Presidenti Nishani deklaroi se duhet të vendoset drejtësi dhe të gjenden eshtrat e të zhdukurve. Kreu i Shtetit theksoi se “edhe në 25-vjetorin e rrëzimit të komunizmit askush s’ka kërkuar falje”.Gjatë kësaj vizite u zhvillua edhe një ceremoni dekorimi për disa ish-të burgosur dhe të përndjekur politikë./
SPAÇ : Në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga ish-të burgosur dhe të ish-përndjekur politikë, vizitoi sot ish-burgun e Spaçit. Presidenti Nishani gjatë vizitës në ish-burgun e Spaçit shprehu respekt ndaj vuajtjeve të atyre që u dënuan.
Presidenti Nishani deklaroi se duhet të vendoset drejtësi dhe të gjenden eshtrat e të zhdukurve. Kreu i Shtetit theksoi se “edhe në 25-vjetorin e rrëzimit të komunizmit askush s’ka kërkuar falje”.
Gjatë kësaj vizite u zhvillua edhe një ceremoni dekorimi për disa ish-të burgosur dhe të përndjekur politikë.Presidenti Nishani nderon me Dekoratën “Pishtar i Demokracisë” katër ish-të burgosur, përfaqësues të revoltës në Burgun e SpaçitMë 22 Maj 2013 ishte po Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i cili nderoi zotin Demir Pojani, zotin Bashkim Fishta, zotin Luan Burimi dhe zotin Bedri Çoku me Dekoratën “Pishtar i Demokracisë” me motivacionin: “Për kontributin, trimërinë dhe sakrificën e madhe dhënë në kërkim të respektimit të lirive të njeriut, nëpërmjet një prej revoltave më të mëdha ndaj regjimit komunist’’.
Duke vlerësuar lart rezistencën e të gjithë të burgosurve që vuajtën persekutimin në Burgun e Spaçit si dhe kurajon e trimërinë e të gjithë atyre që me dinjitet të lartë njerëzor ngritën krye, Kreu i Shtetit theksoi se revolta e tyre do të mbetet gjithmonë simboli i spikatur i anti-komunizmit në Shqipëri, simboli i rezistencës ndaj shtypjes, i rezistencës ndaj krimit shtetëror, simbol i mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, dhe aspiratave të një kombi për liri.
Diktatura komuniste-Donald Lu Vizituam burgun e Spacit mbetem te tronditur
Më 27 Tetor të këtij viti ishte -Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, deklaron se ka vizituar sot burgun e Spacit, një nga burgjet më mizore të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook të faqes zyrtare të ambasadës shprehet se “Sot, së bashku me kolegët e mi, vizituam burgun e Spaçit, ku mbetëm të tronditur nga ironia e përplasjes së dëshmisë të brutalitetit njerëzor me bukurinë e peisazhit mahnitës malor të kësaj zone. Vizita në burgun e Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje. Ne patëm fatin të kishim tre njohës të mirë të zonës, të cilët na rrëfyen historitë e atyre që jetuan dhe humbën jetën këtu – Gjet Gjoni, guida jonë vendase, si dhe Nedi Pjetri dhe Jonathan Eaton nga Shoqata e Trashëgimisë Kulturore pa Kufij”.
“Dje, unë kisha nderin të takoja Fabian Katin, i cili ka qenë i dënuar politik në Spaç në mesin e viteve ’80-të. Z. Kati ia ka përkushtuar jetën e tij qëllimit për të mos e lënë në harresë tragjedinë e Spaçit. Ai së bashku me ish-të burgosur politikë të tjerë në Spaç, po punon për të ndërtuar një muze në ish- burgun komunist, në mënyrë që edhe brezat e ardhshëm të njihen me këto histori të rëndësishme. Gjithashtu, ai ka bërë disa filma dokumentarë dhe ka shkruar libra mbi ata që u zhdukën dhe ata që i mbijetuan kësaj përvoje çnjerëzore.
Stërgjyshja ime vdiq në një burg komunist në Kinë. Ajo u arrestua ndërsa ndihmonte familjet e tjera për t’u arratisur nga Kina gjatë revolucionit të Maos në 1947. Sot, unë përkujtoj stërgjyshen time, mijëra shqiptarë dhe njerëz të panumërt kudo në botë, që luftuan për liritë që ne kemi sot”.
Po ashtu, ambasadori Lu thekson se “Në oborrin e Ambasadës sonë ndodhet një pemë manjole, e mbjellë nga punonjësit tanë. Nën këtë pemë është një pllakatë, ku është gdhendur një citim i Maya Angelou, i cili thotë, “Historia, pavarësisht dhimbjes së saj therrëse, nuk mund të zhbëhet, por nëse përballohet me kurajo, nuk ka pse të përjetohet sërish.”
“Unë dua t’i nxis të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj” shprehet Lu, duke sjell në imazhe foto nga vizita e tij në Spac.
ARVIZU: VIZITA NË BURGUN E SPAÇIT MË LA TË MPIRË
Më 14 Dhjetor 2013 ka qenë Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu i cili vizitojë i pari burgun famëkeq të Spaçit.
Mbresat e vizitës së tij në burgun e Spaçit, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu i ka komentuar te një status që ka hedhur ditën e djeshme në rrjetin social të “Facebook”-ut.
“Disa vende në Shqipëri ende e ruajnë shenjën e asaj kohe, dhe asnjë prej tyre aq qartësisht sa Spaçi. Javën e kaluar, vendosa që doja ta vizitoja. Udhëtimi nga Tirana për në Spaç zgjat pak më shumë se dy orë. Nuk mund të flas për kolegët e mi, por mua kjo përvojë më la të mpirë, plot keqardhje të trishtë, madje edhe të nemitur.
Nuk folëm shumë me njëri-tjetrin kur ishim aty; nuk kishte nevojë për fjalë. Bëmë mirë që shkuam dhe unë nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Një falënderim të veçantë kam për Mirian Bllacin nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij, dhe z. Gjet Gjoni, i cili na udhëhoqi nëpër ato që kishin ngjarë, si dhe na hapi dyert e shtëpisë së tij pas udhëtimit tonë të paharrueshëm”, shkruan Arvizu në “Facebook”.
Veç kësaj, ai në status përshkruan edhe emocionet e të jetuarit për 4 vite në Shqipëri. Tek përgatitem të largohem nga Shqipëria, mendoj se si qëndrimi im këtu e ka thelluar të kuptuarit tim të historisë”, shkruan ambasadori amerikan Arvizu në “FB”./ Beqir Sina/