Dr. Rifat Latifi, Profesor i Kirurgjisë në Kolegjin Mjekësor të New York, Shkolla e Mjekësisë, Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë në Rrjetin Shëndetësor të Qendrës Mjekësore Westchester në Valhalla, New York, anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (ACS), Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve (ICS) dhe të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rrëfen me detaje lidhjen e tij të gjatë shpirtërore me Federatën Vatra, rolin dhe kontributin historik të Vatrës në çështjen kombëtare dhe etapat se si do të ngrihet Vatra në vitet në vazhdim. Profesor Latifi analizon procesin e vaksinimit global, situatën e virusit në Shqipëri, Kosovë dhe SHBA. VATRA sipas Dr. Latifit duhet të promovojë vlerat shkencore në të gjitha sferat akademike dhe arritjet e Shqiptarëve në të gjithë botën.
PROF. RIFAT LATIFI KTHEHET NË FAMILJEN DHE SHTËPINË VATRANE
Ju falenderoj për këtë nder të madh, që të bisedojmë me ju dhe me Vatranët kudo gjenden. Për mua takimi i mikpritjes në Vatër ishte në fakt një kthim në shtëpinë Vatrane. Unë kam qenë në një mënyrë a një tjetër pjesë e Vatrës gjithë jetën time, edhe para se të vija në SHBA në vitin 1985. Cili shiptar nuk e ka ditur apo nuk e di se kush është Vatra? Cili nga ne nuk e ka njohur dhe ndjerë në shpirt peshën e madhe patriotike dhe funksionim e Vatrës si përfaqësuese dhe zëri shqiptar në Amerikë? Ne i kemi mësuar këto në libra, sado që të jetë, ndoshta pak i rritur në mendjet tona fshatareske (rastin tim) apo qytetare në rastet e tjera? Secili, ose të paktën unë lutem që secili prej nesh e di këtë fakt të pa kundërshtueshëm. Shpirtërisht kam qenë përherë pjesë e Vatrës por për shkak të detyrimeve të specializimit dhe të punës në shtete të ndryshme të SHBA, që nga Houstoni, Texas, Fildalfia, Pensilvania, prapë në Houston, Texas, pastaj në Cleveland, Ohio, dhe më në fund, New Haven, CT, Richmond, VA, dhe në Tucson, AZ, Doha, Qatar etj, kanë bërë që fizikisht të jem larg Vatrës. Edhe unë si çdo patriot shqiptar, pavarësisht ku jemi, ne jemi me shpirt afër nënës dhe atdheut tonë të dashur. Vatra është ajo që e kemi edhe nënë edhe mëmëdhe, por edhe baba dhe atdhe, edhe insipirim por edhe detyrim që ta ndihmojmë, ta ndërtojmë dhe ta bëjmë funksional dhe modern me kohën në të cilën jetojmë.
PROF.LATIFI DHE VATRA NGA KOHA E SPECIALIZIMIT NË NEW HAVEN, CT, DERI MË SOT, SFIDAT NË TË ARDHMEN
Vatra si çdo Federatë apo organizatë tjetër gjendet përpara sfidave që i përcakton vetë koha. Në një rast, gjatë viteve 97/98 në një mbledhje të Vatranëve kur ne po bisedomin dhe caktonim disa fitues të bursave të Vatrës, unë ndjeva se nuk kishte një transparencë që mendoja se duhej ta kishte. Përdora disa fjalë që Vatranit që udhëhiqte mbledhjen dhe që më solli në mbledhje në Manhattan nga CT, nuk i pëlqyen. Unë ngula këmbë se ne duhet të kemi transparencë totale. Unë kurrë nuk kam kuptuar se pse isha pjesë e atij grupi Shqiptar eminent. Dikush nga Vatranët kishte menduar se ndoshta edhe kur fshatari i Kllodernicës së Drenicës që po mbaronte specializimin në Kirurgji në Univeristetin e Yale-s, me gjasë mund të ndihmojë Vatrën. Ditë më vonë, kur lufta në Kosovë filloi, dhe Dr. Ibrahim Rugova vizitoi Vatrën, në vitin 1998, më kujtohet kur në një restorant në New Jersey, kryetari i Vatrës, Zoti Agim Karaxhozi e pyeti Dr. Rugovën se çfarë mendon ai për demonstratat e serbëve në Beograd? Ai ( Dr. Rugova) uli pak shikimin, ngriti gotën e konjakut, thithi cigaren dhe tha: “Le bre burrë se ato janë punë të shkjive”. Ajo që tha Rugova më pëlqeu shumë, ishin këto punë të shkijve, dhe ne duhet të përgatitemi për punët tona dhe fatin tonë.
TË GJITHA KAPACITETET INTELEKTUALE, SHPIRTËRORE DHE MATERIALE NË DISPOZICION PËR VATRËN
Po, unë u ndjeva jashtëzakonisht i nderuar gjatë vizitës tek Vatra. Ndonëse për një vizitë shumë të shkurtër, unë mësova shumë dhe u inspirova në të njëjtën kohë. Kur pashë se fotot e heronjve të mi të fëmijërisë, djalërisë dhe burrërisë, të fotokopjuara dhe ngjitur në mure, me disa karrige të piknikut të varfër në sallë, mendova se ne mund dhe duhet të bëjmë shumë më shumë për Vatrën. Librat dhe arkivat e Vatrës janë në rrezik në bodrum (më thanë, por unë nuk i pashë). Ne komuniteti Shqiptar në Amerikë duhet dhe mund ta nderrojmë këtë shtëpi të shenjtë që të jetë mburrja jonë. Mes nesh ka milionerë, pasanikë dhe shumë patriotë, shumë gra e burra që kanë arritur piedestalin shkencor, afirmativ në biznes, në politikë, mjekësi dhe në punë të tjera, por në të njëjtën kohë nuk e dimë mirë gjëndjen e Vatrës. Ne jetojmë me komunitetin Izraelit dhe komunitetet e tjera dhe punojmë me ta, mësojmë nga ta, por sikur asgjë nuk mësuam nga ta kur vjen tek dashuria për atdheun. Prandaj, ju keni të drejtë se unë thashë që të gjitha kapacitetet e mia intelektuale, shpirtërore dhe materiale do t’i vë në dispozicion për Vatrën. Me këtë rast unë propozoj që ne Vatranët duhet të adaptojmë formulen 100Px10PxUS$1000. Njëqind Vatranë obligohen të gjejnë secili dhjetë vetë që do të dhurojnë 1000 dollar dhe të githë mbledhim një milion dollar për Vatrën. Ata që duan të bëjnë më shumë, edhe më mirë. Dhe manaxhimin e Vatrës e bëjmë manaxhim profesional. Secili Shqiptar në SHBA mund të dhurojë 1,000 jo vetëm një herë, por për shumë vite.
VATRA DUHET TË PROMOVOJË VLERAT SHKENCORE, AKADEMIKE DHE ARRITJET E SHQIPTARËVE NË GJITHË BOTËN
Unë mendoj se Vatra duhet të merret me punë të avokacionit publik në SHBA posaçërisht, me edukimin e vlerave akademike Shqiptare dhe njohjes së të kaluarës dhe trasimit të së ardhmes. Në të njëjten kohë, ne kemi shumë mjekë Shqiptarë në mesin tonë dhe me përgatitje të mirë, ne mund të ofrojmë programe edukative, shëndetësore dhe këshilldhënëse në sfera të ndryshme të mjekësisë në formë të seminarëve që secili prej nesh në mënyrë vullnetare mund të bëjë në sferat tona. Ne mund të diskutojmë gjëndjen e mjekësisë në tokat tona dhe të ofrojmë këshilla qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi. Për më shumë, VATRA duhet të promovojë vlerat shkencore në të gjitha sferat akademike dhe arritjet e Shqiptarëve në gjithë botën.
GARA E VAKSINAVE PËR TË SHPËTUAR BOTËN
Pandemia COVID-19 është treguar shumë serioze dhe vdekjeprurëse potencialisht për të gjitha moshat dhe pavarësisht nëse kemi sëmundje shoqëruese apo jo. E vetmja mënyrë që të dalim nga kjo gjendje do të jetë vaksinimi i përgjithshëm, mbrojtja me maska dhe të gjithë të jemi të kujdesshëm. Falë zhvillimeve të mëdha teknologjike në mjekësi dhe ngaqë potenciali është shumë i madh, numri i vaksinave do të shtohet me shpejtësi marramendëse. Në të njëjten kohë, efikasiteti i tyre do të shtrihet dhe përmirësohet dukshëm. Është shumë afër mendjes se vaksina do të përdoret jo vetëm një herë por edhe më shumë, për shkak të mutacionit të virusit, nëse jo edhe për çdo vit, ashtu siç është rasti me gripin.
TË GITHË DUHET TË VAKSINOHEMI
Të vaksinosh më shumë se 300 milion persona është mision monumental. Me gjithë vështirësitë, unë mendoj se ky proces do bëhet më efikas. Efektet anësore serioze të vaksinës nuk janë shumë të rralla dhe ne të githë duhet të vaksinohemi.
SITUATA E PANDEMISË NË SHQIPËRI E KOSOVË
Asnjë vend në botë nuk ka shpëtuar nga COVID-19, por vendet tona kanë qënë shumë më pak të përgatitura dhe është reflektim i gjëndjes së përgjithshme në mjekësi dhe sa shumë e kemi injoruar dhe nuk e kemi bërë prioritet.
KOLEGJI I KIRURGËVE TË KOSOVËS, SYNIMET DHE SFIDAT E SË ARDHMES
Më 3 Dhjetor 2018, përfaqësuesit e 14 Shoqërive Kirurgjike të Kosovës që përfaqësojnë më shumë se 800 kirurgë praktikues të Kosovës themeluan Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës (KKK), si një organ shkencor dhe avokues i të gjithë kirurgëve që do të udhëheqë avancimin e kirurgjisë në të gjitha operacionet kirurgjikale. KKK do të modelohet bazuar në Kolegjin Amerikan të Kirurgëve (ACS) i cili u krijua në 1913 dhe kolegje të tjera në të gjithë botën, të tilla si Kolegji Mbretëror i Kirurgëve të Anglisë, Australisë dhe vendeve e rajoneve të tjera. Për gati 106 vjet, Kolegji Amerikan i Kirurgëve (ACS) ka udhëhequr iniciativa kombëtare dhe ndërkombëtare për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve spitalore në fushën e traumës, kancerit, kirurgjisë bariatrike, kirurgjisë geriatrike dhe iniciativës së cilësisë kirurgjikale. Këto iniciativa kanë përmirësuar në mënyrë të matshme cilësinë e kujdesit, parandaluar komplikimet, ulur kostot dhe shpëtuar jetën në të gjithë globin. Pra, ne e kemi krijuar Kolegjin e Kirurgeve të Kosovës (KKK) si ombrellë e shoqatës së kirurgëve të Kosovës. Shkurtimisht ne jemi duke punuar në këto detyra:
1. Te krijojmë infrastrukturën e qëndrueshme të lidershipit, mbështetjen profesionale dhe mjedisin teknologjik dhe administrativ të përshtatshëm për të drejtuar KKK.
2. Të ndërtojmë një Qendër Klinike të Kërkimeve Shkencore në Kosovë me ambjente dhe kapacitete akademike njerëzore nëpër disiplinat kirurgjikale dhe më gjerë.
3. Krijimin e procesit të vlerësimit të studimeve dhe kërkimeve shkencore dhe kapaciteteve editoriale përmes programeve të strukturuara edukative.
4. Të botojmë Revisten e Kirurgjisë së Kosovës ( Kosova Journal of Surgery) si revistë zyrtare e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, një revistë që në 5-7 vjet të citohet në PubMed dhe motorë të tjerë kërkues.
5. Kolegji, ashtu sikurse Kolegji Amerikan të bëhet instrument për akreditimin e spitaleve për disiplina të ndryshme kirurgjikale si trauma, kanceri, kirurgjia vaskulare dhe programe të tjera për Ministrinë e Shëndetësisë.
6. Të vendosim programet dhe kapacitetet e avokimit për të përfaqësuar KKK-në në agjencitë qeveritare dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar.
7. Të krijojmë programe edukative për të mbështetur pacientët dhe familjet me sëmundje kirurgjikale.
8. Të krijojmë shërbimet e ngritjes së cilësisë së Avancuar dhe Programet e Sigurisë së Pacientëve në të gjitha disiplinat kirurgjikale në mënyrë që të përmirësohet cilësia e kujdesit, bazuar në cilësinë e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe për të përmirësuar programet dhe sigurinë e pacientit.
9. Të organizojmë punën e Kolegjit përmes rreth 13 komisioneve. Grupet dhe komitetet e tjera të punës do të shtohen sipas nevojës, ndërsa Kolegji rrit aktivitetin dhe përmbajtjen e tij.
KUSH ËSHTË PROFESORI I KIRURGJISË DR. RIFAT LATIFI
Dr. Rifat Latifi është Kryeshef dhe Profesor i Kirurgjisë në një nga shkollat më të vjetra mjekësore në SHBA, Kolegji Mjekësor i Nju Jorkut, Shkolla e Mjekësisë (themeluar më 1860), Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë dhe Shefi i Kirurgjisë së Përgjithshme në Westchester Medical Center në Valhalla, New York. Ai është anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve (FACS), Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve (FICS), si dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës (FKCS). Dr. Rifat Latifi është një diplomat i Bordit Amerikan të Kirurgjisë në kirurgjinë e përgjithshme dhe kujdesin kritik kirurgjik. Ai është i licencuar në New York dhe Arizona. Dr. Latifi është mishërimi i kirurgut akademik, duke qenë një kirurg i përgjithshëm dhe i traumës, studiues dhe edukator kirurgjik me interes ndërkombëtar dhe global, gjithmonë duke u përpjekur të bëjë më mirë. Dr. Rifat Latifi u gradua profesor i rregullt i kirurgjisë vetëm pesë vjet pasi mbaroi specializmin e Kirurgjisë në Universitetin Yale në 1999. Ai ka interesa të gjera klinike dhe kërkimore, të përkushtuar për të shërbyer si një model për studentët, banorët dhe fakultetet e reja. Dr. Latifi është autor ose bashkëautor i 188 artikujve shkencor, 135 kapituj librash dhe 20 librash, që pasqyrojnë një gamë të gjerë interesash klinike, të gjitha shprehin secilën fazë të zhvillimit akademik dhe klinik të tij. Dr. Latifi është themelues dhe President i International Virtual e-Hospital (www.iveh.org), një organizatë jo-fitimprurëse, misioni i së cilës është të ndihmojë në rindërtimin e sistemit të kujdesit shëndetësor publik në vendet në zhvillim duke prezantuar dhe zbatuar telemjekësinë, programeve shëndetësore dhe virtuale përmes konceptit të Rrjetit IVeH. Dr. Rifat Latifi është autor i një strategjie gjithëpërfshirëse hap pas hapi, të cilën ai e ka quajtur "Inicimi-Ndërtimi-Operacioni-Transferimi (IBOT)" që siguron qëndrueshmërinë e angazhimeve të OJQ-ve. Që nga viti 2002, Dr. Rifat Latifi ka udhëhequr krijimin e tre programeve kombëtare të telemjekësisë në Evropë me 67 spitale dhe njësi klinike në rrjet (Kosova 9, Shqipëri 44) dhe Cabo Verde, Afrikë 14. Dr. Rifat Latifi vazhdon të jetë aktiv në telemjekësinë si në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke krijuar programe të qëndrueshme të telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri dhe Cabo Verde, për të cilat ai ka marrë çmimin ndërkombëar të Kolegjit Amerikan i Kirurgëve (ACS) / Pfizer International Vullnetarizmi Kirurgjik, me 2015. Për më tepër, Dr. Latifi krijoi programin e parë të teletraumës dhe teleprezencës në Arizona, Telemjeksinë dhe Teleprezencën e Arizonës Jugore (SATT), i cili u shërbeu banorëve përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Dr. Latifi gjithashtu ka marrë "Çmimin e Arritjeve të Shekullit 21 për Shëndetin" nga Programi i Shkencave të Kompjuterave dhe "Çmimin Ndërkombëtar për Promovimin e Shëndetit" nga Komisioni i Akreditimit të Rishikimit të Shfrytëzimit (URAC). Në vitin 2017, atij iu dha çmimi Doktor i Veçantë në Westchester Award "No Land Too Far Award" nga Westchester Business Journal në Westchester, New York dhe Top Doctors në 2020. Dr. Rifat Latifit iu dha Çertifikata e Mirënjohjes nga Selia e NATO-s, Bruksel për Përkushtim dhe Punë të Shkëlqyeshme për Sistemin Shumëkombësh të Telemjekësisë. Për më tepër, Dr. Rifat Latifi mori Çmimin e të Inaugural Dean’s për Ekselencë në Kërkime Shkencore, nga New York Medical College, Valhalla New York (Janar 2021). Dr. Rifat Latifi ka marrë pjesë si kirurg vullnetar në Filipine që nga viti 2006 dhe shërben në Komitetin e Angazhimit Global të ACS.