(Intervistë me Sevdije Jasharin, për Prekazin e marsit të vitit 1998)
Elez Osmani, Prishtinë- Nju Jork
Foto e Sherif Jashari
Prekazi, tashti më, ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, si një vend që përherë ka lënë shenja të kujtesës historike dhe kombëtare, sepse përherë ka rritur trima në ballë të luftërave që u kanë rënë hise gjatë historisë. Ata trima asnjëherë nuk ju përkulën pushtuesve, por ia kthyen pushkën, duke mos lejuar që të nëpërkëmbet nderi dhe përkatësia e tyre shqiptare. Adem Jashari, me trimat e lagjes së Jasharëve dhe me trimat e tjerë, me heroizmin që treguan kundër bandave vrastare të Beogradit, ia zbardhën faqen Kosovës dhe mbarë shqiptarisë, duke i treguar botës se populli i këtyre trojeve e do lirinë, për të cilën është i gatshëm të sakrifikohen.Një ndër ata burra trima, që përherë ishte pranë kryetrimit Adem Jashari, ishte e dhe Sherif Jashari, një atdhetar i trungut të Jasharëve. Këtë radhë po japim një letërnjoftim të shkurtër të tij, si pjesëmarrës i luftime legjendare të Prekazit. Mirëpo, në vazhdim të këtij shkrimi do ta sjellim rrëfimin e së vesë së tij, zonjës Sevdije Jashari, njëra ndër dëshmitaret e gjalla të asaj qëndrese dhe tragjedie të përmasës kombëtare.Biri i familjes së madhe Jasharaj, Sherifi (10. 11. 1951 – 7. 3. 1998). Sherif Jashari lindi dhe është rritur në një familje me edukatë atdhetare në fshatin Prekaz, komuna e Skënderajt. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka kryer në Skënderaj dhe në Mitrovicë. Si i ri, pas mbarimit të shkollimit përkatës, ishte punësuar në Kombinatin Trepça. Por, pas masave të dhunshme serbe, të vitit 1990, ashtu si edhe të tjerët, e kishte lëshuar punën në shenjë proteste ndaj regjimit serb. Duke qenë kujdestar dhe mbajtës i një familje shumë anëtarëshe, ai ishte detyruar që të kërkonte punë në Slloveni, ku kishte qëndruar deri në vitin 1997.
VEPRIMTARIA E TIJ ATDHETARE NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE
Sherif Jashari, ashtu si edhe fqinjët e tij, ishte rritur dhe edukuar në një mjedis ku gjithmonë, me shumë kujdes ishte mbjellur dhe kultivuar ndjenja e atdhedashurisë për çlirimin e vendit nga okupimi shekullor serb. Prandaj, edhe angazhimi dhe sakrifica e tij në këtë drejtim nuk ka munguar asnjëherë, kurdo dhe kudo që e kishte kërkuar nevoja.
Sherif Jashari ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat e viteve 1989-1990, bashkë më Adem dhe Hamëz Jasharin, si dhe me të tjerët. Që nga pjesëmarrja e parë publike e tij në demonstrata, ai ishte vënë në shënjestër të sigurimit serb, për çka shumë herë ishte ftuar në biseda informative. Pas viteve 1990 familja dhe e gjithë lagjja e Jasharëve në Prekaz ishte në shënjestër të okupatorit serb, prandaj në çdo moment priteshin sulmet apo edhe arrestimet e veprimtarëve të lagjes. Si parapërgatitje dhe masë mbrojtëse, që të mos arrestoheshin, djemtë dhe burrat e kësaj lagjeje kishin organizuar roje nate. Në krye të tyre ishte edhe Sherif Jashari bashkë me djalin e tij, Qemajl Jasharin. Sherif Jashari, gjatë kohës sa ishte në Slloveni, nuk mund ta përballonte gjendjen e rëndë dhe të tensionuar në Kosovë nga ajo largësi, kështu që në vitin 1997, kishte vendosur të kthehej në vendlindje për të qenë afër familjes dhe fqinjëve të tij. Me t`u kthyer në Kosovë, menjëherë e kishin përcjellë forcat e armikut serb, andaj e ndalojnë dhe e maltretojnë fizikisht për disa orë, duke i kërkuar të tregonte për organizimin dhe vendin e celulave organizative të UÇK-së.
Një vit më vonë, saktësisht më 22 janar të vitit 1998, kur u sulmua shtëpia e Adem Jasharit, Sherif Jashari ishte ndër të parët që rrëmbeu armën për t`i dalë në ndihmë.
Sherif Jashari mori pjesë edhe në veprimtari të tjera ushtarake, si në Çirez, Likoshan, Llaushë e vende të tjera, përkrah luftëtarëve të lirisë, të cilët gjithnjë e më tepër konsoliduan radhët e tyre në luftë kundër okupatorin serb.
RËNIA HEROIKE E SHERIF JASHARIT
Sulmi ushtarak dhe policor serb i datave 5, 6 e 7 mars të vitit 1998, mbi familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe mbi lagjen Jashari, Sherif Jasharin e gjeti në gjendje gatishmërie bashkë me anëtarët e tjerë të familjes. Ai qëndroi stoikisht duke u mbrojtur dhe luftuar me armën e tij kalashinkov, pastaj me mitraloz, deri në rënien e tij heroike bashkë me shumë familjarë të tij. E veja e tij, Sevdija, për herë të parë do të rrëfejë përjetimin e saj më të vështirë të jetës, për të cilin e kishte vështirë vetëm edhe ta mendonte, lëre më të flitej për ato përjetime!
Z. SEVDIJE JASHARI DËSHMITARE E GJENOCIDIT NË PREKAZ, RRËFIME E DËSHMI
Zonja Sevdije, fillimisht ju falënderojmë që pranuat të bisedojmë, për lexuesit e gazetës “Dielli” në Nju Jork. Ato kohë ishin të vështira, tragjike por të përshkuara me një qëndresë dhe heroizëm të vërtetë. E di se e keni vështirë, por na tregoni se si është gdhirë dita e 5 marsit të vitit 1998. Më konkretisht, na thoni si është zhvilluar ngjarja?
Mëngjesi që do ta ftillëzojë lirinë e Kosovës
Sevdije Jashari: Po, po, më kujtohet, sa nuk e harroj kurrë. U ngrita në mëngjes dhe shkova të marrë miell që të gatuaja bukë. Kur dola në derë, filluan krismat, u këtheva në odë, ku ishin duke fjetur Qemajli dhe Sherifi. Pasi hyra, iu drejtova Sherifit:
– Vallahi Sherif, kanë filluar të gjuajnë.
– Prej nga po gjuajnë, më pyeti Sherifi. .
– Nga fabrika e municionit më duket, se nuk po i dëgjoj mirë, gjuajtën nja tri herë, por u ndalën.
– A je e sigurt – ma ktheu – ndoshta nuk janë nga Fabrika e Municioneve, por janë disa punkte në Klinë, e ndoshta nga aty kanë filluar të gjuajnë”.
Qemajli ishte në gjumë, Sherifi ishte zgjuar, por rrinte shtrirë, sepse sa kishte ardhur nga ndërrimi i natës duke bërë roje. Vetëm ishte shtrirë, ashtu siç ishte, edhe me këpucë mbathur, që të pushtonte pak.
Duke dalë nga dera e odës, krismat filluan të shpeshtohen. “Sherif kanë filluar të gjuajnë më shpesh, i thashë Sherifit.
– Thirre Qemajlin, – më tha.
Sherifi u ngrit se ishte i veshur. Unë e thirra Qemajlin, ai ende ishte me pizhame. Fëmijët e tjerë ishin në gjumë.
Kur po dilte te dera, i tha djalit.
– Kthehu Qemajl dhe vishu.
Kurse mua më tha t’i thërrisja fëmijët, dhe t’i zgjoja.
Fëmijët flinin në tre vende. I kishim dy shtëpi, pra ishin shpërndarë për të fjetur.
Këta të dy, Sherifi dhe Qemajli, dolën nëpër kapexhik, kurse unë shkova ta thërrisja Rijadin. Unë, atëherë mendoja, se ata nuk kanë punë me gra dhe fëmijë. Isha më vjehërr nënen Hylë,dhe me fëmijë të vegjël. Ta thërras Rijadin, thashë me vete, dhe ta largojë, sepse ishte më i rritur.
Pasi shkova ta thërrësja Rijadin, mundohesha ta ndihmoja të vishej, sepse ai ishte përgjumshëm. Në ato momente na rrethuan.
Shikoj edhe një herë nga dyert e oborrit dhe shoh në të gjitha anët tanke.
Sherifi dhe Hamza ishin mbështetur për muri, një muri që është tek dyert tona.
– A doni të dilni, – më thanë.
– Jo, – i thashë, – nuk paskemi nga të shkojmë.
– Dilni, dilni, – më thanë. Bëhuni bashkë e shkoni në shtëpinë e kojshive, se i ka tri pllaka, (silueta) është më e sigurt, thirrni fëmijët dhe dërgoi shpejt. Se çka biseduan mes tyre nuk e di, por me pyten:
– A dolët të gjithë? Ata , Sherifi dhe Hamza, ende ishin aty dhe planifikonin diçka.
– Po, ju thashë, por telefoni ishte duke cingërruar.
– Kthehu merre telefonin, më tha Sherifi, se i kam thënë Ekremit të thërrasë në orën 7,oo, (djali, Ekremi ishte në Zvicër). Fol me të, më tha Sherifi.
Kur u ktheva, për ta marrë telefonin,e kuptova se thirri një djalë i lagjes së poshtme, që i themi Lagjja Tre. Linjat telefonike nuk na i kishin ndërprerë ende, për shkak se, sa dukej, ju interesonin informacionet tona.
– Oj inxhja Sevdije.
– Hoj? – i thashë.
– Po vijnë disa tanke, – më tha.
– Tanket na kanë rrethuar krejt, kujdes.
Kur dola, Hamzën dhe Sherifin nuk i pashë, kurse Qemajlin nuk e kisha parë prej atij momenti që kishte dalë. Nuk e dija, ishte i veshur, apo kishte dalë ashtu. Por fillova të dëgjoj automatikët e tyre dhe të të tjerëve.
TELEFONATA LAJMËTARE
Në ato momente ke arritur ta bësh një telefonatë?
Sevdije Jashari: Po. Atë ditë në ate momente nuk dija se ç‘të bëja. Tashmë kuptohej se lufta filloi. E kisha një shoqe të vajzave të shkollës, ishte e re shumë, dhe shkoi me familje në Amerikë, dhe doja ta lajmëroja atë vajzë, që ta japë ajo një informatë atje se ne jemi të rrethuar. Mirëpo atë vajzën nuk munda ta merrja. Pastaj thirra në Bashkësinë Islame, aty e kisha kunatin në punë dhe e dija se KMLDNJ ishte afër zyrës se tyre, por më lajmërohet Elezi.* Sevdija:- Ne mbaruam, – i thashë, Elezit. – Krisma në çdo anë. Tanket na kanë mbuluar. Tanket e topat. Nuk kisha parë top as nëpër filma, mirëpo e shihja para dere, nuk e dija se çka ishte, i shkonte tyta andej-këndej, nuk linte të kaloje nga asnjë anë. E lajmërova Elezin, i tregova shumë pak, vetëm sa ta njoftoja se çka po na ndodhte. Atë natë rrethimi ka arritur kulmin. Por, ju edhe përpara keni qenë të mobilizuar, keni qenë të rrethuar, keni pasur gjithmonë probleme me pushtuesin?
Sevdije Jashari: Po ju tregoj nje rast. Dy javë nuk kemi guxuar t’i lejojmë fëmijët të shkojnë në shkollë, dhe nuk kemi guxuar shumë të dalim. Natën nuk kemi ndezur drita, kemi ndezur qirinj, sepse nga Fabrika e Municionit, na shihnin brenda në shtëpi.
Një natë, pasi ishte ndalur uji brenda, dola te bunari për të marrë ujë. Ishte errësirë, vetëm një qiri e lashë ndezur. Posa dola tek dera, derisa mora ujë nga bunari, u ndezë një dritë, sikurse dritë e rrymës.
– Çka ishte ajo dritë, a e vërejte, – më pyeti Sherifi, kur u ktheva brenda .
– Po, – i thashë, – nëpër dritë shkova dhe erdha.
– A je çmendur, – më tha. – Do të vdesësh nga frika, pa të vrarë askush?!
– Vallahi, u frikësova apo jo, unë nuk pashë terr me sy, se m’i qitën dritat nga fabrika, dhe u ktheva në shtëpi nëpër dritë.
Kështu për dy javë e fundit kemi qëndruar të mbyllur. Me frikë, në gjendje ankthi. Por kishim vendosur të qëndrojmë në vatrat tona.
Më fal, por të kthehemi përsëri të fillimi i asaj dite
Sevdije Jashari: Lufta ishte e ashpër. Ata (serbët) të armatosur deri në dhëmb, afroheshin në çdo moment. Tanët bënin qëndresë heroike, më armë të lehta, para një përbindëshi. Ata merrnin shtëpi pas shtëpie. Na erdhën neve, ne ishim të ngujuar. Shtëpitë e tjera, ishin të zbrazura. Ne kishim shkuar te shtëpia e Beqirit. Por, ata erdhën edhe te shtëpia e Beqirit, në të cilën ishim tubuar katër shtëpi, dhe kur i shohin gjithë ato të mbathura, filluan të gjuanin edhe aty, pa mëshirë. Ra kati i tretë, u dëgjuan bllokat e mureve që ranë. Kulmin e granatuan dhe ra në tokë.
Ne nuk kishim çfarë të bënim, një kohë qëndruam aty, dhe dikur u mbuluam me batanije, nuk dinim çfarë të bënim, vetëm mos të shihnim vdekjen me sy.
Perdet i kishim lëshuar, derën e hyrjes e mbyllëm me çelës. Ndoshta e dëshironim vdekjen, por nuk e shprehnim para fëmijëve dhe pleqve.
Derisa ata i rrëzuan dy katet e sipërme, ne strukeshim, por kur mbërritën në katin e parë, filluan britmat e fëmijëve.
– Gratë dhe fëmijët jashtë, – i dëgjova kur thërritën nga jashtë, – dhe thoshte: – Unë po flas shqip.
Për një moment e kam parë veten se nuk jam mirë, për shkak se kur i kam parë tullat që binin, edhe pse mjaft u mundova t’i mbuloja fëmijët me batanije që të mos lëndoheshin, për një moment e kam kapur djalin 9-vjeçar dhe i kam vu në kokë një xhup, për ta mbrojtur nga tullat e murit.
PËRBALLJA ME FORCAT SERBE
Zhurma e avionëve, e tankeve. e topave, e pushkëve, na ndanin frymën dhe na dridhnin vendin… Nuk dinim ç’te bënim. Nuk di se si më ka rrapëlluar në koke dhe kam dalë për ta hapur derën. Ndoshta që të merrja ajër, ndoshta të mos na zinte shtëpia, që kishte filluat të shembej.
– Mos e hap derën, mos e hap derën -, më thanë të tjerët, nga brenda.
– Vetëm unë dua të dal, nuk dua t’i shoh fëmijët duke i vrarë, ju thashë.
Unë dola, ndoshta, për të më vrarë. Frikë fare nuk kisha. Vetëm besimin te Zoti e kisha të plotë.
Çka të shihja. Më dukej se ishte një Beograd jashtë. Nuk kishe ku ta vësh këmbën prej tyre, sepse ishin plotë e përplot. Ata nuk dukeshin si njerëz, por si majmunë dukeshin, vetëm nga dhëmbët shiheshin dhe dalloheshin që ishin njerëz. Ishin të lyer e të vizatuar, nuk kisha parë të tillë, as në filma.
Frikë më nuk kisha…
Kur e hapa derën, xhamat i kishin thyer duke gjuajtur, mirëpo çelësin nuk e kishin hequr.
– Hiqe çelësin!, – më tha dikush në shqip.
Posa e hoqa çelësin, dola, nuk më lanë vend në trup që nuk më ofronin tytat e pushkëve.
Jo vetëm njëri, por shumë m’i mbështetën tytat në trup.
Një gjë e di, se ata vetëm dridheshin.
Pse frikohen këta nga unë, mendova me vete.
– Mos u frikoni, se nuk kam asgjë, iu thashë.
Ata heshten.
Ashtu … Zoti më ndihmoi…
– Trego, kush jeni brenda? – më thanë.
– Jemi gra, fëmijë dhe disa pleqë, u thashë.
Nuk më bëri goja të tregoja për Rijadin, 17-vjeçar që ishte brenda.
– A doni të dilni?, – më thanë.
– Nuk paskemi ku të shkojmë, – u thashë.
Aty i kam parë shumë të vrarë, të gjithë të uniformuar. E kam ditur, se nga ne, përpos Ademit dhe Hamzës, tesha të UÇK-së nuk ka veshur kush atë ditë, as Sherifi. Tanët, lëvizjet kur bënin roje, i bënin me tesha civile brenda fshatit, për të mos rënë në sy me uniforma.
E kuptova që ata nuk janë nga radhët tona, me ato tesha të shkijëve dhe çizmet deri në gjunjë, plotësisht u binda se ata janë shkije.
Kur ju pashë pajisjet personale, çizmet deri në gju, por të shpërndarë, të rrëzuar e të vdekur, ndjeva një lehtësi… dhe vetëm i shikoja. Djemtë tanë e paskan paguar vetën dhjetë fish, fola me vete.
– A doni të dilni, – më thanë.
– Nuk paskemi nga të shkojmë, – u thashë.
– Dilni ju, – më thanë.
– Një nga një dilni, – dhe e ngriti një gisht lartë.
– Dhe shko nga ta dish ti, sepse unë nuk e di këtë teren, – më tha njëri prej tyre.
Fliste në gjuhën shqipe, por jo shqipe të pastër, mezi e kuptoja.
– Shkoni nga e dini rrugën.
Ata nuk lëvizën për të hyrë brenda, tek dera prisnin. Derën e hapa unë.
U thashë: A doni të dilni jashtë, po thonë? Jeni të detyruar! Fillimisht dolën fëmijët e mi.
I kam pas tri vajza, dhe me Rijadin ishin tre djem.
E mora Rijadin për krahu për të dalë. Rijadi ndaloi në derë kur i pa.
– Ec Rijad, djali im, – i thashë.
Më dëgjuan kur i thash djali im.
Filluan fëmija të dalin, gjashtë të mitë dhe dy të kojshive, të tjerët i kam lënë në shtëpi, mirëpo kur dola deri në gjysmë të oborrit me ta, më thirrën:
“Kthehu ti, se të tjerët nuk po dalin, kthehu dhe thuaju edhe një herë”.
– Dilni, – iu thashë, se do fillojnë të gjuajnë!
Filluan të dilnin, mirëpo burrat i ndalën.
E kam parë vetëm njërin që e kanë vrarë, dy të tjerë dëgjova pushkën kur i vranë, por nuk i kam parë, sepse isha duke shikuar ku i kisha fëmijët.
VRASJA E FËMIJËVE
Kë e vranë në atë moment?
Sevdije Jashari: Në atë moment e vranë një kojshi. Beqirin e kishin plagosur, e takova më vonë dhe ishte gjallë. Qazimin e kam lënë në shtëpi, nuk e kam parë kur e kanë vrarë, sepse unë kam dalë më herët. Thonë se e kanë vrarë në balkon.
Pasi dola t’i mbledh fëmijët, i kishin radhitur para grykës së topit, edhe djalin tim.
– Ec Rijad, – i thashë, – sepse njëri prej tyre me tha nga ta dish terrenin vetëm ec.
– Mos rrini aty Rijad, ec.
I kishin radhitur për t’i vrarë. Dy herë qëlloi i njëjti polic kur e thërrisja Rijadin me emër.
Kur filloi Rijadi të vrapojë, polici i tha:
– Ndal, djalo!
E kam kapur policin për krahu, dhe i thashë: Ja, ku jam unë, gjuaj.
Më shtyu me kondak të pushkës, më hoqi dorën dhe e gjuajti Rijadin. Pasi që e gjuajti, Rijadin e mbuloi tymi. Ai nuk e pa mirë dhe djali me nxitim iku.
-Ai ushtaraku që fliste me ty, që u thoshte dilni, qëlloi?
Sevdije Jashari: Nuk e di, vetëm se njërin, me e pa edhe sot më kujtohet, vetëm se tha: Ndalo, aty djalo. Ai më shtyu dorën, unë mbeta, dhe e gjuajti Rijadin.
Pasi e mbuloi Rijadin tymi, fëmijët bërtitën. Unë vazhdova të eci. Djali (Rijadi) u ngrit edhe një herë, pasi që ishte larguar nga vendi ku e qëlluan për herë të parë, por pasi doli në një si kodër, kishte qenë një lavër, e gjuajtën prapë dhe e rrëzuan.
Fëmijët e kishin më afër se unë, dhe thanë: „Oj nënë, Rijadin e vranë“.
– Ani që e vranë Rijadin, u thashë. Unë doja të shpëtonte bile dikush, një apo dy, vetëm mos të vriten të gjithë.
– Jo, jo, Rijadin e vranë, edhe duan të na mbysin të gjithëve, – thirrën fëmijët.
Në atë moment e kam përmendur Ekremin, dhe thashë: “Nuk mundën të na shfarosin të gjithëve, sepse Ekremi është në Zvicër, nuk munden të gjithëve të na vrasin, mbetet dikush”. Pasi e qëlluan Rijadin për herë të dytë dhe e rrëzuan, iu thashë fëmijëve:
– Ecni ju, e lereni atë! Doja të kthehesha ta shoh Rijadin, a ishte gjallë apo kishte vdekur.
Rijadi më foli, nuk më hiqet nga koka: „Oj nënë, gjallë jam, vetëm se më duket ma kanë hequr një këmbë“.
– Nuk ka dert, – i thashë.
– A po vjen të më ndihmosh, – më tha.
– Po, – i thashë.
I thirra edhe fëmijët për të më ndihmuar. Njërit ia hoqa një trenerkë, njërit një xhemper, me ja lidhë plagët, sepse Rijadi ishte i plagosur në krah, dhe i dilte gjaku, kurse në dorë nuk e kishte një pjesë.
Aty humba, sepse nuk e mora Rijadin e të vazhdoja rrugën, por e kërkoja copën e dorës se ku i kishte rënë, por nuk e gjeta.
– Hajde nënë, më thoshte, pse nuk po ec?
– O Rijad, dua ta vejë atë copën këtu në dorë!
– Hajde lere, – më tha.
Duke ecur në atë gjendje, duke i ndihmuar me vajza Rijadit, na doli tjetra pritë. E treta. Aty kuptova se Prekazi ishte i rrethuar ne disa rrathë.
Nuk dija fare se ç‘të bëja, vetëm Zoti që më ka ndihmuar, dhe iu thashë fëmijëve të thonë se na lëshuan dhe ngriheni duart lartë.
Fëmijët nuk i ngritën vetëm duart, por i ngritën lartë të mbathurat, thërrisnin: Na kanë lëshuar, na kanë lëshuar.
MËSUAM PËR RAMJEN E HERONJVE
Vazhdonim me Rijadin dhe fëmijët e me të mbathurat në dorë. Na zuri Beqiri. Të tjerët të gjithë kishin mbetur prapa.
– Beqir, a dole edhe ti a? – i thashë.
– Po, – më tha. Dola, por si dola!
E kishte pasur dorën mbështetur për gjoksi dhe dora ju kishte mbushur me gjak. I rridhte gjaku mes gishtave. Nuk i thashë fare se qenke plagosur. Isha e mpirë dhe vetëm shikoja.
– Unë dola, tha Beqiri.
E kishte pasur një xhup, dhe e kishte vënë në kokë.
– Boll mirë qenka bërë, që ti na paske mbetur, – i thashë.
– Edhe Qazimin e vranë, – e kishte parë Qazimin.
– Edhe Nazmiun duke luftur. Edhe Bacin Zukë e kishin kapur të gjallë.
Po, për Shabanin dhe familjen e tij a dinte ndonjë gjë ?
Beqiri, siç ju thashë ishte i plagosur rëndë, por na tregoj shumë gjëra. Ai, kishte arritur të shikonte nga kulmi i tij më shumë se ne. Na tha se deri vonë kishte dëgjuar krismat e pushkamitralozit të Shabanit. Por kur ja kishin bombarduar apo granatuar shtëpinë dhe kur nuk u dëgjua pushka e tyre, kishte pa shumë forca serbe qe e kishin mësy kullën e tij. Na tha: aq sa unë kam mundur të shoh, ata kryen të veten. Na tregoi, se nuk ka mbetur asnjë te gjallë. Beqirin ngadalë e lëshoi forca. Plaga ishte e madhe dhe i rridhte pa ndërprerë. U rrezua dhe mbeti, ashtu i vdekur ne lavër, në atë tokë, për të cilën edhe e dha jetën. Ai nuk mbijetoi. Nuk e besoja se kjo ishte biseda e fundit me te.
RIJADI ME TRI PLAGË SHPËTOI
Ndërsa, ne të mbeturit gjallë, duke ecur, dolëm te disa livadhe, Rijadi kërkoi ujë.
– A më jep pakë ujë, se u kalla, mandej edhe nëse vdes …- më tha Rijadi.
– Jo, i thashë. Se nëse na shohin, do të mendojnë se po i gjuajmë.
– Nuk po lakojmë rrugë, drejt jemi nisur, dhe drejt do të ecim, nuk guxojë të lë të pish ujë – i thashë.
Nuk e kishte pasur vdekjen… Nuk e lashë të pinte ujë.
Snajperistët e ushtrisë serbe kishin qëlluar mbi ata fshatarë që kishin provuar për ta ndihmuar frontin. Duke ecur takuam një njeri, ishte i shtrirë. Thirri: “O me kanë plagosur, dhe një vëlla timin e kanë vrarë!”. Njëri ishte më larg, por nuk e shihja qartë. Kur i takuam ata dy njerëz, u gëzova dhe kurrë nuk do ti harrojë. Njëri ishte i vdekur, tjetri i plagosur, por ishte gjallë. Fillimisht, mendova me vete, do të më ndihmojnë ata mua, kur ai i plagosuri më tha:
– Allahile, oj motër, a mund të më ndihmosh, sepse kam mbetur këtu i plagosur. Atë, tjetrin më andej, e kam vëlla, por ai ka vdekur, sepse po e thërras, e nuk po përgjigjet, nuk mundem as me lëvizë e me shku me e pa.
Me djalë për dore, gati duke e bartur në krah, iu ofrova dhe e pashë. E çka t’i bëja unë e mjera. Ai më vështroj dhimbshëm dhe e pa se nuk kisha forcë t’i ndihmoja, dhe më tha:
– Ec, por ta lë amanet, kudo që të mbërrish, lajmëro se kam mbetur këtu, ndoshta më tërheqin e nuk më marrin serbët të gjallë. O zot, nuk kishte gjë më të vështirë se kur e sheh njeriun tënd duke vdekur dhe nuk mund t’i bësh asgjë. Ata kishin qenë nipa tanë, të Sahitit që kishin ardhur për të na ndihmuar. Më vonë e kam kuptuar, aty nuk i kam njohur. Ata kishin ardhur për të na ndihmuar në luftë. Kujtoj se i kanë gjuajtur me snajper.
SHQETËSIMI ISHTE I KOTË, ATA ISHIN NJERËZIT TONË
Kur dolëm te trafoja e Prekazit të Epërm, na dolën tre-katër persona. Nuk i identifikoja nga largë. Përseri u shqetësuam.
– Unë jam lodhur, o Rijad, nuk mundem më, le të na vrasin,- i thashë.
– Edhe unë, oj nënë, – ma ktheu Rijadi.
Ndoshta iu derdh Rijadit gjaku. Rrjedhja e pandërprerë e gjakut e kishte lodhur Rijadin.
– Jam rënduar shumë, dy duart i kam të rënduara si t’i çoja nga një thes me rërë, nuk po mundem as unë.
– Jo, – thashë, ja ku janë të tjerët, mendova se ishte edhe rrethimi i katërt, prej forcave serbe. Thashë, ne as nuk do të lëvizim fare më. Shqetësimi ishte i kotë, ata ishin njerëzit tonë. Nuk na besohej!
Njëri nga ta foli:
– Hajdeni edhe pak më këndej.
– Vallahi nuk po mundemi, – u thashë.
E morën Rijadin, dhe e dërguan në mal, ku i dhanë ndihmën e parë.
Unë kam pritur aty.
Tjetri erdhi dhe më tha: „Mos ke dert, ka shpëtuar“.
Na hipën në një traktor, mua më fëmijë e Rijadin, pasi që i kishin dhënë ndihmën e parë.
Aty kemi marrë frymë pak më lirshëm. Kemi pushuar pak dhe i kemi pritur të tjerët, derisa kanë mbërritur.
Edhe Rijadi me ato plagë mori frymë pak.
Prekazi dukej në flakë e tym. Kallej ende. Flakë shkonte, tymi e kishte mbuluar.
NDIHMA E PARË NË MOMENTE TË VËSHTIRA
Kur erdhën tanë të gjithë, na qitën në atë rimorkioi traktori dhe kemi shkuar në Libovec.
Na dërguan në një shtëpi. Ishte ora 3 e mëngjesit, nuk kishim ngrënë as pirë.
Na sollën qumësht, dhe hanim bukën e qumështin me lugë. E kishin përgatitur burrat, sepse gratë kishin dalë nga Liboveci, praktikisht ishte zonë lufte.
Kishin kërkuar dhe kudo që kishin gjetur vezë nëpër lagje, i kishin mbledhur,i kishin zierë , një kazan plot vezë. Kemi ngrënë edhe ato ve të ziera.
Njëri nga ata, na tha se nuk është vendi i sigurt. Duhet të lëvizim.
Filloi te zbardhej. Kur dolëm krye Prekazit, dukeshin të gjitha livadhet e arat tona mbushur me policë e ushtarë. E atyre tre vetëve, të tanëve, iu thashë:
– Pse more nuk po i gjuani!
– Me çka oj motër, – thanë.
– Me gurë t’i gjuani…
– Ata,edhe me i gjuajtur me gurë, tuten – i kam parë se si dridheshin, ju thashë.
– Kush, -më tha-, në dy Prekazet nuk gjendet njeri, ku t’i marrim ata njerëz që t’i gjuajmë.
LINDI NJË FIJE SHPRESE
Për Sherifin e Qemajlin, dhe të tjerët, a dinit diçka?
Sevdije Jashari: Nuk kam ditur më asgjë. Vetëm aq sa më tha Beqiri.
Kur na dolën njerëzit tanë, ju thashë se e kemi lëmë një njeri të plagosur dhe një të vdekur . Ata po kërkojnë ndihmë. Aty, na ndihmuan. Njërit prej tyre ia di emrin, sepse e thërriste tjetri, Qazim, kurse të tjerët nuk e di si quheshin. Nuk e di, cili prej tyre ia ka dhënë Rijadit ndihmën e parë! Pasi dolëm në Prekaz të Epërm, erdhën edhe këta, na dërguan për Libovec, ku hëngrëm dhe pimë. Nga Liboveci na dërguan në Oshlan, sepse vendi ishte pak më i sigurt. Kur shkuam në Oshlan, kaluam nga shtëpia e Brahim Xhakës, ku e kishte lëshuar odën për të plagosur.
– A keni të plagosur, – na thanë.
– Po, – ju thamë, – Rijadi ishte me ne i plagosur!
Kemi vazhduar për në Oshlan, të një mbesë.
Çka u bë me atë të plagosurin?
Sevdije Jashari: Si i kam takuar, ata tre personat, që dolën të na marrin, ju tregova se më tutje ka të plagosur. A mund të bëni diçka për ta, për ne mos keni dert. Në natën e dytë, i plagosuri ka mbërritur te Rijadi, pra ku ka fjetur Rijadi. E kishin marrë njerëzit tanë. Ai ka treguar se kishte shkuar këmba doras deri te një shtëpi, kur kishte rënë terri. Kur errësohej, policia vendoseshin nëpër vende të caktuara, nuk dilnin. Të tanët e kishin marrë të plagosurin dhe e vendosën aty. O, sa u gëzuam, por edhe u mërzitem se njëri kishte vdekur.
A dini tash kush kishin qenë?
Sevdije Jashari: Ata kishin qenë nipër tanë, të Sahitit dhe të Musës, nga Gllogovci. Njëri ka vdekur atëherë, tjetri tashti, pra i plagosuri ka vdekur para një viti.
Pastaj u bashkuat?
Sevdije Jashari: U bëmë bashkë atë natë, pasi që pushuam dhe morëm ndihmën e parë te Brahim Xhaka, shkuam te ajo mbesa.
Në orën 4,oo, erdhi dr. Adem Ademi me shokë, për ta ndihmuar Rijadin.
Mandej, kah vazhduat?
Sevdije Jashari: Në orën 4,oo, dëgjoheshin disa lajme se ka vdekur Sherifi, ka vdekur Qemajli, dhe shumë të tjerë. Filluam të qanim. Erdhi dr. Adem Ademi dhe i vuri dy duart në derë :
– Ku është nëna e Rijadit? dhe na u drejtua: behu e fortë, se paku këta kanë shpëtuar. Të shpëtoi djali tri herë i plagosur, nga serbët. Mos u shqetëso. Asnjë lajm nuk është i konfirmuar.
Aty e morën edhe një herë Rijadin dhe e kontrolluan, dhe më pyetën: A je për të shkuar në një shtëpi më të sigurt?
– Po, ju thashë.
Më thanë: Prit edhe një gjysmë orë, për të gjetur ndonjë vend.
Për atë gjysmë ore, Rijadit ia lidhën tri plagë, mirëpo një plagë e kishin harruar. Nuk ia kishin lidhur atë plagë as kur i kishin dhënë ndihmën e parë, dhe as këtu, nuk e kishin vërejtur plagën. Edhe ata ishin shumë të mërzitur.
Rijadi rënkonte, thoshte se në këtë këmbë, më doli flaka.
– O Rijad, i thashë, – edhe nëse vdes, vdes me tridhjetë vetë në dhomë. Ne nuk ndaheshim, edhe pse nuk na zinte një dhomë, nuk ndaheshim, nuk dilnim në tjetër dhomë, të gjithë me Rijadin.
Rijadi të gjithë i kishte rreth vetës, bile edhe Dadën Bahtie, që e kishte pa tmerrin dhe krejt i kishin vrarë para syve te saj. Dada Bahti na jepte gajret neve
Kush është Dada Bahti?
Sevdije Jashari: Dada Bahti është nëna e Nazmiut, gruaja e Bacit Zukë. E kishte lënë djalin në luftë e dinte se ata kanë rënë, dhe e shikonte Rijadin, e pyeste se ku kishte dhimbje, i jepte gajret.
Kur tha Rijadi po më dhemb këmba, i thashë, edhe nëse vdes, do të vdesësh me tridhjetë vetë afër. I thash, Rijad, Qemajli nuk e di ku e ka xhenazën, se e kanë vrarë, nuk di as ku ka mbetur. Rijadi më tha, jo nënë, deri vonë ia kam njohur Qemajlit krismën e pushkës, nuk është i vrarë.
PËRFYTYRIMET E MAHNITSHME
Dada Bahtije (ndërroi jetë më 6 shkurt 2022) ishte te koka e Rijadit, unë te këmbët e tij, isha zgjuar, nuk isha fjetur. Isha e zgjuar dhe e tretur në mendime, e mërzitur, veç kur e kam parë Qemajlin, mu përfytyrua, sikurse ishte lidhur në namaz, dhe kam mbetur duke e shikuar. Rijadi më tha, nënë çka po shikon?
– E pashë Qemajlin në ëndërr, – i thashë.
– Jo, mori nënë, nuk je fjetur.
– Nuk di, fjetur apo zgjuar, Qemajlin e pashë të lidhur në namaz.
– Vallahi ka shkuar në Xhenet, – më tha. U hidhërova e ia ktheva;
– Ti, vetëm sa më the se nuk e kanë vrarë, si tash në Xhenet.?
Ajo ditë ishte e premte, në orët e mëngjesit.
– Oj nënë, ai është falur gjithnjë, sot është e premte, nëse, është vrarë, është në Xhenet, e ke parë duke u falur
– Mirë, -i thashë -, si të thuash ti.
TAKIMI I BEFASISHËM ME QEMAJLIN
Nuk vonoi dhe erdhën mjekët ta merrnin. Më thanë, ti të vish me Rijadin”. Ishte dr. Adem Ademi me shokë, ishin tre apo katër, nuk e di, dhe donin të lëviznim prej andej.
Ne, duke shkuar me veturë, një traktorë, plot burra, vinte këndej. Aty kishte qenë Qemajli, i cili u ngrit në këmbë dhe po na shikon, dhe po thërret. Iu thashë ta ndalnin makinën, sepse aty ndodhej dikush i yni. Pasi e ndalën veturën e spitalit të improvizuar, dhe shikonim,bashkë me Rijadin. Unë e hapa derën, dhe thashë, more Zot, do me dalë Qemajli, gjithmonë po më del përpara. E pashë mbrëmë, si në ëndërr, sot në traktor, thashë çfarë u bë me mua?!
– Oj nënë, – më thirri. Isha e humbur. Me dukej prapë ëndërr. Si në agoni i thashë:
– Vallahi, Qemajl nuk po di a je i gjallë me të vërtetë, po çdo herë po më del kështu para syve.
Pasi u shpeha në këtë mënyrë, Qemajli me pa të habitur dhe e kapi kokën dhe tha:
– Oj nënë, nuk po na u dashka asgjë që keni shpëtuar, sepse qenkeni çmendur, e paskeni humbur…
– Pasha Zotin, Qemajl, nuk di a jemi çmendur, a kam luajtur. Mirëpo, nuk po besoj se je i gjallë përnjëmend. U krijua një atmosferë shumë emocionale.
Aty qanë të gjithë burrat në traktor, e mjekët në veturë. Aty është bërë një vaj i madh.
Megjithatë, të erdhi një grimë shpirti, se e pe edhe një djalë gjallë. A mësuat diçka më shumë për Sherifin apo Hamzen dhe të tjrerët?
Sevdije Jashari: Qemajli heshti.
– Pas pak tregoi, se ka qenë aty pranë tyre. Kanë qëndruar sa kanë mundur. E kush është vrarë, e kush ka shpëtuar, – i thashë.
– Hajt se ka vakt, e flasim – më tha.
– Sherifi a ka shpëtuar?
– Jo, nuk di, – më tha. Po Hamza, që ishte me te, nuk di më tha. Dëshiroja që se paku të ketë shpëtuar njëri e tregon për tjetrin…
Edhe për një djalë e pyeta:
– E, Faiku? Nuk di. Po ata të Shabanëve? Nuk më tregoi për asnjërin. Nuk dëshironte të më ngarkojë më tepër. Dhe bëri mirë. E pa gjendjen tonë. Ndërsa vetë ishte shumë i fortë. Ndoshta luftimet e një dite me parë e kishin forcuar.
Në atë rrugëtim, shkuat në Mihaliq?
Sevdije Jashari: Një herë shkuam në spital, pastaj shkuam te Brahim Xhaka, dhe bujtëm atë natë. Pastaj mbërritën gazetarët, e çdo kush. Pastaj erdhi edhe Qemajli aty.
Dikur erdhi edhe Syla na mori.**
Erdhëm për në Prishtinë. Vetëm unë dhe Rijadi, u nisem nëper një rrugë të keqe, të fshehur. Nuk ramë në dorë të tyre. Pavarësisht se Rijadi i plagosur rëndë, ndiheshim si të rilindur. U vendosëm në shtëpi të kunatit, Salihut, në Prishtinë. Ndiheshim më të gëzuar. Kushtrimi ishte dhënë. Lufta zhvillohej gjithandej. Ne pritnim lirinë.
Krejt në fund, më lejoni t’i falënderojë të gjithë ata që na ndihmuan në mal, në shtëpi e në veçanti ekipin e mjekëve që ilegalisht ma shëronin djalin, edhe në mal, po edhe në Prishtinë.
* Ishte ora shtatë e mëngjesit.Posa kisha shkuar në punë.Punoja në redaksinë e Diturisë.Cingërroi telefoni.E mora . U prezentova. Një zë i tmerrshem dëgjohej në anën tjetër. A po dini gjë ju atje. Ne jemi rrethuar, me tanke, topa artileri aviona…Do të na mbysin të gjitheve…u shtanga. Arrita t’i them: Inshallah Zoti ju shptëon…Një lum lotësh filloi të më dalë vetvetiu. E dija se çka kanë berë formacionet ushtarake serbe në Likoshan. Kisha qenë në varrimin e tyre. Ishim të pa mundur. Në anën tjeter të receptorit dëgjitheshin krishmat, gjemonin topat. Ishte kjo telefonata më e vëshitre e jetes sime.
Nuk dija se çtë benin. Pasi e kamë marre vedin një çik, I kamë telefonuar ish profesorit tim Dr. Fehmi Aganit. Edhe ai u ndi keq, u shqetësua. Me tha: bera mire qe më tregove. Po filloj kontaktet. Mua mu dukë se u shfajësova pak. Derisa isha duke folur me Profesorin, befas u fut Salihu ne zyrë, vëllau i Sherifit, kunati i Sevdijes. Ky me pa fytyrën time dhe kuptoi nga biseda, dhe mu drejtu me nje stoicizëm te madh: do të bëhet vetem ashtu siq ka thëne I Madhi Zot, por, dy pika loti iu bashkunan në mjekren e tij.(nga ditari i atyre ditëve. E.O.)
** Syelejman Osmani, nga Mihaliqi ish edukator ne Medresen Alaudin, se bashku me te tjerë bëri sjelljen e tyre ne Prishtinë, sepse ishte nga a jo anë e dinte terrrenin. Ne u gëzuam kur e mësuam vendndodhjen e tyre. Ishim me fat sepse gazetarja Aferdita Saraqini nga radio ‘21” kishte arritur ta bënte një intervistë me Rijadin derisa ai qëndronte i strehuar në male, por nuk e zbuloi vendin. E thirra Aferditën të takohem dhe na tregoi gojarisht. U gëzuam. Pastaj Syla që ishte nga ai regjion i mori, se bashku me te tjerët, dhe ne kushte ilegaliteti i solli.
Elez Osmani, Prishtinë- Nju Jork
P.S
Sevdije Jashari, dëshmitarja e tre sulmeve ndaj familjes Jashari, ka ndërruar jetë në moshën 65 vjeçare, me 14 prill, 2021. Ajo pati rrëfyer ekskluzivisht për krimet serbe mbi familjen Jashari për gazetën “Dielli”. U varros në Prekaz te Skenderajt.
Nga e majta: Shoqja e Qemajlit Rukije, Qemajli, nëna e. Qemajlit z. Sevdija, Elez Osmani me te shoqen Nurije Osmani.
Nga e majta: Vajza e madhe e Qemajlit, Diella,shoqja e Qemajlit z.Rukije, Qemajli ,Nëna Sevdija ,Elez Osmani dhe vajza e vogël e Qemajlit Yllza