–Kreu i shtetit ka takuar liderë botërore nga vende që e kanë njohur dhe që nuk e kanë njohur Kosovën/
Nju Jork, 23 shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmbyllur vizitën e tij pesëditëshe në Nju Jork, ku ka zhvilluar takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, presidenti Thaçi, bashkë më Zonjën e Parë të shtetit, Lumnije Thaçi, u pritën nga çifti presidencial amerikan, presidenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump. I pari i vendit pati edhe një takim të shkurtër me presidentin Trump.
Kreu i shtetit ka takuar liderë botërore nga vende që e kanë njohur dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, ku ka kërkuar mbështetje për konsolidimin e pozitës së shtetit në skenën politike globale, për njohje të reja të vendit dhe për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Presidenti Thaçi ka zhvilluar takime bilaterale me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me Ushtruesen e Detyrës së Ndihmës-Sekretares për Çështje Evropiane në Departamentin amerikan të Shtetit, Elizabeth Millard, Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në takimin e organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Mirosllav Llajçak, Mbretin Abdullah II të Jordanisë, Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, Kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar, Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, Kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, Presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina, Ministrin e Jashtëm të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ibrahim Ghandour, Sekretarin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Dr. Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen, Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, Sekretarën e Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Michaëlle Jean, Kryeministrin e Andorrës, Antoni Martí, Presidenten e Mauricius, Ammenah Gurib, Presidentin e Gajanës, David Arthur Granger, Presidentin e Sao Tome dhe Principe, Evaristo do Espírito Santo Carvalho, Kryeministrin e Togos, Komi Sélom Klassou, Kryeministrin e Ishujve Solomon, Manasseh Sogavare, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Saint Vincent dhe Grenadines, Sir Louis Straker.
Presidenti Thaçi takoi në Nju Jork zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit
23 shtator 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar në Nju Jork Ushtruesen e Detyrës së Ndihmës-Sekretares për Çështje Evropiane, Elisabeth Millard, dhe Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee.Kreu i shtetit, i falënderoi sekretaren Millard dhe zëvendës ndihmës-sekretarin Yee për mbështetjen e fuqishme dhe marrëdhëniet speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
“Ne jemi të vendosur të punojmë së bashku me SHBA-në, për të konsoliduar pozitën e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar, duke forcuar raportet tona strategjike me komunitetin euro-atlantik, duke fituar më shumë njohje dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit.
Ai tha se Kosova po punon që të përmbush prioritet kryesore qe ndërlidhen me zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit te ligjit, plotësimin e kritereve për anëtarësim ne BE dhe NATO.
Ne takim u diskutua edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Thaçi theksoi se përfshirja direkte e SHBA-së në këtë fazë përfundimtare është e domosdoshme për të siguruar një marrëveshje përfundimtare të pranueshme dhe të zbatueshme për të dy palët e cila do të forcoj paqen dhe stabilitetin ne rajon dhe me gjerë./b.j/