Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me 28 Shtator ishte i ftuar edhe nga Organizata “Rrёnjёt Shqiptare”, qё punon pёr promovimin e trashёgimisё kulturore shqiptare, pёr tё kremtuar pesёvjetorin e themelimit tё saj.
Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit shqiptar iu drejtua të pranishmëve me këtë fjalim:
“Të dashur bashkatdhetarë,
Motra e vëllezër,
Zonja e zotërinj,
Dëshiroj t`ju falënderoj për ftesën dhe atmosferën vëllazërore, qe keni krijuar për mua dhe delegacionin shqiptar. Ju uroj, nga zemra pesëvjetorin e krijimit të organizatës tuaj me emrin kuptimplotë ‘rrënjët shqiptare’, këtij institucioni të komunitetit shqiptaro-amerikan, të ri në moshë, por me efikasitetin e një organizate të pjekur.
Vij gjithmonë me shumë kënaqësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka disa arsye për këtë.
Shtetet e Bashkuara janë miku më i ngushtë historik për kombin shqiptar, që na qëndroi gjithmonë pranë, pa kushte, në luftën tonë për mbijetesë, në betejën tonë të pareshtur për liri dhe demokraci. Ata janë aleati besnik dhe partneri ynë strategjik, më të cilin na bashkojnë vlerat e përbashkëta dhe përballimi i sfidave në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në një botë të ngarkuar me kërcënime të reja dhe të vjetra..
Amerika është vendi dhe avokati më i madh i lirisë dhe demokracisë në botë. Ky është atdheu i njerëzve të lirë, me mundësi të panumërta dhe që ofron shanse të barabarta për këdo, pavarësisht origjinës. Këtu diversiteti kulturor, fetar dhe racor është i prekshëm. Ai i jep forcë dhe e bën unikal këtë vend. Eshtë, njëherazi, modeli frymëzues për botën e së ardhmes.
Unë pres me padurim të vij në Shtetet e Bashkuara, sepse këtu jeton një diasporë aktive, plotësisht e integruar në shoqërinë amerikane, që ndërton jetën dhe prosperitetin e saj me sukses, duke shfrytëzuar hapësirën e pafundme të demokracisë amerikane dhe duke kontribuar për këtë vend.
Ju jeni të suksesshëm edhe për një arsye tjetër. Ju mbartni brenda vetes virtytet dhe traditat më të mira që burojnë nga rrënjët tuaja shqiptare. Ato janë të vjetra, të forta dhe ju japin personalitetin e origjinës së një populli të lashtë, popullit nga gjiri i të cilit dolën Papa Klementi XI, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Vaso Pasha, At. Gjergj Fishta, Faik Konica dhe Fan Noli, Nënë Tereza, Ferid Murad, Ismail Kadare, Jim dhe John Belushi e shumë e shumë të tjerë. Ju jeni krenar për atë që paraardhësit tuaj, me rrënjë shqiptare, bënë gjatë periudhës së Holokaustit, në mbrojtje të hebrenjve, për bashkëjetesën dhe dialogun fetar të trashëguar brez pas brezi, për kulturën e pasur dhe historinë e njërit prej popujve më të vjetër në Evropë, nga vijnë rrënjët tuaja.
Ju përgëzoj që ruani rrënjët shqiptare. Kështu i shërbeni vetes, gjeneratave shqiptaro-amerikane që do të vijnë, thesarit multikulturor të Shteteve të Bashkuara. Por, mbi të gjitha, kështu i shërbeni Shqipërisë dhe shqiptarëve, forcimit të lidhjeve shqiptaro-amerikane.
Më lejoni, ta mbyll këtë mesazh, duke i uruar “Rrënjëve shqiptare” punë të mbarë dhe suksese në punën dhe misionin e saj fisnik.
Ju faleminderit!”
*28 shtator 2014-New York