Bisedë me poeten dhe shkrimtaren e mirënjohur, VOJSAVA NELO/
Nga: Prof. Murat Gecaj- publicist e studiues/
“Vojsava Nelo është një poete origjinale, e veçantë./
Poezia e saj është e natyrshme, e bukur…”- DRITËRO AGOLLI/
1. Në “Jetëshkrimin” tënd, mike Sava, kam lexuar, se ke nisur të shkruash që në moshë të re. Por, këtë gjë e di edhe unë nga njohjet tona shumëvjeçare. Si ka filluar dhe si erdhi libri i parë me poezi, “Kur çelin ëndrrat“? Çfarë kujtimesh ruan, nga ajo periudhë e bukur e jetës?
– Po, fillimet e mia letrare nisin që në adoleshencë. Krijimet e para janë botuar në revistat e kohës; në revistën “Pionieri” e më pas, në gazetës “Zëri i Rinisë, “Drita” dhe revistën “Nëntori”.
Librin e parë, “Kur çelin ëndërrat”, e kam botuar kur isha studente, pra në vitin 1977, nga SHB “N. Frashëri”. Ai u mirëprit nga lexuesit dhe kritika e tha fjalën e saj vlerësuese, duke më hapur rrugën e gjatë të krijimit letrar.
Çfarë kujtoj? Edhe tani sjell ndërmend lumturinë e madhe që kam ndier atëherë. Megjithëse botimi i çdo libri është lumturi, një lindje e re, një krijesë e re, që vjen në jetën tënde artistike, sigurisht e para, mbetet e pashlyer. Pra, edhe për mua ishte emocion i patreguar. Ky gëzim i madh, u pasua me një akt institucional: u pranova anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për kohën që flasim, në jetën e një shkrimtari ky vlerësim përbënte ngjarje, për më tepër, në jetën e një letrareje të re, siç isha unë.
2. Po më tej, si e vazhdove udhën tënde të krijimit letrar? Cilat janë librat poetikë, që mbajnë emrin tend? A mund të tregosh diçka edhe për temëtikën kryesore të tyre?
-Udha ime e krijimit letrar ka vazhduar natyrshëm, pa ndërprerje. Krijimin letrar e kam pjesë të ekzistencës sime, që më rregullon ritmin e jetës. Unë jetoj me poezinë, me fjalën. Krijimi letrar është bota ime. E përditshmja, e përnatshmja ime. Në këtë botë lëvizi e përmbushur. Pa sforco, pa vështirësi, përkundrazi. Poezia është një univers i mrekullueshëm. Vet poeti është një botë e mrekullueshme. Jam e lidhur pazgjidhshmërisht me të.
Qysh kur kam filluar të shkruaj, herët e deri më sot, por besoj dhe në vazhdim, orët e krijimit janë orët e mia më të bukura. Vetë procesi i krijimit dhe produkti i tij, më japin lumturi të veçantë dhe më bëjnë të ndihem e realizuar. Tavolina e punës, orët aty, janë për mua një realitet krejt tjetër, gati-gati, me trajtë hyjnore. Aty lëviz unë. Kështu, në vazhdim, kam botuar librat: “Mbretëroj”(1995), “Idil në dy akte”(1997), “Benvenuta Artemida”, shqip-italisht (2001), “Tretur te puthja” Lirika për dashurinë)”(2004), “Gërsheti i prerë“ (2010). Janë dhe dy libra të tjerë poetikë në rradhën e botimeve të mia: “E qeshur” dhe “Shtëpia më e lumtur”, që nuk i rendis. Jo se i mohoj dhe, ndonëse në kohën kur janë botuar, përkatësisht në vitet 1985 dhe 1990, janë pritur mirë, nuk i rezistuan dot kohës. Do të shtoja dhe se, në këndvështrimin e sotëm, në largësi, kur gjërat shihen më mirë e më qartë, në gjykimin tim, ato janë një pasqyrim i realitetit njerëzor, fill pas martesës, një realitet tejet i vështirë. Me shpirt ndër dhëmbë unë, krijuesja e tyre, por me shpirt ndër dhembë ato, krijesat e mia. Prandaj, më shumë se sa ecje përpara, ato vijnë si regëtitje e një shpirti, që nuk vdiq: poetik e njerëzor, njëherazi, gjë që e them për herë të parë në intervistën me ju. Ato dy libra janë si dëshmi qendrese. Prandaj i dua dhe i mbaj veçanërisht, duke i prekur rrallë, megjithëse bëj pjesë në ata njerëz, që jetojnë me të kaluarën. Atyre nuk u kthehem shpesh, dhe kjo, besoj, është e kuptueshme. Pastaj do të rigjeja veten, atë të librit të parë, “Kur çeilin ëndërrat”, për t’i çelur në vazhdimësi, pa ndërprerje, gjithmonë e më të shumta e, mbi të gjitha, gjithmonë e më të bukura, ndoshta, përtej pritshmërisë së ndokujt, përfshirë dhe mua vetë.
Tematika në poezinë time? Në se flasim për tematikë, hapësira zotëruesë në krijimtarinë time është dashuria. Kjo ndjenjë, e lindur bashkë me njerinë, mëkon poezinë, si askush dhe si asgjë. Ajo e përtërin përjetësisht poezinë, poetët, vetë jetën. Sa herë që u këndoj marrëdhënieve të tilla, si dashuria, humbja, iluzioni, përpiqem të kontaktoj me zona të panjohura. Të lëviz atje, ku unë jam. Ku jetoj. Ku marr frymë…
Nëse do të ndaleshim për një çast te libri, “Gërsheti i prerë“, botimi im më i fundit (në poezi), po dhe te të gjithë titujt tjerë, do të shohim se ai sjell këndvështrime të reja për raporte të vjetra të botës, si: dashuria, brenga, dhimbja, drama, ekstaza. Mund të vihet re lehtësisht se mbart shumë dashuri, siç thash pak më lart, shumë dritë, ndiesi të gëzuara, të bukura, ekspresive, plot jetë dhe kënaqësi, por dhe shumë dhimbje; shumë brengë, revoltë dhe indinjatë, gjë, që të bën të besosh, në atë që thuhet se “poezia është një britmë, që del nga një shpirt i lënduar”.
3. Krahas poezisë, lëvron dhe prozën, në gjininë e romanit. Cilët janë librat e botuar deri tani dhe si ndodh kalimi nga njëra gjini, në tjetrën?
– Po… Krahas poezisë kam shkruar dhe kam botuar romanet: “Mikesha e yjeve”(1999), (Përfshirë në letërsinë rekomanduese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për shkollat e mesme). “Vajza e gjysmës së Diellit”(2002), “Të fshehtat e mikeve të mia”-(Njëzetë e një ngjarje në një) (2007) dhe “Gruaja me të Zeza” që sapo është botuar, nën siglën e SHB “Toena”, pra 2015.
Dua të them që në krye se, dhe kur shkruaj poezi, dhe kur shkruaj prozë, shkruaj me të njëjtin frymëzim. Pasion. Dashuri. Kalimi ndodh natyrshëm, siç vjen dhe frymëzimi, ideja, subjekti, personazhet; ajo që do të shkruaj, natyrshëm. Procesi i punës, pastaj, është i ndryshëm. Për mua, poezia nuk kërkon “komoditet”. Nuk të kërkon shumë kohë fizike, por as vend. Domosdoshmërisht, një tavolinë, qetësi, pak muzikë në sfond etj, siç ndodh kur shkruaj prozë. Jo, poezia është moment, çast poetik. Një përjetim i thellë, i shpejtë, fluturimthi, që duhet kapur, po fluturimthi, se ndryshe…. E shkruaj, siç e ndiej, siç më vjen nga shpirti, aty për aty. Prandaj e them me bindje se poezia që shkruaj, është shpirt. Është ndjenjë, emocion.
Edhe në prozë, e njëjta gjë, pak a shumë. Ndonëse, siç thashë, gjini të ndryshme, stile të ndryshme që, aty-këtu, tek unë përzihen, siç ka ndodhur te romani i sapobotuar, “Gruaja me të Zeza”. Por thelbi është i njëjtë: letërsi, art.
4. Në muajin maj të këtij viti, në Pallatin e Kongreseve të kryeqytetit, u organizua “Panairi Pranveror i Librit-2015”. Aty erdhe me romanin e ri,“Gruaja me të Zeza”, publikkuar nga SHB “Toena”. Ai u përurua në një nga ato ditë, ku pata kënaqësinë që të isha i pranishëm. Romani zgjoi mjaft interes dhe startoi suksesshëm. Pse? Cili është ”sekreti”dhe për çfarë flet ky roman?
-”Panairi Pranveror i Librit-2015”, për mua erdhi me romanin, “Gruaja me të Zeza”. Ai doli tetë vjet pas botimit të romanit “Të fshehtat e mikeve të mia”, (2007) dhe pesë vjet pas botimit të librit me poezi, “Gërsheti i prerë“, (2010).
Siç shihet, harku kohor që ka dashur për të ardhur ky roman, ka qenë relativisht i gjatë. Një roman pak “delikat” për historinë që sjell, për atë të vërtetë të kësaj historie, të subjektit të tij, që nuk arrin të pranohet lehtë, qoftë dhe si trill. Po unë, në tërësinë time, nuk i iki së vërtetës dhe përpiqem ta shoh atë sy më sy.
Romani “Gruaja me të Zeza”, ka në thelb tradhëtinë. Po jo atë tradhëti, që jemi “mësuar” të dëgjojmë ose lexojmë. Tradhëtia e Gruas me të Zeza është brenda familjes. Historia e saj është historia e gruas që krijon lidhje intime brenda për brenda familjes dhe që, pa asnjë mëdyshje, është shfaqja më e shëmtuar e njeriut.
Gruaja me të Zeza, prej nga ka marrë titullin romani, ka një kuptim metaforik. Ajo është protagonistja e romanit dhe nuk gjendet vetëm në historinë, ku zë fill ai dhe që mua më vjen si një imazh nga fëmijëria. Por është një dukuri shumë më e pranishme e shumë më e përhapur, nga sa mund ta mendojmë. Por që mbytet aty, ku lind, në përgjigje të nderit, kodeve, rregullave e moraliteteve të shoqërisë. Ndërsa njeriu, shpesh, ecën përmes të vërtetës, si të ecë mespërmes ujërave të zeza.
Romani është një narracion artistik, që tipologjikisht qëndron shumë afër me romanin magjik, ku kohët, ngjarjet, personazhet dhe përjetimet vendosen në kufi të ekzistencës së tyre. Vetë prototogonstja e romanit, pra Gruaja me të Zeza, shfaqet herë si një personazh real, herë si një fantazëm; herë e dukshme dhe herë e padukshme, duke përhapur një makth tragjik; duke shkatërruar njerëz dhe jetë njerëzish: me tradhëtinë, pabesinë dhe perversitetin pa cak; lidhje të një gjaku.
Për ndërtimin artistik të veprës kam shfrytëzuar simbole dhe kumte, që vijnë nga legjendat; tekste dhe mendësi të botës magjike, duke realizuar një çvendosje semantike të tyre në kohët e sotme. Kjo mënyrë rrëfimi, besoj, i jep narracionit dramacitet dhe tension, që e bëjnë lexuesin “t’i mbahet fryma”. Romani të rrëmben, që në faqet e para dhe të mban të mbërthyer, deri në rrjeshtin e fundit. Ai përcjell mesazhin, se progresi i njeriut dhe shoqërisë, ndjek një trajektore dramatike.
Gjatë leximit të lindin shumë pyetje, përgjigjen e të cilave e mësojmë duke lexuar romanin, i cili, siç thashë, të trondit me dramacitetin, të pajis me mesazhe për jetën dhe njeriun. Ndokush, mund të gjejë edhe diçka nga vetja aty ose të marrë një përgjigje për të vërteta të hidhura, që shpesh njeriu nuk arrin t’i gjejë; për një ngërç, për diçka që mund t’i rrijë aty, në fundin e shpirtit, ku, siç thotë shkrimtari i madh francez i shek XIX, Viktor Hygo, “…shpesh gjen gjëra të mbytura, më shumë se në fundin e detit”.
5.Si ka ecur ky roman i ri në udhën e tij dhe sa e si është vlerësuar, nga dashamirësit e kësaj fushe, por dhe nga kritika letrare?
– Së pari, gjej rastin t’u falenderoj për praninë tuaj në festën përuruese dhe publicitetin që i keni bërë më pas romanit tim, “Gruaja me të Zeza”.
Siç thatë dhe ju, romani ka startuar suksesshëm. Ka zgjuar interes te lexuesit, mediat, studiues dhe kritikë. Edhe pse thuhet se “fillimi i mbarë, gjysma e punës”, janë vetëm ditët dhe javët e para. Pra, le të presim. Ata, që e kanë mbyllur kapakun e tij, ndoshta, në një mbasdite të vetme, ndoshta në dy, thonë se romani të depërton në shpirt dhe të ngelet në mendje. Nëse kjo është e vërtetë, është ajo, që dëshiroj më shumë, pra që lexuesi, siç thotë John Le Carre, “ta lexojë historinë time, (librin tim), pa u lodhur, deri në fjalën e fundit”.
6. Megjithëse është e vështirë ta bësh dallimin, cilin nga librat e tu poetikë ke më përzemër dhe pse? Po nga romanet? A ke libër të ri në dorëshkrim ose të gatshëm për në shtyp dhe kur mendon që ai do ta shohë dritën e botimit?
Nga librat e mi të dashur me poezi? Të gjithë, përfshirë dhe ata të dy, që nuk i rezistuan kohës, por që mua më drithërojnë, sa herë i prek. Fati… Jeta…Poezia…. Megjithatë, në respekt të pyetjes suaj, do të veçoja tre prej librave të mi poetikë.
Të parin, “ Kur çelin ëndërrat”(1977), sepse më futi në udhën e krijimit letrar. Më dha shumë: gëzim, lumturi, njohje e miq, disa prej të cilëve i kam dhe sot. Të tjerë kanë ikur, po unë i kujtoj me respekt e nostalgji.
I dyti, është libri “Mbretëroj”, një nga tre librat e mi më të dashur, sepse me të arrita ta rimarr veten. E rigjeta dhe u sula… Pas tij, u bëra e pandalshme. Prandaj e veçoj. “Mbretëroj” është libri, që më jep ndiesinë e habitshme të mbretërimit, të cilën, besoj e ka çdo njeri në hapsirën e tij; në punë dhe në jetë, në shtëpinë e vet, poet qoftë ose jo.
I treti është libri, “Gërsheti i prerë“ (2010). Mund të thosha shumë për këtë libër, por do të mbetem te një çast i jetuar e që i ka dhënë titullin këtij libri. Ka ndodhur shumë vite më parë, pra më 1995, ndërsa vetë libri do të vinte në vitin 2010. Është një çast jo i bukur, përkundrazi, i dhimbshëm. Gërsheti im i prerë befasisht dhe lotët e vajzës sime, atëhere 9-10 vjeçe; unë që iu duka si një grua tjetër, që hyri në shtëpi…Duart e saj, që dridheshin lehtazi, duke kërkuar gërshetin në supet e mi… Ose, së paku, ta kishte aty, në shtëpi, ashtu të prerë. Gërsheti i nënës së vet, me të cilin më kishte njohur që kur lindi ose kur filloi të rritej e të luante me të, duke e thurrur si donte e kur donte, ndërsa ushqehej në gjirin tim. Ndërsa unë nuk e dija kurrë se ajo ishte lidhur aq fort pas atij gërsheti. Se, pa të, nuk më kuptonte dot. S’do ta harroj kurrë atë ngjarje. Është, si të kem bërë një mëkat. E vuaj.
Si një lloj kompesimi, a s’di se si, erdhi poezia “Gërsheti i prerë“, që, vite më vonë, do të çelte librin, po me atë titull, pra “Gërsheti i prerë“.
Kur vajza ime, Artemida, tashmë studente në Itali, e lexoi poezinë, qau përsëri. Iu kujtua ajo ditë, ai çast, që s’do të donte ta kujtonte. Por poezia i pëlqeu. Libri, gjithashtu, të cilin e redaktoi vetë. Është dhe kjo arësye, se përse e veçoj këtë libër, ndër më të dashurit. Është dhe autorja e fotos sime artistike, hobi i saj, në kopertinën e këtij libri. E çmoj punën dhe aftësitë e saj në fushën e letërsisë, ndonëse i është dhënë jurispodencës.
Kështu, ja pra, këta janë tre librat me poezi, që munda të veçoja.
Po nga romanet? Pa dyshim, i pari, “Mikesha e yjeve”. Edhe kjo ka një arësye private, po që, kësaj rradhe, lidhet me djalin tim, Gentin. Me të, me “Mikeshën e yjeve”, kam mundur të siguroj të ardhurat për t’i blerë kompjuterin, ndërsa ai studionte për informatikë, në Greqi (1999). Kur tha se kompjuteri ishte libri i tij, të cilin, deri në atë çast nuk e kishte, por që arrinte ta siguronte deri diku, prej një shoku të tij student, pasi t’i mbaronte detyrat e tij, lash çdo gjë. Harrova çdo gjë dhe fillova të shkruaj fundjavëve të mia, (e vetmja kohë që kisha), me ngulm. Me një frymë. Pa u ndalur. Kështu lindi romani “Mikesha e yjeve”, subjektin e të cilit kisha vite që e vërtisja nëpër mend.
Që atë ditë, biri im, Genti, nuk kishte më nevojë të punonte për dikë tjetër, por drejtpërsëdrejti për veten, pasionin e tij për dijen, talentin për shkencën, vullnetin e pashoq, punën e palodhur, që do ta çonte drejt suksesit, që gëzon sot. Ja, pse ky roman, “Mikesha e yjeve”, më është i dashur dhe e veçova me lehtësinë më të madhe.
Më pyetët, a kam libër të ri të gatshëm për botim? Po, kam një libër të ri. Është me poezi dhe besoj se do të vijë vitin tjetër, pra më 2016. Viti që jemi, pra 2015-ta, është viti i romanit tim të ri, “Gruaja me të Zeza”.
7. Në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Teatri Metropol realizoi tri mbremje poetike–teatrore. Dy prej të cilave ishin me poezitë e autorëve tanë të mëdhenj, Naim Frashërit dhe Lasgush Poradecit. Ndërsa mbrëmja e tretë ishte me poezinë e perzgjedhur nga krijimtaria jote poetike. Si u ndjetë, në atë realizim? Si qëndrove pranë dy kollosëve tanë?
– Mendoj se me dinjitet. Kaq mund të them. Po një përgjigje më të plotë për këtë pyetje, zgjedh ta jap nëpërmjet kritikut dhe studiuesit të mirënjohur të artit në përgjithësi dhe atij skenik në veçanti, Prof. Dr. Josif Papagjoni. Në shkrimin e tij, “Shpirti i një gruaje në vargje mirësie” , botuar në ”Gazeta Shqiptare”, më 25 mars 2012, ndër të tjera, shkruan::
“…Poezia e Vojsava Nelos nuk është e vështirë të dekodohet; ajo s’ka mbingarkesa kuptimesh të shumëfishta, hermetizma, ngujim nëpër skutat e misterit… Është e bardhë, e tejdukshme, e rrokshme qysh në leximin e parë…Kjo mbresë m’u krijua, ca më shumë, kur ndoqa mbrëmjen poetike, “Eja të duhemi”, me vargjet e zgjedhura të saj. Aktorët e njohur, që recituan, si Margarita Xhepa, Yllka Mujo, Fatos Sela, Anila Bisha, Rozi Kostani e Kastriot Ramollari, patën mundësinë që ta lartësonin ndjeshmërinë e tyre artistike në ndoca rima, ritme, tingëllima, vallëzime imazhesh, që trokisnin lehtë-lehtë, të pabëzajta, përtej çdo zhurme, aty, në intimitetin tonë… Aty, ku porta s’hapet aq kollaj, sepse lipset një kod tjetër; kodi i mirëkuptimit. Ky kod, qoftë pse jo fort i vështirë e me një mori kyçesh, në veprimtari kësilloj, gjakonte pikërisht simbiozën ndërmjet poezisë së thjeshtë, të brishtë e lirike, në stilin po të tillë të recitimit, çka u realizua hijshëm, në këtë mbrëmje poetike elegante…”.
Kjo mbrëmje poetike, “Eja, të duhemi!”, (21 mars, 2012), do mbetet një vlerësim special për poezinë time modeste; një çmim i konsiderueshëm, krahas çmimeve dhe vlerësimeve të tjera. Një akt i bukur, impresionues, në zinxhirin e artë të veprave të zgjedhura për festimet mbarëkombëtare të 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Respekt për Teatrin Metropol që e realizoi, dhe për drejtuesen e tij, artisten Suela Konjari!
Për ta mbyllur përgjigjen, që rrokë poezinë time edhe përtej mbrëmjes poetike, “Eja të duhemi”, dëshiroj të citoj shkrimtarin tonë të shquar, Dritëro Agolli, i cili, në parathënien e librit, “Gërsheti i prerë“, është shprehur: “…Vojsava Nelo është një poete origjinale, e veçantë… Poezia e saj është e natyrshme, e bukur… Vjershat e saj janë vjersha të një femre delikate, të brishtë, të ndjeshme… Në poezinë e saj tingëllon një harmoni në lëvizje. Nuk është një harmoni, si sendet në një dhomë, por një harmoni me shpirt… Ka identitetin dhe figuracionin e saj, metaforat dhe mjetet e tjera artistike. Është një poezi, që nuk të lë indiferent, po të bën për vete. Është spontane dhe të kujton atë, që thotë Tolstoi, shkrimtari gjenial i shekullit të XIX, “krijimtaria është si teshtima, që, kur të vjen, nuk e mban dot”. Dhe Vojsavës i vjen për të shkruar dhe shkruan poezi, siç e ndjen, siç e përjeton nga shpirti”.
8. Një grua dhe një nënë, si ti, me një djalë e një vajzë, tashmë të rritur, sigurisht, ata nuk e kanë kaluar “në heshtje” punën tënde krijuese dhe botues në fushën e poezisë dhe të prozës letrare. Pra, sa e si të kanë ndihmuar ose mbështetur, në këtë drejtim?
– Shumë, vërtetë shumë. Genti dhe Artemida janë dy fëmijët e mi, ekzistenca e të cilëve është mbështetja ime e parë, e madhe. Më e rëndësishmja. Ata janë frymëzimi im.
Në krijimtarinë time, veçanërisht në poezi, ku ndihet më shumë dhe është më e drejtpërdrejtë, një nga tingëllimet më të bukura, më të ndiera e ndoshta më të arrira, besoj unë, është ajo e mëmësisë.
Në filozofinë time, në bindjen time, ”sivi”-ja e çdo gruaje, cilado qoftë ajo, sado larg e sado lart të jetë ngjitur e ngjitet në art, në politikë, në shkencë, në sport e gjetiu, fillon nga mëmësia. Prandaj dhe mua ajo e mbush dhe e ushqen muzën time. Genti dhe Artemida, thash dhe e them sa herë bie fjala, janë dhe mbeten frymëzimi im. Janë jeta dhe ekzistenca ime fizike dhe artistike. Shumë poezi, libra, jo vetëm frymëzohen prej tyre, por dhe u kushtohen atyre, sepse janë dy fëmijë të shkëlqyer në kuptimin e plotë të fjalës. Këtë gjë e kanë dëshmuar më së miri në detyrimet ndaj vetes, jo vetëm si nxënës e studentë, brenda dhe jashtë vendit, por, para së gjithash, me edukatën e sjelljen shembullore, me tiparet morale dhe njerëzore, që jam përpjekur t’u jap, krahas mësuesve dhe pedagogëve të tyre, që janë kudo: në Skrapar e Delvinë, në Greqi, Itali e Amerikë dhe gjej rastin që t’i falenderoj dhe t’u shpreh mirënjohjen time. Genti, është sot pedagog në një nga universitetet më të famshëm të Francës. Që prej vitit 2011, kur ishte vetëm 30-31 vjeç, mban titullin ”Prof. ass. Doktor”, të cilin e ka marrë në SHBA. Kur ishte atje, Genti mbështeti dhe realizoi paraqitjen e librit tim me poezi, “Gërsheti i prerë“ (28 nëntor 2010), në mbrëmjen festive me rastin e festës së Shpalljes së Pavarësisë, në bashkësinë shqiptaro-amerikane, që jeton në Boston. Po dhe në Nju Jork. E, prej andej, dr. Anna Kohen, e pranishme në festën e Bostonit, simpatinë e së cilës e fitoi “Gërsheti i prerë“, e paraqiti pak ditë më vonë, në NY, pra më 12 dhjetor 2010, në një mbrëmje speciale të Shoqatës së Grave “Motrat Qiriazi”, pa pranainë time, për shkak të datës së kthimit në Shqipëri. Ishte surprizë e bukur dhe lumturi për mua. Artemida është pak vjet pas vëllait dhe ecën në rrugën e tij. E diplomuar exelent për juriste në Universitetin e Bolonjës, është juriste në një kompani të rëndësishme në Milano. Krahas profesionit, kthen kokën nga prirja e saj letrare. Ajo është redaktore e dy librave të mi më të fundit, “Gërsheti i prerë“ dhe “Gruaja me të Zeza”. Ka filluar punën me librin e ri, për të cilin folëm pak më lart. Hera-herës, përkthen ndonjë poezi në gjuhën italiane, gjuhë për të cilën dhe ka studiuar pesë vjet, në Institutin Linguistik të Salernos.
Dhe, për ta mbyllur përgjigjen e pyetjes suaj, po them shkurt: janë dy fëmijë të shkëlqyer që më frymëzojnë pambarimisht për jetë e krijimtari e që pambarimisht u uroj, me gjithë fuqinë e shpirtit, që të kenë shendet, fat dhe lumturi pa fund!
9. Kemi kënaqësinë që, në radhët e kësaj bisede modeste, të urojmë dhe të përgëzojmë, përzemërsisht, për tërë këtë punë krijuese e botuese, si dhe për sqarimet korrekte, në pyetjet e bëra. Por, në mbyllje, deshëm të dinim edhe se sa e si është çmuar ose vlerësuar puna e përkushtimi yt i çmuar, në fushën e letërsisë shqipe, ku ke një vend të merituar, për të cilën vendlindja jote Delvina të ka dhënë, së fundmi titullin, “Qytetare Nderi”…
– Krijimtaria ime ka marrë vlerësime dhe çmime, që i quaj të rëndësishëm. Por, mbi të gjitha, çmoj vlerësimin e lexuesve ndër vite, të cilët meritojnë respektin më të madh. Prandaj flas shpesh për ta dhe u kushtoj një vëmendje të veçantë marrëdhënieve të ndërsjellta.
Po përmend këtu se kam fituar çmimin e dytë, „Për botimet më të mira të vitit“, në gazetën Drita“(1977), „Çmim Special“ në Netët Korçare të Poezisë (2009): „Për krijimtarinë letrare me nivel të lartë artistik duke sjellë vlera të spikatura dhe të qëndrueshme në fushën e poezisë“. Çmimin “Asdreni“, në Netët Korçare të Poezisë (2010) etj. Së fundmi, siç e cituat në pyetjen tuaj, Këshilli Bashkiak i qytetit të Delvinës më ka dhënë titullin, “Qytetare Nderi, “Për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë, për pjesëmarrje në nivele të larta të Artit Letrar Kombëtar, duke shpalosur traditat më të mira të qytetit të Delvinës”. Është një titull i lartë, për mua, duke e parë edhe përtej kufijve letrarë. Sepse, sado tituj e çmime, që mund të marrë një njeri, krijues apo për vlera të tjera, vlerësimi i bashkëqytetarëve të tu, i njerëzve ndërmjet të cilëve ke lindur dhe je rritur, është në vendin e parë. Një një nxitje dhe një përjetim, që për mua do të mbetet kulm.
Siç e thash, kam lindur në Delvinë dhe, ngado që të shkoj nëpër botë, i kam rrënjët e mia atje. “Tek rrënjët e tua”, – shprehet shkrimtari nobelist grek, Seferas. Aty ka marrë e merr jetë krijimtaria ime. Është ushqyer dhe ushqehet poezia dhe romanet e mi. Aty marrin impaktin e parë, impulsin e parë, në Delvinë. Ajo është e ”Bukura e Dheut”, që e dua pafundësisht, që më ndjek kudo, që më frymëzon. Edhe pse e vogël (gjeografikisht), Delvina është një truall kolosal ndodhish, idesh, karakteresh, dramash të panjohura, të cilat janë lënda më e mirë, që kanë ushqyer dhe ushqejnë frymëzimin tim më të mirë. Në çdo hap të jetës më ndjek: ajo atmosferë, ai mjedis, ata njerëz, bashkëqytetarët e mi; ata që kanë qenë e nuk janë më; ata që janë dhe ata që do të jenë.
Në qytetin tim, në Delvinë, kam kaluar fëmijërinë e fëmijëria është ajo baza më e fortë, ku shkrimtari ushqen idetë e tij. Sa më e pasur me kujtime dhe njohje të jetë fëmijëria, aq më mirë është për atë që dëshiron të bëhet shkrimtar. E, unë e kam patur dhe e kam këtë fat. Me kureshtjen e jashtëzakonshme, kam mësuar shumë. Atë e kam dhe sot e kësaj dite, gjë që më bën të besoj në atë që thuhet se: “poeti, në vetëvete, ruan një fëmijëri të përjetshme”.
Mos dola gjë, përtej pyetjes suaj? Ndjesë! Por, kur vjen puna për atë, pra për të ”Bukurën e Dheut”, ”Xhevahirin e Botës”, siç e quaj në një nga poezitë e mia, iki…, rrëmbehem e harroj… Pastaj, e patëm fjalën te vlerësimet, te çmimet, dhe ata më kanë bërë vlerësimin më të lartë, më kanë dhënë çmimin më të madh që gëzoj, të paktën, deri sot, ” Qytetare Nderi”.
10. Sçi e kanë vlerësuar studiuesit, sot shkrimtarja Vojsava Nelo është ”një zë origjinal i letërsisë shqipe”, si në poezi, ashtu dhe në prozë. Si po vijon puna jote krijuese?
– Intensivisht… Jam në një fazë të jetës që e gëzoj këtë mundësi e, që, do të thotë se mua më gjen vazhdimisht te poezia, te proza; tek një motiv, te një varg, te një ide. Pse pikërisht tani?! Dikush mund të thotë që poezia e ka kulmin e ve, në kulmin e rinisë. Edhe mund të jetë kështu. Por, tek unë, siç shihet, nuk është kështu. Them tek unë, meqë më pyesni mua, se kjo është një e vërtetë, që kalon përtej meje. Dikur kam menduar se, ndoshta, me rininë që mbetej mbrapa, do të mbetej dhe poezia. Por jo! Poezia, tek unë, siç u pa, nuk ka qenë arësye biologjike, arësye moshe. Prandaj ajo ecën bashkë me mua dhe, të shpresoj, në rritje.
Punoj intensivisht, sepse tani jam më e lirë. Ata që merrnin më së shumti energjitë e mia, kohën, përkushtimin, fëmijët e mi, sot janë të rritur. Sot kam një shtëpi të bukur, timen, e mbushur me dritë, qiell dhe yje, që shkëlqejnë para syve të mi, që shndrisin, ndërsa shkruaj. Kam përvojën. Kam njerëz që e duan poezinë time, romanin tim. Janë të gjitha këto arësye, të marra sëbashku, që më mundësojnë intensitetin e dëshiruar, që më frymëzojnë, ndërsa më ndjekin motive pafund. Pafundësisht, pa u ngopur, mua ”më gjen” te hëna dhe te yjet, që më ndrijnë nga të gjitha anët. Te dielli që perëndon… Te mëngjesi që vjen… Te dita që lind… Aty jam unë.
-Faleminderit, prof.Murati për bisedën që bëmë së bashku, si dhe për vëmendjen e treguar ndaj krijimtarisë sime letrare, ndër vite, në vijimësi. Shpreh mirënjohjen time për shkrimet e ndryshme publicitarë, kritikë, informues për lexuesin, që ju keni botuar. Janë vlerësime e ndihmesa të vyera, që i çmoj, ashtu si dhe kohën e shpenzuar e kafen miqësore. Shpresoj që, në botime të tjera, do të realizojmë biseda edhe më domethënëse.
Tiranë, korrik 2015