Presidenti Nishani pret në takim nxënësit pjesëmarrës në projektin e OSBE për rolin e shoqërisë civile në vendimmarrje/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim nxënësit pjesëmarrës të projektit të OSBE “Forcimi i rolit të shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal e qëndror”.Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, falenderoi Kreun e Shtetit për mbështetjen e këtij projekti, ndërkohë 4 nxënësit fitues i dorëzuan Presidentit të Republikës esetë e tyre studimore me temë “Çfarë është demokracia për mua?”.
Presidenti Nishani vlerësoi kurajon e të rinjve, vullnetin për të ofruar kontributin e tyre dhe për të qenë të angazhuar në zgjerimin e hapësirave të demokracisë dhe vendimmarrjes.
“Demokracia është mundësia më e mirë sot për njeriun, për qenien njerëzore, për shoqërinë në tërësi, për botën, për t’i shfrytëzuar hapësirat, për t’i parandaluar problematikat që i vijnë dhe për të gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme” – u shpreh ndër të tjera Presidenti Nishani.
Duke evidentuar faktin se shpeshherë nga opinioni publik politika konsiderohet si një mekanizëm i ngurtë dhe i mbyllur, Kreu i Shteti theksoi se megjithatë demokracia është sistemi më i mirë i mundshëm dhe pikërisht përmes politikës duhen gjetur edhe zgjidhjet.
Presidenti Nishani inkurajoi nxënësit pjesëmarrës në projekt që të jenë këmbëngulës në paraqitjen e qëndrimeve të tyre mbi demokracinë.
“Unë dëshiroj që të vlerësoj maksimalisht jo vetëm këndvështrimin tuaj, përgjegjshmërinë që keni, por mbi të gjitha kurajën dhe inspirimin që dëshironi t’i përcillni shoqërisë dhe sesa e rëndësishme është këmbëngulja juaj, moslodhja, mosndalimi asnjë moment. Mos mendoni se nuk ju dëgjon kush. Mund të duket sikur për një moment nuk ju dëgjojnë, mund të duket edhe sikur herën e dytë apo të tretë injorohet fjala juaj, injorohet tentativa juaj, dëshira juaj, por të jeni të sigurt se sa më këmbëngulës që të jeni, sa më të qëndrueshëm që të jeni, aq më i madh dhe më i mirë do të jetë rezultati që ju prisni të merrni nga angazhimi që keni”.
Takimi u mbyll me pyetje drejtuar Presidentit të Republikës nga nxënësit pjesëmarrës në projektin e OSBE.