-NJË PYETJE PËR PRESIDENCËN: PËRSE NUK U THIRR NJË PËRFAQËSUES I VATRËS PËR TË QENË PREZENT NË CEREMONINË E DEKORIMIT TË BANDËS SË VATRËS?
- PYETJA E DYTË: DERI TANI DEKORATAT QË KANË DALË NGA PRESIDENCA : NDER I KOMBIT DHE URDHËRI I FLAMURI PËR VATRËN, NDERI I KOMBIT PËR DIELLIN, APO PËR INDIVIDËT, JANË REKOMANDUAR NGA VATRA DHE U JANË DORËZUAR DREJTUESVË TË VATRËS- ATO JANË EKSPOZUAR NË VATËR, PO KJO E BANDËS MUZIKORE”VATRA” DO TË QËNDROJË NË PRESIDENCË?…
- Nëse Vatra do të pyetej në këtë rast, ajo do të rekomandonte edhe Dekorimin e Trupave Vullnetare, që pasi u stërvitë nga Vatra për 4 vite, u dërguan njëkohësisht me Bandën Muzikore, për të mbrojtë kufijtë e Shqipërise dhe pas stabilizimit të vendit, ata nuk u kthyen më në SHBA, por formuan Gardë e Shtetit Shqiptar.
- Nga Dalip GRECA-
Sic njofton Agjensia Telegrafike Shqiptare me 31 Gusht 2020, Presidenti Ilir Meta me anë të një ceremonie solemne, të organizuar në kopshtin e Institucionit të Presidencës, ka vlerësuar Bandën Kombëtare Muzikore “Vatra” dhe themeluesin e saj, dirigjentin dhe kompozitorin Thoma Nasi, me dekoratën“Nderi i Kombit”.
Kjo dekoratë u dha me motivacionin“Për sakrificat e kontributin e jashtëzakonshëm dhënë me ardhjen në Shqipëri, në pjesëmarrjen e tyre në Luftën e Vlorës në vitin 1920, për rolin që luajtën në forcimin e marrëdhënieve diplomatike e kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Ky është një lajm i mirë dhe Presidenti duhet vlerësuar për inisiativën, por anashkalimi i Vatrës nuk të lë shije të mire institucionale.
Besojmë se nuk do t’ia ulte imazhin ceremonial veprimtarisë,nëse Kryetari i Vatrës qëndronte pranë ambasadores amerikane dhe dekorata i dorëzohej Atij!
Institucionet historike të Diasporës, që i ka provuar koha për qëndrushmëri shekullore, sic është rasti i Vatrës 108 vjecare, dikton më shumë respekt institucional. Mos është kjo shenjë e mosrespektit ndaj Vatrës?
Nëse deri tani derën e Vatrës nuk e kanë parë udhëheqësit më të lartë të së Majtës Shqiptare kurdo kur kanë qeverisur Shqipërinë, faji nuk është i Vatrës, por i atyre që nuk kanë dashtë që rruga t’u bjerë drejt Vatrës.-, edhe pse Vatra ka shkelë mbi veten dhe-kur ata nuk kanë ardhë në Vatër, ka shkuar Vatra tek ata- duke e takuar kryeministrin aktual të së majtës shtator 2013, si dhe Presidentin aktual 2019, ne hotelet ku pushonin… ata vetë nuk kanë tentuar ta gjejnë derën e Vatrës!!!!
Nëse Vatra do të pyetej në këtë rast, ajo do të rekomandonte edhe Dekorimin e Trupave Vullnetare, që pasi u stërvitë nga Vatra për 4 vite, u dërguan njëkohësisht me Bandën Muzikore, për të mbrojtë kufijtë e Shqipërise dhe pas stabilizimit të vendit, ata nuk u kthyen më në SHBA, por formuan Gardë e Shtetit Shqiptar.
Mirë që Vatrës nuk iu kërkua një mendim për Dekorimin, por në ceremoni duhej të ishte medoemos e pranishme. Deri tani vlerësimet e bëra për Vatrën si institucion Kombëtar,si dhe dekorimi i Gazetës së saj 111 vjecare-DIELLI, po ashtu dhe vlerësimi i individëve, kanë dalë nga VATRA, me ndonjë përjashtim kur propozimet i kanë hartuar vetë këshilltarët e presidencës.
Mirë do të ishte që Presidenca të gjej një shkas dhe së paku le t’na dërgojë dekoratën në VATËR, që t’u tregojmë viztorëve.
Sërish Jemi mirërnjohës!(Gazeta DIELLI)