Presidenti Bujar Nishani dekoron dy figura qendrore shqiptare të Çamërisë, Abedin Dinon dhe Ibrahim Hoxhën/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekoruar dy figura qendrore të Çamërisë, Abedin Dinon pas vdekjes me dekoratën “Nderi i Kombit” dhe Ibrahim Hoxhën me Titullin “Naim Frashëri”. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e institucionit të Presidentit të Republikës, kreu i shtetit vlerësoi shoqatën “Çamëria” për traditën e Javës Çame që prej vitesh po organizohet në këtë periudhë të vitit. Ai vlerësoi ngritjen e vokacionit të çështjes kombëtare dhe të çështjes çame që është pjesë e pandashme e saj. “Për mua si President i Republikës ka një vlerë të jashtëzakonshme fuqizimi gjithnjë e më shumë i zërit të këtij komuniteti, jo thjesht në adresim të çështjeve të veçanta, por edhe të komunitetit vetë, por të adresimit të vëmendjes, të angazhimit me atë që të gjithë së bashku kemi detyrim jo vetëm kushtetues, të çështjes kombëtare. Pa dyshim që çështja çame është çështje e rëndësishme e pazgjidhshme e çështjes kombëtare”, – tha Presidenti Nishani. Kreu i shtetit dekoroi z. Ibrahim Hoxha me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për veprimtarinë e çmuar në qartësimin e vlerave të folklorit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare përmes botimeve të shumta dhe pjesëmarrjes aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Presidenti nderoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” atdhetarin e shquar Abedin Dino (pas vdekjes) me këtë motivacion: “Figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me ndihmesë të jashtëzakonshme në mbrojtjen e tërësisë territoriale të kombit shqiptar dhe në zhvillimin e identitetit e kulturës kombëtare”. Dekorata për këtë figurë të madhe kombëtare iu dorëzua si përfaqësues i shqiptarëve të Çamërisë, Shpëtim Idrizit. “Ndihem shumë i nderuar dhe i emocionuar që në emër të komunitetit çam, ne sot, fal jush, po dekorojmë dy personalitete të të gjithë shqiptarëve. Unë po marr në emër të komunitetit një dekoratë për një personalitet të nderuar që ka dhënë shumë për çështjen çame dhe çështjen kombëtare. Është një rast fatlum sepse dekorohen njëkohësisht vepra dhe figura e Abedin Dinos, por edhe njeriu që ka shkruar jetën dhe historinë e tij, që është z. Hoxha. Ky është një rast fatlum për të gjithë shqiptarët e Çamërisë dhe sot ne jemi shumë të privilegjuar pas mbështetjes dhe inkurajimit të Presidentit të Republikës”, – tha Idrizi.
SAMI says
BRAVO Z KRYETAR EKENI BA NJI XHEST [ HISTORIK ]PËR SHQIPTARET E çAMËRIS.