-Panair i librit me 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare/PRISHTINË, 7 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë, u hap mbrëmë Panairi i Librit, edicioni i 19-të, në të cilin deri në 11 qershor prezantohen mëse 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare me rreth 1.200 tituj të rinj e 4.000 të tjerë, të viteve të fundit.Sipas pritjeve të organizatorit, Shoqatës së Botuesve të Kosovës, do jetë mëse 40 mijë numri i vizitorëve në panairin që e shndërron Prishtinën edhe në kryeqytet libri.Gjatë ditëve të panairit, si tradicionalisht, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore.Shënohet 600-vjetori i lindjes së Pal Engjëllit, 300-vjetori i lindjes së Françesk Avatit, 220-vjetori i lindjes së Naum Veçilharxhit, 160-vjetori i lindjes së Visar Dodanit, 150-vjetori i lindjes së Mati Logorecit, 120-vjetori i lindjes së Shime Deshpalit, 110-vjetori i lindjes së Mitrush Kutelit, 100-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, Sotir Cacit, Ndue Bytyçit, Heinrich Böll, Sidney Sheldon, Robert Loëell, Huan Rulfo, 80-vjetori i lindjes së Anton Pashkut e Ali Sutajt, si dhe 30-vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit.Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit.Me trofeun e panairit do të nderohen, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar, si dhe projekti kapital.Pjesë e aktiviteteve janë edhe shpallja e shkrimtarit të vitit në letërsi shqipe dhe në letërsi të huaj, si dhe e stendes më të vizituar.Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj.“Në këtë panair marrin pjesë të gjithë botuesit shqiptarë”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, në ceremoninë e hapjes, ku ishin edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, shkrimtari e diplomati Besnik Mustafai dhe aktori Çun Lajçi, i cili recitoi një poezi.Para 18 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.
Hoti premton përkrahje për krijuesit dhe komunitetin artistik
Gjatë një vizite që i bëri Panairit të Librit në Prishtinë, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën se zhvillimi i teknologjisë ka ndikuar që qytetarët të lexojnë më pak libra, por synimi ynë është që teknologjia dhe librat ta plotësojnë njëra tjetrën.
“Kam një admirim të madh për krijuesit dhe botuesit në të gjitha trevat shqiptare dhe kudo në botë. Lexuesit dhe botuesit janë model i bashkimit të kulturës dhe letërsisë sonë shqiptare. Ky model i integrimit duhet të vazhdohet edhe në fushat tjera”, ka thënë Hoti.
Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët që të vizitojnë Panairin e Librit, sepse në këtë mënyrë bëhet një komunikim më i drejtpërdrejtë ndërmjet lexuesve, krijuesve dhe botuesve.
Hoti ka premtuar përkrahjen e qeverisë së re për të gjithë krijuesit, komunitetin artistik dhe shtëpitë botuese.
“Ju do ta keni mbështetjen tonë ashtu siç e keni pasur deri më tani në çdo panair të librit.
Teknologjia informative ka bërë që libri të lihet pak anash, por unë besoj që do ta kombinojmë mirë teknologjinë informative me leximin e librave”, ka thënë Hoti.