
PRIJATARËT E LAVDISË
Të mbushim duar e krahë me lule borë
Aromë e tyre të shpërthejë si dielli mëngjesor
Të blerojnë ujëvarë meloditë e bukura të historisë
Të derdhen si dallgë detesh urimet e lavdisë
Me fije dielli të pikturohet në memoriet rinore
Legjendë kreshnikësh me rrënjë stërgjyshore
Të ngriten lartë flamujt, deri sa qielli të çahet
Histori e Marsit rreth oxhakut le të rrëfehet
Zogjtë shtegtarë kur të pushojnë mbi kullë
Borë e Çyçavicës le të shkrijë si gurrë
Në gji të lëndinës ëndrra shekullore është bekim
për çdo plumb pushke le të dëgjohet një rrëfim
Sqep më sqep amanetet e Bacës të ligjërohen
Me fjalë pranverash kurorat të zbukurohen
Melodia e lahutës le të jehojë në brezni
Të jetojnë trimat rinueshëm në përjetësi
Të lutem qiell mos na sjell pikëlotin dhembshëm
Shqyeji retë, zbrite ylberin gazmueshëm
Me pendë bilbilash le të shkruhet Marsi i Lavdisë
Ciceronët le të flasin për Prijatarët e Lirisë!
NATA DE TERRA
(E lindur nga Toka)
Trupin e lodhur e tërhoqa zvarrë
Shtigjeve të panjohura, shtete e dete
Rrënjët më mbetën atje me shpirtin e vrarë
Aromën e Tokës Amë e solla me vete
Flas me Alpet e Shqipes hijerënda
Gjuha e lashtë ma këndon himnin
Rrjedha e lumenjve kristalorë
Qysh moti ma ka rrëmbyer shikimin
Vazhdo të jesh gjithmonë unike
E dëgjoj një zë që heshtas më flet
Jeta dhe vdekja janë dy mike
E lindur nga Toka, kthehu, se ajo të pret!
BREGDETIT TË VLORËS
Porsi zanë vrapoj buzë Jonit,
më rilind dashurinë e motit
Me bleron fjala në mes kaltërsive,
gëzimi pikëlotin ua fal thellësive
Sytë e mi sot janë një det i tërë,
jod e jargavan frymarrja merr
Përmbi zall dielli zbret mushtin,
era i flet dallgës kurrë mos të heshtin
Valëzojnë palmat buzë bulevardit të Vlorës,
cicërojnë butësisht gjuhët e botës
Je luleborë, je këngë dasme,
rrezëllimë mbi dritare parajse
Hiret e vajzave vala ua përkëdhel
në sytë e kaltërt dollinë e derdh
Vargu i poetit bëhet këngë zogu
drithërojnë tingujt n’zemrën e Adriatikut!
NDËRTUAN URË-LIDHJEN
Ritmet e nisjes pëshpëritnin
Nga pritja me zemër të sfilitur
Mozaik lotësh qetas rridhnin
Shtigjeve shpresëhumbur
Në kalendarin e zgjatur stinësh
Dëshirat nuk patën heshtje
Si mijëra grimca kristalesh
Ëndrrat tingëllonin qiejve
Sytë iu reflektonin shkëndijëza
Me vështrimin drejt tokës mëmë
Metropoleve derdhej djersa
Vendlindjen e kishin diell e hënë
Malli i grumbulluar digjej si zjarr
Heshtja thyente melodinë e fjalës
Atdheun e ruanin si thesar
Mbështjellë në arkivat e zemrës
Ndërtuan urë-lidhjen
Me dallëndyshet i bëjnë udhëtimet
Rrëfejnë vajtje- ardhjet
Qiejve i kanë takimet
PRISHTINA
në vjeshtë restorantet fillojnë të braktisen
sheshet dhe trotuaret e kalldremta boshatisën
drejt aeroportit mërgimtarët vërshojnë si lum
Prishtina nga mërzia duket se ka rënë në gjumë
i mungon kumbimi i të të qeshurave të vona
E malli syve iu pëlcet bulevardeve tona
flamuj as suvenire askush nuk do të shes
Prishtina duket si qielli pa yjet ndezë
gotat që u thyen gjatë netëve në cakërrim
nga çdo zemër derdhej një përmallim
diku takuan një mik, diku një shokë fëmijërie
Prishtina pa vizitorë duket se ka shqetësime
grumbuj njerëzish në lokale çdo natë u panë
shtrëngime duarsh dhe përqafime si kujtime lanë
malli i pashuar çon çdo stuhi peshë
Prishtina sërish do t’iu përqafoj duke buzëqeshë
Foto: www.albanianbookfest.com