
Prof. Milazim Krasniqi/
Problemi themelor është se Kosova për Serbinë është çështje religjioze, kulturore-civilizuese dhe kombëtare e jo çështje politike. Kjo ka qenë që nga fillimi një huqje e tmerrshme e politikanëve dhe qeveritarëve tanë. Serbia ka pasur çështje të hapura politike vetëm me Slloveninë e me Maqedoninë, të cilat edhe janë zgjidhur me lehtësi. Me Kroacinë e ka të hapur një segment të çështjes kombëtare, por edhe atë të humbur përfundimisht, pas fitores ushtarake të Kroacisë me operacionet ushtarake “Blesak” dhe “Olluja.” Disa aspekte të çështjes kombëtare Serbia i ka të hapura edhe me Bosnjën, por jo aspektin religjioz. Drejt Malit të Zi ka pretendime imperiale, ndërsa në aspektin religjioz e kulturor e sundon Malin e Zi efektivisht.
Pra, në tërë kuadrin e pretendimeve serbe, Kosova është rast i veçantë. Në drejtim të Kosovës Serbia ka pretendime religjioze, kulturore-civilizuese dhe imperiale në të njëjtën kohë. Ky pretendim shënsavist, problemin e bën të pazgjidhëm me mjetet që po përdoren për ta zgjidhur, vetëm si problem politik. Sikundër dihet edhe nga raste të tjera, çështjet religjioze, kulturore e kombëtare nuk mund të zgjidhen si çështje thjesht politike, sidomos kauzat religjioze. Jerusalemi është një shembull. Prandaj, jo rastësisht hierarkët e Kishës Ortodokse Serbe, po edhe udhëheqësit politikë e shtetërorë të Serbisë, vazhdimisht e quajnë Kosovën si “Jerusalem serb.” Ndërsa përfaqësuesit tanë, kurrë nuk e kanë kuptuar e as nuk po duan ta kuptojnë këtë qasje religjioze ndaj konfliktit tonë me Serbinë. Përfaqësuesit tanë tentojnë ta thjeshtëzojnë problemin, ta paraqesin si problem politik. Ndërsa, ky nuk është (vetëm) problem politik.
Natyrisht, të huajt mund ta kuptojnë edhe më pak pretendimin serb, po edhe nëse e kuptojnë, atyre nuk u bëhet vonë, sepse nga komplikimi i krizës, ata vetëm sa marrin më shumë fuqi prezence, ndërmjetësimi e arbitrimi. (Fragment nga një tekst më i gjatë)