
Dr. Nikollë Loka/
Ndër trevat shqiptare, Luma duket se ka qenë më me fat, pasi është më e studiuara në fushën e shkencave albanologjike: histori, gjuhësi, etnologji, folklor etj. Janë disa studiues të njohur që e kanë studuar gjërësisht këtë krahinë si Shefqet Hoxha, Nazif Dokle, Isa Halilaj, Fejzullah Xhabri, Xhavit Lashi etj. Por, Luma ka pas fatin të ketë një përfaqësues të denjë të kulturës kombëtare, studiuesin e apasionuar Prof. As. Dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit. Shefqet Hoxha është një studiues i shquar i disiplinave të Albanologjisë si: Dialektologji, Folklor, Etimologji, Leksikografi e Terminologji, Toponomi-Patronimi dhe Histori e arsimit shqip. Duke zënë fill me studimet për trevën e Lumës dhe Kukësin, studimet e tij përmbajnë kontribute të rëndësishme shkencore edhe për trevat fqinje: Dibër, Mirditë, Pukë, Tropojë e në plan më të gjërë për të gjitha studimet shqiptare.
Shefqeti është brezi i tretë i mësuesve të shqipes në Lumë, që dalin familja e tij. Të parët e Shefqetit, që nga viti 1740 kanë ushtruar profesionin e klerikut mysliman, pra ishin njerëz të dijes(shkolla në atë kohë ishte monopol i klerit). Stërgjyshi, Mulla Uka (Jakup Fejzë Hoxha) e pas tij, dy djemtë: Mulla Xhema (Xhemali Jakup Hoxha) dhe Mulla Jonuzi (Jonuz Jakup Hoxha) kishin kryer studimet e mesme fetare në një medrese të Prizrenit dhe të tre njihnin bazat e arabishtes dhe flisnin e shkruanin turqishten, ndërsa Xhema dhe Jonuzi patën mësuar të shkruanin edhe shqipen. Mulla Rrahmani (edhe ky djali i Mulla Ukës) qe klerik autodidakt. Dija në këtë familje intelektualësh në Bicaj të Lumës vinte si nevojë e vetë jetës dhe e angazhimit të tyre fetar.
I pari në Lumë, mësimin e shqipes e ka filluar Mulla Jonuz Hoxha, krahas lëndëve turqisht, jepte fshehtas gjuhën shqipe me alfabetin latin në shkollën turke të Bicajve, ku ishte mësues. Pas Mulla Jonuzit, veperimtarinë e tij e vijuan brezat pasardhës. Djemtë e kësaj shtëpie kanë një rol të rëndësishëm në shkollimin shqip në Lumë me Qamil Hoxhën, si përfaqësues shembullor i brezit të dytë të asaj familje arsimdashëse. Qamili mbaroi shkollën fillore në Bicaj, plotoren në Kolgecaj dhe Normalen në Elbasan. Qamili, veç shqipes njihte edhe frëngjishten e italishten, si dhe zotëronte bazat e arabishtes, turqishtes dhe sllavishtes. Në vitin 1927 ai hapi shkollën e parë shqipe në Zapod. Qamili pati punuar mësues në Zapod, Bicaj, Gjakovë (zëvendësdrejtor i Normales), Ploshtan dhe pak kohë në Gostil. Ai qe marrë me qëmtimin e visareve popullore; pat mbledhur një material të gjërë, të cilin pjesërisht bijtë e tij ia botuan. Disa nga punimet e tij ruhen në Arkivin e Universitetit të Harvardit në SHBA.
Pas Qamilit, traditën arsimore e vazhduan disa nga bijtë e tij, që përhapën dritën e diturisë anembanë Kukësit, deri në fshatrat më të largëta, duke nxjerrë breza të tërë nxënësish, që u bënë kuadro të devotshëm në shërbim të vendit. Por, nga fëmijët shumë arsimdashës të Qamil Hoxhës, Shefqeti vazhdoi në rrugën e tij të studimeve, duke u bërë personalitet shumë i njohur si mësues, metodist, drejtues në arsim, por edhe studiues shumë i aftë në shkencat albanologjike. Ai u rrit në mjedisin familjar, ku bashkëjetonin traditat më të mira të visit, pikëpamjet filozofiko-fetare të Islamit dhe dijet shkencore. Qamili, i apasionuar pas Fishtës dhe korifejëve të tjerë shkodranë, pa hyrë ende në shkollë i lexonte këngë nga “Lahuta e Malcis“ dhe e pati angazhuar djalin të mësonte përmendësh qindra vargje nga ajo kryevepër letrare. Në biliotekën e Qamilit ruheshin edhe veprat e Mjedës, Prenushit, Koliqit, Naimit, Çajupit, përkthime nga shumë autorë të huaj, si dhe libra të shumtë pedagogjikë e shkencorë. Mjedisi në mes të librave, e nxiti Shefqetin që në moshë fare të re të hynte në botën e dijes dhe nën ndikimin e të atit, shumë herët u angazhua në qëmtimin e trashëgimisë popullore.
Shkollën fillore djali i ri lumjan e mbaroi në vendlindje, shkollën unike e filloi në Kukës dhe e mbaroi në Bicaj me rezultate të shkëlqyera. Pastaj vazhdoi me bursë shteti shkollën e mesme pedagogjike në Peshkopi, me ato rezultate, por për arsye biografike nuk iu dha medalja e artë. Shefqeti filloi punë në shkollën 7-vjeçare Kukës dhe njëkohësisht vazhdoi studimet me korespondencë, fillimisht në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar në Tiranë dhe pastaj në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tiranës.
Shefqet Hoxha ka kaluar të gjitha shkallët e mësimdhënies, mësues dhe drejtor në shkolla shtatë dhe tetëvjeçare, mësues dhe drejtor në shkollën e mesme, metodist dhe drejtor në Kabinetin Pedagogjik; pak kohë Inspektor Arsimi në Rreth dhe pedagog në Filialin e Kukësit. Te Shefqet Hoxha bashkohen më së miri pedagogu, metodisti dhe shkencëtari, prandaj gjatë gjithë jetës së tij aktive ai nuk i ndau detyrat si mësimdhënës dhe detyrat si kërkues shkencor, megjithëse të dy angazhimet kërkonin shumë mund dhe sakrifica.
Shefqet Hoxha e nisi punën shkencore si hulumtues i visareve popullore. Pasionin për folklorin ai e dëshmoi përmes bashkëpunimit të hershëm, që nga fillimi i viteve ’50 të shekullit XX me Institutin e Folklorit në Tiranë. Studiuesi i njohur kuksian i ka shkelur pëllëmbë për pëllëmbë fshatrat e Kukësit, duke hyrë në çdo familje, për të mbledhur visaret kombëtare: proverba, përralla, anekdoda, fjalë të rralla, doke e zakone të moçme, këngë të epikës historike dhe legjendare, ritual etj. Punimin i tij i parë shkencore ishte “Fejesa dhe martesa në Lumë“, pastaj botoi punimet “Lindja në Lumë“,“Toponimet e Fanit“ dhe “Në gjurmët e trojeve të Bogdanit“. Publikimi i këtyre punimeve, ndonëse me përmbajtje thellësisht shkencore dhe pa frymë ideologjike, do të bëheshin pas peripecishë të shumta. Në vitin 1980, Dhora Lloja, Drejtoresha e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës do t’i kërkonte leje Komitetit të Partisë së Rrethit Kukës për botimin e dy punimeve shkencore të studiuesit Shefqet Hoxha ne Buletinin Shkencor të Institutit: Terminologjia e mullirit në të folmen e Lumës; Grimca etimologjike, pasi sipas saj “materialet paraqesin interes shkencor”. Po në këtë vit, Drejtori i Institutit të Kulturës Popullore, Alfdred Uçi, njofton Komitetin e Partisë të rrethit Kukës se “kohët e fundit ishte paraqitur për botim një përmbledhje me këngë popullore lirike të rrethit të Kukësit, përgatitur nga Shefqet Hoxha. Vëllimi është me mjaft interes…”.
Vetëm një studiues me vullnet të madh do të besonte aq fort në misionin e tij, pavarësisht pengesave dhe peripecive. Vepra studimore e Shefqet Hoxhës e pa dritën e botimit edhe në ato kushte të luftës së klasave. Kjo u arrit sepse institutet shkencore kishin etje për punime të tilla dhe me punonjësit që kishin në organikë nuk mund t’i realizonin projektet e tyre. Nga ana tjetër, pengesat që i viheshin Prof. Shefqetit ndryshonin nga koha në kohë, në varësi të zhvillimit të luftës së klasave në vend. Kështu, në vitin 1969 kishte mundur të botonte një përmbledhje folklorike me këngë popullore. Por, në vitet 1975-1981 i heqin të drejtën e botimit, të cilën e fiton vetëm në vitin 1982. Që t’i jepej përsëri ajo e drejtë kishte ndërhyrë Drejtori i Institutit të Kulturës Popullore Prof. Alfred Uçi, i cili kishte kërkuar pranë instancave të larta partiake që të botohen librat e Shefqet Hoxhës: “Lirikë popullore nga rrethi i Kukësit” dhe “Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit”.
Shefqeti shpejt u bë mjaft i njohur dhe u emërua si pjesë e ekipit të studiuesve që do të zbatonin projekte të rëndësishme kombëtare. Në vitin 1968, studiuesi kuksian mori pjesë në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, ku referoi temën “E folmja e Lumës dhe disa çështje rreth shtrirjes së nëndialektit verilindor të gegërishtes“. Me angazhimin e tij, po në këtë vit qe organizuar në Kukës një sesion përkujtimor kushtuar 90-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në fillim të qershorit të vitit 1968. Në këtë sesion ai paraqiti kumtesën “Dy lëvizje popullore në Lumë, para dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit“. Tregues i vlerësimit të lartë ndaj tij është dhe pjesëmarrja si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.
Deri në vitin 1991, veprimtaria e gjërë studimore e Prof. Shefqet Hoxhës i ngjante një ajsbergu, ku pjesa më e madhe ishte e panjohur dhe studiuesi erudit veç punonte, pa e pasur shumë të qartë nëse gjithë ajo punë kërkimore do ta gjente ndonjëherë dritën e botimit. Viti 1991 solli shpresa të mëdha në shoqërinë shqiptare dhe Shefqet Hoxha, krahas angazhimeve politike dhe shoqërore që i kërkonte koha, pati dhe angazhimeve studimore të ditës, pasi iu desh që të përgatiste për botim veprat e tij të deriatëhershme. Në librin “Shkrime e botime“, botuar në vitin 2014, ai sjell bibliografinë e plotë të veprimtarisë së tij studimore, e cila sot ëshjtë shtuar dhe përfshin 500 artikuj studimorë; autor i 70 libra studimorë dhe konkretisht: 5 nga fusha e Dialektologjisë; 11 nga fusha e Foklorit; 9 nga fusha e Etnologjisë; 3 nga fusha e Leksikografi-Treminologjisë; 3 nga fusha e Toponimisë; 5 nga Historia e shkollës dhe e arsimit; 20 nga fusha e historisë; 13 monografi dhe një libër me bibliografinë e veprave të tij.
Një kontribut aq i madh shkencor e ka lënë në hije kontributin e tij pedagogjik, por nuk duhet të harrojmë se Prof. Shefqeti ishte njëri nga mësuesit, metodistët dhe drejtuesit më të mirë të arsimit në sistemin parauniversitar në rang vendi;si një mësimdhënës që gjatë karrierës së tij i kaloi të gjitha shkallët e karrirerës profesionale, prej shkollës shtatë/tetëvjeçare deri në auditoret universitare.
Pas përfundimit të shkollës pedagogjike, Ministria e Arsimit e kishte emëruar Shefqet Hoxhën mësues në rrethin e KUkësit, ndërsa Seksioni i Arsimit, duke parë rezultatet e larta që kishte arritur në shkollë e emëroi mësues në ciklin e lartë të shkollës 7-vjeçare “Bajram Curri” të qytetit Kukës, që ishte dhe shkolla 7-vjeçare më e rëndësishme e rrethit, ku jepnin mësim arsimtarë mjaft të njohur e me përvojë: Vehbi Troshani, Zija Kukuqani, Persifoni Musa, Qemal Shehu etj. Dreejtori i shkollës Vehap Muja kishte përgatitje të lartë pedagogjike dhe ishte mjaft kërkues.
Pas atij viti punë, Shefqeti vazhdoi arsimin dyvjeçar në Tiranë me korespondencë dhe pastaj, pa u shkëputur nga puna, plotësoi arsimin pedagogjik katërvjeçar në degën Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës pa shkëputje nga puna(me korespondencë).
Pas shkollës së Kukësit, Shefqeti vazhdoi punën si mësues i ciklit të lartë në shkollën 7-vjeçare Bicaj. Meqenëse familja e tij nuk u fut në kooperativë njëkohësisht me të tjerët, në vitin shkollor 1958-1959 e kaluan mësues në shkollën 7 vjeçare Krumë, edhe ajo një shkollë e madhe. Qe kolegë me Kolec Topallin, që më vonë fitoi titullin Profesor Doktor dhe u bë Akademik; Maxhun Pekën që u bë ambassador në disa vende dhe më vonë Sekretar i Këshillit të Ministrave dhe përsëri Ambasador.
Vitin tjetër shkollor, pasi familja e Shefqetit më në fund hyri në kooperativë, ai u emërua mësues në shkollën 11-vjeçare Kukës, institucioni më i rëndësishëm arsimor në rreth, ku vazhdoi deri në vitin 1961, kur kreu shërbimin ushtarak në Korçë. Pas lirimit nga ushtria, do të rifillonte punën përsëri në gjimnaz, por pastaj ia ndryshuan emërimin në Inspektor në Seksionin e Arsimit, ku qëndroi një vit. Në vazhdim emërohet drejtor në shkollën 7-vjeçare Gostil. Nën drejtimin e tij shkolla e Gostilit qe renditur si njëra ndër më të dalluarat në rrethin e Kukësit. Në vlerësim të arritjeve, në janar të vitit 1968, Shefqeti emërohet drejtor i Gjimnazit të Kukësit, një funksion me mjaft peshë dhe shumë vlerësues, por e kishin larguar brenda atij viti për arsye politike dhe e kishin emëruar në Kabinetin Pedagogjik, ku kishte punuar deri në vitin 1975. Në Kabinetin Pedagogjik qëndroi për shtatë vjet rrjesht dhe gjatë kësaj periudhe mori pjesë në shumë seminare kualifikuese dhe veprimtari të ndryshme pedagogjike anembanë vendit. Në ato vite, Kabineti Pedagogjik i rrethit Kukës organizoi pesë konferenca pedagogjike. Shefqeti si specialist kishte shkruar disa artikuj dhe kishte përgatitur punime të ndryshme shkencore në lidhje me metodikën e mësimdhënies, zbatimin e programeve mësimore etj.
Në vitin 1968, u krijua në Kukës Qendra e Konsultimeve Universitare për mësuesit dhe punonjësit e tjerë që vazhdonin studimet e larta me korespondencë në degët e mësuesisë, e cila shpejt u shndërrua në filial të Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, ku Shefqeti ishte njëri nga pedagogët e parë vendës, ligjërues në lëndët: Histori e Gjuhës shqipe; Gramatikë historike; Dialektologji, Sintaksë, Kulturë e gjuhës etj. Emërimi pedagog i Filialit e njohu dhe e miqësoi me pedagogë të shquar të atij Instituti: Vehbi Balën, Jup Kastratin, Tomorr Osmanin etj. Në vlerësim të aftësive të tij profesionale, Shefqeti qe zgjedhur delegat në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972.
Me gjithë arritjet e dukëshme në punë, në vitin 1975, si rezultat i forcimit të luftës së klasave, Shefqetin e largojnë nga Kabineti Pedagogjik dhe e emërojnë mësues në shkollën e mesme Bicaj, edhe kjo një shkollë e madhe, ku dha letërsi. Në atë shkollë jepnin mësim edhe disa arsimtarë të tjerë, të aftë profesionalisht si: Nazif Dokle, Zenel Bilali, Hamdi Gjana, Fatmira Domi etj. Në shtator të vitit 1977, me kërkesën e tij, Shefqeti emërohet në shkollën 8-vjeçare Përbreg, ku punoi pesë vjet.
Në vitin 1982, në kuadrin e punës që po bënin institucionet shkencore për të mbledhur pasuritë historike, etnologjike dhe folklorike të vendit, caktuan për çdo rreth nga një bashkëpunëtor të tyre, në mes të studiuesve më të afirmuar që e kishin dëshmuar veten. Kukësi qe me fat se në atë detyrë u emërua Shefqet Hoxha, të cilit iu krijua mundësia ta vazhdonte më me intensitet punën e tij shkencore që nuk e kishte ndërprerë për asnjë ditë të vetme.
Megjithë kontributin e madh që kishte dhënë, deri në vitin 1990, Shefqeti nuk ishte vlerësuar nga organet shtetërore dhe vetëm pas përmbysjes së sistemit komunist, kontributet e tij marrin vlerësimin e duhur. Mohimi padrejtësisht i vlerësimit të arritjeve të tij mori fund në vitin 1995, kur Presidenti I Republikës i akordoi titullin “Mësues i Popullit”, më të lartin që jepet në fushën e arsimit. Vite më vonë, Këshilli Bashkiak i Kukësit e ka shpallur “Qytetar nderi”. Në vitin 1996 Prof. Shefqeti mbrojti dizertacionin me tezën “E folmja e Rrafshit të Lumës” dhe mori gradën Doktor i Shkencave, ndërsa në vitin 2007, në vlerësim të kontributit të gjatë e mjaft të vlefshëm shkencor, Komisioni i Lartë i Kualifikimit Shkencor i jep Dr. Shefqet Hoxhës titullin Profesor i Asociuar. Prej atëherë kur e ka fituar atë titull e deri më sot, Prof. Shefqeti ka publikuar dhjetra studime e monografi, si dhe shumë e shumë artikuj shkencorë.
Edhe pse po hyn në vitin e 90-të të jetës, Prof. Shefqet Hoxha vazhdon të punojë me pasion e këmbëngulje mbi dorëshkrimet e tij, duke nxjerrë në vijimësi vepra të reja, të cilat i ka përgatitur ndër vite. Me dëshirën e madhe që ta kemi sa më gjatë në mesin nesh, i urojmë atij jetë të gjatë e të lumtur, edhe vepra të tjera me vlerë për shkencat tona albanologjike, ku ai e ka shënuar emrin e tij me germa të arta.