
Shpëtim Axhami/
Nga data 1 deri më 3 gusht 1943, në fshatin Mukje u zhvillua një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare, Konferenca e Mukjes. Ajo solli Marrëveshjen e Mukjes, një akt i rrallë uniteti kombëtar, që synonte bashkimin e forcave nacionaliste dhe komuniste në një luftë të përbashkët kundër pushtuesit fashist, përkrah aleatëve të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore.
Kjo marrëveshje tregoi qartë se nacionalistët dhe e djathta tradicionale shqiptare ishin dhe mbeten në anën e interesit kombëtar, në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. Ndërkohë, e majta sllavo-bolshevike e shihte luftën si trampolinë për të marrë pushtetin, edhe nëse kjo do të thoshte sakrifikimin e çështjes kombëtare.
Çfarë përmbante Marrëveshja e Mukjes?
•Bashkëpunim i menjëhershëm ushtarak kundër pushtuesve, në koordinim me aleatët ndërkombëtarë;
•Krijimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, me përfaqësim të barabartë (nga 6 përfaqësues) nga të dy palët – nacionalistë dhe komunistë;
•Forma e regjimit do të vendosej pas luftës, sipas vullnetit të popullit, duke ruajtur mundësinë e rikthimit të Monarkisë Kushtetuese, si forma legjitime e regjimit para luftës.
Po të ishte zbatuar Marrëveshja e Mukjes, Shqipëria do të kishte një tjetër fat historik: pushteti komunist nuk do të vendosej, dhe ëndrra për Shqipërinë Etnike do të ishte më afër realizimit. Por kjo marrëveshje u tradhtua brutalisht nga Enver Hoxha dhe Partia Komuniste Shqiptare, nën urdhrat e PKJ-së jugosllave, e cila kishte frikë nga një Shqipëri e bashkuar dhe e lirë.
Pas prishjes së marrëveshjes, Abaz Kupi, deri në atë moment figura kyçe që bashkërendonte formacionet nacionaliste dhe një nga drejtuesit e Komitetit të Mukjes, e dënoi publikisht tradhtinë dhe në nëntor 1943 themeloi Organizatën Kombëtare Lëvizja e Legalitetit (OKLL). Kjo lëvizje nacionaliste qëndroi krah forcave aleate në luftë kundër pushtuesve, duke përfaqësuar aspiratën për një Shqipëri të bashkuar dhe me regjim Monarki Kushtetuese.
Për këtë qëndrim të palëkundur kombëtar, Enver Hoxha urdhëroi vrasjen e Abaz Kupit dhe të shumë drejtuesve të tjerë nacionalistë, zogistë dhe ballustë, të cilët kishin firmosur Marrëveshjen e Mukjes. Kështu nisi gjenocidi vëllavrasës komunist, një politikë e pastrimit të kundërshtarëve politikë dhe një kapitull tragjik i historisë shqiptare, ku Shqipëria u zhyt në errësirën e diktaturës dhe çështjet kombëtare mbetën peng i Beogradit dhe Moskës.
Konferenca dhe Marrëveshja e Mukjes mbeten simbol i vizionit kombëtar dhe bashkimit për Shqipërinë, ndërsa prishja e saj është një nga aktet më të rënda të tradhtisë kombëtare. Sot më shumë se kurrë, shqiptarët duhet të nxjerrin mësime nga historia: mosbesimi ndaj ideologjive të huaja, refuzimi i çdo tradhtie që vjen në emër të pushtetit personal, dhe mbi të gjitha, besimi te vullneti dhe uniteti kombëtar.
“ATDHEU MBI TË GJITHA!” ![]()