


Sokol Paja/
New York, 7 Maj 2022 – Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish Kryeministri i Kosovës, deputeti, kryetari i AAK, gjenerali i Luftës për Lirinë e Kosovës, frymëzuesi i shqiptarëve për trimëri e rezistencë ndaj pushtuesit serb, Ramush Haradinaj vizitoi Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA. Me pjesëmarrjen ekskluzive të Konsullit të Kosovës në New York z.Lulzim Krasniqi, patriotëve e veprimtarëve të shquar të komunitetit shqiptar Harry Bajraktari e Rrustem Gecaj, Ramush Haradinaj u prit ngrohtësisht e vëllazërisht prej drejtuesve të Vatrës, vatranëve, miqve, patriotëve, veprimtarëve e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjerë. Në fjalën hyrëse Editori i Diellit u ndal te kontributi i madh i familjes Haradinaj, Jashari e heronjve që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë. Në fjalën e mirëseardhjes, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z. Elmi Berisha tha se: “Ndjehemi të nderuar e shumë të respektuar që sot mes nesh është heroi i rezistencës dhe lirisë së Kosovës Ramush Haradinaj. Vatranët dhe Shqiptaro-Amerikanët janë krenarë për ju si hero i gjallë dhe burrështetas”. Në bashkëbisedim me vatranët dhe komunitetin shqiptar, z.Haradinaj u ndal te proceset e vështira dhe rruga e gjatë që e pret shtetin e Kosovës e kombin shqiptar në përballje me sfidat integruese dhe sigurinë në rajon e më gjërë.”Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duhet të ndjekin një rrugë të përafrimit me Amerikën. Nëse tejkalojmë problemet e brendshme si shtete, nëse zhvillojmë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Amerikën, do jemi të mbrojtur dhe të fortë të përballemi me Serbinë dhe Rusinë. Siguria, garancia dhe suksesi i proceseve tona kalojnë nga Uashingtoni. Nëse bashkojmë dijen tonë, fuqinë tonë, energjinë tonë dhe mundësitë tona ne do dalim faqebardhë si shtet e si komb. Kosova është e rreshtuar e do jetë përjetë me Amerikën dhe NATO-n. Nën udhëheqjen e Amerikës, Kosova s’ka qenë kurrë më e fuqishme. Ne duhet ta realizojmë marrëveshjen e njohjes reciproke me Serbinë. Sot është koha më e përshtatshme që ti kërkohet Serbisë që ta njohë Kosovën. Sot më shumë se kurrë ne duhet ta angazhojmë dhe bashkojmë potencialin tonë, miqtë tanë dhe çdo faktor në dobi të shtetit të Kosovës. Kosova nuk do pranojë kurrë “Asociacion” me kompetenca ekzekutive. Të drejtat fetare dhe Kishat Ortodokse në Kosovë i mbrojnë institucionet e Kosovës” tha ndër të tjera z.Ramush Haradinaj në fjalën e tij. Ai u ndal edhe te situata e shqiptarëve në Mal të Zi pas zgjedhjes së Abazoviç si Kryeministër, te rritja e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe u bëri rritje institucioneve që të hapet procesi i pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas fjalës vëllazërore, z.Haradiaj nderoi Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA me medaljonin e nënshkruar prej vetë z.Ramush Haradinaj: “Me besimin në Zot, Atdhe dhe Shtet” për veprimtarinë e jashtëzakonshme në shërbim të çështjes kombëtare.Nën udhëheqjen e Presidentit të Nderit z.Agim Rexhaj, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 110 vjetorit të themelimit e nderoi z.Ramush Haradinaj me Mirënjohje me motivacion: “Për kontributin e shquar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi, për aftësitë e veçanta drejtuese dhe komanduese në luftë, për rezistencën heroike e trimërinë e jashtëzakonshme në përballje me pushtuesin serb si dhe kontributin e lartë si shtetar i Kosovës së lirë”. Anton Raja e nderoi z.Haradinaj me një medaljon nga Akademia Ushtarake e West Point. Në përfundim të bashkëbisedimit vëllazëror, z.Haradinaj zgjoi tek pjesëmarrësit shumë diskutime rreth temave të nxehta aktuale shtetërore dhe kombëtare. Anëtari i Këshillit të VatrësAsllan Bushati diskutoi për anëtarësim të Kosovës në NATO e BE, gjykatën speciale dhe ditëlindja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit të bëhet festë zyrtare në Kosovë e Shqipëri. Dalip Greca e pyeti z.Haradinaj për asociacionin e komunave serbe, dhe me atë rast, falënderoi patriotin Rrustem Geci për rinovimin e godinës së Vatrës disa vite më parë dhe e ftoi për një tjetër investim. Bashkim Musabelliu e pyeti z.Haradinaj rreth padisë për genocid ndaj Serbisë, Prend Qeta rreth gjykimit të njëanshëm të rezistencës së heronjve të Kosovës nga Gjykata Speciale. Bashkëbisedimi ishte shumë i përzemërt me bashkatdhetarët tanë dhe vazhdoi me këmbime bisedash, foto e falënderime për vizitën e veçantë. Z.Haradinaj në ditët në vazhdim do të vizitojë Departamentin Amerikan të Shtetit ku do takohet me Kongresmenë dhe drejtues të Institucioneve të Sigurisë së Shtetit Amerikan.