Presidenti Nishani: Ashtu sikurse liria nuk dhurohet, edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një arritje strategjike plotësisht e merituar/
Me rastin e kremtimit të 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani dha te Marten e 1 Prillit, në darkë një pritje festive në Pallatin e Brigadave ku ishin të pranishëm anëtarë të qeverisë, deputetë, ish-krerë të shtetit shqiptar, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, ushtarakë të lartë si dhe personalitete të shquara të medias e sipërmarrjes shqiptare.Pritja u përshëndet edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksander Arvizu, i cili mes të tjerash lexoi edhe mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry me këtë rast ku vihej në dukje: “Në emër të Presidentit Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë përshëndes përvjetorët e pestë, të dhjetë dhe të pesëmbëdhjetë të zgjerimit të NATO-s. Jam krenar të festoj etapat e rëndësishme në historinë e NATO-s që e kanë forcuar Aleancën.
Më 12 mars 1999 iu bashkua Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke; më 29 mars 2004 iu bashkua Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia; dhe së fundmi, më 1 prill 2009, Shqipëria dhe Kroacia iu bashkuan Aleancës. NATO është sot e fortë, sepse të gjithë anëtarët e saj ndajnë të njëjtat vlera. Politika e Dyerve të Hapura të NATO-s nuk ka lejuar thjesht më shumë anëtarë ndër radhët e saj. Ajo ka zgjeruar demokracinë, begatinë dhe stabilitetin në Evropë dhe ka hapur mundësi të reja për të avancuar sigurinë dhe begatinë anembanë globit.”
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:
“E nderuara Zonja Ministre e Mbrojtjes,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
I nderuar zoti Moore,
I nderuar Zoti Kryetari i Bashkisë së Tiranës,
Të nderuar drejtues të Komuniteteve Fetare,
Të nderuar ish-presidentë të Republikës, ish-kryetarë të Kuvendit, ish-kryeministra,
Të dashur bashkëkombas,
Miq e të ftuar, zonja e zotërinj,
Sot po kremtojmë 5-vjetorin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO, familjes më të madhe dhe më të fuqishme politiko-ushtarake, të ndërtuar mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë dhe për të mbrojtur këto vlera në zonën euroatlantike dhe përtej saj.
5 vjet më parë u finalizua një aspiratë strategjike e Shqipërisë.
Përtej kësaj, 5 vjet me parë u kurorëzua një ëndërr e shqiptarëve, për t’iu bashkuar jo vetëm Aleancës më kredibël e më të madhe ushtarake të globit në fushën e sigurisë, por edhe Aleancës së vlerave të qytetërimit perëndimor.
Përpjekjet zyrtare të Shqipërisë për anëtarësim filluan 20 vjet me parë, kur Shqipëria e rraskapitur nga regjimi komunist aplikoi dhe u pranua zyrtarisht në strukturën e Partneritetit për Paqe.
15 vjet me parë, jo rastësisht në Uashington D.C., Shqipëria u konfirmua ndër 3 vendet aspirante (Membership Action Plan) dhe 5 vjet me parë Shqipëria dhe shqiptarët morën shpërblimin e merituar.
Si një kontributor modest që në fillimet e këtij procesi, dhe më tej, si një aktor në ushtrimin e detyrimeve politike dhe shtetërore deri në detyrën e lartë të Kryetarit të Shtetit jam thellësisht i bindur që ashtu si Liria nuk dhurohet, jam po ashtu plotësisht i bindur se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qenë një arritje strategjike plotësisht e merituar.
Me këtë rast, dëshiroj të përsëris, atë që nënvizova në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, se në më shumë se dy dekada të përpjekjeve për anëtarësimin dhe ndërtimin e modelit shumë-partiak të shtetit të së drejtës, të bazuar në parimin “check and balance”, një nga vlerat e gjithëpranuara që ka krijuar klasa politike shqiptare ka qenë kultura e bashkëpunimit dhe qëndrimet e përbashkëta për sa u përket çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.
Pa asnjë mëdyshje, kjo kulturë bashkëpunimi ka shërbyer si një nga shtyllat themelore në procesin e anëtarësimit në NATO.
Kjo na bën të ndihemi të gjithë krenarë.
Dhe me këtë rast falenderoj sinqerisht të gjithë aktorët politikë, dhe jo vetëm ata, për kontributin dhe përkushtimin që kanë dhënë në këtë proces. Në një mjedis sigurie si ky i sotmi, siguria e çdo vendi, dhe, veçanërisht e një vendi të vogël si Shqipëria është e lidhur ngushtë me mbrojtjen kolektive që ofron Aleanca e Atlantikut. Ajo, gjithashtu, varet ngushtësisht nga situata rajonale dhe preket nga zhvillimet globale.
Shqipëria ka hyrë në familjen euroatlantike në mënyrë të merituar, e vetëdijshme dhe e përgjegjshme se duhet të kontribuojë për sigurinë në nivel rajonal dhe më gjerë, për paqen dhe sigurinë kudo në botë.
Në këtë frymë, Shqipëria ka marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Irak, Çad dhe Afganistan, ku angazhimi ynë për paqen dhe stabilitetin, përkrah partnerëve tanë, pritet të vijojë edhe pas përfundimit të Operacionit ISAF.
Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një kontributore e vendosur për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.
Politika jonë e jashtme në rajon ka si shtylla bazë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, mbështetjen e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal.
Gjatë kësaj periudhe të shkurtër mjedisi i sigurisë në rajon ka njohur zhvillime të rëndësishme pozitive.
Anëtarësimi i Kroacisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe rritja e profilit të tij rajonal e ndërkombëtar, dialogu efikas mes Kosovës dhe Serbisë, ecuria e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit euroatlantik, kanë krijuar një klimë të favorshme bashkëpunimi.
Pasi kemi çrrënjosur mosbesimin, ne po rrënjosim çdo ditë mirëbesimin nëpërmjet përgatitjes dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta infrastrukturore, energjitike, në fushën e sigurisë, arsimit, shkencës, kulturës, turizmit, etj., drejt të ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike.
Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria mbështet zgjerimin e Aleancës në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ambiciet tona janë realizuar falë punës dhe përgjegjshmërisë sonë institucionale dhe shoqërore, mbështetjes së partnerëve tanë evropianë dhe Bashkimit Evropian, si edhe partneritetit strategjik me SHBA-në, rëndësia e të cilit mbetet parësore për sigurinë dhe zhvillimin tonë të qëndrueshëm.
Zonja dhe zotërinj,
Zhvillimet e fundit dëshmojnë se siguria në rajonet kufitare me zonën euroatlantike nuk është imune nga kërcënimet konvencionale.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia përbën një precedent, që mund të ndikojë në stabilitetin afatgjatë në hapësirën evropiane dhe rreth saj.
Aneksimi brutal i Krimesë nga Rusia u realizua duke zbatuar politikën e “faktit të kryer”, nëpërmjet përdorimit të shantazhit dhe forcës, në shkelje të marrëveshjeve të nënshkruara nga vetë Rusia si dhe të drejtës ndërkombëtare.
Krahasimi me Kosovën është një përpjekje e dobët për t’u justifikuar me anë të precedentit.
Pavarësia e Kosovës erdhi si rrjedhojë e shpërbërjes së dhunshme dhe jokonsensuale të ish-Jugosllavisë, që u shoqërua me spastrim etnik nga regjimi i Milosheviçit, pas përpjekjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës, dështimi i të cilave falë mungesës së vullnetit të Millosheviçit, e bëri të pashmangshme ndërhyrjen ndërkombëtare për të shpëtuar ekzistencën e një populli dhe paqen rajonale.
Kosova u shfaq si një shtet i pavarur pas shumë vitesh negociatash ndërkombëtare nga Kombet e Bashkuara për të zgjidhur krizën dhe pavarësia e Kosovës u drejtua nga një Rezolutë e veçantë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara 1244, e miratuar sipas kapitullit VII të Kartës së OKB-së.
Kosova gjithashtu e mirëpriti angazhimin e trupave dhe administratës ndërkombëtare.
Shqipëria mbështet aleatët tanë euroatlantikë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qëndrimet e tyre të vazhdueshme ndaj Rusisë.
Hapësira euroatlantike do të vazhdojë të përballet edhe me rreziqe që vijnë nga terrorizmi global, armët e shkatërrimit në masë, radikalizmi fetar dhe ekstremizmat, krimet kibernetike, krimi i organizuar, degradimi i ambientit dhe të tjera kërcënime të natyrës asimetrike dhe hibride ndaj të cilave është e ekspozuar edhe Shqipëria.
Këto janë sfida që askush nuk mund t`i përballojë i vetëm. Por, të gjithë së bashku do t`ia dalim me siguri.
Të nderuar miq,
Ne po punojmë për rritjen e rolit të Shqipërisë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kjo është mënyra më e mirë për të shpërblyer besimin dhe shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë aleatëve tanë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara, të cilët mbështetën fuqishëm anëtarësimin tonë në Aleancë.
Shqipëria është shndërruar nga një vend konsumues, në një vend që kontribon për sigurinë rajonale dhe më gjerë.
Më shumë se 7000 burra dhe gra në uniformë kanë kontribuar në operacionet në kuadër të NATO-s, Bashkimit Evropian, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe koalicioneve të ndryshme.
I përshëndes të gjithë ushtarakët tanë kudo ku ata kontribuojnë!
Me këtë rast, i siguroj të gjithë se ne i njohim sakrificat e tyre, dhe me autoritetin e Komandantit të Përgjithshëm do t’i mbështes ata dhe familjarët e tyre me të gjithë autoritetin që më jep Kushtetuta dhe ligjet.
Hartës së të rënëve në krye të detyrës, iu shtua Kapiten Feti Vogli, dëshmori i parë i historisë së Shqipërisë në NATO, para të cilit edhe sot përulemi me nderim të thellë.
Zonja dhe zotërinj,
Me anëtarësimin në NATO, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.
Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet tashmë objektivi ynë parësor strategjik.
Për këtë qëllim na duhet të forcojmë demokracinë funksionale dhe të konsolidojmë shtetin e së drejtës, të luftojmë krimin dhe korrupsionin, të ndërtojmë një administratë efikase jashtë influencave partiake, të forcojmë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, të reformojmë drejtësinë bazuar në meritë, transparencë dhe profesionalizëm.
Por, mbi të gjitha dhe, për të realizuar këto, na duhet dialog i vazhdueshëm politik, me rrahje argumentash për të gjetur konsensusin e domosdoshëm.
Kësisoj, politika do të vihet në shërbim të qytetarëve dhe Shqipëria do të shkojë drejt Bashkimit Evropian.
Marrja e statusit të vendit kandidat në qershor, do të ishte përshkrimi i një etape në itinerarin tonë evropian
Në përfundim, i përshëndes të gjithë shqiptarët, të cilët ëndërruan, shpresuan, besuan dhe vazhduan përpjekjet për të arritur qëllimin e tyre madhor: anëtarësimin në NATO, në aleancën më të madhe globale të sigurisë, paqes, lirisë dhe demokracisë.
Ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen! Gëzuar!”