-ATSH/
TIRANE, 7 Shtator/ATSH/- Presidenti Bujar Nishani vlerësoi sot me Dekoratën “Flamuri Kombëtar” ish-Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi (pas vdekjes) për sakrificën e lartë në ruajtjen dhe kultivimin e besimit bektashian gjatë regjimit komunist; kontributin në forcimin e lidhjeve dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri si dhe për rolin udhëheqës në ringjalljen e këtij besimi në vitet ’90-të të shekullit XX.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mjediset e Presidencës, Kreu i Shtetit nderoi gjithashtu ish-Kryegjyshin Botëror Kamber Ali Dede (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” për qëndrimin stoik dhe besnikërinë e palëkundur ndaj besimit bektashian si dhe për sakrificën sublime nën kushtet e egra të terrorit komunist, si dhe Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” në vlerësim të kontributit të shquar dhënë për ruajtjen dhe vazhdimin me besnikëri të traditave më të vyera bektashiane si dhe konsolidimin e Selisë së Shenjtë Botërore me qendër në Tiranë.
Presidenti Nishani si përfaqësuesi më i lartë i institucioneve të shtetit shqiptar shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen personale dhe institucionale ndaj besimit fetar, mirësisë që sjell ai në jetën tonë të përditshme.
“Jo më larg se dje, – u shpreh Presidenti, – në prani të qindra miqve të ardhur nga shumë vende të rruzullit në kuadër të Takimit Ndërkombëtar “Paqja është gjithmonë e mundshme” me rastin e përvjetorit të njëzetë të rivendosjes së paqes në Ballkan pata mundësinë dhe kënaqësinë t’u drejtohem atyre duke nënvizuar me krenari atë që tashmë është pjesë e identitetit tonë kombëtar: Tolerancën dhe harmoninë fetare që ekziston midis besimeve fetare në Shqipëri! Them me krenari, sepse toleranca dhe harmonia përbëjnë një vlerë dhe një e vërtetë më se e padiskutueshme e të kulluar shqiptare!”
Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit kujtoi me respekt fjalët e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashi, Ahmed Myftar Dedes, i cili në fillim të viteve ’40-të të shekullit të kaluar thoshte se: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi”.
Gjatë fjalës, Presidenti theksoi gjithashtu se Bektashizmi, si një doktrinë islame përcillet tek ne si një rrugë që e udhëheq besimtarin dhe e shpie atë afër Zotit, e mëson të jetë tolerant ndaj çdo lloj besimi tjetër, duke shtuar se “Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka dhënë dhe vijon të japë kontributin e saj të çmuar në krijimin dhe pasurimin e tolerancës, bashkëjetesës, paqes sociale, qetësisë shpirtërore, urtësisë, dialogut dhe respektit njerëzor, elemente kaq të rëndësishme për shoqërinë tonë, por dhe padyshim, për mbarë rajonin dhe realitetin ku jetojmë”.
Në përfundim të fjalës, Kreu i Shtetit shqiptar uroi me rastin e ditës së veçantë të përurimit të Odeonit, Faltores Qendrore Bektashiane, ku shprehja “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” trupëzohet më së miri duke gjetur vendin që meriton”./a.g/
andoni says
Si ka mundesi qe te mungoj ne kete ngjarje njeriu shume i ditur fillozof,politikan, intrgant, dinak prifti grek afullatua ne kete rast.
Qenia e tij do ta kish njollos kete moment.