![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2021/11/At_Gjergj_Fishta.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2021/11/250px-WilhelmPrinceAlbania.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2021/11/1ab-Sokol-Paja-ok-2.png)
Sokol PAJA/
Të gjitha besimet fetare në Shqipëri që nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri në Shpalljen e Pavarësisë u shndërruan në një element bashkimi të fortë dhe atdhedashurie. Vuajtjet e gjata që përjetonte populli shqiptar prej pushtuesve, konfliktet e vazhdueshme me fqinjët, luftërat ballkanike, qëndresa e vazhdueshme e popullatës për mos copëtimin e territoreve shqiptare, lobimit në kancelaritë Perëndimore për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare, ishin faktorë themelorë që e mbajtën gjallë frymën e bashkëpunimit në popull si dhe midis klerit fetarë, të cilët e konsideronin një domosdoshmëri dhe detyrim kombëtar. Veprimtaria shpirtërore, atdhetare, diplomatike, klerikale e mediatike e klerit katolik pati një rol te rëndësishëm dhe kontribuoi në bashkimin e shqiptarëve për interesa kombëtare. Në kushtet e tensioneve dhe rebelimeve të vazhdueshme në Ballkan, shqiptarët kishin qëllim kryesorë ruajtjen e paprekshmërisë së Shqipërisë së Pavarur dhe konsolidimin e Shtetit në rang Kombëtarë dhe Ndërkombëtarë. Klerikët katolikë me në krye At Gjergj Fishtën patën ndikim pozitiv dhe mbështeste ardhjen në Shqipëri të Princit, Vilhelm Vidi Vidi. Princ Vidi erdhi në Shqipëri në 7 mars 1914 dhe gjeti mbështetjen e klerit katolik duke shpresuar se do të gjenin shpëtim kombëtar edhe për shkak se Ai ishte perëndimor dhe gëzonte mbështetjen e Austro-Hungarisë si dhe për faktin se Perandoria Habzburge ishte mbrojtëse e krishterimit në Evropë. Për ardhjen e princ Vidit dhe për politikën që do të ndiqte në Shqipëri shkruan gazeta dhe revista të ndryshme të kohës. Në këtë publikim do të veçoja shkrimet e revistës “Hylli i Dritës”, drejtuar prej At Gjergj Fishtës, kryesisht në numrin 6 e 7 të vitit 1914. Shkrimeve e botuar ne revistën“Hylli i Dritës”, referohen me titujt përkatës: “Kena Mretin tonë” dhe “Kohë e re n Shqypnijë”. Aty tregohet qartë se me ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, vendi do të ndryshohet për së miri dhe do të forcohet më shumë aparati shtetëror dhe politika e jashtme. Në shkrimin e parë vërehet dhe del në pah pritja me entuziazëm e Princ Vidit, shpëtimi dhe autoriteti që do të vendoste Princi i huaj për forcimin e shtetit shqiptar. Po aty citohet se Fishta nuk harron së theksuari se nuk mjaftonte që të thërrasim rroftë Shqipëria por që të gjithë të ndërgjegjësohemi dhe të punojmë për të mirën e atdheut tonë dhe për ndërtimin e shtetit shqiptar. Dita e ardhjes së Princit, sipas Fishtës është një ditë e madhe për kombin shqiptar pasi e konsideronte si shpresë dhe mundësi e mirë për të shuar problemet e brendshme të krerëve të ndryshme shqiptar dhe për konsolidimin e Shtetit në gjeopolitikën perëndimore. Më e rëndësishmja dhe themelorja sipas Fishtës në këto dy shkrime del formimi dhe përdorimi i një statuti bazë si ligjë që drejton shtetin dhe institucionet. Gëzimi dhe përkrahja shfaqet në mënyrë maksimale dhe entuziaste në faqet e revistës “Hylli i Dritës” me titull: “Koha e re n’Shqpnije” në numrin 6, faqe 169 të vitit 1914. Citoj: “Kaa Shqypnije kaa. Edhe pak ditë e Mreti po vjen me xanë vendin që i takon e selinë e tij, e armiqtë e Shqypnijës që janë mundue me paat shkimun e t’hupun prej ftyrës së tokës popullin dhe komin shqiptar, kanë më cuce ambasadorët e vet me përshëndetë Mretin e Shqiptarevet Vidin. Shqypnija u ba mretni vetëm prej Evropet, e jo prej noj veprimit të vedit, por për me gjallnue e për me gzue duhet me veprue. Me dashtë me e majtë n’jetë mretninë tonë të Shqypnijes lypet qi qeveria posa e ndertueme, do të jetë e pamvarme e as s’do të jete e detyruese me i dhanë arsye kërkujt për punët e veta, pose Mretit tonë dhe kombit”. Ardhjen e Princ Vidit klerikët katolikë e personifikonin me rilindjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe me vendosjen e një rregulli të gjithëmbarshëm. Vetëm mbreti Vilhelm Vid mund ta shpëtonte një vend si Shqipëria që vinte me ato trazira dhe një robërie 500 vjeçare osmane. Shqipëria sipas Fishtës do të bëhet dhe do të eci sa më lart në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të kombit dhe të shoqërisë shqiptare. Pra, ardhja e Mretit u prit me shumë entuziazëm dhe pëlqim pasi tek ai vareshin shpresat e kombit dhe të rindërtimit të shtetit dhe të administratës shtetërore shqiptare të brishte. Ky shtet sipas Fishtës do të ndërtohej dhe nuk do të ishte i detyruar që të jepte llogari tek askush veç do të punonte më ç’të mundte për një zhvillim dhe përparim të shtetit shqiptar. Revista “Hylli i Dritës” në botimin pasardhës, numër 7, viti 1914, faqe 203 titullohet: “Kena mretin tonë” At Gjergj Fishta shprehet: “Ky Mret tue u dhanë mendve shqiptare shkas kish diea, kaa me i ardhë vendit përparmi i vërtetë, e lirija e popullit tonë s’ka me kënë ma e aq e kundërshtueme. Ky Mret ka me ditë me avitë zëmrat e popullit që për fat të zi u gjetne larg njana-tjetrës , e drejtësie qi ky ka me çue zanin e vet kundra njatyne qi n’çdo mndyrë trazojnë qetësinë e vendit, apo me shkrrye visaret e kombit. Kena Mretin tonë teri lotët moj nanë shqiptare e gzou, gzoju ti qi tuj përkunde foshnjen e gatoshe vetun per me u ba aj fli n’therore të atdheut”. Fishta bën thirrje në “Hyllin e Dritës” për përkrahje të përgjithshme për Princ Vidin pasi do të quhet me plot gojën si një shpëtimtar për popullin shqiptar. Sipas At Fishtës, ardhja e Mbretit Vidi duhet të gëzonte të gjithë sepse Ai do të ndriçojë mendjen e shqiptarëve, do të mbrojë Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm dhe do ta forcojë automatikisht shtetin shqiptar me diturinë dhe personalitetin e tij siç ishte Mbreti i shqiptarëve në një kohë kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për bashkim. Në këto shkrime del qartë se kleri katolik, me në krye at Gjergj Fishtën shprehu besueshmëri dhe optimizëm në suksesin e Princ Vidit në për stabilizimin e vendit dhe për konsolidimin e Shqipërisë në aspektin politik të brendshëm dhe atë të jashtëm.