Në foto: Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe gazetari Behlul Jashari, 29 dhjetor 2000 në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë/
PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA PARA 15 VITEVE PARLAJMËRONTE NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS/
-Dr. Ibrahim Rugova: Objektiv nacional do të jetë njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 29 Dhjetor 2015/ Presidenti historik i Kosovës dhe kryetar i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, pikërisht në 29 dhjetor 2000, gjatë pritjes së organizuar në Rezidencën Presidenciale në Velani, në Prishtinë, në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetës tradicionale Rilindja – të redaktorit të saj, tash korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli, paralajmëronte njohjen e pavarësisë së Kosovës. “ E presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksonte Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur” – Kosova.
Ja shkrimi i plotë, botuar në gazetën Rilindja në Prishtinë, në numrin festiv të Vitit të Ri, në 30 dhjetor 2000:
Kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, deklaron për “Rilindjen”:
PAVARËSIA E KOSOVËS DO TË NJIHET NË MOMENTIN E DUHUR DHE NË KOHËN E DUHUR
-Zgjedhjet lokale të 28 tetorit – ngjarja e Vitit 2000, ndërsa zgjedhjet nacionale parlamentare e presidenciale do të shënojnë Vitin 2001.-Për Luginën e Preshevës duhet të fillojë një dialog me palën shqiptare dhe me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa kërkesat e Beogradit për heqjen e zonës së sigurisë janë të paqëndrueshme dhe lojë.-Në Mitrovicë duhet të bëhet integrimi administrativ i qytetit dhe të fillojë funksionimi i asamblesë komunale unike.-Rugova përkujtoi me emocione gazetarin e “Rilindjes” Shefki Popova dhe këshilltarin e tij, Xhemajl Mustafa/
—
Për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.
“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, i pyetur nga “Rilindja” se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.
Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.
Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.
Rugova falënderoi gazetarët e pranishëm në pritjen tradicionale për Vitin e Ri dhe i përgëzoi për punën e tyre.
“Ju kam ftuar në këtë pritje për t’iu shprehur respektin për punën që keni bërë gjatë vitit që po lëmë pas për rindërtimin e Kosovës, në fushën politike, ekonomike, sociale, etj. Mund të themi se gjatë këtij viti, edhe në fushën e informimit dhe të gazetarisë kemi pasur një progres të mirë, falë përpjekjeve tuaja, të bashkësisë ndërkombëtare dhe të administratës së përbashkët”, tha Rugova duke iu drejtuar gazetarëve.
“Sot, pas një viti e gjysmë të lirisë, vazhdoi ai, veprojnë disa kanale televizive, radio e gazeta të përditshme në Kosovë. Ne dëshirojmë që të konsolidohen këto mjete të informimit që veprojnë dhe të bëhen të tjera të reja. E di se keni vështirësi të shumta, por jeni treguar të fortë e të qëndrueshëm. Ju falenderoj për kontributin tuaj gjatë organizimit të zgjedhjeve lokale që ishin ngjarje e vitit. Shpresojmë se do të kontriboni më shumë edhe për zgjedhjet nacionale, presidenciale e parlamentare, që do të shënojnë vitin që po vjen. Në vitin që po vjen do të gëzoni përkrahjen tonë, do t’i kaloni vështirësitë që të keni mundësi më të mëdha se më parë. Por, sot kam një dëshirë që mjetet tona të informimit të sjellin sa më shumë informata të gjithanshme për shoqërinë kosovare, për gjithë popullin e Kosovës”.
Kryetari i LDK-së, Rugova, në vazhdim përkujtoi me pietet gazetarët e vrarë.
“Gjatë këtij viti patëm humbjen e kolegëve tuaj, gazetarit të ‘Rilindjes’ Shefki Popova dhe të këshilltarit në zyrën e LDK-së të Republikës së Kosovës Xhemajl Mustafa. Duhet të bëjmë çmos që të sigurohet jeta dhe puna juaj”, tha Rugova me shumë emocione e shprehje dhembjeje.
Në vazhdim Rugova uroi gazetarët që në vitin që po vjen të vazhdojnë veprimtarinë në ndërtimin e lirisë, demokracisë e pavarësisë së Kosovës, që të kontribuojnë në ndërtimin e kulturës shtetërore, të informimit publik e të shoqërisë civile, për ndërtimin dhe pajtimin e shoqërisë kosovare.
Rugova u shpreh për një shtyp e informim përgjithësisht të lirë e të hapur. “Informatat duhen shumë, ato janë gjithmonë të rëndësishme, komentet, analizat, dhe për këtë është liria juaj dhe përgjegjësia juaj”.
Sado që u shpreh se nuk do të dëshironte pyetje dhe se gazetarët i kishte ftuar për t’ua uruar Vitin e Ri, që të kenë pak pushim, Rugova u përgjigj edhe në dias pyetje. Situatën në Kosovë përgjithësisht e vlerësoi të mirë.
Ndërsa, për Luginën e Preshevës Rugova theksoi qëndrimin se “duhet të fillojë një dialog me palën shqiptare, me Beogradin dha bashkësinë ndërkombëtare, të çmilitarizohet rajoni”.
“Ne jemi të interesuar që të ruhet popullata në Preshevë. Ju i dini qëllimet e Beogradit që kanë qenë, pastrami i korridorit Selanik-Beograd, që është shumë i rëndësishëm. Por, janë shenjat e mira se do të kemi një dialog të përgjithshëm”, tha Rugova.
Ai shprehu qëndrimin kundër heqjes së zonës së sigurisë në kufirin midis Kosovës e Serbisë, ndërsa për kërkesat e Beogradit për heqjen e kësaj zone sigurie tha se “ato janë të paqëndrueshme, janë lojë”.
Për çështjen e Mitrovicës së ndarë Rugova tha se “kërkojmë një integrim administrative të qytetit pas zgjedhjeve që janë mbajtur”. Rugova theksoi faktin se serbët kanë deklaruar se i pranojnë zgjedhjet e Kosovës, se përfaqësuesit e tyre në asambletë komunale janë nominuar nga ana e UNMIK-ut, gjegjësisht nga administratori i OKB-së në Kosovë, Bernar Kushner, duke përfunduar se shpreson se së shpejti do të fillojë funksionimi i asamblesë komunale unike të Mitrovicës.
Behlul JASHARI
***
DR. IBRAHIM RUGOVA: OBJEKTIV NACIONAL DO TË JETË NJOHJA SA MË PARË E PAVARËSISË SË KOSOVËS
-Mesazhi drejtuar qytetarëve të Kosovës për Vitin e Ri 2001/
Prishtinë, 29 dhjetor 2000/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, me rastin e Vitit të Ri 2001, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovë një mesazh përgëzimi, në të cilin thuhet:
Viti që po lëmë mbas ishte viti i dytë i lirisë së Kosovës. Gjatë këtij viti Kosova pati një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. U krye një pjesë e madhe e rindërtimit të vendit. U bë një ringjallje shpirtrore e morale e njerëzve dhe e jetës në përgjithësi.
Pra, gjatë vitit që po lëmë mbas u vunë bazat e jetës institucionale me funksionimin e administratës së përbashkët në rrafshin nacional e lokal. Kosova edhe këtë vit gëzoi përkrahjen ndërkombëtare dhe arriti që të krijojë gjysmën e të ardhurave kombëtare, që është një hap i madh drejt zhvillimit ekonomik e social.
Ngjarje me rëndësi për Kosovën ishin zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor, që ishin një hap kyç në vendosjen e rendit demokratik. Me këto zgjedhje populli dhe qytetarët e Kosovës treguan se janë të aftë të udhëheqin Kosovën, se janë të përcaktuar për ndërtimin e lirisë, të paqes, të pavarësisë e të demokracisë. Me këto zgjedhje u përmirësua imazhi i Kosovës në botë, si vend që ecën drejt stabilitetit politik e demokratik.
Viti në të cilin po shkelim, pra Viti i Ri i fillimit të mijëvjeçarit të tretë i integrimeve të popujve evropianë e botërorë në planin shpirtror e ekonomik, Kosovën e gjen më të fortë, më të gatshme për t’u integruar në Evropë e në NATO. Në vitin që po vjen një prej objektivave qendrore do të jenë zgjedhjet nacionale: presidenciale e parlamentare që do të plotësojnë kuadrin shtetëror të Kosovës. Objektiv nacional si deri tash, do të jetë njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës, që do të qetësojë rajonin tonë. Do të punojmë në forcimin e pushtetit lokal që të jetë sa më efikas dhe më afër qytetarëve.
Objektiv tjetër do të jetë zhvillimi ekonomik, investimet, privatizimi dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë si dhe sigurimi i mirëqenies sociale. Do të forcohet mbrojtja dhe integrimi i minoriteteve në jetën politike e demokratike të Kosovës.
Në të mirë të paqes, të prosperitetit e të pavarësisë së Kosovës, duhet të angazhohemi të gjithë t’u japim fund akteve të dhunës me motive të ndryshme.
Objektiv qendror do të jetë vazhdimi i bashkëpunimit me UNMIK-un, KFOR-in dhe me OSBE-në.
Në këtë ndërrim motesh, urime të përzemërta Juve dhe familjeve Tuaja për jetë më të mirë e më të lumtur.
Në këtë natë gëzimi, i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Urim të veçantë u bëjmë ushtarëve dhe komandatëve të KFOR-it. Po ashtu urim të përzemërt i bëjmë UNMIK-ut, OSBE-së, përfaqësive diplomatike në Prishtinë si dhe organizatave joqeveritare e agjencive ndërkombëtare në Kosovë.
Urim të përzemërt i bëjmë Presidentit Klinton, i cili e përfundoi mandatin e vet me sukses për SHBA e për botën, e sidomos për Kosovën. Ai do të mbetet hero nacional i Kosovës.
Urime më të mira Presidentit të zgjedhur Bush, Kryeministrit Bler, Presidentit Shirac dhe Kancelarit Shrëder si dhe Zonjës Ollbrajt, që do të mbetet Zonjë e Kosovës.
Gëzuar Viti i Ri 2001.
Zoti e bekoftë Kosovën.