Profil i kandidatit demokrat, Barack Obama/
Me afrimin e zgjedhjeve të 6 nëntorit, Presidenti Barak Obama duket se i ka forcuar pozitat, pas prezantimit të dobët në debatin e parë presidencial kundër rivalit republikan Mitt Romney. Në ditët e fundit të fushatës, Presidenti po përpiqet ta prezantojë veten si udhëheqës me potencë. Në vazhdim, një portret i politikanit që shënoi një moment historik në vitin 2008 dhe shpreson që ta përsërisë atë fitore të martën:Para 4 vjetësh, Barack Obama u zgjodh presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara.
Partia Demokrate e emëroi atë në një kuvend që u përqëndrua në pakënaqësinë e publikut me problemet ekonomike të vendit. Zoti Obama përfitoi nga kjo gjendje me moton e tij, “Ndryshime tek të cilat kemi besim”.
Gjatë administratës katër vjeçare të Presidentit Obama, ekonomia është përmirësuar, por jo aq sa ç’kishin shpresuar shumë njerëz. Disa ekspertë politikë thonë se zoti Obama ka mësuar ndryshimin e madh që ekziston mes fushatës dhe qeverisjes.
Jennifer Lawless drejton Institutin e Grave dhe të Politikave në Universitetin Amerikan.
“Shumë prej premtimeve të tij vareshin nga ideja se në Uashington do të bëheshin përpjekje ndërpartiake. Dhe menjëherë pasi John Boehner u zgjodh Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve u pa qartë se objektivi numër një i republikanëve ishte që përpjekje të tilla të mos bëheshin”.
Një shembull i tillë ishte projektligji për imigrantët në bazë të të cilit do t’u jepej shtetësia imigrantëve që kishin ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshën e fëmijërisë. Ky akt u mbështet nga presidenti, por nuk u miratua kurrë nga Kongresi. Në qershor, Presidenti Obama njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalnin përkohësisht dëbimin e imigrantëve që mbroheshin nga deportimi në bazë të projekt-ligjit të imigracionit. Ndërkohë, administrata e tij ka deportuar më shumë imigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.
Presidenti Obama mbajti premtimin e fushatës për të reformuar kujdesin shëndetësor të vendit. Ndërsa ky ligj ngjalli shumë debate, Gjykata e Lartë, e cila diskutoi kushtetueshmërinë e tij, i mbështeti dispozitat kryesore të ligjit.
Presidenti kërkoi dhe Kongresi miratoi një paketë prej 787 miliardë dollarësh për stimulimin e ekonomisë dhe më pas zbatoi një program shpëtimi për kompanitë e automobilëve General Motors dhe Chrysler.
Në maj të vitit 2011, forcat speciale zbuluan vendndodhjen dhe me një operacion ushtarak vranë në Pakistan Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti tërhoqi forcat amerikane nga Iraku, shtoi numrin e trupave në Afganistan dhe nënshkroi një traktat të ri për kontrollin e armëve me Rusinë.
Barack Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ai është gjithashtu presidenti i parë në detyrë që mbështet ligjërimin e martesës mes homoseksualëve.
Kur zoti Obama u përball me rivalin e tij republikan Mitt Romney në debatin e parë presidencial, Presidenti kishte një avantazh të vogël por të qëndrueshëm në anketat e opinionit në shkallë kombëtare, por ai nuk doli mirë në debat dhe zoti Romney avancoi.
Zoti Obama e ka përqëndruar mesazhin e fushatës kryesisht tek të rinjtë, gratë, pakicat dhe klasa e mesme. Gjatë javëve të fundit, ekonomia është përmirësuar pak gjë që mund ta ndihmojë Presidentin Obama.
Në javët e fundit të fushatës, zoti Obama anuloi fushatën për t’u përqendruar tek përgjigja e qeverisë kundër uraganit Sandy. Guvernatori republikan i Nju Xhërsit, i cili më parë ka qenë kritik i ashpër i presidentit, lavdëroi zotin Obama për rolin e tij në përpjekjet pas uraganit.
Barak Obama lindi në Havai në 1961. Ai dhe bashkëshortja e tij Michelle kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.
Nënpresidenti Xho Bajden është edhe këtë radhë kandidati demokrat për nënpresident. Zoti Bajden ka shërbyer për gjashtë mandate si senator dhe konsiderohet si ekspert në politikën e jashtme.( Carolyn Presutti VOA)
Profil i kandidatit Mit Romney
Ish-guvernatori i Masaçusetsit dhe kandidati republikan për president Mitt Romney është në një garë të ngushtë me Presidentin Obama pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të së martës. Në vazhdim, ju sjellim një profil të kandidatit republikan, i cili mund të bëhet presidenti i 45 amerikan nëse fiton ndaj Presidentit Barak Obama. Partia Republikane përfaqësohet në zgjedhjet e nëntorit me kandidatët Mitt Romney dhe Paul Ryan. Në fushatën për t’u bërë Presidenti i 45 amerikan, zoti Romney përpiqet të vërë në pah aftësitë e tij për të rimëkëmbur ekonominë amerikane. “Unë i kuptoj këto gjëra, dhe dua që ta shfrytëzoj këtë përvojë për të krijuar punë të mira për të gjithë amerikanët që duan punë”. Nëse zgjidhet, zoti Romney thotë se do të ulë taksat, do të shkurtojë shpenzimet qeveritare dhe deficitin buxhetor si dhe do të anulojë ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor. Ai thotë se do të krijojë 12 milionë vende pune gjatë mandatit të tij të parë katër vjeçar.
Zoti Romney bëri fitime prej miliona dollarësh, kur ishte një ndër drejtuesit e kompanisë Bain Capital, një ndër firmat më të mëdha të investimeve në botë. Ai ndihmoi për të shpëtuar nga problemet financiare Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City dhe ishte guvernator i shtetit Masaçusets për një mandat. Zoti Romney nuk pati sukses katër vjet më parë, kur u përpoq të merrte emërimin e Partisë Republikane, si kandidat për zgjedhje. Por këtë radhë, ai i rezistoi konkurrencës nga rivalët më konservatorë Rick Santorum dhe Neët Gingrich dhe kapërceu dyshimet për fenë e tij mormone. Zoti Romney tani kryeson përpjekjet e partisë së tij për të mundur Presidentin Obama të martën, thotë analisti John Fortier: “Mitt Romney mund të mos jetë kandidati më entuziast, por dëshira për të mundur Presidentin Obama është një faktor i fortë motivues për republikanët”.
Në frontin e politikës së jashtme, zoti Romney thotë se, Presidenti Obama ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin e Amerikës, Izraelin dhe nuk është treguar i ashpër sa duhet ndaj Iranit, Kinës dhe Rusisë. Ai ka kritikuar Presidentin për reagimin ndaj sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë. Katër amerikanë humbën jetën në këtë sulm. “Në marrëdhëniet me vende të tjera, Presidenti ka treguar besim tek njerëz që nuk e kishin fituar këtë besim, ka ofenduar njerëz që nuk e meritonin dhe ka kërkuar ndjesë atje ku nuk duhej”. Zoti Romney është përqendruar tek problemet e ekonomisë. Në debatin e parë presidencial me Presidentin Obama, zoti Romney gjithashtu premtoi se, nëse zgjidhet president ai do të bashkëpunojë me të dyja partitë në qeverisjen e vendit. “Republikanët dhe demokratët e duan Amerikën, por ne kemi nevojë për një udhëheqje të fortë në Uashington që do të bashkonte njerëzit dhe do të bënte punën. Për mua nuk ka rëndësi bindja partiake.