa Naum Priftin. E thënë më thjeshtë, Naumi ta kërkon kohën si spektator kur gjendesh përballë skenës dhe ekranit, ndërsa kur përpara veprave të tij vihesh si lexues autori të rrëmben me një formë premtuese se ai ka lënë diçka tjetër edhe për kohën më pas, si për të thënë se shumë shënime dhe dorëshkrime të tij presin për t’u botuar dhe ngjan të thotë se “…do të më kujtoni edhe në të ardhmen”.
Mjeshtri i prozës nuk është më mes nesh, por ai e jetoi dhe e deshi jetën ashtu sikurse edhe hyri mes jetëve të njerëzve natyrshëm dhe i thjeshtë. Sikurse “Midis Dy Kohësh”, vëllim me shënime udhëtimi, kujtime, portrete dhe ese, 2005, shkruar nga Naum Prifti, autori u ndodh midis dy shekujve dhe midis dy sistemeve shoqërore. Kjo ndodhi gjatë jetës së tij jo vetëm me kapërcimin e mijëvjeçarëve, por edhe mes dy vendndodhje shtetesh si Shqipëria dhe Amerika.
Në këtë gjendje të ndërmjetme koha dhe dimensioni i saj të lënë mbresa me disa veprimtari përkujtimore për Naum Priftin. Koha, është elementi më i rëndësishëm i jetës që ai e la të shkruar. E vendosur edhe në titullin “Midis Dy Kohësh”, në vetvete ajo kthehet përmes përkujtimoreve si një ringjallje të cilat me siguri njerëzit dhe brezat do t’i përsëritin sërish. Me të njëjtin titull u mbajt takimi kushtuar autorit në Qendrën Kombëtare të Leximit dhe Librit në Tiranë më 5 mars, 2024 https://gazetadielli.com/naum-prifti-shkrimtari-i-te…/
Më 12 mars, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, referuesit profesorë dhe doktorë të fushës së letërsisë paraqitën për herë të parë brenda një seance, shumësinë e dimensioneve të Naum Priftit si Mjeshtër i Prozës së Shkurtër.
Dimensioni i tretë tek njeriu krijues dhe punëtor rikujtohet për çka bërë dhe kjo i bën shkrimtarët të përjetshëm për kulturën e vendit të tyre si edhe deri atje ku kjo kulturë arrin të depërtojë, të njihet dhe të përqafohet. Me lajmet e ditës kur media ndiqte dhe transmetonte radhazi këto veprimtari, gjendej mbresa sa e bashkëkohësve dhe e bashkëpunëtorëve plot përshtypje po aq edhe e personazheve që zbulonin veten duke treguar se e kishin jetuar kohën dhe ngjarjen edhe përse mesazhi studimor dhe akademik vlerësohej në përcjelljen e lajmit. Me këtë rast, një episod i posaçëm Profil i realizuar nga televizioni Euronews Albania iu kushtua njohjes më të afërt me jetën dhe veprën e shkrimtarit Naum Prifti ku përmblidheshin vlerësimet e akademikëve dhe referuesve, si edhe fragmente jete nga familjarë, bashkëfshatarë, miq të familjes, mësues dhe lexues.
I përfaqësuar me disa gjini dhe zhanre letrare, me dramaturgjinë e teatrit dhe skenarin e filmit artistik dhe vizatimor, një drejtim tjetër njohës që nevojitet të hidhet dritë dhe të vështrohet tek Naum Prifti është jeta e tij si publicist dhe gazetar. Ndoshta këtu gjinden shënimet dhe dorëshkrimet e krijimtarisë së pabotuar të tij, por, që për sa kohë, Naum Prifti jetoi dhe shkroi mes Shqipërisë dhe Amerikës, ashtu siç ai gjendet mes dy kohëve, profili i tij shpreh dëshirën për t’u njohur nga brezat e rinj. Autorja dhe gazetarja e emisionit Profil Greta Topjana e Euronews Albania e ka “takuar” autorin Naum Prifti për herë të parë si nxënëse në 9-vjeçare kur lexoi tregimin Mandolina e prej atij momenti ka qenë shumë kureshtare të njohë më shumë veprat e tij, por edhe vetë autorin. “Vitet kaluan dhe fatkeqësisht vjet mora vesh lajmin e trishtë që Naum Prifti kishte ndërruar jetë dhe përtej keqardhjes njerëzore kisha edhe keqardhjen që nuk e takova shkrimtarin nga afër për të më shuar shumë kuriozitete që kisha,” shprehet Greta. Profili i përgatitur prej saj gjatë muajit marsit Amaneti i Naum Priftit transmetohet në Euronews Albania https://youtu.be/qltOXuEliys…
Ajo ishte kureshtare të dinte më shumë përveç se për krijimtarinë e tij edhe për jetën personale mes Shqipërisë dhe Amerikës… për më tepër ngaqë “veprat e autorëve si Naum Prifti janë krijuar në një kohë kur letërsia ashtu sikurse çdo gjë tjetër kontrollohej nga shteti… por ai me një elegancë i shkroi fëmijëve për historitë apo personazhet e fshatit duke i kamufluar me emrat simpatikë të librave të tij. Duhet të jemi mirënjohës për veprat që ka lënë pas shkrimtari se ka rritur dhjetëra breza fëmijësh me vepra shqip të cilat edhe sot në një epokë dhe regjim tjetër për Shqipërinë janë po aq të dashura,” vëren gazetarja Greta Topjana. Duke e parë në tërësi trashëgiminë letrare të Naum Priftit, ajo e quan atë “pjesë të kujtesës kulturore të popullit shqiptar … Duhet ta kujtojmë të shkuarën për të mësuar nga gabimet, por edhe për të vlerësuar punën e artistëve dhe intelektualeve që e çuan para misionin e tyre edhe atëherë kur një fjalë e “gabuar” të burgoste apo të internonte….”
Pa dashur as ta quajmë rastësi dhe as fat si të tillë, mund të shikohet më tej se si puna dhe përkushtimi rizbulohen edhe atëherë kur njeriu kontribuon mes bashkëkombësve për Shqipërinë. Ndonëse jo fort e hulumtuar më vete, publicistika e Naum Priftit vlen të zbërthehet si komponent kyç në unin e tij krijues për nga rëndësia dhe përkushtimi i njohjes të së vërtetës njerëzore sepse kërkimi me natyrë publicistike dhe kureshtja për njerëzoren ishin burimi i krijimtarisë së gjatë të Naum Priftit. Në qershor të vitit 2018, me rastin e 106 vjetorit të Vatrës, ish-Sekretari i Vatrës Naum Prifti mori nderim jetësor. Në fjalën e tij, ai më shumë theksoi se çfarë do t’i duhej një publicisti dhe gazetari në profesion dhe që e ndihmon atdheun të cilin dëshiron ta shohë të qytetëruar.
“… unë shkela çdo pëllëmbë toke të hapësirës brenda vendit nga veriu në jug, nga lindja në perëndim dhe kudo mbajta shënime udhëtimi. Njoha fshatarin, punëtorin, policin, ushtarakun, bariun. Shkruajta për vuajtjet e mundimet, këngët e legjendat, humorin dhe tragjedinë shqiptare. Mbi të gjitha njoha shpirtin shqiptar çka u bë dhe mbeti burimi i krijimtarisë sime”.
Të flisje në një tubim feste me bashkëkombësit ku një organizatë atdhetare e kishte kapërcyer shekullin dhe është më shumë se pavarësia e Atdheut, kjo tregonte shumë jo vetëm për thjeshtësinë dhe ndjenjat profesionale, por për detyrimin që shqiptarët duhet të kenë për t’i trashëguar këto institucione të para atdhetare si Vatra dhe Dielli.
Atë vit Naum Prifti ishte 86 vjeç dhe me aq sa kishte njohur dhe arritur, me thjeshtësi dhe nga zemra shprehej: “Forca e Vatrës nuk qëndron tek fondet e saj monetare, por tek shpirti i njerëzve të përkushtueshëm që udhëhiqen nga idealet e saj të larta atdhetare. Mendoj se në këtë përvjetor, Vatra ka provuar se i ka kaluar sfidat dhe sprovat. Dhe Kjo Vatër Nuk Ka Për T’u Shuar. Faleminderit për nderimin dhe Gëzuar!”
Shkëputur nga fjala e Naum Priftit mbajtur në Mbrëmjen Gala kushtuar 106 vjetorin e themelimit të Vatrës, 1 Qershor, 2018 https://gazetadielli.com/naum-prifti-kjo-vater-nuk-ka…/