-Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), si mekanizëm rajonal, është themeluar nga qeveritë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnë e Hercegovinës/
PRISHTINË, 10 Tetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Prishtinë sot u bë hapja zyrtare e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Zyra Lokale në Kosovë, në hapësirat e Qendrës së Studentëve – Kampusit Universitar, në praninë e përfaqësuesve vendorë e ndërkombëtarë. Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor, si mekanizëm rajonal, i themeluar nga gjashtë qeveritë e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosna e Hercegovina) në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile, ka filluar funksionalizimin e saj me kapacitete të plota në 4 korrik 2017.RYCO tenton të jetë një shembull i mirë i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të forcojë procesin e Berlinit, bashkëpunimin paqësor dhe demokratik në rajon.
Me programet e saj të shkëmbimit, RYCO synon të përmirësojë mirëkuptimin reciprok ne mes dallimeve kulturore dhe të zhvilloj respekt të ndërsjellë, si dhe përgjegjësinë e përbashkët për rajonin dhe Evropën midis të rinjve të Ballkanit Perëndimor.Përmes qasjes së saj, RYCO gjithashtu synon të nxit trajtim konstruktiv ndaj të kaluarës dhe do të mbështet procesin e pajtimit në rajon.Aktualisht RYCO është në fazën e hapjes zyrtare së Zyrave Lokale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst edhe qeveria e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ligjor duke siguruar Zyrën Lokale të RYCO-së në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës në 30 dhjetor 2016 ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në mes të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Ndërsa, në 30 mars 2017 Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në mes të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Nga 93 deputetë prezentë seancën plenare, 82 votuan pro, 10 kundër e 1 abstenoi.