


Profesori i nderuar Prof. Dr. Fejzulla Berisha i shoqëruar nga aktivisti i çështjes kombëtare z.Lirim Vinca vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj dhe editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes Dr. Camaj u shpjegoi miqve historinë e jashtëzakonshme të Federatës Vatra e Gazetës Dielli, dhe kontributin e shquar në dobi të çështjes kombëtare ndërsa editori përshëndeti miqtë në emër të kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, nënkryetarit z.Alfons Grishaj, Kryesisë, Këshillit të Vatrës dhe shprehu respekt të thellë për mbështetjen që Prof. Dr. Fejzulla Berisha i ka dhënë gazetës Dielli me shkrime, analiza, komente dhe opinione. Prof. Dr. Fejzulla Berisha u shpreh i emocionuar mbi vizitën në Vatër, historinë dhe kontributin e Vatrës e shqiptarëve të Amerikës për Shqipërinë natyrale. Vatra e Dielli tha Prof. Berisha janë krenari kombëtare dhe dinjitet për çdo shqiptar. Prof. Dr. Fejzulla Berisha është ekspert i shquar i së drejtës publike dhe ka lindur më 13 Shtator 1955 në Grabovc të Prishtinës. Studimet universitare dhe master i kreu në Prishtinë, doktoraturën në Tiranë në fushën e të Drejtës Publike dhe ka përfunduar edhe një sërë specializimesh në fushën e të Drejtës Publike, në Akademinë e të të Drejtës Publike të Kroacisë si dhe ne vendet tjera të Europës. Prof.Dr.Fejzulla Berisha ka dhënë kontributin e tij në Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Tetovës, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, Universitetin “Haxhi Zeka” Pejë, Universitetin “FON” në Shkup, Kolegjin Universitar AAB – Prishtinë etj. Në përfundim të vizitës emocionuese Prof. Dr. Fejzulla Berisha i shoqëruar nga aktivisti i çështjes kombëtare z.Lirim Vinca u bënë anëtarët më të rinj të Federatës Vatra.