Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar të enjten për planin ambicioz të krjimit të “Forcës Hapësinore” si kategori të gjashtë të ushtrisë së SHBA-së deri më 2020.Nënpresidenti amerikan, Mike Pence e ka përshkruar Forcën Hapësinore, gjatë një fjalimi në Pentagon, si “ide, koha e së cilës ka ardhur”.
“Amerika do të kërkojë gjithmonë paqe në hapësirë, ashtu sikurse edhe në Tokë. Mirëpo historia na ka treguar se paqja vjen vetëm përmes fuqisë dhe në sferën e hapësirës së jashtme, Forca Hapësinore e Shteteve të Bashkuara do të jetë ajo fuqi në të ardhmen”, ka thënë Pence.Ai ka shtuar se Kongresi duhet të veprojë menjëherë duke themeluar dhe financuar këtë department.
Presidenti Trump ka thënë në një postim në Twitter se “Është duke ardhur Forca Hapësinore”.
Kjo Forcë do të jetë përgjegjëse për një varg të kapaciteteve të rëndësishme të ushtrisë amerikane duke nisur nga satelitët që mundësojnë Sistemin e Pozicionimit Global (GPS), e deri te sensorët që ndihmojnë në nisjen e raketave.
Mirëpo kritikët e kanë cilësuar krijimin e kësaj Force, si të panevojshme dhe përpjekje burokratike të kushtueshme, që anashkalon punën që veçse është duke u bërë në mënyrë të duhur nga Forcat Ajrore.