Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në ditën e parë të vitit të ri 2013, bashkëbisedoi me ushtarakët shqiptarë që po kryejnë misionin e tyre paqeruajtës në Kabul dhe Kandahar, në Afganistan.
Në videokonferencën e zhvilluar me kontingjentin e ushtarakëve shqiptarë, të cilët kryejnë misionin e tyre paqeruajtës në Afganistan, Presidenti Nishani bashkëbisedoi me Nënkolonel Ardian Beqaj, përfaqësuesi më i lartë Ushtarak në ISAF në Kabul, Nënkolonel Leonard Zhupa, Komandant i kontingjentit MAT-4 në Kabul dhe Major Pali Dokolli, Komandant i kontingjentit EAGLE-7 në Kandahar.
Gjatë këtij bashkëbisedimi ishin të pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Jeronim Bazo dhe drejtuesit më të lartë të Shtabit të Përgjithshëm.
Në vijim përshëndetja e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Presidentit Bujar Nishani, drejtuar ushtarakëve shqiptarë të misionit paqeruajtës në Kabul dhe Kandahar, Afganistan.
Të dashur komandantë, ushtarë!
Kam kënaqësinë e veçantë që sot, këtë ditë të parë të Vitit të Ri ta nis duke ju uruar juve, duke ju uruar një vit të mbarë! Duke ju uruar ju një sukses të mëtejshëm në misionin tuaj fisnik, në misionin e nderit, misionin e lirisë.
Duke ju uruar ju, përfitoj nga rasti që këtë urim t’ua përcjell të gjithë burrave dhe grave në uniformë, të cilët janë dhe mbeten krenaria e vendit dhe kombit tonë. Dëshiroj që përmes jush të uroj njëkohësisht familjarët tuaj, të dashurit tuaj, prindërit, bashkëshortët, fëmijët, vëllezërit, motrat, të gjithë miqtë tuaj!
Sot në këtë ditë të parë të vitit ju jeni larg familjes, por jam i bindur që familjarët tuaj sot janë me ju. Ne këtu jemi të gjithë me ju. Të gjithë shqiptarët janë me ju. Janë me ju, sepse ju keni paraqitur dhe prezantuar me dinjitet, me nderin më të lartë emrin e shqiptarit, keni mbajtur lart flamurin tonë kombëtar. Dëshiroj që duke ju uruar ju, të uroj të gjithë komandantët dhe bashkëluftëtarët tuaj amerikanë, familjarët e tyre, duke u uruar njëkohësisht edhe atyre një sukses të mëtejshëm në misionin e madh të lirisë, sigurisë dhe paqes!
Ne, shqiptarët, jemi nga ato kombe që ndoshta më shumë se çdokush tjetër e dimë sesa e vlefshme është liria, sesa e vlefshme është paqja dhe siguria dhe se çmim për to nuk ka. Prandaj, kontributi juaj, vlera juaj që përcillni sot në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe në emër të parimeve të lirisë, të paqes dhe sigurisë mbarëbotërore, është e pazëvendësueshme. Ne mbetemi krenarë për ju!
Dëshiroj njëkohësisht të theksoj sesa e nevojshme është sot për mbarë njerëzimin, për mbarë botën, kontributi dhe sakrifica për të garantuar lirinë, sigurinë, në radhë të parë për popullin afgan, por një kontribut i tillë i shkon mbarë njerëzimit.
Si një vend anëtar i NATO-s, ne jemi krenarë për këtë, jemi krenarë për ju që justifikoni plotësisht këtë vlerë të madhe dhe të pazëvendësueshme. Megjithëse ndodhet larg atij rajoni, Shqipëria dhe të gjitha vendet e tjera mbeten dhe do të jenë gjithmonë të kërcënuara nëse liria, siguria dhe paqja nuk është e garantuar në çdo cep të globit, në çdo vend, për çdo popull, për çdo njeri.
Ju, trimat e Ushtrisë shqiptare keni ditur të tregoni sesa të aftë jeni, sa profesionistë jeni, sa kurajozë jeni, sa të mençur jeni duke luftuar përkrah miqve dhe partnerëve tuaj, duke i shërbyer atij populli, atij vendi dhe mbarë njerëzimit. Keni treguar se jeni të gatshëm të ofroni çdo sakrificë. Flamuri shqiptar atje midis jush është krenar dhe është i nderuar, sepse tashmë ai flamur, krah flamurit amerikan dhe vendeve të tjera partnere të NATO-s, ka në themel dhe rrënjët e tij përkushtimin dhe gjakun e bijve dhe luftëtarëve shqiptarë.
Sot, në këtë ditë urimi për të gjithë shqiptarët, në këtë ditë krenarie për ju, njëkohësisht dëshiroj të bëj homazh dhe të përkulem me nderim ndaj Kapiten Feti Voglit, ndaj gjithë të rënëve, bijve dhe bijave amerikanë dhe të gjitha vendeve të tjera partnere që me të gjithë sakrificat e tyre sublime garantojnë paqen, lirinë, sigurinë, çmimi i të cilave natyrisht është i lartë!
Unë dëshiroj njëkohësisht t’ju garantoj ju se të gjithë ne jo vetëm jemi pranë jush por, do të mendojmë dhe punojmë çdo ditë që lufta juaj të përparojë në të mirë të njerëzimit, që kontributi juaj të jetë një bazë e fortë dhe një themel i pacenueshëm i lirisë për kohët që vijnë.
Jam i bindur se Qeveria Shqiptare, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura do të bëjnë përpjekjet maksimale për t’ju ndihmuar në përmbushjen me sukses të misionit tuaj heroik. Njëkohësisht, dëshiroj të garantoj se përtej këtij misioni ushtarak, Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj edhe në rrafshin politik në garantimin e paqes dhe sigurisë, veçanërisht në rajonin tonë.
Tashmë Shqipëria dhe shqiptarët janë një faktor i forcuar i garancisë së paqes, stabilitetit, zhvillimit, përparimit, fqinjësisë së mirë në rajonin tonë, i cili do të bëhet gjithmonë e më shumë një shembulli i konsoliduar i përparimit dhe i miqësisë, i paqes dhe i prosperitetit.
Ne ju presim me mall të ktheheni shëndoshë nga ky mision.
Dhe një herë gëzuar, një vit të mbarë dhe mision të suksesshëm! Gëzuar!