Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës duhet t’ia tërheq vërejtjen përfaqësuesit serb në Prishtinë se ai nuk mund të sillet si të dojë e të përzihet edhe në punët e brendshme të vendit tonë/
Opinion XHAVIT ÇITAKU/
Udhëheqësin e listës serbe të Parlamentit të Republikës së Kosovës, Jablanoviq, e ka kapur aq shumë për “ bark” formimi i asosacionit të komunave serbe se sa që ka interesim për t’u organizuar mbledhja e këtij organi më të lartë legjislativ, e cila pritet të mbahet gjatë kësaj jave, në të cilën do të funksionalizohet puna e tij dhe pritet që të formohet edhe qeveria e re. Bile në deklaratat e tij ky politikan i ri serb shkon aq larg sa që humb durimin e pritjes për të “ diktuar” edhe rendin e ditës në atë mbledhje, ku në pikën e dytë, sipas tij, duhet të jetë formimi i asosacionit serb pa pasur kurrfarë përgatitje dhe një dokument të duhur e të qartë se si do të duket në praktik funksioni i këtij organizmi. Jablanoviq shkon edhe më tej duke i dhënë vetës të drejt të thotë se ky organizem, që ka për qëllim një formë të bashkëpunimit të komunave të populluara me pakicën serbe, do të këtë autorizime të mëdha qeverisëse, apo më mirë më thënë një organ “ ekzekutiv” paralel kundruall organeve qendrore të vendit. Këto deklarata sikur i vërtetoj edhe drejtori i zyrës ndërlidhëse të Serbisë i vendosur në Kryeqendrën tonë, Gjokiq, i cili tha se pas formimit të asosacionit të komunave serbe, dialogu i institucioneve të Prishtinës nuk do të zhvillohet më me Beogradin, por me përfaqësuesit e këtij organizmi, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, veç është vendosur për t’i dhënë një formë të “ autonomisë” veriut të Kosovës. Edhe pse këto deklarata, sidomos ajo politike e përfaqësuesit të Serbisë, janë të patolerueshme dhe përzierje direkte në punë të brendshme të Republikës së Kosovës, çuditërisht në asnjë rast nuk dëgjuam nga Ministria e Punëve të Jashtme, as nga pozita e as nga opozita një reagim të ashpër. Kjo nuk është vetëm përzierje në punët e brendshme të vendit tonë, por edhe një formë e rrezikimit të integritetit të vendit dhe dhënies së sinjalit të qartë se Serbia nuk ka heq dhe as që ka ndërmend të heq dorë nga pretendimet e saj territoriale ndaj vendit tonë. Së këndejmi, institucionet tona përkatëse por edhe qeveria duhet të kundërshtojnë tash dhe në të ardhmen që këto deklarata e synime për të ndarë pjesë të territorit të Kosovës të mos ndodhin më dhe t’ua tërheq vërejtjen këtyre “ lakmitarëve” të tokës dardane dhe atyre që kryejnë punë diplomatike në Prishtinë se kështu nuk mund të sillën e të veprojnë në një shtet sovran e të pavarur të pranuar nga 108 shtete të botës.
Asosacion e bazuar në ligj dhe Kushtetutë
Duhet t’ia përkujtojmë Jablanoviqit dhe të tjerëve se jo që në seancë nuk do të jetë në rend të ditës aktual formimi i asosacionit serb por as që do të këtë autorizime ashtu siç fantazoni ju në kokën tuaj. Me nguti e pa detaje të qarta nuk mund të kryhet asnjë punë e lëre më një çështje që është e lidhur drejtpërsëdrejti më sovranitetin e vendit. Pra, asosacioni, siç ka thënë Edita Tahiri, do të formohet bazuar në ligjet dhe aktin më të lartë juridik- Kushtetutën, apo thënë më mirë identik me atë organizem që ka qenë në legjislaturën e kaluar të Parlamentit të Kosovës. Në një shtet të vogël, siç është Kosova, formimi i një organizmi politik qeverisës, ashtu siç pretendon ky politikan serb, do të thotë barazi me dhënien e një autonomie për serbët e veriut dhe afrimin e saj edhe më shumë me Beogradin pa dhënë asnjë herë llogari tek organet qendrore të Kosovës. Ndaj, nuk e besoj se delegatët e Kosovës do të lejojnë dhe votojnë një gjë të tillë dhe këto kërkesa absurde që bien ndesh me Kushtetutën. Delegatët dhe institucionet, por edhe populli shumicë tash dhe në të ardhmen do të punojnë e do të dëshmojnë për integrimin e pakicës serbe në çdo pore të jetës e punës dhe për pjesëmarrje të barabartë me të gjithë të tjerët sipas forcës e votës në të gjitha organet e institucionet e Republikës së Kosovës, por jo për me shumë të drejta se sa të tjerët, ashtu siç kërkon Jablanoviq, se ose do të përfaqësohen me shtatë për qind në çdo formë të qeverisjes ose serbët dot bojkotojnë pjesëmarrjen e tyre. Me kërcenime e kërkesa të pambështetura në fakte nuk mund të ndërtohet e zhvillohet jetë e përbashkët. Edhe vetë ky përfaqësues i listës serbe e di dhe është i bindur se shtatë përqind është shumë dhe nuk përkon me numrin e pakicës serbe që jetojnë në Kosovë. Duhet nisur nga realiteti i krijuar dhe nga e drejta e patjetërsueshme që populli shqiptar kishte në ish- Jugosllavi, si popull i tretë për nga numri i banorëve, si element konstituiv, që të vendos për fatin e vetë pas shkatërrimit të asaj krijese artificiale.
Për fqinjësi të mirë edhe me Serbinë- si dy shtete të barabarta
Krijimi i raporteve të mira me fqinjë sigurisht se është një gjë e mirë dhe që konsiderohet si një standard i lartë i ndërtuar më shumë sakrifica sidomos nga lufta e dytë botërore e këndej. Tashmë bëhet pak fjalë për ndërrim kufijsh e apetitesh tjera gllabëruese të tokave të huaja, pos Rusisë, por edhe Serbisë. Ndërkaq, duke pasur fqinj Serbinë, Kosova dhe institucionet e saja janë të përcaktuara se përkundër gjithë atyre tmerreve që i ka shkaktuar ky shtet popullit shqiptar, të angazhohet për krijimin e kushteve për një fqinjësi të mirë edhe me këtë shtet. Mirëpo, edhe Serbia duhet ta heq nga “ koka” njëherë e përgjithmonë synimin e saj për të përvetësuar ndonjë pjesë të Kosovës në dobi të saj, sepse nga shpallja e pavarësisë çdo gjë ka marrë fund. Pra, gjithnjë tash dhe në të ardhmen shteti serb duhet të niset dhe të bindet se Kosova është e humbur dhe më kurrë kthim prapa nuk ka. Në çdo nismë, marrëveshje dhe çështje tjera me interes, të dyja palët janë të barabarta, si dy shtete të pavarura e sovrane. Vetëm kështu dhe pa ndërskamaza mund të ndërtohet një fqinjësi e mirë, që do të ndikoj edhe në integrimin më të shpejt të serbëve të Kosovës në të gjitha instancat shtetndërtuese të vendit, por edhe të integrimit të këtyre dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Delegatët e Parlamentit kanë përgjegjësi të madhe për votën e tyre rreth asosacionit
Megjithatë, me duken pak të habitshme deklaratat e pafundme nga personalitete të ndryshme të BE-së, por edhe të diplomatëve të akredituar në vendin tonë se ndër prioritet kryesore të faktorit politik të Kosovës është vazhdimi i dialogut me Beogradin, deklarata këto sikur i kanë “ rebeluar” përfaqësuesit e serbëve shtetas të Kosovës. Krijohet bindja se këto personalitete dhe shtetet që ata i përfaqësojnë me shumë janë të orientuara në këtë drejtim se sa zgjidhja e problemeve madhore që ka hëpërhë vendi ynë e sidomos me shkallën jashtëzakonisht të ulët ët zhvillimit ekonomik, ku për çdo ditë e më shumë po krijohen rreshta të gjatë të pritjes për një vend pune. Ndaj, edhe do të ishte e udhës që këta diplomatë të akredituar në vendin tonë, por edhe qeveritë e shteteve të zhvilluara ekonomike evropiane dhe SHBA-të më shumë të angazhohen për të joshur investitorë në mënyrë që të ndërtojnë kapacitete të reja prodhuese dhe kështu të hapen vende të reja pune si dhe të ndërpritet sado pak ikja e të rinjve për një jetë më të mirë pikërisht në këto vende që aq shumë i japin prioritet këtij dialogu.
Pa dyshim se nisja e bisedimeve me Beogradin duhet të vazhdoi dhe një ditë edhe të përfundoi, por nuk është e udhës që gjithnjë t’iu “ rrihet” mbi kokë institucioneve kosovare se ky dialog na qenka aq shumë i rëndësishëm kundruall shumë telasheve të tjera me të cilat po ballafaqohet Kosova nga pas lufta e këndej. Institucioneve të reja duhet t’iu japim kuroja dhe ato të kenë guxim e forcë për të përballuar çdo trysni, pa marrë parasysh se prej kujt, që të vendosin drejt e bazuar në Kushtetutë për secilën çështje që do të hynë në rend dite gjatë qeverisjes katërvjeçare. Posaçërisht delegatët e Kosovës kanë përgjegjësi të madhe që të mos lejojnë në asnjë mënyrë që të luhet me fatin, përkatësisht me integritetin territorial të vendit, duke hedhur poshtë çdo kërkesë që është në kundërshtim më ligjet pozitive në fuqi .
Dhe krejt në fund. Prioritet i prioritete është zhvillimi ekonomik dhe hapja e perspektivës për qytetarët e vendit tonë e jo dialogu me Beogradin.