Raporton nga Prishtina korrrespondenti i Diellit Behlul JASHARI/
– Protesta në Prishtinë, AAK-Nisma: Dhjetëra mijëra pjesëmarrës nga gjithë Kosova, Policia – rreth 5.000 pjesmarres- AAK: Pse po rren policia?/
-Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Protesta AAK-NIsma ne Prishtinë, 14 maj 2016/
PRISHTINË, 14 Maj 2016/ Sipas organizatorëve, në Prishtinë në protestën e sotme opozitare AAK-Nisma kundër qeverisë ishin dhjetëra mijëra qytetarë nga gjithë Kosova, kurse sipas Policisë kosovare rreth 5 mijë.
Njofimi i sapodërguar nga AAK-Nisma thekson se, dhjetëra mijëra qytetarë nga gjithë Kosova sot kanë dëshmuar qytetari dhe vendosmëri për të kundërshtuar gjendjen e rëndë në vend dhe fajtorët kryesorë të kësaj gjendjeje.
“Edhe në këtë protestë është vërtetuar se populli opozitar në Kosovë është në rritje. Kultura e demonstruar sot nga qytetarë të të gjitha viseve, që si asnjëherë kishin mbushur Sheshin Skenderbej, është forca e Boshtit Opozitar, se ai është në rrugë të mirë për të adresuar çështjet që sot e prokupojnë qytetarin e Kosovës, kjo pa dallim përkatësie”, thuhet në njoftim.
Shtohet se, të gjithë ata qytetarë që sot, edhe pse mot me shi, vendosën të ishin pjesë e protestës në Prishtinë, ishin zemra e kundërshtimit të këtij pushteti dhe shpresa se Kosova do të kthehet në rrugë të mbarë.
“AAK dhe Nisma i falëndëron të gjithë ata që kontribuan që kjo protestë të ishte masovike, e qetë dhe qytetare, duke përfshirë aktivistët e shumtë, mediat dhe opinionin publik, si dhe organet e rendit”, vijon njoftimi.AAK dhe Nisma më tej theksojnë se janë të vendosur që rrugës së kundërshtimit t’i shkojnë deri në fitore të plotë, që është përfillja e vullnetit të sovranit, dhe ne do të jemi në shërbim të tij.“Protesta e sotme, ishte edhe një mundësi më shumë, që ata që ende hezitojnë t’i ngjiten këtij kundërshtimi qytetar, të reflektojnë”, përfundon njoftimi i nënshkruar nga AAK & Nisma.Ndërsa, në komunikatën e dërguar pak më parë nga Policia e Kosovës thuhet: Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e lajmëruar nga këshilli organizativ i protestës ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, e cila është mbajtur sot (14.05.2016) në orën 14:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e protestës, i cili ka pasur për qëllim mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestës.Policia e Kosovës (PK) si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.Institucioni i PK-se e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi. Protesta në të cilën kanë marrë pjesë rreth 5.000 protestues, pas fjalimeve të disa personaliteteve, rreth orës 15:05 minuta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.Policia e Kosovës çdo herë do të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit duke respektuar të drejtat e qytetarëve, si dhe duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore, përfundon komunikata.
AAK: Pse po rren policia
Kjo udhëheqja e policisë së Kosovës, ka nevojë të shkojë edhe njëherë në shkollë fillore. Jo për tjetër, po nuk është shteg me na dëshmu se dijnë me numru më shumë dhe 10. Herën e kaluar, Bakia e nisi me 8 mijë, e tash e paska ulë “kanarin” hala.
Respekt për ata policë që sot ishin dinjitozë në protestë, po ju që merrni udhëra, i koritët edhe ata.
Ne nuk dham numra, për të mos gabuar, po paskemi mujt me thanë se kanë qenë 300 mijë. Kjo do të ishte rrenë shumë më e vogël se ajo e policisë.
Mos rreni ma!
AAK